Ndodhi

Parku i Krastës, mes ndotjes dhe shkatërrimit

25 tetor 2020/ Porta Vendore/ Elbasan

Parku i Krastës në Elbasan, po shkatërrohet nga dita në ditë, ku pyjet po priten, ndërsa ndotja po i merr frymën, ndërkohë që askush nga pushteti vendor nuk ndërhyn, duke e çuar drejt shkatërrimit këtë pasuri të qytetit.

Krasta është pyllëzuar 6 dekada më parë, ku në të ende mund të gjesh gjelbërimin e harlisur halor, me një kombinim për tu pasur zili, të pishës, bredhit, dëllinjës dhe cetrusit.

Ky park, i ndodhur në pjesën lindore të qytetit të Shqipërisë së mesme, është një nga kodrat më të mëdha të Elbasanit, me një sipërfaqe rreth 150 hektarë.

Në kushtet kur parku “Rinia” prej tre vitesh vazhdon rikonstruksionin, kodra e Krastës mbetet i vetmi vend, ku qytetarët elbasanas mund të kryejnë shëtitje, ecje dhe vrapime në natyrë dhe ajër të pastër, por ai është lënë pas dore nga pushteti vendor.

“Ndotja që ka Krasta aktualisht ia shëmton pamjen këtij vendi. Mizerabël mbetjet e hedhura këtej-andej. Kam 3 ditë që kam ardhur nga Greqia, i kam bredhur të gjitha parqet andej, e dal këtu ça të shoh”, rrëfen Tani.

Parku i Krastës ndodhet vetëm 3 km larg nga qendra e qytetit dhe frekuentohet nga të moshuar, por edhe të rinjtë për të kryer aktivitete të ndryshme. Por përveç prerjes pa kriter të pemëve që po “rrëgjohen” dita-ditës, kjo zonë vuan edhe hedhjen e mbetjeve pa kriter.

“Dal dy herë në ditë këtu. Kemi problemet tona shëndetësore që detyrohemi të bëjmë ecje. Vij këtu se e kam afër, por ama gjendja në të cilën është katandisur ky park është për të ardhur keq, kishe lezet dikur të dilje këtu. Tani Krasta është kthyer në një ndotje të madhe mjedisore për ne që e vizitojmë dhe për zonën përreth”, tregon Shemshedini për Portën Vendore, teksa rrëfen se bën ecje në këtë park dy herë në ditë nga 1 orë.

Ndotja nga mbetjet urbane në zonën e Krastës.

Në këtë situatë kanë përgjegjësinë e tyre si bashkia, e cila nuk e pastron këtë zonë, por edhe qytetarët që hedhin vend e pa vend ambalazhet e ushqimeve dhe pijeve që konsumojnë. Por me së shumti duket që bashkia e ka lënë thuajse jashtë çdo vëmendje këtë park.

Për ambientalistin Ahmet Mehmeti, kurora e Gjelbër Krastë-Mengël është një xhevahir i çmuar për qytetin e Elbasanit, por sipas tij kjo zonë e Elbasanit është lënë tërësisht në harresë nga instancat përkatëse, ashtu siç ndodhi pak ditë më parë edhe me zjarrin masiv që përfshiu këtë park.

Ky pyll park i mbijetoi dëmtimeve katastrofike të vitit 1997, dhe të vjen keq se që nga ajo kohë në vend që të rigjallërohej, është dëmtuar edhe më shumë, qoftë nga agjentët atmosferike si era dhe stuhitë, por edhe prerjet pa leje, shkatërrimet, zjarret etj. Bukurinë e këtij mjedisi e cenojnë që nga keqmenaxhimi, e deri te mbetjet e hedhura gjithandej, duke e rrezikuar në çdo çast për dëmtime nga zjarret”, tregon Mehmeti për Portën Vendore. Edhe pse ndër ekspertët e paktë mjedisorë, ai nuk ka nguruar që të ngrejë zërin herë pas herë na bashki në lidhje me problematika të ndryshme mjedisore, që shqetësojnë qytetin dhe komunistin. Ndërsa kësaj radhe ai apelon nëpërmjet Portës Vendore që të kthehen sytë nga ky park, i vetmi i mbetur si mushkëria e qytetit. “Në këtë objekt kaq të çmuar, bashkia duhet menjëherë të drejtojë vëmendjen dhe të ngarkojë me detyra të posaçme ekspertë të pyjores me përvojë dhe të përkushtuar për mbrojtjen dhe menaxhimin që meriton kjo hapësirë e gjelbër”, përfundon ai.

Parku i Krastës në qytetin e Elbasanit.

Në nëntorin e vitit të kaluar, në një vizitë në Parkun e Krastës, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mori pjesë në një aksion të organizuar për pastrimin e Kodër Krastës në Elbasan, nga ku dha edhe lajmin e mirë të kërkesës, drejtuar Agjencisë Kombëtare Japoneze, për financimin e projektit për rivitalizimin e Kodër Krastës.

Në fjalën e tij, Balla tha se projekti parashikon shtimin e gjelbërimit dhe hapësirave rekreative, por deri më tani nuk ka asnjë projekt të tillë që të ketë nisur nga zbatimi.

Porta Vendore iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Elbasan ku i drejtoi pyetjet si më poshtë:

-A ka bashkia një plan konkret për rivitalizimin e parkut të Krastës brenda vitit 2020?

-A pastrohen mbetjet në këtë park rregullisht?

– Po përsa i përket abuzuesve me pyjet, a keni konstatuar ju si institucion raste të prerjeve të pyjeve në këtë zonë? Nëse po, çfarë masash janë ndërmarrë?

-Po me projektin e lançuar në nëntor 2019 ku do të bëhej një partneritet me Agjencinë Kombëtare Japoneze, për rivitalizimin e parkut të Krastës në Elbasan, në çfarë faze jemi?

Por megjithëse ka kaluar mbi një muaj, ky institucion vendor ende nuk ka kthyer një përgjigje duke shkelur ligjin e të drejtës për informim.

Kodra e Krastës luan rol mbrojtës ndaj erozionit dhe në të përplasen erërat e forta të lindjes. Gjithashtu në pjesën veriore të kodrës ndodhet dhe depoja e ujit të pijshëm që furnizon qytetin e Elbasanit.