23 tetor 2020/ Ardit Hoxha/ Porta Vendore/ Tiranë
Në vrullin e këtyre 30 viteve tranzicion në Shqipëri, njëri nga problemet më të mëdha dhe me pasojat ndoshta më afatgjata, është ndërtimi pa kriter dhe zaptimi i hapësirave publike me ndërtesa kuturu. Parqe të shkatërruara, mbi të cilat janë ngritur pallate apo trotuare të ngushtuar nga zgjerimi pa-ngopje i godinave private. Në Tiranë në këto 3 dekada, është ndoshta një nga gjërat më të zakonta. Por ka edhe një fenomen akoma edhe më ekstrem se ato që u përmendën më sipër, siç është bllokimi i rrugëve dytësore në brendësi të lagjeve. Në këtë vëzhgim nuk kemi parë gjithë rrugicat dhe rrugët dytësore të Tiranës me 1 milionë banorë, por u fokusuam në njësinë nr.2 të kësaj bashkie, që është një nga më të mëdhatë, por njëherësh edhe me problematikja për çështjen e bllokimit të rrugëve nga ndërtimet apo zgjerimet e pronave private. Janë të paktën 4 rrugë që ne kemi mundur të identifikojmë në njësinë nr.2 në Tiranë, që janë ose të bllokuara plotësisht, ose janë lënë në formën e shtigjeve ku mund të kalojnë 2 këmbësorë duke u shkëmbyer me vështirësi me njëri-tjetrin.
Rruga “Vilat Gjermane”, rruga “Pandeli Evangjeli”, rrugica që lidh rrugën “Gramos Pashko” me rrugën “Fuat Toptani” dhe rruga që lidh rrugët “Tre Vëllezërit Kondi” e “Haki Shehu”, janë 4 akse dytësore në Njësinë nr.2 , në një afërsi jo shumë të madhe nga njëra-tjetra, por që emëruesin e kanë të përbashkët, pasi janë të gjitha rrugë të bllokuara. Diku totalisht, ku janë ngritur mure e porta nga banorët, e diku tjetër të ngushtuara, duke i lënë me vetëm nga 1 metër gjerësi, këto rrugë janë bërë një problem mjaft shqetësues për banorët e këtyre lagjeve, por edhe për studentët e shumtë që zgjedhin të jetojnë në këtë zonë për shkak të afërsisë me godinat e fakulteteve kryesore.

Ankesat e banorëve
Zona të cilës i referohemi në këtë shkrim është nga ato lagje që zhvillimin e saj më të madh e ka parë pas vitit 1992, ku aty u vendosën familje të ardhura nga krahina të ndryshme të vendit. Siç na treguan banorët, në fillimin e viteve 90′, zona ishte më shumë e ngjashme me një pyll se sa me një lagje të kryeqytetit. Por shumë shpejt shkurreve dhe pemëve në këtë zonë shumë afër qendrës së kryeqytetit, ia zunë vendin ndërtimet, fillimisht të vogla e më pas pallate shumëkatëshe. Por bashkë me uzurpimin e “tokës pa zot” me ndërtime pa kriter dhe pa plan urbanistik, në këtë lagje filluan të bllokohen edhe ato rrugë që ishin të projektuara në letër, dhe që në fillimin e viteve 90′ ishin të hapura. Mirëpo shtimi i ndërtimeve e rrjedhimisht edhe i dendësisë së banorëve pas viteve 2000 në zonë, lindi nevojën që rrugët e bllokuara të rihapen. Qarkullimi i mjeteve, rrjeti nëntokësor i ujërave të zeza dhe ai i ujërave të bardha, apo edhe rrjeti i linjave të telekomunikacionit, janë disa nga problemet më të mprehta që me bllokimin e këtyre rrugëve dytësore këta banorë i kanë shkaktuar vetes së tyre. Mjafton një shi dhe ujërat e zeza përmbytin gjithë katet e para të banesave, duke nxjerrë çdo gjë jashtë përdorimit. Mjafton një zjarr i vogël dhe shtëpia shkrumbohet e gjitha, pasi në rrugët si labirinte që janë krijuar në këtë njësi, makina e zjarrfikëses e ka të pamundur që të futet. Por edhe nëse duan linja më të mira të internetit, për banorët e kësaj lagje në Tiranë është e pamundur, pasi shtrirja e linjave në rrugët e bllokuara është e vështirë, në mos e pamundur.

Për shkak të kësaj gjendje, një përfaqësi prej 14 banorësh të kësaj lagje, që preken nga bllokimi i rrugëve të sipërcituara, në vitin 2015 iu drejtuan Bashkisë Tiranë me një letër zyrtare, ku kërkonin zgjidhje për hapjen e rrugëve të bllokuara. Në letër banorët shtronin problemin e bllokimit të rrugës dhe apelonin për ndërhyrje nga bashkia. “Kërkojmë verifikimin në vend dhe marrjen e masave të menjëhershme nga ana juaj për lirimin e rrugës ‘Pandeli Evangjeli’ që lidhet me rrugën ‘3 vëllezërit Kondi’, e cila është zaptuar nga ndërtime pa leje, shtesa oborresh, të ndërtuara që nga viti 2000 e në vazhdim deri në vitin 2014 nga ana e banorëve të kësaj zone, si dhe mundësimin e krijimit të një rrugë kalimi për këmbësorët, pasi u zbatua projekti i Bashkisë Tiranë për zgjerimin e rrugës së Elbasanit, kjo rrugë për këmbësorët u mbyll dhe aktualisht jemi të detyruar t’i biem rreth e përqark për të kaluar në zonën e ndodhur në rrugën ‘Pandeli Evangjeli’ dhe më konkretisht afër ‘vilave amerikane’. Kërkojmë prishjen e këtyre ndërtimeve pa leje dhe shtesave, me qëllimin lirimin e rrugës dhe kthimin e saj në gjendjen e mëparshme. Gjithashtu gjatë zbatimit të projektit të Bashkisë Tiranë lidhur me zgjerimin e rrugës së Elbasanit, rruga kaluese që ishte ekzistuese për këmbësorët u mbyll dhe aktualisht nuk kemi mundësi kalimi. Kërkojmë mundësimin e hapjes së një rrugë për këmbësorët ose mundësi mbikalimi“, thuhet në letrën e 14 banorëve të kësaj lagje që apelonin pranë Bashkisë Tiranë në vitin 2015 për gjetjen e një rrugëzgjidhje për problemin e tyre.
Pak muaj më vonë, në fillim të vitit 2016 banorëve iu kthehet përgjigje nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit. Në letrën e datës 11 shkurt 2016 me firmën e ish-kryeinspektorit, Skerdi Drenova thuhet se nga verifikimi i bërë në terren nuk ka rezultuar asnjë ndërtim i ri pa leje. “Nga verifikimet e kryera në terren rezulton se nuk ka punime ndërtimore në proces. Ndërtimet janë kryer vite më parë dhe për të realizuar hapjen e rrugëve nevojitet një plan urbanistik i miratuar dhe një projekt rruge. Për sa i përket rrugës kaluese për këmbësorët, e cila është mbyllur nga zbatimi i projektit për zgjerimin e rrugës së Elbasanit dhe hapja e një rruge të re, ju informojmë se nuk është në kompetencat e IMT”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Tiranë.

Me këtë përgjigje problemi vijoi të mbetej i njëjtë pa zgjidhje dhe rruga “Pandeli Evangjeli” vijon të mbetet e bllokuar, ashtu si edhe akset e tjera që kemi përmendur në fillim të shkrimit. Bllokimi i rrugëve dytësore në këtë lagje, për Artur Allushin shkakton një tjetër shqetësim. Ai tha se në shtëpinë e tij në rrugën “Tre Vëllezërit Kondi”, për shkak të ngushtimit të rrugës nga zgjerimet e banesave private nuk mund të futet zjarrfikësja dhe me shumë vështirësi ambulanca. “Rrugët janë problemi më i madh i kësaj lagje. Te shtëpia ime mezi hyn ambulanca. Larg qoftë në rast se bie ndonjë zjarr, aty nuk mund të futet makina e zjarrfikëses se është shumë ngushtë. Dhe jemi ne të gjithë nga pak fajtorë për këtë lloj gjendje që është krijuar”, u shpreh z.Allushi. Ndërsa për Klodi Berberin, një i ri që prej disa vitesh jeton në një banesë me qira në këtë lagje, bllokimi i rrugëve dytësore në fillim ishte traumatik. Ai na tregon se duke mos e njohur lagjen dhe mënyrën se si ishin bllokuar rrugicat, ai disa herë është gjendur në “rrugë qorre” dhe është kthyer pas. “Po në fillim, duke qenë se nuk e njihja lagje, ka pasur raste edhe kur jam ngatërruar, duke u futur në rrugë që nuk të nxirrnin askund. Ishte pak e vështirë në fillim për tu mësuar dhe ambientuar me këtë gjë. Mendoj se rrugët dytësore duhet të hapen se edhe trafiku në rrugët kryesore do të ishte më liruar për mendimin tim nëse makinat do lëviznin normalisht në rrugët brenda lagjeve”, tha Klodi.

Reagimi i Bashkisë Tiranë
Nisur nga kjo problematikë, por edhe mungesa e reagimit ndaj ankesave të banorëve, “Porta Vendore” iu drejtua me një kërkesë zyrtare për informacion Bashkisë Tiranë, duke i kërkuar të dhëna për situatën. Në kërkesën drejtuar Bashkisë Tiranë, ne shtruam këto pyetje:
- A është në dijeni bashkia për bllokimin e disa rrugëve të brendshme të lagjeve në njësinë administrative nr.2, të cilat, ose janë totalisht të pakalueshme, pasi tashmë janë shndërruar në prona private, ose janë lënë si “shtigje” me hapësirë 1 metër, ku mund të kalojnë vetëm këmbësorët me vështirësi.
- A ka ndonjë plan për rihapjen e këtyre rrugëve dhe rikthimin e tyre në shërbim të komunitetit?
- A ka pasur raste të ankesave të banorëve të kësaj njësie për bllokimin e rrugëve të brendshme të lagjeve, dhe nëse po, cili ka qenë reagimi i bashkisë Tiranë?
Për këto tri pyetje të nisura zyrtarisht Bashkisë Tiranë, morëm përgjigje vetëm për dy prej tyre. Për dy pyetjet e para, Bashkia Tiranë u përgjigj me anë të dy shkresave që vërtetonin verifikimin që kishin bërë në terren Policia Bashkiake dhe Inspektorati i Mbrojtës së Territorit. Në të dyja përgjigjet e kthyera nga Bashkia Tiranë, edhe pse me diferencë kohore mes tyre, pasi përgjigja nga policia bashkiake erdhi më datë 23 korrik, ndërsa ajo nga Inspektorati i Mbrojtës së Territorit, më 14 gusht, në thelb përmbajtja ishte e njëjtë, inspektorët e këtyre dy institucioneve në varësi të Bashkisë Tiranë, nuk kishin vërejtur bllokimet e rrugëve. “…Ju bëjmë me dije se nga verifikimi i kryer i punonjësve të policisë bashkiake, nuk janë konstatuar rrugë të bllokuara në territorin e njësisë administrative nr.2”, thuhet mes të tjerave në përgjigjen që Bashkia Tiranë i ktheu Portës Vendorepas kërkesës për informacion. Po ashtu, edhe përgjigja pas verifikimit të Inspektoratittë Mbrojtjes së Territorit nuk ishte shumë e ndryshme, ku mes të tjerash thuhet se nuk ka pasur bllokime të hapësirave publike. “Mbas verifikimit në terren rezultuan se nuk kemi situatë ndërtimore në proces ose zënie të hapësirës publike. Nuk janë konstatuar objekte që paraqesin rrezikshmëri shembjeje apo kërkesë për lirim sheshi, referuar ndonjë leje ndërtimi apo projekt të miratuar”, thuhet mes të tjerash në përgjigjen që ktheu Bashkia Tiranë pas inspektimit që kishte bërë Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit gjatë muajit korrik.
Ndërsa për pyetjen e tretë të dërguar në kërkesën për informacion, Bashkia Tiranë nuk është përgjigjur për ankesat e banorëve të zonës dhe për mënyrën se si ato janë përpunuar institucionalisht.
Ne ndërkohë për të pasur një ide me të qartë për hapat e bashkisë në zgjidhjen e kësaj problematike, kontaktuam me administratorin e kësaj njësie, Florian Pullazin. Ky i fundit u tregua i gatshëm që të na tregonte për këtë “plagë” siç e quajti ai për të gjithë Tiranën dhe sidomos më shumë në zonat ku ka pasur ndryshime drastike demografike në 30 vitet e fundit. Pullazi shpjegoi se disa nga akset e bllokuara nga banesat private, apo edhe një përrua që kalon në këtë lagje, mbi të cilin janë bërë ndërtime, janë fenomene që ai si administrator dhe njësia nr.2 i di, por se zgjidhja kërkon një angazhim kompleks. Sipas tij, një pjesë e banesave që kanë pjesë të tyre në gjurmët e rrugicave, janë në proces legalizimi dhe disa të tjera i kanë marrë dokumentet e legalizimit dhe nga kjo pikë bëhet më e vështirë ndërhyrja për t’i hapur këto akse, për shkak se kosto do të bëhej shumë e madhe.
Zgjidhja sipas ekspertëve
Mbyllja e rrugëve dytësore është një problematikë e mprehtë që ndikon edhe rëndimin e trafikut në Tiranë që thuajse në çdo ditë të javës është i bllokuar. Eksperti i qarkullimit rrugor, Fatmir Hasho, në një intervistë për Porta Vendore, theksoi se duhet pasur gjithmonë parasysh se mbyllja e këtyre akseve dytësore nëpër lagje krijon atë që quhet fenomeni i “grykës së hinkës” për trafikun. “Në këtë moment është më e rëndësishme planifikimi dhe realizimi sipas standardeve të lidhjes midis rrugëve,që të mos jenë si në formën e ‘grykës së shishes’, e cila krijon një trafik të rënduar në rrugët kryesore. Nuk duhet anashkaluar edhe krijimi i hapësirave për parkim, i cili është një fenomen që sa po vjen po bëhet shumë problematik. Duke mos anashkaluar papërgjegjshmërinë e qytetarëve, të cilët kanë bërë në gjithë këtë kohë ndërtime të paligjshme, dhe mbi të gjitha pa u bazuar në një planimetri të studiuar, në të cilin qarkullimi i mjeteve në rrugë ka rëndësi parësore, bashkia është përgjegjësja kryesore e kësaj situate. Si ent pronar i rrugëve urbane, është detyrë parësore e bashkisë hartimi i projekteve të infrastrukturës për qarkullimin e përdoruesve të rrugës, ku përfshihen automjetet, biçikletat dhe këmbësorët. Në gjendjen konkrete është emergjence lirimi i shumë prej këtyre rrugëve dhe plotësimi i tyre me sinjalistikën e nevojshme dhe të domosdoshme për rritjen e sigurisë rrugore, pasi edhe rritja e numrit të automjeteve në qarkullim shton vështirësitë në qarkullim”, shpjegoi Hasho .
Eksperti Hasho thotë më tej se bllokimet e këtyre rrugëve që ne kemi konstatuar në njësinë nr.2 të Tiranës përbëjnë një problem shumë të madh e kompleks për qytetin dhe nuk bëhet fjalë vetëm për qarkullimin e mjeteve, pasi flitet edhe për rrezikimin e jetës së qytetarëve. Ai na tregoi edhe disa zgjidhje se si kjo problematikë të zgjidhet ose të minimizohet. “Është e vërtetë se shumë rrugica lagjesh janë të deformuara dhe kanë humbur funksionin e tyre, ose e bëjnë të vështirë qarkullimin, ose vende-vende e bllokojnë atë. Dhe kjo është vepër e njerëzve të pandërgjegjshëm të cilët kanë bërë ndërtime pa kriter dhe pa asnjë planifikim urban. Përveçse vështirësive në qarkullim, ato janë edhe të pavlefshme në rastet e jashtëzakonshme, si në raste zjarri ose emergjencash të ndryshme. Kryesisht këto rrugë janë të ngushta nga ndërhyrjet e kryera, por edhe mungojnë në tërësi të tyre trotuaret, për të kaluar këmbësorët të sigurt. Të gjitha kryqëzimet që ndodhen në këto rrugica lagjesh, ose ndërprerjet e rrugëve janë me përmasa shumë të vogla dhe paraqesin rrezik në çdo moment për sigurinë rrugore”, thotë eksperti Fatmir Haxho për Portën Vendore duke shtuar se duhet një ndërhyrje urgjente nga bashkia, në drejtim të: “Së pari zgjerimin e rrugëve në parametra normale të korsive të lëvizjes. Në rast se nuk mund të arrihet për arsye objektive të planëzojë një projekt për qarkullimin e mjeteve me një sens lëvizjeje. Të krijohen të gjitha mundësitë për hapjen, qoftë edhe në një krah për trotuaret e lëvizjes se këmbësorëve. Të plotësohen me sinjalistikë rrugore, me qëllim shmangien e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë së saj”, sugjeroi eksperti i qarkullimit rrugor, Hasho.
Sakaq, në planin urbanistik, eksperti Gentian Kaprata na tregoi se problematika e bllokimit të rrugëve dytësore nëpër lagjet e Tiranës vjen nga ndërtimet pa plan, të cilat e kanë përkeqësuar cilësinë e të jetuar në shumë pjesë të Tiranës. “Po, ndërtimet e paplanifikuara dhe të fragmentarizuara, apo të pambështetura në një studim urbanistik pjesor, të viteve të fundit kanë dëmtuar rëndë strukturën funksionale të njësive të banimit, dhe si konsekuencë na kanë prodhuar një qytet në të cilin jetohet keq, në lidhje me shumëçka, dhe veçanërisht me infrastrukturat inxhinierike, ku bën pjesë edhe rrjeti rrugor i brendshëm i njësive strukturore të qytetit. Ka vetëm një rrugë për tu përballur me këtë problematikë, dhe ajo është zhvillimi urban dhe ndërtimor i mbështetur në planifikimin e qytetit dhe projektimin e njësisë urbane. Pra, Bashkia Tiranë duhet ta nisi me një Plan të Përgjithshëm të saj, dhe me tej të bëj plane pjesore për çdo njësi strukturore të qytetit. Është Plani i Përgjithshëm që thotë se si shpërndahen banorët dhe aktivitetet e tyre urbane në çdo njësi strukturore, dhe pastaj janë projektet urbane të çdo blloku banimi duke u mbështetur në detyrimet që vendos Plani i Përgjithshëm për to. Çdo rrugë tjetër për të zgjidhur këto problematika dhe disbalanca urbane, sikurse janë ato që po ndjek administrata e sotme e Bashkisë Tiranë, nuk bën gjë tjetër veçse i thellon ato”, tha Kaprata.
Më tej ai theksoi se për ndërtimet pa leje që janë ndërtuar mbi gjurmët e rrugëve, shteti duhet të ketë një trajtim ndryshe në procesin e legalizimit. “Ky problem nuk mund të zgjidhet jashtë një ligji për legalizimet i cili të ketë në thelb të drejtën dhe barazinë e shtetasve, edhe përsa i përket kosto-përfitime nga legalizimi. Do të ishte e tepër këtu, të sqaroja tezën time për një reformë të re të formalizimit të ndërtimeve informale. Por mund të them se është jashtë çdo logjike normale që pasi ndërtuesit informal, që e kanë blerë truallin me një çmim qesharak në krahasim me vlerën reale, sepse diferencën e paguajnë taksapaguesit shqiptar nëpërmjet Buxhetit të Shtetit, të dëmshpërblehen me çmime sa vlera e tregut, kur duhet të shpronësohen për truallin që do të përdoret për investime të interesit publik! Ky është thelbi, dhe kjo duhet zgjidhur sa më shpejt me një ligj të ri për formalizimin e ndërtimeve informale. Por problemi më i madh janë lejet e ndërtimit që bashkia po jep akoma, megjithëse gjendja urbane është kështu si është”, u shpreh urbanisti Gentian Kaprata për Portën Vendore.
E teksa çështja është aty prezente për banorët e disa lagjeve në njësinë nr.2, duket se pavarësisht sugjerimeve me vend të ekspertëve të fushës, zgjidhja mbetet ende e largët. Tirana ka nevoja të shumta, ndërsa legalizimi ose jo i banesave pranë këtyre rrugëve qorre e vështirëson edhe më shumë procesin e zgjidhjes.