21 tetor 2020/ Elvis Hila/ Porta Vendore/ Lezhë
Nga 740 punë kërkues të papunë që kishte në Lezhë në fillim të vitit, numri i tyre ne muajin Maj shkoi në 2070, por sipas ekspertëve, numri i tyre është shumë herë më i lartë duke qenë se një pjesë e madhe punojnë në të zezë dhe nuk regjistrohen fare si punëkërkues.
Prej muajit prill Pashuk G. i cili punonte roje nate në një subjekt privat në Lezhë e ka humbur vendin e punës. Kriza ekonomike e krijuar nga pandemia Covid-19 dhe pamundësia për ta paguar, bëri që kompania ku ai punonte prej 10 vitesh t’i ndërpriste marrëdhëniet financiare 60-vjeçarit.
“Kam punuar prej 10 vitesh si roje natën në një subjekt privat në Lezhë. Prej muajit prill jam larguar nga puna unë bashkë me disa punonjës të tjerë, pasi pronari na tha se nuk kishte mundësi të na paguante, duke qenë se u mbyll aktiviteti. Prita që do më rikthejë në punë kur u normalizuar situata, por s’më kërkuan më. Kemi qenë dy roje që punonim me turne dhe na kanë larguar nga puna që të dyve dhe objektin tani po e ruajnë vetëm përmes kamera të sigurisë. Janë larguar dhe një pjesë tjetër punonjësish dhe nuk janë rikthyer më”, thotë Pashuku për Portën Vendore.
Ai tregon se është babai i 4 fëmijëve dhe se të ardhurat e vetme për familjen e tij i krijonte nga puna si roje. 60-vjeçari thotë se është në kërkim të punës, por s’ka mundur ende të gjejë.
“E vetmja e ardhur për familjen time ishte ajo pagë minimale që unë merrja si roje. Ka disa muaj që unë jam pa papunë dhe kjo situatë më ka vështirësuar shumë jetesën, pasi kam 4 fëmijë për të mbajtur. Pa të ardhura është shumë e vështirë të jetohet. Unë jetoj në fshat dhe mundohem të punoj në bujqësi, por asgjë s’po del në dritë. Po kërkoj për ndonjë punë tjetër, por duke qenë se kudo është krizë s’po mundem të gjej. Asnjë mbështetje financiare s’e kam marrë, ndonëse kam qenë i siguruar të paktën gjatë 3 viteve të fundit”, tregon 60-vjeçari.
Situata e jashtëzakonshme e krijuar nga pandemia Covid-10 ka trefishuar numrin e të papunëve në Lezhë. Të dhënat janë bërë publike nga Drejtori i Shërbimit të Punësimit në Lezhë, Fatmir Delishi, sipas të cilit edhe numri i punëkërkuesve që trajtohen me pagesë papunësie ka ardhur në rritje.
“Si një vit i paprecedentë, si rezultat i pandemisë globale Covid-19 edhe zyrat e punës e kanë ndjerë shumë këtë situatë. Jo vetëm që është rritur numri i të papunëve, por është rritur edhe numri i punëkërkuesve të papunë që trajtohet me pagesë papunësie. Konkretisht nga 740 punëkërkues të papunë që kemi pasur në fillim të vitit, në muajin maj, kjo shifër shkoi në 2070. Gjithashtu edhe numri i punëkërkuesve të papunë që trajtohen me pagesë papunësie nga muaji mars e mbrapa është në rritje, por gjithsesi jo në atë shkallë që prisnim, pasi një pjesë e mirë e tyre u trajtuan përmes pagës së luftës me 40 mijë lekë përmes zyrës së tatimeve“, thotë Delishi për Portën Vendore.
Periudha e gjatë e karantinës prodhoi krizë te bizneset, duke i detyruar që të shkurtojnë fuqinë punëtore. Besnik Sula, administrator i një hoteli dhe restoranti në Shëngjin thotë se për shkak të situatës së krijuar është detyruar të shkurtojë të gjithë stafin dhe të punojë vetëm me familjarët e tij. “Para pandemisë kam pasur të punësuar 7 punonjës, të cilët kur u mbyllëm, u detyrova t’i largoj nga puna. Më pas u rihapëm nga gjysma e muajit maj dhe puna ishte zero. Kishte shumë pak xhiro biznesi dhe nuk kisha mundësi financiare të paguaja punëtorë. Që prej asaj kohe po punoj vetëm me familjen time. Puna është e paktë dhe paratë që fitojmë s’po na dalin as për të paguar taksat, ujë e drita. Këtë vit ka qenë dhe sezoni turistik shumë i dobët, ka pasur shumë pak pushues, krahasuar me vitet e shkuara. Kjo situatë na ka penalizuar shumë dhe na ka zhytur në një krizë mjaft të madhe financiare që po e ndjejmë çdo ditë e më shumë”, thotë Sula.
Situatë të ngjashme prezanton edhe Nureman Hasani, i cili ka një biznes të vogël Fast Food në Lezhë. Ai thotë se ka pasur të punësuar 4 punëtorë, por për shkak të situatës së krijuar ka mbajtur vetëm dy prej tyre.
“Periudha e gjatë e mbylljes na ka dëmtuar shumë sepse unë e kam dhe me qira dyqanin. Kam pasur katër punëtorë, por i kam shkurtuar se nuk kam me çfarë t’i paguaj, pasi të ardhurat janë të pakta. Vetëm dy prej tyre kam mbajtur në punë dhe ata me mjaft vështirësi po i paguaj sepse edhe puna nuk është si ka qenë më parë”, rrëfen Hasani.
Për shkak të pandemisë, këtë vit edhe kërkesat për punë nga sektori i turizmit kanë qenë të ulëta, pasi bizneset kanë punuar me më pak se 50% të kapaciteteve të tyre.
“Gjatë sezonit turistik kërkesat e bizneseve për punonjës kanë qenë shumë herë më të ulëta se vitet e shkuara, pasi ka pasur shumë pak pushues. Bizneset që operojnë në zonat turistike, kryesisht në Shëngjin kanë punuar me më pak se 50% të kapaciteteve të tyre dhe kjo normalisht që ka ndikuar edhe tek punonjësit”, shpjegon Fatmir Delishi, Drejtor i Punësimit në Lezhë.
Kriza ekonomike e krijuar nga pandemia, ka detyruar shumë sipërmarrje private që të shkurtojnë numrin e punonjësve e kjo është reflektuar në ekonominë e shumë familjeve në rajonin e Lezhës.