Ngjarje/Personazhe

Shtegu i pashpresë i Luginës së Shërimit

20 tetor  2020/ Edmond Prifti/ Porta Vendore/ Dibër

Shpesh thuhet se një rrugë e keqe, ka edhe një të mirë “që të heq gurët nga veshkat”, por rruga apo më saktë shtegu që të çon drejt fshatit Rabdisht,  6 kilometra larg nga qyteti i Peshkopisë njihet “ironikisht” edhe si “Lugina e Shërimit” për shkak të qetësisë që shumë njerëz kanë gjetur nga mrekullia e ujërave termal.

Përgjatë kësaj rruge në gjendje krejt të amortizuar është edhe “fshati i gurtë”,  i klasifikuar nga qeveria shqiptare si një nga 100 fshatrat turistikë, por në të vërtetë, veçse “emri” i ka mbetur i tillë. Vetë Administratori i Komunës së Rabdishtit, Ramadan Shahini thotë se “…prej 30 vitesh na premtojnë gjithë partitë për një rrugë, – pasi duke qenë pa rrugë nuk ka zhvillim, – ndonëse në fshat ka dy bujtina, e vijnë turistë, ndërsa u pëlqen fshati, si për mikpritjen por edhe pozitën gjeografike. Aktualisht, i vetmi aktivitet në fshat është mbledhja e bimëve mjekësore e turizmi. Është nisur një projekt për rrugën që thuhet që do realizohet këtë vit, a do realizohet? Ende jemi në errësirë. Gjithmonë mbetemi me shpresë, se shpresa vdes e fundit”, është shprehur Shahini, për Portën Vendore.

Një nga pamjet mahnitëse që të shfaqet para hyrjes në të djathtë të fshatit Rabdisht. Foto: Edmond Prifti

Ky fshat ka 80 familje dhe 450 banorë, ndërsa vetë administratori i njësisë z. Shahini, pranon se bashkëfshatarët e tij nuk kanë më besim te ai, dhe njëherazi premtojnë të bojkotojnë votimet për zgjedhjet e 2021-it, për shkak të premtimeve të pambajtura të rrugës, që lidh këtë fshat me Bashkinë e Peshkopisë. Një shpresë pa një afat të përcaktuar, duket se jep edhe Specialistja e Zyrës Turistike në Bashkinë e Peshkopisë, Nevila Manga, e cila rrëfen se “në propozimet që janë bërë për këtë fshat, – pjesë e 100 fshatrave turistikë shqiptarë, pritet të jetë edhe ajo e rregullimit të infrastrukturës rrugore deri në fshat, ndërsa janë bërë përmirësime në rrugët e brendshme të fshatit, në ndriçimin e tyre si dhe në ujësjellësin e ujit të pijshëm, 24 orë”. Ndërsa marrim rrugën për në fshat, përmes atij shtegu plot gropa me një makinë 4×4 që nga 800 lekë fillimisht, për tre persona kërkon 1500 lekë, arrijmë në fshatin e gurtë të Rabdishtit.

Nevila Manga, specialiste në Zyrën Turistike të Bashkisë Peshkopi. Foto: Edmond Prifti.

Atje sapo të shohin si prurje e re në fshat, direkt të pyesin se çfarë ndodh përtej në qytet, me pandeminë, e duket se edhe takimi dorë më dorë me këta banorë zor se mund të shmanget. Tutje në krye të fshatit, midis ngrehinave të stërlashta, dëgjohet muzika e një dasme disa qindra metra sipër, ndërsa banorët na shohin me kuriozitet ne turistët e paktë, të ardhur në fshat në kohëra të liga. I shohim ata që më parë ecnin me rroba pune, tashmë të zbukuruar me këmisha, e parfumosur.

Aty pranë takojmë një nga banorët, Idriz Seferin, i cili na rrëfen se si shkojnë punët e fshatit, pasi më parë na kishte treguar ujësjellësin e ujit të pijshëm dhe ndriçimin e fshatit se, “…nuk i ka bërë shteti ynë, por një organizatë holandeze, të dyja, ujësjellësin së bashku me ndriçimin, ndërsa në pjesën e sipërme të fshatit ashtu kanë ngelur ende me tubat e kohës së Enverit”. Ndërsa vijon se: “Një herë në katër vite na thonë do bëjmë rrugën…dhe erdhi 2020 dhe asnjë gur nuk kanë vënë!”, thotë Sinan Elezi që i bashkohet befas bisedës tonë, teksa ecim përsipër fshatit përmes copëzave të kalldrëmeve të rregullta dhe të çrregullta të këtij fshati, teksa afrohemi tek shtëpia e bletërritësit Faik Nesimi, i cili është me një thes të madh të mbushur me fasule dhe nga pas i ati, Zeqiri i ngarkuar me kashtë, që na ftojnë tek shtëpia e tyre për një gotë me lëng thane dhe kafe turke.

Zeqir Nesimi duke na rrëfyer se sa forcë duhet ti japësh vetes që të mbijetosh në ditët e sotme në fshat. Foto: Edmond Prifti

Nga biseda “fshatçe” me ta, të ndjekur edhe nga bashkëbiseduesit tanë të mëparshëm, mësojmë se ky fshat “dikur krejt i gurtë” (nga rrasat e gurit për shtëpitë) ka pasur gjatë komunizmit edhe një teleferik për trungje drurësh e tagji për bagëtitë, nga bjeshkët sipër fshatit deri në qendër, por gjurmët e tyre, sot nuk shihem më. Sot, një pjesë e madhe e banorëve të këtij fshati, merren me mbledhjen e boronicave dhe të bimëve mjekësore, e megjithatë, sipas vetë fshatarëve të kësaj zone, e pranojnë se kultivimi pa kriter i tyre për vite me radhë duke i shkulur bashkë me rrënjët, i ka detyruar mbledhësit amatorë të vetë fshatit, të kalojnë kufirin përtej Shqipërisë, drejt bjeshkëve të Mavrovës (Maqedoni e Veriut). “Këtu ka ngelur veçse të ngremë një flamur maqedonas dhe ti themi këtij vendi…Maqedoni. U bënë 30 vite demokraci që nuk është venë dorë, që nga rruga kryesore”, shprehet Fitim Selimi, një nga banorët e këtij fshati turistik, teksa mendueshëm shikonte herë pas here nga pas rrugicave, teksa dielli kishte nisur të perëndonte.

Atë natë bujtëm në bujtinën e Sabri Shahinit, pak metra nga qendra e fshatit, i cili na rrëfeu plot histori të vjetra të kësaj zone dhe për vetë familjen e tij, dikur të madhe prej 60 personash. Menaxhimi i gjithë bujtinës së tij të ndërtuar në vitin 2018, me afro 15 shtretër, me akomodim “fshatçe” si dhe ushqime bio fshati, që përgatiten nga ai dhe bashkëshortja e tij Festa (Festime) duke mirëpritur tashmë vizitorët, tashmë akoma më të paktë që vijnë në Rabdisht, pasi siç tregon edhe vetë Sabriu “dy djemtë janë jashtë shtetit”.

Darka bio në Bujtinën e Sabriut. Foto: Edmond Prifti.

Që herët në mëngjes i pari ngrihet Sabriu që merret me një brigadë ndërtimi në Peshkopi dhe po ashtu Festa, e cila të pyet për çdo nevojë që mund të kesh, e jo më atë kafen e mëngjesit “që e qan”. Pas një ushqimi të shijshëm, bisedave shumëllojshme, e rakisë së kumbullës së nxjerrë nga vetë Sabriu, biem e flemë pas mesnate, ndërsa të nesërmen në mëngjes largohemi me kujtime të këndshme e me urimin se një ditë do rikthehemi sërish me premtimet e një rruge të shtruar.

Fotografi e realizuar sipër fshatit nga vendi ku njihet ndryshe nga banorët e Rabdishtit si shpellat e ndërtuara nga ushtarët e Postës Kufitare në kohën e komunizmit për të mbajtur armë dhe ushqime. Foto: Edmond Prifti.

Guidë për Rabdisht…

Për të mbërritur në fshatin e Rabdishtës në Peshkopi, kalohet më parë në shtegun e famshëm të “Luginës së Shërimit”, ku gjenden edhe ujërat termale të llixhave dhe ujit të ftohtë, dy vlera të vlefshme kurative të qytetit të Peshkopisë, që vizitohen nga mijëra vizitorë çdo vit. Largësia nga Tirana është 187 kilometra apo pothuajse 4 orë e 10 minuta. Në fshatin Rabdisht, mund të akomodohesh në Bujtinën “Goleci” apo “Sabriu”, të dyja me çmime pothuajse të njëjta. E gjithë pagesa për person për mëngjesin, drekën, darkën dhe fjetjen, kushton 3500 lekë, ndërsa rruga vajtje-ardhje mund të bëhet me fugonin e linjës, i cili niset nga Peshkopia në mëngjes, me një pagesë prej 70 lekësh apo me makinë të rezervuar deri në 800 lekë. Në fshatin e Rabdishtës temperaturat gjatë verës, janë pothuajse 10-15 gradë më pak se në Tiranë, kështu që përgatituni për mëngë të gjata. Sipas “Smile Albania” fshati shtrihet në pjesën lindore të Qarkut Dibër, 10 kilometra në jug të malit të Korabit, si dhe rrëzë vargmalit të Deshatit, me një sipërfaqe prej rreth 65,5 km². Fshati karakterizohet nga një reliev tipik malor. Mbi fshat shtrihet Bjeshka e Rabdishtit, e vetë fshati është pjesë e parkut natyror Korab-Koritnik (zonë e mbrojtur e kategorisë IV). Nga pikëpamja arkitekturore, fshati Rabdisht është një fshat tipik malor me ndërtesa guri të ndërtuara me teknikat tradicionale. Numërohen mbi 70 shtëpi guri një deri në tre kate të lidhura mes tyre me rrugica me kalldrëm. Zona ku shtrihet fshati Rabdisht, mbart potenciale të mëdha të lidhura me trashëgiminë kulturore dhe natyrore.

Rrugicave të kalldrëmta të fshatit Rabdisht. Foto: Edmond Prifti3