19 tetor 2020/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore
Pandemia Covid-19 ndryshoi tërësisht sjelljen sociale, tronditi fort ekonominë e vendit, solli pasoja shumë të rënda në shumë familje shqiptare që pësuan humbje njerëzore, por edhe krizë financiare. Industria që u godit më fort nga të gjithë është turizmi. Ekspertët flasin për humbje në miliona euro dhe një rritje deri në 80% të shkallës së papunësisë. Përtej kësaj, ata janë pesimistë për të ardhmen dhe propozojnë disa hapa që duhet të merren urgjentisht.
Shifrat e Institutit të Statistikave flasin për 64,7 % turistë të huaj më pak gjatë 7-mujorit të parë të vitit 2020, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Konkretisht sipas INSTAT, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri në 7-mujorin 2020 është 1milion e 169 mijë e 610 vetë, duke rënë me 64,7%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Ndonëse u vu re gjatë muajve të verës kishte dyndje pushuesish nga Kosova, shifrat sërish janë pesimiste, pasi janë 52.4% pushues nga Kosova më pak se vitin e kaluar. “Përgjatë shtatë muajve të 2020, Kosova ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve në Shqipëri me 52,4 %, ndërsa rënien më të madhe e ka pasur Spanja me 88,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019”, njofton INSTAT.
Përkthyer në para sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, 443 milionë euro janë humbjet e përllogaritura nga mungesa e turistëve gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, duke reflektuar pasojat e rënda që ka pësuar sektori për shkak të pandemisë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë kësaj periudhe, vizitorët e huaj kanë shpenzuar në total vetëm 63 milionë euro, nga 506 milionë euro që ishte kundrejt një viti më parë.
Por çfarë mendojnë ekspertët?
Eksperti i turizmit Zak Topuzi, njëkohësisht edhe kryetari i Sektorit të Hotelerive në “Shoqatën Shqiptare të Turizmit”, tha për Portën Vendore se duke analizuar shifrat e INSTAT, parashikon se e ardhmja e turizmit do të vijojë të jetë e zymtë deri në fund të vitit. “Po të bësh një analizë të INSTAT nga janari, si 7-mujor, ka një rënie me 64.7% të shtetasve që kanë hyrë në Shqipëri, pra kanë ardhur 38.3% e të gjithë turistëve që parashikoheshin të vinin, në krahasim me vitin 2029. Kjo sigurisht është një situatë jo e mirë, ndërkohë që periudha në vazhdim do të jetë më vështirë për arsye se nuk ka ndonjë përmirësim të situatës nga koronavirusi, nuk ka ndonjë hapje, apo ndonjë sinjal pozitiv në rajon. Besoj se kështu do të jetë deri në fund të vitit”, thotë Topuzi duke shtuar se në para kjo humbje përkthehet në miliona euro më pak.
“Shqipëria duhet të fitojë 500-600 milionë euro nga turizmi që s’janë gjeneruar, duke krijuar një situatë të ndërlikuar, pasi nga turizmi janë të lidhura dhe industritë e tjera”, shprehet ai. I pyetur se pse Shqipëria nuk arriti të thithte turistë të huaj edhe për faktin se ishte ndër vendet e pakta që i mbajti të hapur kufijtë pa kërkuar test tamponi, eksperti Topuzi thotë se shumë shtete ndoqën politika të tilla që të mbanin në vend shtetasit e tyre në mënyrë që paratë të mos dilnin jashtë.
“Në fakt të gjithë vendet e Rajonit dhe të Europës ndoqën politikën e kufizimit të lëvizjes për të mos përhapur Covid, por edhe të mbanin të ardhurat që të mos dilnin jashtë. Kjo politikë ndikoi negativisht tek vendet që mbahen kryesisht nga turizmi. Por ne pamë edhe problemet në kufi me Greqinë, kryesisht për të penguar lëvizjen e shqiptarëve me pasaporta greke, për të penguar daljen e tyre që t’i konsumonin të ardhurat aty”, shpjegon Topuzi.
Ai tregon se problemet më të mëdha i ka pasur sektori i hotelerisë, për shkak se kanë punuar me kapacitet të kufizuar, por edhe agjencitë turistike të huaja këtë sezon kanë qenë inekzistente. Ai propozon disa masa që qeveria, sipas tij, duhet t’i marrë urgjentisht në mënyrë që kjo industri të mos pësojë kolaps, ndryshe do të kishte efekt zinxhir edhe për sektorët e tjerë të lidhur.
“Tri janë këshillat kryesore. Shtyrja e taksave e tatimeve ose heqja e tyre për vitin 2020. Dhënia e kredive dhe granteve me interesa zero për të përballuar këtë situatë dhe financimi i punonjësve që të mos largohen nga puna. Ky kontingjent njerëzish nuk duhet të mos humbasin vendin e punës. Por në Shqipëri u dhanë vetëm 400 mijë lekë të vjetra për 4 muaj. Kjo ishte ndihma e vetme e kësaj industrie. Përderisa qeveria merr vendim për të bllokuar aktivitetet e hoteleve, bllokon kapacitetet e tyre, seminare, trajnime, mbyll konsumin e ushqimit në vendet e mbyllura; dhe më pas i kërkon kësaj industrie të paguajë taksat vendore dhe taksën e ndërtesës në mënyrë të plotë. Është absurde, kur ti e ke mbyllur aktivitetin. Kërkesa tjetër është shtyrja e kredive. Çfarë të bëjnë bizneset që nga data 1 shtator?! Duhet të shlyejnë kreditë, të marrin kredi tjetër me interes 5% që të shlyejnë detyrimet që kanë?! Ndërkohë, hotelet punojnë me kapacitet minimal. Të gjitha këto kërkesa janë minimale për të mbajtur një industri gjallë. Kjo do shkojë bumerang, pasi falimentimi i industrisë turistike që sjell 48% të eksporteve, gati 50% e punonjësve të lidhur me të, do krijojë probleme të mëdha në ekonominë e vendit. Qeveria as ka denjuar të bisedojë me ne këto shqetësime. Ndërkohë ne, në këtë 7-mujor, kemi punuar me 1/3 e kapaciteteve dhe me 1/3 e punonjësve. Gati më shumë se gjysma e punonjësve janë pa punë dhe akoma më shumë do dalin papunë tani me përfundimin e sezonit veror”, thotë zoti Topuzi për Portën Vendore, ndërsa thekson se kriza financiare si rezultat i Covid 19 nuk ka prekur vetëm hotelet e vegjël, por edhe ato të mëdha.
“Për t’ju dhënë një shembull, hotel Hilton është mbyllur që në mars të vitit që vjen pasi nuk mund të funksionojë me kapacitet të ulët, nuk përballon dot taksat. Pra është e nevojshme që qeveria të ndërmarrë lëvizje të tjera, të cilat janë bërë edhe në vendet e rajonit në mënyrë që të shpëtohet kjo industri. Raporti i fundit për indeksin e shitjeve e shërbimeve tregon se janë rreth 63% më pak të ardhura të realizuara nga shitjet e hoteleve dhe 86% më pak të agjencive të udhëtimit. Kjo tregon se agjencitë e udhëtimit janë drejt falimentit dhe drejt mbylljes totale dhe kjo do krijojë probleme me punësimin”, analizon Topuzi.
Ndërsa nga përfaqësues të qeverisë është vlerësuar turizmi atdhetar i pushuesve të Kosovës që kryesisht gjatë fundjave kanë qenë të shumtë në numër në zonën e bregdetit, eksperti i turizmit por edhe operatori turistik, Besnik Vathi thotë se edhe këta nuk e shpëtuan dot turizmin nga ‘tërmeti’ i Covid-19. Sipas tij, pushuesit nga Kosova kanë shpenzime shumë të pakta në krahasim me turistët e huaj.
“Nëse në vend kanë ardhur 64.7% më pak turistë të huaj, kjo s’do të thotë se edhe humbja në para është mbi 60%, ju siguroj që të ardhurat e humbura nga mungesa e turistëve është shumë më tepër, janë në miliona euro. Kjo pasi turizmi i shtetasve të Kosovës që ka lëvizur, nuk është i njëjtë me turizmin e huaj. Pra shpenzimet e tyre dhe qëndrimi i tyre në Shqipëri është më i ulët. Angazhimi i shërbimeve që marrin në Shqipëri është shumë i vogël sesa i të huajve. Plus që është zero turizmi i ekskursioneve dhe i tureve që bëhen në Shqipëri. Duke pasur strukturën e ndryshme rezulton se humbjet do të jenë shumë më të mëdha. Tregu i agjencive të udhëtimit që bëjnë organizimin, shitjen e lëvizjen e turistëve është i paangazhuar, pasi ky 40% që ka ardhur bën pjesë tek ai treg”, shprehet Vathi, i cili sheh si problem madhor rritjen e lartë të papunësisë në këtë industri me të paktën 70-80%.
Ai e sheh pesimiste të ardhmen e turizmit, duke thënë se edhe vjeshta do të jetë zero njëlloj si pranvera kur vendi ishte në karantinë. “Në kohë normale sezoni i vjeshtës është ndër më të lartat për itineraret e të huajve. Por këtë vit do i ngjajë sezonit të pranverës, i mbyllur tërësisht. Sezoni i vjeshtës do jetë zero. Do pasohet nga një sezon dimri që ne në Shqipëri nuk e kemi sezon pritje të një numri të konsiderueshëm të turistëve. Për mua viti turistik u mbyll dhe nuk pritet gjë tjetër”, thotë ai, ndërsa propozon që qeveria të marrë seriozisht situatën, të njohë pikësëpari dëmet e pësuara dhe më pas të ndërhyrë me paketa rimëkëmbje.
“Problemi i parë është se duhet të njohim realisht dëmet që janë shkaktuar pa u marrë me lojë shifrash. Ka biznese që nga fillimi, e deri tani nuk kanë arkëtuar asgjë. Pjesa më e madhe mund të kenë arkëtuar 10-15% të ardhura. Në tërësi bizneset kanë humbur. Qeveria duhet të njohë dëmet dhe të rindërtojë paketa për rimëkëmbjet. Gjë që nuk po bëhet as e para e as e dyta. Paketa e rimëkëmbjes duhet të ndërhyjë te bizneset që këto biznese të gjallërohen dhe të përgatiten për të ardhmen që ndoshta do vonojë deri vitin tjetër. Duhet të merren një sërë masash ndihmëse fiskale, me grante etj, që ky biznes të rifutet në punë”, sugjeron Vathi.
Ndërsa për eksperten e turizmit shqiptar, Flora Xhemani, sezoni turistik i këtij viti mund të konsiderohet i shpëtuar nëse kemi parasysh pritshmëritë e ulëta dhe deklaratat e operatorëve turistikë në maj-qershor, që u shprehën se do të ishin të kënaqur edhe me 30% të fluksit të vjetshëm.
“Me një qershor të munguar, një korrik të dobët dhe një gusht të mirë, sezonit të sivjetshëm i mungojnë 70 % të vizitorëve të vitit të kaluar. Turistët këtë sezon i kishim 55-60% nga trojet shqiptare Kosova e Maqedonia, një pjesë të vogël nga paketat ‘all inclusive’ që erdhën nga Ukraina, Bjellorusia e Polonia dhe pjesa tjetër turistë vendas. Duke pasur parasysh këtë, të ardhurat e këtij fluksi janë më vogla se 30% sepse konsumi i sivjetshëm ka qenë më i dobët, edhe për shkak të llojit të turistit por edhe prej krizës”, thotë Xhemani për Portën Vendore, ndërsa komenton shifrat e INSTAT në një pikëpamje tjetër, ndryshe nga operatorët turistikë.
“Shifrat e INSTAT tregojnë qartë se humbjet e këtij viti janë pikërisht fitimet e munguara, sepse nëse çdo vit në ekonomi hyjnë nga turizmi ‘incoming’ rreth dy miliardë euro, një shumë tjetër me rreth 1.5 miliardë, del me anë të turizmit ‘outgoing’ duke e lënë fitimin neto rreth 500 milionë euro, pra pikërisht kjo shumë që mungon sivjet në statistika. Megjithatë statistikat nuk mund të pasqyrojnë në mënyrë të detajuar problematikat e shumta që kaluan bizneset këtë verë sepse pati nga ata që nuk përballuan dot as shpenzimet, ndërkohë që hotelet e vijës së parë punuan mirë, duke realizuar një sezon pak a shumë të njëllojtë me të vjetshmin. Përveç kësaj një pjesë jo e vogël (rreth 30 %) e hoteleve nuk u hapën fare që në fillim te sezonit, duke e reduktuar edhe kapacitetin, edhe fuqinë punëtore të këtij sezoni”, sqaron Flora, e cila gjatë këtij sezoni turistik ka monitoruar vetë për shkak të punës që bën, nga veriu në jug turizmin shqiptar.
“Një sektor tjetër që kaloi dhe po kalon vështirësi, e që aktualisht është në gjendje kolapsi, janë agjencitë turistike dhe tur operatorët, të cilët me ndërprerjen e udhëtimeve, humbën më shumë se 90% të aktivitetit, duke kapitulluar qysh në fillim te pandemisë. Një pjesë e tyre iu kthyen turizmit vendas me paketa turistike me çmime të lira, por kjo solli dy pasoja të rënda për vendin; e para shkatërrimin e ofertës turistike dhe e dyta, shkatërrimin e mjedisit. Në fund të këtij sezoni, vendi ka trashëguar ndër të tjera edhe një sasi të shtuar mbeturinash, që i është shtuar frikshëm atyre ekzistuese, një problematikë e rëndë kjo, që turizmi shqiptar e mbart prej tri dekadash tashmë”, përfundon ajo për Portën Vendore.
Kurse parë në aspektin makro, për ekspertin e ekonomisë Pano Soko, vendi është në një pozicion të brishtë për shkak të krizës së madhe që po lë pas pandemia e Covid 19.
“Është një dëm kolosal ky që ka pësuar ekonomia. Vetëm si 7-mujor efekti i dëmit llogaritet në 3% të PBB-së vjetore. Trajektorja e valës goditëse të kësaj situate do të impaktojë në tri drejtime. I pari dhe më i rëndësishmi është impakti në vendet e punës. 400 milionë eurot e munguara do të reflektohen thellësisht në vendet e punës, duke rezultuar në mijëra vende të mbyllura pune, për shkak të të ardhurave të munguara. Drejtimi i dytë është buxheti i shtetit. Në një përllogaritje bruto, shteti ka humbur mesatarisht 100 milionë euro të ardhura vetëm në këtë industri, vetëm për 7-mujorin. Këto para do të zëvendësohen me borxh që do të merret nga qeveria. Nëse fusim dhe interesat për periudhën e borxhit, atëherë efekti shkon mbi 140-150 milionë Euro. Dhe drejtimi i tretë është mungesa e investimeve në industri vitin që vjen. Biznesi nuk do të investojë dot për përmirësim apo zgjerim aktiviteti vitin tjetër, sepse nuk ka punuar këtë vit. Kjo do të impaktojë dhe treguesit e vitit që vjen”, tha Soko për Portën Vendore.
Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma pohon goditjen e turizmit në këtë qytet nga pandemia e Covid-19, duke thënë se ky qytet pati këtë verë 600 mijë pushues më pak se vitin e kaluar. Këtë vit Saranda është vizituar nga rreth 220 mijë turistë, ndryshe nga një vit më parë ku numri shkonte në 820 mijë. Ndërsa hotelet kanë pasur vetëm 40% të kapaciteteve të zëna.
“Situata në muajt Qershor dhe Korrik ka qenë shumë me e vakët për sa i përket turizmit, ndërsa gushti ka qenë diçka më ndryshe, situatë më e përmirësuar. Numri i pushuesve ka qenë më i pakët krahasuar më vitet e kaluara, sepse në vitin 2019 janë numëruar rreth 800-820 mijë turistë kurse këtë vit shkon në 200-220 mijë turistë”, tha kreu i Bashkisë së Sarandës Adrian Gurma.
Porta Vendore iu referua gjithashtu për informacion Bashkisë Durrës, si një nga zonat ku numri i turistëve të huaj arrin në nivele të larta gjatë sezonit turistik të verës e jo vetëm. Qyteti i Durrësit në këtë sezon turistik vinte i goditur dy herë radhazi, një herë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, dhe nga pandemia e Covid 19, që përfshiu vendin dhe gjithë botën.
Përfaqësues të bashkisë i thanë Portës Vendore se kanë bërë maksimumin që ky sezon turistik të funksiononte, ndërsa nuk kanë ende të dhëna se sa është numri i turistëve në këtë bashki për këtë sezon turistik. “Ne u përpoqëm që të lehtësonim bizneset ku taksat vendore i shtymë për disa muaj, në mënyrë që të mos i bëheshim barrë biznesit, dhe t’i linim pak frymëmarrje. Gjithashtu them me bindje se nuk gjykojmë që ky sezon për Durrësin ka qenë aq i keq, duke marrë parasysh specifikat në të cilat ndodheshim, madje pritshmëritë tona u zhgënjyen pozitivisht. Por nuk kemi ende të dhëna ose një bilanc për numrin e turistëve të regjistruar në qytetin tonë”, tha Bashkia Durrës.
Ndërsa në një deklaratë për mediat dy javë më parë, ministri i turizmit Blendi Klosi thekson se pavarësisht situatës së pandemisë, turizmi në Shqipëri ia doli të mbijetonte dhe jo vetëm kaq, por Shqipëria u kthye në destinacion për disa vende të rajonit, si për shembull Serbinë që më parë pushimet i kalonin në Greqi.
Ai u shpreh gjithashtu optimist për turizmin në vjeshtë, teksa shton se vetëm në 2 javët e parë të shtatorit në Shqipëri u futën 230 mijë shtetas të huaj.
Por teksa prisnin një paketë tjetër mbështetëse për sektorin e turizmit, Kryeministri Edi Rama gjatë një konference me gazetarët për prezantimin e planit ekonomik, shuajti çdo shpresë, duke e përjashtuar këtë si mundësi.