Video/Foto

Peshkopi/ Tymi i plehrave mbulon qytetin, zjarri në landfill, edhe pse ruhet me roje

18 tetor 2020/ J. Hoxhaj/ Porta Vendore/ Peshkopi

Qyteti i Peshkopisë është mbuluar prej disa ditësh nga një re e zezë tymi për shkak të djegies së plehrave në vendgrumbullimin e tyre. Edhe pse landfilli ruhet me roje, zjarri është vënë nga persona të papërgjegjshëm, duke shkaktuar ndotje të lartë për zonën, ndërsa deri tani nuk ka reaguar asnjë institucion zyrtar.

Situata e menaxhimit të mbetjeve paraqitet gjithashtu e vështirë edhe në qytet. Bashkia e Dibrës nuk ka as mjete automatike për tërheqjen e mbetjeve, por i ngarkojnë me lopata nëpër kamionçina.

Koshat nëpër lagje janë të tej mbushur dhe nuk tërhiqen për t’iu bashkuar masës së mbeturinave që digjen në landfill. Banorët e shqetësuar, janë të detyruar vetëm të mbyllin dyer e dritare me shpresën se reja e zeza e djegies së mbeturinave të largohet sa më shpejt.