Ndodhi

Inagurohet “Pema e jetës”, muralia e realizuar në fasadën e një pallati në Durrës

16 tetor 2020/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Durrës

Ajo  simbolizon  pemën e jetës.  Vjen si homazh për gjelbërimin që po humbet çdo ditë e më shumë në qytetin e Durrësit. Është një murale e realizuar nga të rinj aktivistë të Durresit, në faqen e një pallati, në lagjen ku fasadat e objekteve janë totalisht gri.  Muralia u inaguruar dje, date 15 Tetor 2020, dhe autorët e saj, synojne që nëpërmjet artit,  të  kthejnë  vëmendjen ndaj gjelbërimit të munguar te zonave urbane.

Elona, një mami e re, banore në lagjen me numër 16, ndal këmbët përpara se të drejtohet në banesë, pasi ka marrë fëmijët nga shkolla pasditen e 15 tetorit.  Grumbulli i njerëzve përpara pallatit ku banon, pjesa më e madhe e të cilëve të rinj dhe të reja, tërheq vëmendjen e saj,  ndërsa bën fotografi përpara grafitit të sapo përfunduar. Zbulimi i murales pas disa kohësh punime, solli emocione në lagje, ndaj Elona qëndron të shoh me gjithë reshjet e shiut të kësaj jave tetori.

Shikonim çdo ditë skelën e ngritur dhe veprën e artit që po bëhej në faqen e pallatit me shpresën që një gjë e bukur do të bëhej më në fund në lagje, ndaj tani që po zbulohet jemi të gjithë kureshtar, pasi kemi nevojë për pak ngjyra, optimizëm dhe shpresë”, thotë Elona për Porta Vendore.

Inagurimi i murales, grafiti i dytë i realizuar në qytetin e Durrësit, tërheq vëmendjen dhe të banorëve të pallateve të tjerë në këtë zonë që të gjithë e njohin si “blloku para-fabrikadë”, ndaj ka dhe nga ata banorë që dalin në dritare të shohin.

Murali, sipas realizuesit,  simbolizon pemën e jetës, dhe është një homazh për gjelbërimin, hapësirat publike që po humbasin në qytetin bregdetar, duke u zëvendësuar nga betoni.

Banorë të lagjes, duke parë muralen e realizuar në lagjen e tyre. Foto: E.Azizolli

Murali është realizuar nga të rinj aktivistë të qytetit të Durrësit, me ide nga nxënës të shkollave të mesme, në kuadër të projektit “Street Art & Aktivizëm, financuar nga Lëviz Albania, projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.  Në inagurimin e këtij murali ishin dje në zonë, hartuesit dhe realizuesit e këtij projekti, përfaqësues të Lëviz Albania, të rinj dhe të reja, por dhe banorë të zonës.

Qëllimi i këtij projekti ishte të promovonte aktivizmin e të rinjve përmes ‘Street Art’ për kthimin e hapësirave publike në zona rekreative për qytetarët e Durrësit, ndaj dhe vëmendja u përqendrua pikërisht tek të rinjtë.

Ideja e kësaj murale erdhi si produkt i konkursit që u zhvillua me nxënësit e shkollave të mesme në qytetin e Durrësit.  Vetë nxënësit krijuan punime në teknika të ndryshme, duke patur parasysh idenë e projektit për t’i dhënë zë problematikave të komunitetit, dhe për të qenë dhe ata aktorë në ndryshimin e këtyre hapësirave”, tha për Porta Vendore,  aktivist Lysjen Koçi, koordinator i projektit “Street Art dhe Aktivizëm”.

Ndonëse u zbatua në një periudhë të vështirë, për shkak të situatës së COVID-19, konkursi pati vëmendjen e të gjithë të rinjve dhe të rejave aktivë në qytet, të cilët arritën të shpreheshin nëpërmjet fantazisë së tyre, duke rekomanduar nëpërmjet artit se çfarë duhet të ndryshojë në qytet.

Më vjen mirë që nxënësit kanë arritur që të shprehen, duke u fokusuar tek problematikat. Murali është vërtet një homazh për gjelbërimin e qytetit, por përmban dhe harmoninë e ngjyrave, në mënyrë që grinë dhe zymtësinë që paraqesin këto fasada të vjetra, ta thyejmë dhe ta përkthejë në një atmosferë më të mirë për qytetarët dhe komunitetin”, tha Lysjen Koçi, gjatë inagurimit të muralit.

Banorët e zonës, ndoqën me interes zbulimin e muralit dhe e shohin me optimizëm faktin që të rinjtë ishin iniciatorë të realizimit të tij.

Duken shpërfillës ndaj mjedisit, por na bën një gjë të bukur me këtë muralen sepse kemi nevojë për pak ngjyra, për gëzime, se tërmeti, pandemia na i kanë ngrirë fare buzëqeshjet, ndaj na gëzuam me këtë punë”, thotë për Porta Vendore një pensionist që iu bashkua grupit të të rinjëve.

Përfshirjen e të rinjve në këtë projekt dhe mundësinë që u krijoi për tu shprehur e vlerëson dhe aktivisti artist Lysjen Koçi.

Nxënësit, pjesëmarrës në konkursin “Mendimi kritik përmes artit pamor” realizuan punime në teknika të ndryshme, duke patur parasysh idenë  e projektit dhe i dhanë zë problematikave të komunitetit, por nga ana tjetër u bënë dhe vetë aktorë për ndryshimin e hapësirave publike”, tha Lysjen Koçi.

Ndonëse arti nuk zgjidh shqetësimet e komunitetit, që për fat të keq në Durrës janë mjaft të mëdha, ai ka fuqinë që nëpërmjet fuqisë shprehëse të tij të kthejë vëmendjen ndaj zonave urbane dhe realizimi i dy muraleve në qytetin bregdetar, ishin fryma e re e parë e këtij reagimi, ndaj urojmë dhe shpresojmë mos të mbeten të fundit.bashkia durr