Ngjarje/Personazhe

Fshati Barç, mes mesjetës dhe indinjatës për ujë, rrugë, e kanalizime

16 tetor 2020/ Ledjona Xheladinaj/ Porta Vendore/ Korçë

Gjithçka në fshatin Barç të Korçës të kujton mesjetën, ku si dëshmi shërben çdo godinë e amortizuar, rrugë apo edhe jetesa e komunitetit. Është vetëm 3 kilometra larg Korçës, një qytet që përgjatë viteve të fundit ka thithur mjaft investime të mëdha, por një pjesë e fshatrave janë lënë në mëshirë të fatit.

Rruga që të çon në këtë zonë ku jetojnë rreth 2 mijë banorë është totalisht e degraduar. Një rrugë ekzistuese prej vitesh, ndërsa është zëvendësuar me një tjetër segment që lidh Korçën me Barçin. Kjo është një investim i mirë për Bashkinë e Korçës, por për banorët e fshatit mbetet një investim i hedhur kot. Teksa sapo mbërrin në fshat përballesh me gropa gjigande, baltë në stinë të lagësht dhe pluhur në verë. Përveç këtyre problemeve banorët ndeshen edhe me ujërat e zeza të cilat janë në sipërfaqe kudo në brendësi të fshatit. Por degradimet nuk mbarojnë këtu. Shqetësimet janë të shumta. Problemet vijojnë me atë çka është jetik, siç është edhe furnizimi me uji të pijshëm. Ndonëse bëhet fjalë për një zonë ku burimet natyrore janë me bollëk, Barçi prej vitesh nuk ka ujë të pijshëm. Ai rrjedh në çezmat e tyre me orar të reduktuar, ndërsa kjo e bën të papërballueshme jetesën për qindra banorë. Shpesh herë lënia jashtë çdo vëmendje nga pushteti ka ngritur banorët në protesta të njëpasnjëshme, ankesa pranë zyrave të bashkisë, peticione, por askush nuk reagon, ndërsa të gjitha përpjekjet kanë rënë në vesh të shurdhët. Gjithçka bie në vesh të shurdhët. Banorët shprehen mjaft të revoltuar dhe me mllef ndaj Bashkisë së Korçës, kjo e fundit sipas tyre nuk i ka mbajtur premtimet, pasi gjatë fushatave elektorale është thënë se do bëhej shumë për këtë fshat por nuk u bë asgjë. Godina e shkatërruar e shkollës së fshatit është kambanë alarmi për arsimimin e fëmijëve të tyre. Xhama të thyer, dyer të shkatërruara, çatia e amortizuar, detyroi banorët të regjistrojnë fëmijët në shkollat e qytetit, edhe pse e gjitha kjo rëndon në xhepat e tyre.

“Të vish në fshatin tonë ikën me vrap kur sheh si është jeta këtu. Çdo gjë është e shkatërruar. Rrugët, s’ka ujë të pimë, s’ka ndriçim, ujërat e zeza janë kudo dhe era e keqe s’të lë të dalësh as në oborr. Dhe vetëm gënjejnë për të marrë votat e tyre. Janë hajdutë të pangopur. Na thanë se do bëjmë këtë, do bëjmë atë dhe hiç s’bënë. T’ju vijë turp dhe të mos e marrin mundimin të shkelin këtu. Kanë bërë fshatrat e tjerë model. Pse ne na kanë lënë në këtë gjendje? As në mesjetë nuk jetonin njerëzit kaq keq”, thotë Pëllumb Ravolli, banor i këtij fshati, ndërsa vijon se: “Jemi shumë të zemëruar, sinqerisht. E di pse? Se gënjejnë, mashtrojnë dhe nuk ngopen duke vjedhur. Edhe shkollën që ka ekzistuar prej vitesh e mbyllën. Se nuk vinin dot dy xhama dhe ta rregullonin dhe tani ikin fëmijët në qytet. Unë s’kam për vete fëmijë të vegjël, por të ngrihemi të gjithë të kërkojmë çdo të drejtë. Të mos lejojmë të tallen me ne më. E bënë Polenën me gjithë kushtet, pse nuk e bëjnë dhe Barçin, që është më afër nga gjithë fshatrat e tjera? Nuk kemi ujë të pimë, se për tu larë s’bëhet fjalë. E sjellin kokën këtu vetëm për vota”, shprehet i revoltuar Pëllumbi.

Pëllumb Ravolli, banor i këtij fshati. Foto: Ledjona Xheladinaj

E teksa mbyllim bisedën me një nga banorët, largohemi dhe ecim drejt qendrës së fshatit. Pasi kanë përfunduar punën në tokat bujqësore, burrat mblidhen dhe kalojnë pasditen me njëri tjetrin pikërisht këtu. Të gjithë nuk ngurojnë të shprehin mllefin ndaj instancave përkatëse. Premtimet ndaj tyre kanë qenë të shumta, e ndërsa i vetmi investim që është bërë përgjatë 10 viteve të fundit është ngritja e një godine të re që do të shërbejë si qendër shëndetësore. Një investim që ndonëse ka kohë që është kryer, ende nuk është vënë në dispozicion të banorëve për shkak të burokracive siç shprehet vetë ata. Situata rëndohet edhe më tej, teksa vetë ata shprehen se ende e marrin shërbimin mjekësor në ambulancën ekzistuese ku kushtet janë skandaloze dhe aspak njerëzore. Pavarësisht se ndodhemi në periudhë pandemie, ku higjiena dhe ambientet e dezinfektuara janë rregullat primare, mesa duket në këtë qendër këto urdhra nuk janë përfshirë. Pamjet e siguruara nga Porta tregojnë qartë situatën alarmante. Situatë e cila çdo ditë ngrihet nga banorët, por këta të fundit prej vitesh nuk dëgjohen nga “veshët” e pushtetit.

Një tjetër banor i fshatit Barç, Ramadan Fezolli shprehet për Portën Vendore se 30 vitet e fundit në fshatin Barç nuk është vendosur qoftë një gurë. Një shprehje ironike kjo pasi investimet janë zero. Ndriçimi publik paguhet në faturat e çdo banori, megjithëse nuk ekziston asnjë llambë që ti ndriçojë. Uji i pijshëm është nevoja urgjente për të cilën ata luten, teksa detyrohen ta blejnë apo të bëjnë kilometra për ta mbushur në burim.

“Ndodhemi në një situatë që të vjen zor të themi ku dhe si jetojmë. Shikoje vetë, he kupto çfarë jete bëjmë ne. Kemi bërë protestë, peticione dhe ia kemi dorëzuar kryetarit të bashkisë dhe asgjë nuk është bërë. Ata nuk kthejnë përgjigje dhe jo të kryejnë investime. Turp, turp, turp të kenë. Kur kanë nevojë trokasin në çdo derë. E dinë mirë shtëpinë. Kur vjen puna tek veprat fshihen ata. Iu shkojmë në zyrë na thonë që s’janë. Po lahemi një herë në muaj se as ujë s’kemi. Po jetojmë me ujërat e zeza. Gjynah për fëmijët se ne u plakem ose kemi fituar imunitet”, thotë Fezolli, teksa në fytyrë shpreh një zemërim të madh.

Ramadan Fezolli duke folur për Portën Vendore. Foto: Ledjona Xheladinaj

Zvarritja dhe mos mbajtja e premtimeve i ka mërzitur banorët. Një pjesë e tyre nuk duan të bëjnë asnjë apel apo t’i drejtohen bashkisë.

‘Çfarë të themi? Që s’kemi ujë dhe s’po lahemi, apo që po plasin ujerat e zeza dhe po jetojmë me erën e tyre dhe rrezikojmë shpërthimin e epidemisë. As dua të flas më se ma kanë sjellë në majë të hundës me gënjeshtrat e tyre. S’dua t’ua shoh më fytyrën askujt . Do jetojmë kështu si në mesjetë dhe nuk iu lutemi më”, thotë Urim Ustalli për Portën Vendore, teksa vijon rrugën me karrocën e dorës duke iu drejtuar banesës së tij.

Urim Ustalli, banor i fshatit Barç. Foto: Ledjona Xheladinaj

Një ndër premtimet e shumta të kryebashkiakut aktual Sotiraq Filo ka qenë furnizimi me ujë të pijshëm në çdo fshat. Por fshati Barç asnjëherë nuk e ka njohur dorën e investimeve në ujësjellës, duke lënë në mëshirë të fatit më shumë se 2 mijë banorë, ndërsa ende jetojnë në etje për ujë.

Një ndër pikat e premtimeve të kryebashkiakut Filo ka qenë edhe kryerja e shesheve të ri-konceptuara si dhe ndriçim, ndërsa në fshatin Barç të vetmet sheshe janë ato të mbytura nga ujërat e zeza dhe shkurret, teksa ndriçimi mbetet një ëndërr e largët.

Banorët e fshatit teksa flasin mes tyre. Foto: Ledjona Xheladinaj

I pyetur nga Porta Vendore për këtë problematika të fshatit Barç në Korçë, kryebashkiaku Filo tha për Portën Vendore se ky fshat nuk ka mbetur jashtë fokusit të pushtetit vendor.

“ Deri tani kemi bërë shumë investime në fshatin Barç. Duke nisur tek pritat malore për ndalimin e rrjedhjes së përrenjve malore. Kemi realizuar ndriçimin publik për gjysmën e fshatit ndërsa presim të ndërhyjmë në pjesën tjetër të mbetur. Gjithashtu kemi ndërhyrë në infrastrukturë, konkretisht në pjesën hyrëse të fshatit dhe sigurisht do të vijojmë në brendësi. Pritet faza e tretë e ndërhyrjes në lagjen lart, por jemi duke parë mundësitë e investimit pasi jemi në periudhë pandemie dhe është tepër e vështirë”, tha kryebashkiaku Filo ndërsa u justifikua përsa i përket mungesës së ujit tek banorët duke thënë se: “ Jemi të gatshëm të ndërhyjmë dhe investojmë në ujësjellës, por nëse banorët do të binden dhe do të bien dakord që të lidhen me ujësjellësin e Korçës dhe të vendosen sahat matës. Kjo është arsyeja pse nuk kemi investuar, pasi banorët kanë pasur kontestime. Ne kemi bërë një projekt për këtë i cili kap vlerën e 250 milion të vjetra, por deri në momentin që banorët nuk bien dakord absolutisht që nuk do e financojmë”, tregoi ai.

Kryebashkiaku Sotiraq Filo tha gjithashtu për Portën Vendore, se bashkia është në pritje të mundësive për financim, pasi periudha e pandemisë ka sjellë vështirësi duke shkaktuar ndërhyrje në disa zona, por sigurisht nuk kanë munguar projektet në fshatrat e tjerë të Bashkisë Korçë.

Teksa indinjata e banorëve shpeshherë është përcjellë edhe me protesta, shumë gjëra që shqetësojnë këtë komunitet janë lënë në mëshirë të fatit dhe jashtë çdo vëmendje nga pushteti vendor.