15 tetor 2020/ Dritan Kurti/ Porta Vendore/ Mat
Personat me aftësi të kufizuar në Bashkinë e Matit përballen çdo ditë me problemin e aksesueshmërisë së institucioneve publike. Kjo problematikë është madhore jo vetëm në qytetin e Burrelit por edhe në njësitë administrative.
Megjithëse ka një ndërhyrje në trotuaret e rrugëve të qytetit të Burrelit, ende ka shumë nevojë për të ndërtuar rampa për lëvizjen e personave me aftësi të kufizuara. Një tjetër problematikë e ngritur nga organizatat e personave me aftësi të kufizuar, apo dhe vetë individët është mungesa e vendparkimeve pranë institucioneve publike për personat me aftësi të kufizuar. Kjo kategori përballet me këtë problematikë çdo ditë.
Drejtuesja e Fondacionit “Së bashku” Suela Lala, tha se qyteti i Burrelit, ashtu si çdo qytet i vendit tonë ka shumë nevojë për përmirësimin e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara. Ajo kërkoi angazhim më të madh nga pushteti vendor për zgjidhjen e kësaj problematike.
“Në fakt problemi i aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara nuk është një problem lokal, por kombëtar në vendin tonë. Megjithatë në fillim në qytetin e Burrelit konstatuam shumë mangësi qoftë tek institucionet publike apo dhe rrugët. Një ndër problemet e ngritura nga personat me aftësi të kufizuara ishte mungesa e rampës tek hyrja e gjendjes civile. Ky institucion është i frekuentueshëm nga të gjithë, ndaj dhe kishte nevojë. Menjëherë pas kërkesës së dërguar tek komisionieri për diskriminimin, Bashkia Mat reagoi dhe ndërtoi rampën, çka për këtë duhet falenderuar. Por problemet nuk janë zgjidhur pasi ka ende punë për tu bërë, në vendparkimet e personave me AK, apo akseset në institucionet publike” , tha Lala.
Të gjitha këto problematika ju adresuan Kryetarit të Bashkisë Mat, Agron Malaj gjatë aktivitetit “Mati pa barriera” të zhvilluar në kuadër të Javës së Demokracisë Vendore dhe zbatimit të projektit “Të veprojmë për aksesueshmërinë” i cili po zbatohet nga Fondacioni “Së bashku”, të zhvilluar në ambjentet e Qendrës Kulturore Mat.
Vetë Malaj premtoi se në gjashtë muajt e ardhshëm, këto probleme do të jenë zgjidhur përfundimisht.
“Ne jemi të vetëdijshëm që personat me aftësi të kufizuara përballen me shumë problematika. Ndërhyrja që bëmë tek Zyra e Gjendjes Civile nuk ishte as e para por nuk do të jetë as e fundit. Qyteti i Burrelit është në momentet e investyimeve në të, ku aktualisht do të bëhet riveshja e rrugëve me asfalt, sistemimi i parkimeve, rikonstruksioni i rrugëve të Parkut Geraldinë apo Sheshit ‘Ahmet Zogu’. Ne do të kemi vëmendjen më të madhe në vazhdim ku ndryshimet do të prekin parkimet për këtë kategori bashkë me sinjalistikën e nevojshme si dhe krijimin e aksesueshmërisë në të gjitha institucionet publike. Ju premtoj që Bashkia Mat do të jetë mbështetëse e fortë e kësaj kategorie”, tha Malaj.
Më pas për të pranishmit u shfaq edhe një dokumentar i cili tregonte vështirësitë e personave me aftësi të kufizuar në qytetin e Burrelit, qoftë me aksesueshmërinë e institucioneve publike e deri tek vendparkimet për këtë kategori në qytet.