Vëzhgim/Analizë

Zharrëz, fillimi dhe fundi i një “shpërthimi”

13 tetor 2020/ Xhemil Beharaj/ Porta Vendore/ Fier                                    

Fshati Zharrëz njihet për burimet e shumta nëntokësore që është shfrytëzuar si nga kompanitë shtetërore dhe ato të huaja private. Ky shfrytëzim miliona dollarësh shkaktoi pasoja të rënda ndër vite, ku më i madhi ishte ai i dëmtimit të mbi 500 shtëpive nga shpimet e kompanive private, por edhe sot e kësaj dite, rreth 50% e familjeve nuk kanë marrë dëmshpërblimet, ndërsa detyrohen të jetojnë në ndotje dhe në rrezik për jetën e tyre.

Njësia administrative Zharrëz bën pjesë në zonën naftëmbajtëse e naftë-nxjerrëse të Marinzës. Dikur para ndarjes administrative ajo ka qenë komunë, por tashmë Zharrëza është njësi administrative dhe varet nga Bashkia Patos. Kjo njësi administrative ka nën juridiksionin e saj shtatë fshatra dhe ka një popullsi që nuk i kalon të 7500 banorët, por vetë si Zharrëz ka rreth 4500 banorë në katër lagjet e saj.

Banorët e kësaj zone naftë-nxjerrëse, ndonëse nga nëntoka ku jetojnë nxirren miliona dollarë, pjesa më e madhe e banorëve të zonave naftëmbajtëse janë të papunë dhe përballen çdo ditë me varfërinë, me degradimin mjedisor e me sëmundje të ndryshme që kanë si shkak ndotjen e hidrokarbureve. Disa prej banorëve jetojnë si të vetëpunësuar në profesione të ndryshme, me ndonjë biznes të vogël, të tjerë me sera, ndërkohë që ndokush është i punësuar te kompani private që operojnë në naftë si roje objektesh. Ndërsa pjesa më e madhe e të rinjve janë në emigracion, kryesisht në shtetet fqinje si Greqia dhe Italia.

Meqë në këtë zonë ushtrojnë aktivitet privat firma të huaja naftë-nxjerrëse, në bazë të marrëveshjeve të kryera me qeverinë shqiptare, në territorin ku e ushtrojnë këtë aktivitet, ndikojnë jo pak në përkeqësimin e jetës së komunitetit, duke mos bërë asnjë investim për zonën, ndonëse përfitimi i tyre është miliona dollarë.

Puset e naftës në zonën e Zharrzës. Foto: Xhemil Beharaj.

Disa vite më parë, për shkak të ndotjes së madhe të gropave me naftë bruto, jo vetëm në fushat ku ndodheshin puset e nxjerrjes së naftës, por edhe në lagje të fshatit, era e rëndë u kthye në shqetësim për shëndetin e banorëve. Prej kohësh tashmë, ata vuajnë problemet shëndetësore si pasojë e ndotjes së shkaktuar nga industria e nxjerrjes së naftës. Shqetësimet e tyre janë të rënda, duke nisur që me vështirësi në frymëmarrje e deri tek karboni në gjak.

Shqetësimet janë marrje mendsh, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje koke, të cilat janë të vazhdueshme këtu. Neve nuk hapim dot dyer dhe dritare. Fëmijët u bënë të gjithë me karbon në gjak, vetëm nga ajri i ndotur. Gazrat, tymrat ndotin të gjithë zonë këtu”, shprehen disa banorë. Ndërkohë, ndotja solli pasoja dhe te shpendët që ngordhnin në këto gropa nafte, aty ku edhe njerëz kanë humbur jetën.

Në fillim të vitit 2018, pas inspektimit të dhjetëra specialistëve nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Instituti i Shëndetit Publik, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Kompania Albpetrol kreu largimin e naftës bruto nga këto gropa, çfarë përmirësoi përkohësisht cilësinë e ajrit në pastrimin e tij.

Por kjo nismë ka afro dy vjet që u la në mes duke lënë ende gropa me naftë bruto pranë banesave të banorëve të këtij komuniteti. Këtë e pohon edhe Endri një i ri 28-vjeçar këtij fshati. “Temperaturat e larta të verës kanë bërë që gropat me naftë bruto që ndodhen pranë banesave në Zharrëz të çlirojnë gazra”, shprehet ai.

Gropat me naftë kudo nëpër Zharrëz. Foto: Xhemil Beharaj

Ndërkohë, Zeqineja pohon faktin se si në periudhën e dimri, por sidomos në muajt e nxehtë, prej gropave çlirohet erë e keqe hidrokarburi. “Këtu vjen një erë e keqe që ç’të të them, e padurueshme. Nuk qëndrojmë dot më as në shtëpi brenda e as jashtë, se ndjehen me shumicë kudo. Na vjen gjithë ditën për të vjellë nga kjo erë nafte. Po ndikon në frymëmarrjen tonë, për të mos thënë më pas që kemi frikë tek fëmijët kur dalin nga oborret e shkojnë për të luajtur se mund të bien brenda në to apo mund të goditën edhe nga pjesët lëvizëse të pusit pasi nuk janë të rrethuar”, tregon nënë Zeqineja për Portën Vendore.

Një grua tjetër që gropën e ka vetëm 5 metra larg banesës nuk pranon të flasë gjatë sepse ajo rrëfen se pavarësisht se e ka ngritur disa herë zërin, asgjë nuk është bërë, ndërsa vijon të mbetet e njëjta situatë. “Askush nuk vepron, erdha nuse e re e tani jam në pension e na hëngri jetën era e gazit”, thotë ajo shkurtimisht.

Kjo pranohet dhe nga Rexhep Toska, mjek popullor i fshatit të Zharrëzës, i cili pohon faktin se prej tre vitesh ndotja ka qenë një problem i vazhdueshëm për këtë zonë. “Jo vetëm era e rëndë, por edhe gropat me naftë bruto dhe uji i puseve në banesa ku banorët vuanin nga marrje mëndsh, të vjella, tensioni etj”, pohon Rexhepi.

Rrugët në një ditë të zakonshme. Foto: Xhemil Beharaj

Megjithatë mjeku toksikolog Lulëzim Banushaj nga Spitali Rajonal i Fierit, shprehet se në këtë spital ka pasur së fundmi një rënie e ndjeshme të numrit të vizitave nga banorët e këtyre zonave, pasi nuk vizitohen më si më parë, kur mbizotëruese ishin shqetësimet si: fenolet në gjak, marrje mëndësh, tensioni i lartë, të vjella etj.

Serat dhe të mbjellat e banorëve ndodhen shumë pran gropave të naftës. Foto: Xhemil Beharaj

Ndërkohë, Bashkia e Patosit pretendon se për shkak të ndotjes, herë pas here janë bërë investime në zonë për përmirësimin e jetesës në Zharrëz, fonde të cilat janë mbledhur nga përqindja e rentës që paguajnë kompanitë operuese për shtetin shqiptar. Kryebashkiakja e Patosit, Rajmonda Balilaj, pohon se nga pagesa që firmat i bëjnë qeverisë nëpërmjet rentës minerare, një pjesë u kalon bashkive, të cilat i investojnë më pas për përmirësimin e ambienteve e jetës së përbashkët të komunitetit, si në rrugë, mirëmbajtje objekte sociale kulturore, parqe, lulishte etj. “Kështu Bashkia Patos ka kryer shtrim rrugësh në fshatrat e njësisë administrative Zharrëz, rikonstruksione shkollash, kopshte, por edhe mbjellje të pemëve përgjatë shtratit të lumit të Semanit në Belinë për të shmangur gërryerjet nga prurjet e këtij lumi në stinën e dimrit”, shprehet Balilaj. Konkretisht, Bashkia Patos ka rikonstruktuar në Zharrëz rrugën “Këneta e Mitros” me fond 12.4 milionë lekë të reja, rrugën Alit Gjeriti me fond 9.1 milionë lekë të reja, është ndërtuar trotuari përgjatë rrugës nacionale Fier-Berat si dhe është bërë ndërtimi i dy urave, me vlerë 4.8 milionë lekë të reja. Madje, përbri trotuarit janë bërë dhe lulishte.

 

Por, këto investime nuk i bindin banorët, që ende kërkojnë një ndryshim thelbësor për jetën e tyre. Madje, ata shpesh herë janë ankuar tek autoritetet, por që shprehen se nuk është marrë asnjë masë. Për këtë, kreu i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, dega Fier, Hadër Cako ka pohuar faktin se nëpërmjet grup kontrolleve të herëpashershme janë zhvilluar kontrolle në disa zona edhe nga ankesa të banorëve dhe nuk janë vërejtur shkelje të rënda, të tilla si ndotje të ujërave. Sipas tij, kjo ndodh sepse tashmë kompanitë e huaja që operojnë në këto zona, i kanë hequr teknologjitë e vjetra, duke përdorur teknologji të reja që eliminojnë këto përbërës. Cako vë në dukje se shqetësim mbeten pronat e administruara nga Albpetrol. “Disa gropa me naftë bruto ekzistojnë ende, por janë nën administrimin e territoreve të kompanisë Albpetrol, të cilat janë shqetësuese në stinën e nxehtë të verës për shkak të ajrit të rëndë që lëshojnë. Kompania Albpetrol është lajmëruar e paralajmëruar disa herë, u është prerë edhe gjoba, por theksojmë, se kjo kompani po i çon drejt eliminimit këto gropa me naftë bruto”, thotë kreu i agjencisë së mjedisit në Fier Hadër Cako, teksa shton se: “Përroi i Zharrëzës që i bashkohet Vijës së Ngjalës e më pas derdhet në det, pranë Semanit, ka vite që nuk ndotet më naftë bruto. Gjithashtu edhe lumi Seman që kalon në fushat naftënxjerrëse të Marinzës, Jagodinës, Belinës nuk ka ndotje me naftë bruto prej afro dhjetë vjetësh”, përfundon kreu i agjencisë.

 

Megjithatë, banorët janë skeptikë mbi qëndrimet zyrtare të autoriteteve, duke shpjeguar, se ndotja ndihet deri te uji i pijshëm, i cili për ta është i papërdorshëm. Ata pohojnë faktin se prej 4 vitesh kanë ujë në rubinetet e banesave të tyre, edhe pse ai nuk mund të përdoret për gatim apo për të pirë, por përdoret për nevoja të tjera shtëpiake si; larje rrobash e ambientesh shtëpiake. “Uji ka aromë të rëndë, edhe pse është bërë rikonstruksioni i ujësjellësit prej 3 vitesh. Ne detyrohemi të blejmë ujë për të pirë dhe për të gatuar. Në disa familje thuhet se uji shkon më i pastër dhe përdoret, por këtu te ne, nuk është i konsumueshëm”, shprehet Zeqineja.

 

Megjithatë, Bashkia e Patosit shprehet se çështja e ujit është zgjidhur. “Në vitin 2016 është bërë rikonstruksioni i Ujësjellësit të Qendrës Administrative Zharrëz me një fond prej 3.8 milionë lekësh nga fondi ynë”, deklaron Bashkia Patos, duke pretenduar se i ka dhënë zgjidhje këtij problemi, por që banorët pohojnë të kundërtën.

“Tërmeti” i Bankers, 50% e dëmtimeve, ende pa dëmshpërblim

Por, Zharrëza nuk vuan vetëm problemin e ndotjes, pasi ndër vite ka pasur pasoja dhe më të rënda. Një prej tyre ka qenë dhe “tërmeti” i Bankers”, që dëmtoi rreth 531 banesa në këtë zonë, ndërkohë që pesë vite më pas, afro gjysma e godinave të dëmtuara nuk janë dëmshpërblyer.

Historia nis që në vitin 2015, kur banorët e kësaj zone patën problem dhe me procese teknologjike të kompanisë private, duke u krijuar dridhje banesave të tyre, çka shkaktoi edhe dëmtime të shumta. Askush nuk i mori në mbrojtje dhe banorët, indiferentizmit të pushtetit iu përgjigjën me protesta e grevë urie, deri dhe ecje në këmbë nga Zharrëza në Tiranë.

Të zhgënjyer, ata nuk pranuan negociata as me kryebashkiakë, as me deputetë e as me ministra. Pas ngritjes së komisionit të përbashkët, u vlerësuan dëmet dhe një pjesë pritej t’i paguante kompania private dhe pjesën tjetër të mbetur shteti. Por banorët pohojnë se një pjesë i kanë marrë dhe një pjesë jo.

Edhe pse banorët kanë shkuar dhe kanë takuar kryebashkiaken Rajmonda Balilaj, administratorin e njësisë administrative Zharrëz, Arben Semanjaku, si dhe deputeten e zonës Antoneta Dhima, ata ende nuk kanë gjetur zgjidhje.

Fiqirete Grëmi, banore e kësaj zone thotë se ka shkuar edhe tek Avokati i Popullit, dhe përfaqësues të këtij institucioni janë interesuar, por përsëri problemi i këtyre familjeve ka mbetur pa zgjidhje.

Një tjetër banor i Zharrzës pohon se komisionet i konstatuan dëmet, por ditë më pas, nga e pabanueshme, shtëpia doli me dëme të pjesshme në vlerë 1,5 milionë lekë të vjetra. “U detyrova i riparova vetë se s’mund të banoja në ato kushte”, shprehet Hasimi.

Një tjetër banore rrëfen për Portën Vendore se nuk ka përfituar asnjë qindarkë në lidhje më dëmet e konsiderueshme të asaj periudhe. “S’na morën parasysh fare. I konstatuan dëmet dhe ende s’kemi marrë gjë. Na ka hyrë dhe shigjetulla (lloj gjarpri) në banesë nga të çarat”, tregon e dëshpëruar ajo.

Nga ana tjetër banorët pohojnë se disa prej tyre kanë pasur banesa apo kasolle që nuk banonin dhe u është njohur dëmi, nga ku kanë marrë edhe dëmshpërblime, megjithëse e gjitha kjo e bërë në mënyrë abuzive dhe selektive, pasi këto familje që kanë përfituar, ndryshe nga kategoria tjetër, kanë pasur banesa dykatëshe në të cilat kanë jetuar.

Porta Vendore në lidhje me këtë problematikë të banorëve u interesua në çdo instancë përkatëse për zgjidhjen e këtij ngërçi dhe lëvrimin e dëmshpërblimit të këtyre familjeve, të cilat prej 5 vitesh janë në pritje të parave nga shteti.

Arben Semanjaku, përfaqësues i njësisë administrative Zharrëz, pohon fjalët e banorëve, duke thëne se përllogaritja e dëmeve të shkaktuara është bërë dhe miratuar nga ana e Qeverisë Rama, por fondi ende nuk është lëvruar që të kompensohen banorët.

Ndërsa Antoneta Dhima, deputete e PS për Qarkun Fier, shpjegon faktin se disponon shifra zyrtare në lidhje me dëmet e shkaktuara dhe dëmshpërblimin që do u njihet banorëve të dëmtuar. “Janë tre ministri që janë akorduar për këtë problem, që janë Ministria e Financave, Ministria e Energjetikës dhe Ministria e pushtetit vendor. Banorëve që banesat iu dolën të pabanueshme u prishën dhe banorët u dëmshpërblyen komplet”, ka pohuar deputetja Antoneta Dhima për Portën Vendore, duke shtuar se: “Kanë mbetur vetëm ajo pjesë e banorëve që banesat e tyre kanë pasur dëme të pjesshme, që janë përcaktuar nga komisioni i posaçëm i ngritur enkas për atë punë. Edhe kjo pjesë do të likuidohet brenda muajit”. Ajo thotë se vonesa e shpërndarjes së këtyre dëmshpërblimeve ka ardhur për shkak të situatave të krijuara në vend.

Sipas saj, vlera e dëmeve për Bashkinë Patos është 53 609 553 lekë dhe për Bashkinë Roskovec 51 727 817 lekë. “Në total fatura për banorët e këtyre dy bashkive shkon në 105 337 370 lekë. Ky është vlerësimi i bërë sipas Entit Kombëtarë të Banesave. 172 868 638 lekë kanë likuiduar për 71 shtëpitë e dëmtuara plotësisht. Pjesërisht të dëmtuara janë vlerësuar 529 shtëpi në Zharrëz dhe 495 në Roskovec. 2 297 247 lekë janë likuiduar për 1 shtëpi në Marinëz”, ka përfunduar deputetja e zonës Antoneta Dhima.

Por, banorët e Zharrëzës, ku ushtrohet aktiviteti i nxjerrjes dhe përpunimit të hidrokarbureve, të cilët janë të vetëdijshëm për ndotjen që është shkaktuar aty prej dekadash dhe pasojat që ka sjellë për shëndetin e tyre, janë skeptikë që mund të marrin ndonjëherë ato dëmshpërblime dhe fajin ia hedhin mungesës së reagimit të institucioneve shtetërore, duke theksuar se kanë humbur besimin se diçka mund të ndryshojë në të ardhmen.

 

Facebooktwitterredditpinterestlinkedinmail