9 tetor 2020/ Artan Rama/ Porta Vendore
Lajmet e mira mjedisore janë të rralla, ndaji duam edhe më shumë kur ato ndodhin. E tillë është marrëveshja e djeshme, datë 8 Tetor 2020, mes Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) për zbatimin e një projekti të përbashkët konservimi, në parkun natyror më të famshëm të vendit, në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta. Akti i firmosje ishte pjesë e një ceremonie zyrtare e cila u zhvillua në narkadën e gjelbëruar të oborrit të pasmë, veror, të ndërtesës së Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Ministri, Z. Blendi Klosi dhe ambasadori i Japonisë, Z. ITO Makoto ishin gjithashtu pjesëmarrës në të.
“Projekti synon të krijojë një model të menaxhimit të ekosistemit për harmonizimin e ruajtjes me përdorimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura”, – shkruhet në deklaratën për shtyp, të lëshuar nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar.
“Ky projekt ka një rëndësi të veçantë”, – thotë Zamir Dedej, drejtori i AKZM-së, pasi ndër të tjera, do të studiohet dinamika e shkëmbimit të ujërave, çka do të rigjallërojë popullatën e peshqve në lagunë”.
Miratimi vjen në momentin kur situata në park, veçanërisht në zemër të tij, në Lagunë, paraqitet kritike. Kohët e fundit,raportimet për ndotjen e vijave të ujit, si dhe shtimi i numrit të peshkatarëve, të kombinuara me rënien e popullatës së peshqve, po ulin ndjeshëm mundësitë e kësaj lagune për të ushqyer shpendët shtegtarë.
“Laguna po vdes, – shprehet Adrian Koçi, drejtori i Parkut. “Ajo është kthyer në një kënetë e mbyllur e cila nuk komunikon me detin. Qarkullimi i ujit të freskët do të shtojë peshkun, duke ushqyer akoma më shumë shpendë”, –përfundon ai.
Fillimi i përpjekjeve për hartimin e kësaj marrëveshje, origjina e të cilit daton rreth katër vite më parë, përkoi me kërkesë ne biznesmenit Behgjet Pacolli, për të ngritur një mega resort turistik në park. Kësisoj, JICA kushtëzoi vazhdimin e negociatave për zhvillimin e projektit me qëndrimin që do të mbante qeveria ndaj resortit. Sipas JICA-s, nëse ky ndërtim do të lejohej, projekti nuk kishte arsye të bëhej, pasi zona do t’i humbiste vlerat e jashtëzakonshme të biodiversitetit. Në këto rrethana, JICA po priste reagimin e qeverisë. Për më tepër,ajo e kërkoi këtë edhe me shkrim. Qeveria u luhat për një farë kohe, por në fund u tërhoq dhe në mars të 2019-s, Komiteti i Vendimeve Strategjike (KIS) refuzoi, zyrtarisht,kërkesën e kompanisë për ndërtimin e resortit. Vetëm atëherë, një grup ekspert është autorizuar nga JICA, riçelën diskutimet teknike për zhvillimin e projektit.
Në dhjetor të 2019-s palët ishin pranë marrëveshjes, por një tjetër vështirësi e shtyu nënshkrimin edhe disa muaj të tjerë: shpërthimi i pandemisë. Në këtë kontekst, akti i djeshëm, marrëveshja për zhvillimin e projektit, ishte kurorëzimi i përpjekjeve jo të lehta e që kaluan përmes disa pengesave. Nënshkrimi i shumë pritur i saj, i jep Adrian Koçit dhe renxhërsave që ai drejton,një motiv të ri në luftën me rreziqet që kërcënojnë vazhdimisht parkun.
“Falë projektit ne mund të vlerësojmë të tjera mundësi alternative për zhvillimin e një turizmi më të qëndrueshëm, përmes ngritjes së bujtinave, duke krijuar mbështetje për banorët e zonës”, – tregon Adriani. “Një studim për mbarëvajtjen e grykëderdhjeve të lumenjve do të jetë i mundur përmes këtij projekti, çka mundëson çbllokimin e tyre,të shkaktuar edhe prej erozionit detar”, shton ai.
Por shërbimet e projektit shtrihen edhe më gjerë. Riaktivizimi i Komitetit të Menaxhimit të Parkut;krijimi dhe optimizmi i një mekanizmi për gjenerimin e të ardhurave financiare,të cilat mund të ushqejnë aktivitetet e menaxhimit; zhvillimi i burimeve njerëzore, si dhe mbrojtja nga zjarret, do të jenë pjesë e operacioneve të mëtejshme në funksion të krijimit të një modeli që mund të shpërndahet më pas edhe në parqet e tjera.
Projekti tre-vjeçar “Ngritja e kapaciteteve për përmirësimin e menaxhimit të ekosistemeve në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta”, me një vlerë financiare prej rreth 1.6 milion euro, është në projekt konservimi në favor të natyrës. Por ai është gjithashtu, një nga të paktat projekte favorizuese, krahas qindra të tjerave që e disfavorizojnë atë. Kjo nuk e bën të parëndësishëm; as e mbivlerëson, por ndërkaq,ajo na jep shpresë për një të ardhme natyrore të parqeve tona kombëtare.
