8 tetor 2020/ Ardit Hoxha/ Porta Vendore/ Ura Vajgurore
Ura Vajgurore me vendim të këshillit bashkiak të datës 24 korrik 2020 do të quhet Dimal. Vendimi pritet të kalojë së shpejti në Kuvend për ta zyrtarizuar kështu emrin e kësaj bashkie të vogël por me potencial turistik. Ndërsa nuk kanë munguar edhe zërat kundra këtij ndryshimi emri.
Fusha e pamasë e Myzeqesë, në kërkim të lindjes së diellit, thyhet nga disa kodra të buta që paraprijnë malet më në brendësi të vendit. Ullishta, vreshta dhe prapë shumë ullinj, kjo është panorama që të zë syri në çdo cep. E kjo panoramë me ullinj, vreshta e shkurre shumëngjyrëshe në pranverë, ka shumë gjasa që të ketë qenë e ngjashme edhe në kohët e lashta, kur dominues i kësaj krahinë ishin banorët që ndërtuan qytetin antik të Dimalit.
Mbi 3 kodra të shkallëzuara mbi njëra tjetrën, qyteti antik ta ngulit në kokë idenë se në kohën e lulëzimit të tij ka qenë me goxha peshë. E kjo ide që të krijohet kur i ngjitesh kodrave përpjetë nga fshati Krotinë mes shkurreve dhe një rruge pa rrugë, kthehet në bindje, nëse gjen kohë dhe shfleton ndonjë material nga autorët antikë, si Polibi, Tit Livi etj., që këtë qytet e bëjnë protagonist në luftërat iliro-romake. Pikërisht në këto kodra, ushtria krenare romake do të përballej me vendasit, në atë që është konsideruar si lufta e dytë iliro-romake, duke i mposhtur, dhe më pas qyteti mori një zhvillim me ndikim të fortë nga kultura romake.

Për të mos u zgjatur më tej në histori apo edhe në përshkrimin e peizazhit nga i cili rrethohet ky qytet antik, por edhe atë që mund të sodisësh prej tij, fokusohemi te arsyeja që na ka sjellë këtyre anëve në këtë vapë të vonuar shtatori. Jemi në Dimal, pasi me këtë emër do të quhet një nga 61 bashkitë e Shqipërisë. Vendimi u mor në 24 korrik nga këshilli bashkiak, i cili në votim unanim u dakordësua që tashmë Bashkia Ura Vajgurore të quhet Bashkia Dimal. Nuk ndryshon emri i qytetit, dhe i asnjë fshati tjetër, por e gjithë kjo bashkësi administrative, e krijuar në 2015-ën, do të mbajë emrin e këtij qyteti antik, duke besuar se me këtë vendim, e kthen gjithë zonën në identitetin e saj thuajse 2300 vjeçar. Kjo është faza e parë e procesit, pasi tashmë ky ndryshim emri do duhet të marrë minimalisht 71 vota në Kuvendin e Shqipërisë, më pas të botohet në Fletoren Zyrtare për t’i hapur rrugën kështu shndërrimit të kësaj njësie vendore, zyrtarisht në Bashkia Dimal.

Vendimi i pritur me entuziazëm nga një pjesë e banorëve të kësaj zone, që shpresojnë se ky emër i ri do i ndihmojë të krijojnë një identitet të ri, përmes të cilit mund të mbështeten në një sektor ekonomie pak të njohur në këto anë siç është turizmi, sidoqoftë nuk ka kaluar pa polemika. Ka pasur akuza apo edhe polemika të ngritura aty-këtu, nga të dyja krahët e politikës në Tiranë. E kanë cilësuar si absurd dhe pa baza këtë nismë disa persona afër kryeministrit Rama, si Artan Shkreli, Artan Lame dhe Auron Tare, por edhe një nga zërat më të fortë të opozitës si ish-kryeministri Sali Berisha. Reagimi i Shkrelit vjen nëpërmjet një statusi në rrjetin social facebook tre ditë pas vendimit të këshillit bashkiak, ku tha se: “Pakuptimësia e rrezikshme e ndërrimit të toponimit shqip “Ura” me një toponim tjetër, të 2.000 vjetëve më parë, pa lidhje të drejtpërdrejtë me atë vend, përbën një precedent preokupues. Pra, një grup njerëzish me ndërgjegje e kulturë të pazhvilluar historike, ja dalin të ndërrojnë një toponim treshekullor nisur nga motive krejt fëminore”, thotë ai.
Por edhe në mesin e banorëve ka pasur nga ata që nuk e kanë pëlqyer, pasi e kanë parë si një lëvizje që nuk do përmirësojë jetën e tyre, por përkundrazi mund t’u hapë telashe të reja me dokumentacionet. Gjithsesi me një dëshirë në mazhorancës dominuese të banorëve të zonës, dhe me një vullnet të administratores së kësaj bashkie, që ka mbështetje edhe nga qeveria në Tiranë, bashkia duket e destinuar t’ia marrë emrin qytetit antik të Dimalit.

Vizioni si atraksion turistik
Zhvillimi i turizmit kulturor, rijetëzim i një siti antik që mendohet se ka vlera, apo edhe nxitja e ngritjes së agro-turizmit, këto janë ëndrrat, apo si të thuash baza vizionare mbi të cilën qëndron kjo nismë e bashkisë dhe grupit nismëtar që ka punuar mbi këtë projekt. Kryebashkiakja Juliana Mema, e cila prej vitit 2015 e drejton këtë bashki, thotë se këtë nismë që po shkon drejt konkretizimit, e kishte pasur pikërisht nga momenti kur u ul në karrigen e kësaj bashkie të re. “Për herë të parë për qytetin antik të Dimalit, jam informuar në librat e historisë, në atë pjesë të tyre, ku flitet për lashtësinë, pikërisht për luftërat iliro-romake, ndërsa shumë më vonë e kam vizituar këtë sit, në vitin 2016, gjatë kohës kur hartonim strategjinë e zhvillimit, një dokument përcaktues për shtyllat e zhvillimit të infrastrukturës, ekonomisë lokale, si edhe reduktimit të pabarazive. E ndërsa diskutonim e flisnim për Dimalin me grupin e punës, patjetër që iu bindëm dëshirës për ta parë nga afër sitin. Nga lart ishte një pamje madhështore, një bukuri natyrore aq sa e heshtur edhe e bukur. Njëkohësisht përveç pamjes mahnitëse të intrigonin gjetjet që flinin nën kodrina. Mendim i parë që më erdhi, si mund ta bëjmë këtë qytetërim të vizitueshëm, si ta rijetëzojmë këtë vlerë të identitetit tonë? Por iniciativa për ndryshimin e emërtimit në Dimal, ka filluar vetëm para një viti, nga “Grupi Nismëtar”. Gjatë kësaj periudhe janë kryer konsultimet me publikun, është marrë konsensusi i Këshillit Bashkiak dhe Këshillit të Qarkut Berat për këtë ndryshim, pritet finalizimi dhe miratimi në Kuvendin e Shqipërisë. Ideja ka pasur një përqafim të gjerë jo vetëm brenda komunitetit por edhe jashtë tij. Një mbështetës i rëndësishëm në këtë proces ka qenë edhe media, si ato sociale por edhe ato audio-vizive”, tregon ajo për fillesat dhe hapat e para drejt konkretizimit të kësaj nisme.

Po aq entuziast për këtë ndryshim është edhe gazetari Norel Zaimi, i cili është pjesë e një grupi punë që ka asistuar Bashkinë Ura Vajgurore/Dimal në këtë nismë. Ai na tregoi se si u pasionua pas historisë dhe bukurisë natyrore të qytetit antik të Dimalit, gjë që më pas e shtyu për t’u përfshirë në projektin që kërkon t’i ndryshojë emrin kësaj bashkie. “Teksa kryeja fakultetin e gazetarisë në Tiranë preka një libërth shkencor në dorë i vitit 1972 ‘Skrapari në Arkeologji’. Aty lexova për Kryekodusionin, Kodrinonin, Dimalin, Orgestin, Bargulin, kalatë e vjetra ilire atë të Tomorit, Bargullasit apo për pozicionin e Tomorit si kryemal në toponiminë historike të kësaj krahinë. Pastaj pas gjithë këtij informacioni e shikoja se mes miqsh dhe kolegësh nuk e ndieja veten shumë komod pasi ata thonin se e gjithë kjo ishte një shpikje. Nisa menjëherë një sinops për një dokumentar e dorëzova në redaksi dhe u pranua”, – na tregon gazetari Zaimi, teksa shton, -“Kur shkova në Dimal për të realizuar dokumentarin… gjithandej qeramikë e flakur, gurë ciklopikë të rrokullisur poshtë, historitë e vendasve për legjenda, gërmime ilegale dhe përçudnim varrezash. Kush është ai shqiptar që nuk do donte që të dilnin në dritë të gjitha këto fakte historike por në mënyrë zyrtare?”.

Ai shton më tej se si pas vizitës së parë në qytetin antik dhe disa shfletimeve të literaturës historike, por edhe kontakteve me historianë e profesionistë të fushës iu përkushtua më shumë idesë për t’i dhënë një dimension më të madh mediatik kësaj qendre antike. “Përveç njohurive personale disa media kombëtare dhanë një informacion jo të plotë për këtë sit arkeologjik. Ata faktuan vjedhjen e objekteve në zonën e varrezave apo zona të tjera të qytetit Dimal, por nuk e adresuan si problematike për zgjidhje. Bashkë me Gerti Selenicën, kryeredaktor i lajmeve në RTSH, Armand Vllahun regjisor, ne komunikuam me Kryetaren e Bashkisë së Urës Vajgurore për t’i prezantuar idenë tonë. Nuk po kërkonim thjesht të realizonim një tele-reportazh apo një dokumentar, por ne kërkuam të ulnim në tryezë aktorët. Ne hodhëm idenë e një gazetarie konstruktive për komunikimin e problemit dhe zgjidhjes së tij. Vetëm pas transmetimit të dokumentarit që u shfaq në RTSH ‘Dimali, nga rijetëzimi tek rigjetja e vetes’ një sërë kronikash informuese, emisionesh, konferencash hulumtuese dhe karakter shkencor po kuptonim se Dimali po zgjohej vërtetë prej gjumit antik dhe po na mbështeste në mendësinë tonë autoktone dhe jo material”, u shpreh gazetari i RTSh, Norel Zaimi.

Sot që flasim, Bashkia Ura Vajgurore/Dimal nuk futet në mesin e atyre njësive vendore të pasura dhe me resurse të shumta ekonomike. Me një popullsi të prirur në masë të madhe drejt bujqësisë ose emigrimit dhe pa shumë kompani të mëdha, në aspektin ekonomik kjo bashki nuk mund të konsiderohet tek më të fortat e vendit. E si zgjidhje për këtë është parë turizmi. Kryebashkiakja Juliana Memaj na tregon se disa nisma simbolike si një monument i djaloshit të Dimalit në qendër të qytetit, apo edhe disa murale në fasadat e pallateve, ia kanë dalë që të ndalin disa turistë, që në rrugën e tyre për në Berat kanë ndaluar disa minuta aty, por duket se kjo është shumë pak për të folur për turizëm të mirëfilltë në këto anë. Ndërtimi i teatrit, disa ura mbi lumin Osum me arkitekturë që besohet se do jenë tërheqëse për turistët dhe një ndërhyrje në qytetin turistik janë elementë të planit që do nxisin zhvillimin e turizmit në këtë bashki sipas kryebashkiakes Juliana Memaj. “Të gjithë jemi të vetëdijshëm, se vetëm një ndryshim emërtimi nuk mund të sjellë asgjë në rast se nuk është pjesë e një politike strategjike zhvillimi. Krahas punës se bërë për implementimin e disa prej elementeve ‘Soft’ të Brandimit, është punuar shumë edhe me hartimin edhe implementimin e disa projekteve që lidhen me elementet ‘Hard’ të tij. Në këto të dytat, përfshihen kryesisht projektet e infrastrukturës, ato të rijetëzimit të hapësirave publike, krijimi i ndërtesave ikone, si teatri i qytetit, etj. Një nga projektet më të rëndësishme, ai i Teatrit, konsiston në një arkitekturë bashkëkohore, të veçantë edhe unike, dhe mendoj se mund të jetë fillesa e prezantimit në qytet të industrive kreative. Së shpejti fillon rikualifikimi i dy urave mbi lumin Osum, të cilat për nga arkitektura do të veçojnë qytetin. Këto projekte dhe krijimi i atraksioneve në zonën përgjatë lumit Osum, nëpërmjet realizimit të projektit të rikualifikimit të kësaj zone, do e bëjnë qendrën e qytetit një pol shumë atraktiv së bashku me përmbylljen e rijetëzimit dhe bërjen të vizitueshëm të sitit arkeologjik,” tha Juliana Memaj për Portën Vendore.

Probleme infrastrukturore
Sipas asaj që kryetarja e bashkisë rrëfeu, kalimi nga Ura Vajgurore në Dimal për emrin e gjithë bashkisë, pretendohet të jetë vetëm pjesa “soft” i një transformimi që kërkon të sjellë në këto anë turistë, duke iu dhënë këtyre banorëve një tjetër mundësi ekonomike përveç ullinjve, vreshtave dhe bujqësisë tek turizmi. E pikërisht kur shkon përtej pjesës “soft”, duket se sfida e kësaj njësie vendore që kërkon të futet në hartën turistike të Shqipërisë, fillon e bëhet e vështirë. Një rrjet rrugor i përzier, fushor dhe kodrinor por që lë shumë për të dëshiruar, pa asnjë dyshim që nuk është një motiv krenarie për këtë bashki, pasi përveç disa akseve që janë totalisht të pakalueshme, në disa të tjera do duhet kurajo për të menduar se makina nuk do pësojë defekt. Dhe ëndrra turistike e kësaj bashkie në këtë pjesë dëmtohet jo pak. Infrastruktura rrugore, që do duhej ta mbështeste zhvillimin e kësaj bashkie, në shumë pjesë të saj, është në gjendje të mjerueshme. Pas përfundimit të rindërtimit të aksit Lushnje-Berat, kjo bashki duket se tani merr frymë, por sërish një aks shumë bazik për ekonominë e kësaj bashkie, siç është ai Fier-Berat, që e përshkon mësipërmes bashkinë është tejet i amortizuar. E në fakt është për të ardhur keq, pasi nëse nisesh nga Fieri për të shkuar në Berat, vetëm kilometrat e rrugës brenda kësaj bashkie janë të pa rikonstruktuara, siç ka ndodhur në pjesët e tjera të këtij aksi që përshkon bashkitë Berat, Roskovec, Patos dhe Fier. E në këtë drejtim, infrastruktura rrugore për të shkuar në atë do të jetë simboli i kësaj bashkie, në qytetin antik të Dimalit, nuk ka. Është një kalim që përdoret nga banorët e fshatit Krotinë për të shkuar në pronat e tyre në kodrat përreth sitit arkeologjik, por rrugë të cilën do duhej ta përdornin turistët kureshtarë për këtë qytetërim, nuk ka. Për këtë pikë, kryebashkiakja Juliana Memaj na tregon se ku janë planet për hapjen e një rrugë normale që t’i çojë turistët në Dimalin antik që po i jep emrin gjithë bashkisë. “Në buxhetin afatmesëm të bashkisë, kemi planifikuar që në vitin 2021, me të ardhurat e bashkisë të sistemojmë rrugën që të çon nga Bistrovica në Dimal”, tha kryebashkiakja Memaj që me këtë projekt na shpjegoi se zgjidhet problemi për të shkuar në sitin arkeologjik.
Mirëpo kjo zgjidhje që bashkia ka projektuar nuk ishte ajo që banorët e fshatit Krotinë kishin imagjinuar, kur për herë të parë dëgjuan për projektin e “rijetëzimit të Dimalit” që po çon drejt ndryshimit edhe emrit të bashkisë. Fshati i vogël rrëzë kodrave që në majën e tyre fshehin rrënojat e Dimalit antik, me këtë projekt mbetet i mënjanuar, pasi përveçse nuk ka asnjë projekt për rrugë normalë që të lidhë fshatin me qytetin antik, ata ndihen të vjedhur, pasi bashkia do të marrë emrin e qytetit antik, por për ta dhe jetët e tyre nuk paraqitet ndonjë ndryshim domethënës në të ardhmen.
Nazif Zylali, gazetar i ri dhe rritur në fshatin Krotinë shprehet entuziast për këtë ndryshim, me shpresë që kjo mund të jetë drita në fundin e tunelit të errët, ku ekonomikisht është zhytur zona prej kohësh tashmë.

Por për të, ndërhyrja në atë që kryebashkiakja Memaj e cilëson “faza hard” e projektit, pra infrastruktura rrugore duhet kapitale dhe e menjëhershme, pasi aktualisht gjendja është tejet e rëndë për vetë banorët e zonës e jo më për turistin e pasionuar pas historisë dhe arkeologjisë. “Dimali i ka të gjitha mundësitë të kthehet në një qendër turistike, ashtu sikurse janë edhe vendbanimet e tjera antike. Unë mendoj se ndryshimi i emrit nga ‘Bashkia Ura Vajgurore’, në ‘Bashkinë Dimal’, sigurisht që e ndihmon qytetin antik të marrë më tepër vëmendje. Me ndryshimin e emrit, vëmendja mund të jetë me e madhe, ku veçanërisht turistët, apo udhëtarët e pasionuar pas qyteteve antike tashmë do interesohen më tepër dhe do kërkojnë ta vizitojnë këtë vend. Mirëpo, në krahun tjetër, mendoj gjithashtu se projekti i Bashkisë për t’i dhënë më tepër vëmendje Dimalit, mund të mbetet vetëm në letër dhe është nga ato lëvizje me zhurmë të madhe, që kanë vetëm propagandë, duken shumë premtuese, ndërsa në fund nuk kanë asnjë produkt. Nëse është synimi që zona të kthehet në një atraksion turistik, atëherë si do më nxitësh mua që të vij në Dimal? Një turist nuk vjen dot në një zonë ku vetëm si qytet antik nuk duket, sepse çdo gjë është e pushtuar dhe mbuluar nga shkurret. Nëse mbetet kështu, turisti nuk vjen, sepse nuk ka çfarë të shohë aty, por mjaftohet vetëm me një informacion të përgjithshëm që mund të ketë lexuar mbi ketë qytet. Bashkia të mos mjaftohet vetëm me ndërrimin e emrit”, – tregon Nazif Zylali, – “Nëse synimi është që në qytetin e Dimalit të vijnë turistët, atëherë si do shkojnë turistët deri në destinacion? Infrastruktura është problemi më i madh i kësaj zone. Në Dimal mund të bëhet shumë punë, por nëse nuk investohet për rrugën, sepse në të kundërt turistit nuk i sigurohet asgjë. Nëse themi që për të shkuar në Dimal edhe në verë është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, çfarë duhet të themi për në dimër? Zonës së ish-komunës Cukalat, që nga ku kalon edhe rruga kryesore për të shkuar në Dimal, Bashkia nuk i ka kushtuar aspak vëmendje gjatë gjithë këtyre viteve. Krijimi i kushteve për të udhëtuar pa probleme deri në destinacion, do nxisë në të njëjtën kohë edhe investitorët e zonës”, përfundon ai.
Zonja Memaj në intervistën e saj dhënë për Portën Vendore theksoi se nën ombrellën e qytetit antik, kjo bashki duket se e kërkon me çdo kusht zhvillimin e turizmit dhe përfshirjen në hartën e guidave që do nisen drejt Beratit. Këtë dëshirë e kanë edhe banorët e zonës që duket se kjo ide i ka zgjuar dhe janë gati që përveç ullinjve e rrushit, t’i dedikohen turistëve që mund të ngjallin dëshirë për të vizituar këto anë të Shqipërisë. Me nismën që pritet të shkojë drejt finalizimit edhe në Kuvend, mbetet për t’u parë nëse emri i ri që vjen nga lashtësia do mundet ta shpëtojë ekonomikisht këtë bashki.