Vëzhgim/Analizë

Rrugët e Vlorës të amortizuara nga qyteti në fshat, banorët: Do bojkotojmë zgjedhjet

6  tetor 2020/ Enriko Gabaj/ Porta Vendore/ Vlorë

Edhe pse në vitet e fundit, Vlora ka njohur shumë investime në infrastrukturën rrugore, ky qytet vazhdon të mbetet me problematikë të theksuar sa i përket rrugëve, sidomos ato në lagjet periferike, por dhe më gjerë. Një numër i madh rrugësh dhe lagjesh të qytetit bregdetar janë lënë në harresë totale nga institucionet vendore e njëkohësisht janë kthyer në një shqetësim madhor për qytetarët. Që prej hyrjes së qytetit shfaqet një panoramë aspak normale, një lagje me rrugë të amortizuara, pa ndriçim e pa kanalizime. Pamje të tilla të shoqërojnë gjatë gjithë qytetit, duke konfirmuar dhe një herë tjetër gjendjen jo normale të tij.

Në vëzhgimin e bërë në lagjen “11 Janari” ose siç njihet ndryshe nga vlonjatët, në zonën e Pusmezinit, situata nuk është aspak normale. Për arsye edhe të ndërtimit të autostradës Levan-Vlorë, rruga e vjetër është lënë në harresë, pasi çdokush tashmë përdor autostradën. Kjo ka bërë që edhe banorë të shumtë të largohen diku tjetër në qytet apo edhe jashtë tij. Rruga është me gropa e shkaktohet pluhur gjatë gjithë kohës, kryesisht në verë, teksa dimri sjell përmbytje të cilat shkojnë deri në banesat e banorëve. Ndriçimi mbetet problem gjithashtu, ku shtyllat janë me grumbuj kabllosh elektrikë të amortizuar. Në anë të rrugës është dhe një kanal i madh e i ndotur që shkakton aroma të pakëndshme e prej kohësh nuk pastrohet. Në vëzhgimin e bërë nga Porta Vendore në këtë lagje shihen një grup të moshuarish, të cilët qëndronin të ulur në një bordurë anës rrugës. Ata nuk kanë asnjë vend tjetër ku të kalojnë disa orë. Rexhepi, një banor i lagjes na njeh me problematikën që has çdo ditë mosha e tretë. Sipas tij, nuk kanë asnjë vend ku të qëndrojnë, asnjë lulishte apo zonë të gjelbëruar për të konsumuar bisedat e ndryshme me miqtë e së njëjtës moshë. Gjithashtu ai shton se e përditshmja është e vështirë për shkak të kushteve në të cilat lagja ndodhet.

Që në hyrje të saj, rruga kryesore e cila ka shërbyer si aks lidhës i Vlorës me Fierin është e amortizuar. Më tej një tjetër banor i kësaj zone, Hysniu ndan po të njëjtat shqetësime. Ai është shprehur për Portën Vendore se është një taksapagues i rregullt, por nuk përfiton ato shërbime që duhen. “Shërbimi i pastrimit ka mbi 1 javë që nuk vjen teksa shihen plehra të hedhura ngado. Kanali i pa pastruar e plehrat që nuk hiqen prej ditësh shkaktojnë një erë të padurueshme që e bën lagjen të paqëndrueshme”, tregon ai.

Për të kaluar më tej ka ende zona që infrastrukturën e kanë përtokë. Pranë rajonit nr.5 të qytetit është një tjetër lagje, e cila ka mbi 300 familje e nuk ka një shesh për tu qetësuar, por ngado janë hedhur inerte si pasojë e shembjeve që janë bërë. Rruga është e pashtruar, madje edhe puseta, të cilat qëndrojnë mbi sipërfaqe. Ndër banorët më të vjetër është Kastriot Shahaj, i cili shpesh ka ngritur zërin e ka kërkuar të investohet. Shahaj e pranon se vera ishte e bezdisshme teksa duhet të qëndrojë në oborrin e banesës, pasi pluhuri të bllokonte frymëmarrjen. Në rajonin përkatës ankesat e Kastriotit apo banorëve të tjerë nuk kanë marrë zgjidhje, pasi nuk ka reagim. Përfaqësuesit e institucioneve sipas Kastriotit presin vetëm fushatën e më pas të vizitojnë banorët ku bëjnë premtime, të cilat deri më tani nuk i kanë mbajtur aspak. I revoltuar, ai pohon se nuk dëshiron të shohë askënd në banesën e tij, duke trokitur për votën. Ai nuk është i vetmi banor, i cili ngre shqetësimet dhe shfaq revoltën e tij, por janë të shumtë banorët, të cilët janë të pakënaqur.

Mungesa e ndriçimit në lagjen e njohur si rajoni nr. 5

Sokoli është një i ri, i cili jeton disa metra larg Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, dhe ankohet për infrastrukturën. Sipas tij, mungesa e kushteve jep idenë e një fshati të largët, madje shpeshherë i jep atij mëdyshje nëse duhet të qëndrojë apo të largohet si bashkëmoshatarët e tij. Rruga përpara derës së banesës së tij është e pashtruar, teksa në dimër krijohet baltë e madje uji futet deri brenda banesës. “Jetoj në qendër të Vlorës e nuk kam rrugë ku të kaloj, e jo më trotuar që nuk bëhet fjalë. Gjatë dimrit ndërrohemi 2-3 herë në ditë, sepse bëhemi gjithë baltë e ujë për shkak të rrugës. Darkave lagja pushtohet nga errësira, sepse nuk ka ndriçim, madje asnjë llambë nuk është vendosur. Po rri akoma këtu, pasi nuk kam një vend tjetër diku jashtë ku të shkoj. Në vendin tim paguaj taksat, detyrimet, të gjitha e si përfundim nuk përfitoj asnjë shërbim”, shprehet i revoltuar ai për Portën Vendore.

Një ndër destinacionet kryesore të Vlorës është dhe teqeja e Kuzum Babait, e cila penalizohet nga infrastruktura. Rruga që të çon në këtë vend të shenjtë është jashtë çdo standardi duke u kthyer në shqetësim për banorët që jetojnë aty pranë apo personat që shkojnë në teqe. Për të shkuar në teqe rruga nis nga zona e quajtur “Bishti i Kalldrëmit” e më pas vizitorët duhet të ecin në një rrugë me gjatësi 2 km. Ajo është e gjitha e amortizuar, një pjesë e shtruar më pas zhavorr i hedhur pa kriter, duke mos përmbushur asnjë standard. Gjatë vëzhgimit në këtë aks rrugor vihet re se rruga nuk është e pajisur me sinjalistikë rrugore, duke u kthyer edhe në një rrezik për jetën. Avniu është banor i kësaj zone e i duhet ta përshkojë këtë rrugë disa herë në ditë. Ai ka folur për Portën Vendore duke thënë: “E përshkoj këtë rrugë çdo ditë disa herë, kur shkoj në punë apo bëj furnizime për familjen. Ç’të them, na është bërë gangrenë e vërtetë, askush nuk vë dorë. Kjo është rrugë që të çon dhe tek teqeja e u shërben mijëra personave e jo vetëm neve si banorë. Askush nuk e ka në plan t’i japë një tjetër pamje rrugës. Mirë rruga, por edhe trotuar nuk kemi”.

Një tjetër banor, i cili po udhëtonte me motorin e tij, disa metra larg teqesë i kërkon shtetit të vërë dorë në këtë lagje. Falë motorit, zotëria mund të lëvizë dhe në dimër ku është tejet e vështirë për shkak të ujit që përmbyt këtë këto 2 km rrugë. Në disa pjesë është zonë malore e në një tjetër janë krijuar disa gropa, të cilat në kohë reshjesh janë të pakalueshme. Mbrëmjeve banorëve i duhet të udhëtojnë me kujdes, kjo për shkak të mungesës së ndriçimit.

Rruga e teqesë së Kuzum Babait.

Por duket se situata e rënduar me infrastrukturën ka zënë rrënjë kudo. Përgjatë qytetit jugor të njëjtën problematikë vuan edhe lagja “Kume” . Mbi 500 familje hasin probleme të shumta, e kryesorja është infrastruktura e amortizuar. Nuk është vetëm një, por disa shqetësime që ngrihen për shkak të infrastrukturës së lënë në harresë. “Po na vjen era e kanalit në shtëpi, e minjtë janë në madhësinë e shelegut”, u shpreh për Portën Vendore një prej banorëve të lagjes “Kume”. “E tmerrshme se si një ndër lagjet kryesore dhe më me emër të qytetit tonë lihet në këtë gjendje. Nuk kemi rrugë, sheshi është i qelbur, ndotje ngado dhe mungojnë kanalizimet. E ç’të them më unë për pamjen që shohim çdo ditë? Unë paguaj taksën mjedisore, por nuk kam përfituar një shërbim të tillë. Jemi lënë plotësisht në harresë nga bashkia e Dritan Lelit“, vijon i revoltuar banori i lagjes “Kume”. Më e revoltuar akoma paraqitet Lina Sulejmani, e cila prej shumë vitesh jeton në një banesë dykatëshe në këtë lagje. Ajo kërkon se ku shkojnë taksat që paguan, mali me detyrime çdo muaj të cilat nuk justifikohen nga ana e shtetit për asgjë. “Po paguaj taksë uji, ndriçimi, pastrimi, mjedisi… e për çfarë? Për tu lënë në harresë, e për t’u përballur me dyert e mbyllura të pushtetit. Ja këtë fitojmë ne, neglizhencën e tyre”, shprehet ajo. Përgjatë lagjes, si pasojë e numrit të madh të familjeve është një numër i madh qytetarësh që kanë të njëjtin shqetësim. Një banor rreth të 40-ave ka po të njëjtin shqetësim si banorët e tjerë. Ai shprehet se pusetat, të cilat janë mbi sipërfaqe, shumë prej tyre të hapura dhe mosfunksionimi i kanalizimeve kanë shkaktuar një erë të rëndë e të padurueshme. “Kam rreth 10 vjet që banoj në Kume, e ajo që kam kuptuar është se asnjëherë nuk kanë vënë dorë pushtetarët këtu. Çdo ditë gjatë këtyre viteve përballemi me po të njëjtën pamje të shëmtuar, puseta e pluhur, përmbytje e baltë. “, tregon ai.

Gjendja e amortizuar e rrugës në lagjen Kume në Vlorë.

Pranë “Pyllit të Sodës”, Vlora ka sërish probleme infrastrukturore. Në këtë zonë problematike paraqitet lagja “24 maji” e cila ka një diametër mbulimi disa kilometra. Turistët apo pushuesit e shumtë që zgjedhin këtë plazh shpeshherë u ka ndodhur të kalojnë në lagjen “24 maji”. Pavarësisht rëndësisë që ka, për fat të keq nuk ka një rrugë për banorët të cilët pranojnë se në dimër, lëvizet vetëm me automjete. Po ashtu, edhe kjo zonë mbytet nga pluhuri i cili dëmton rëndë mushkëritë, kështu shprehen edhe banorët e kësaj zone. Astriti, i cili ka dy fëmijë të vegjël, të cilët i duhet t’i çojë në shkollë çdo ditë, shprehet se e ka të pamundur t’i lërë të shkojnë vetë. “Me këtë rrugë nuk i lë dot fëmijët të lëvizin, sepse në dimër nuk kaloj dot as vetë. Lëvizim me çizme llastiku për të përmbushur nevojat e ndryshme e nëse s’kemi arsye nuk dalim nga shtëpia. Kaq shumë gropa sa ka rruga, duket se është krijuar një lloj harku që mban ujë, i cili mbetet aty gjatë gjithë dimrit. E kemi shumë të vështirë, keq në verë e keq në dimër. Askush nuk vjen të vërë dorë edhe pse kemi ngritur zërin me dhjetëra herë në Bashkinë e Vlorës”, thotë ai për Portën Vendore. “Nuk kam besim, nuk kam as shpresë“, është kjo përgjigja e një tjetër banori të lagjes “24 maji” i cili më tej pohon se ka 20 vjet që është vendosur këtu. Ai shpesh ka menduar të vendosë në shitje banesën e tij e të largohet diku tjetër, pasi në këtë gjendje e ka të vështirë të jetojë. Në një situatë ku mungon çdo kusht bazë është tejet e vështirë përshtatja.

Një lagje tepër e madhe në Vlorë njihet dhe ajo e cila është vendosur tek ish fushat e aviacionit. Qindra familje jetojnë aty prej vitesh, duke u përballur me kushtet aspak normale. Në fakt kemi të bëjmë me një zonë tepër të frekuentuar, pasi në këtë lagje janë të ndërtuara edhe disa fusha futbolli, të cilat përdoren nga të rinjtë vlonjatë. Në anën tjetër edhe banorët e shumtë, ku bëhet fjalë për qindra familje. Kjo sërish nuk ka detyruar bashkinë të bëjë diçka për rehabilitimin e rrugës, madje nuk japin asnjë reagim duke thënë se do të punohet hap pas hapi, por pa pasur një plan konkret.

Ish fusha e aviacionit, një ndër lagjet më të populluara të Vlorës.

Por situata është dhe më dramatike në fshatrat përreth Vlorës. Në Panaja jetojnë rreth 150 familje, ndërkohë që rruga mbetet problemi kryesor i tyre. Përgjatë fshatit, rruga kryesore është e amortizuar në pjesën më të madhe të saj, ku janë krijuar gropa të shumta, të cilat shpesh janë burim aksidenti. Ndotja është e madhe, teksa makina e pastrimit nuk vjen asnjëherë në këtë fshat të gjendur rreth 15 km nga qyteti. Banorët pohojnë se me ndarjen e re administrative, ku tashmë janë në varësi të bashkisë, problemet janë shtuar dhe nuk kanë se ku të trokasin. Institucionet lokale nuk mbajnë përgjegjësi për asgjë, por janë të pranishëm gjatë fushatës për të marrë votën. Ata janë taksapagues të rregullt, por nuk e përfitojnë aspak shërbimin për të cilin paguajnë nga xhepat e tyre.

Po ashtu në fshatin Hoshtimë, rruga është e shkatërruar që në hyrje e deri në qendër të fshatit dhe dëmton automjetet e pakta që banorët e fshatit kanë. Sipas banorëve nuk ka arsye pse të qëndrohet në këtë fshat e me të drejtë zgjidhja e vetme mbetet largimi. “Neglizhenca e shtetit është e pafalshme dhe ne do i mbyllim derën për fushatë atyre që do të lypin votën. Kryetari Leli ka ardhur vetëm për fushatë e që atëherë nuk është dukur më”, shprehen banorët.

Edhe në fshatin Kërkovë, i gjendur vetëm 7 km larg Vlorës, paraqitet e njëjta situatë, ashtu siç Porta Vendore ka raportuar dhe më herët.

Drejtori i infrastrukturës në bashki Fatjon Devollaj është shprehur për Portën Vendore se nuk ka asnjë plan, i cili ndiqet për rehabilitimin e rrugëve. Kujtojmë që pas kaq shumë kohësh u shtrua edhe rruga e cila të çonte drejt Zvërnecit.

Ndërsa në një kërkesë për informacion dërguar këtij institucioni në lidhje me rrugët që Porta Vendore vëzhgoi, bashkia tha se: “Rruga hyrëse e Nartës, në lagjen 11 Janari, rrugët e fshatrave Panaja, Kërkovë, Hoshtimë, janë në plan mirëmbajtje të zakonshme nga Ndërmarrja e Shërbimeve Publike të Bashkisë Vlorë. Rruga interurbane Vlorë – Fier është nën përgjegjësinë e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Rruga në lagjen ‘11 Janari’ është planifikuar për ndërhyrje gjatë vitit 2020 nëpërmjet projektit ‘Rikonstruksioni i disa akseve të rëndësishme të qytetit të Vlorës.’ Në fokus kryesor të këtij mandati kane qenë Njësitë Administrative, të cilat kanë pasur problematika në infrastrukturë. Një pjesë e ndërhyrjeve janë kryer dhe kanë patur impakt pozitiv, si fshati Cerkovinë, Skrofotinë, Trevllazër, rruga në fshatin Llakatund etj. Në vëmendje janë disa fshatra të Njesisë Administrative Shushicë dhe Novoselë”, tha në përgjigjen e saj.