Ndodhi

Bujqësia në Lezhë drejt zhdukjes, shkak kullimi dhe vaditja

4 tetor 2020/ Elvis Hila/ Porta Vendore/ Lezhë

Bujqësia në rrethin e Lezhës po shkon drejt falimentimit për shkak të mungesës së kanaleve kulluese dhe vaditëse. Shumë fermerë janë detyruar të lënë shumicën e tokës djerrë, për shkak se nuk kanë rendiment, ndërkohë që bashkia deklaron se vazhdon puna prej disa vitesh për hapjen e kanaleve kulluese dhe vaditëse, por problem mbetet financimi për këtë sektor.

Luigj Frroku në Troshan të Lezhës, zonë që bën pjesë në fushën e Zadrimës, disponon rreth 5 hektarë tokë bujqësore, që e ka të shpërndarë në disa parcela. Por fermeri 60-vjeçar nuk e shfrytëzon as 10% të saj, për shkak të mungesës së sistemit të kullimit dhe vaditjes.

“Unë kam afro 10 hektarë tokë bujqësore, e cila është e ndarë në disa parcela. Pjesën më të madhe e kam në fushë dhe një pjesë këtu afër shtëpisë time. Vite më parë e kam shfrytëzuar, duke e punuar thuajse të gjithën dhe e mbillja kryesisht me misër dhe grurë, por edhe jonxhë për bagëtitë. Vitet e fundit nuk mbjell as 10% të tokës që kam sepse nuk po jep fare rendiment. Në rradhë të parë mungon kullimi dhe toka mban ujë sidomos në periudhën e reshjeve, siç janë vjeshta dhe dimri. E kam provuar të mbjell dhe të gjitha produktet janë kalbur. Po ashtu është shumë problem edhe sistemi i vaditjes. Është dëmtuar i gjithë sistemi që ka qenë më parë dhe të mbjellat thahen për ujë gjatë stinës së verës, periudhë kjo që bën shumë thatësirë” , thotë Frroku për Portën Vendore. Ndërkohë Porta Vendore i kushtojë një artikull bujqësisë në kohë pandemie, në lidhje me problematikat në këtë sektor.

Në këtë situatë fermeri nga Zadrima thotë se ka mbjellë vetëm pak sipërfaqe toke pranë banesës së tij, ku ka mundur vetë që të sigurojë vaditjen dhe kullimin.

“Kam mbjellë vetëm sipërfaqen e tokës që kam këtu afër shtëpisë, pasi dhe mund t’i shërbej me kullim dhe vaditje. Të mbjellat janë kryesisht perime dhe pemëtari. Kam bërë një shpim në tokë disa metra dhe e vadis gjatë verës, ndërsa jam munduar që të hap vetë dhe kanalet përreth tokës që të kulloj në periudhë dimri. Ndërsa përsa i përket tokës tjetër që kam në fushë, kam hequr dorë dhe prej 5 vitesh e kam lënë djerrë. Është e kotë ta mbjell sepse nga mungesa e kullimit dhe vaditjes nuk jep rendiment. Të them të drejtën kam jetuar me bujqësi dhe blegtori, por tani kam hequr dorë. Fëmijët kanë marrë rrugën e emigracionit që të sigurojnë të ardhura për familjen sepse këtu nuk ka fare punë. Qeveria thotë punoni, merruni me bujqësi, por nuk krijon aspak kushte”, thotë fermeri Luigj Frroku.

Në Lezhë, bujqësia është një sektor mjaft i rëndësishëm, pasi më shumë se 50% e popullsisë jetojnë në fshat. Por pavarësisht kësaj, pjesa më e madhe e tokës bujqësore lihet djerr dhe nuk punohet, për shkak të mungesës së kullimit dhe sistemimit të vaditjes. Fermerët thonë se kjo situatë po i detyron që të heqin dorë nga bujqësia.

“Kam 1 hektar tokë dhe janë munduar të shfrytëzoj në vazhdimësi, pasi kam dhe bagëti dhe me atë e siguroj jetesën sepse nuk kam të ardhura të tjera. Por të them të drejtën vetëm kot e mbjell, pasi nuk jep fare rendiment. Aty ku kam unë tokën përmbytet sa herë ka reshje të dendura shiu dhe të mbjellat kalben. Marr lekë borxh të punoj tokën dhe po dal çdo vit me humbje. Ka nisur puna për hapjen e kanaleve kulluese dhe shpresoj që kësaj pune t’i shkohet deri në fund e t’i jepet zgjidhje problemit të përmbytjeve. E mbjell grurin për të siguruar bukën dhe s’më jep rendiment. Edhe bëj shpenzim duke mbjellë e sërish jam i detyruar që të blej bukën”, thotë Mark Paloka, fermer nga fshati Zejmen.

Sektorët ekonomikë me potencial më të lartë zhvillimi në Lezhë janë Bujqësia dhe Blegtoria me një fokus të veçantë në zhvillimin e Agro-Industrisë dhe Agrobiznesit dhe më pas vjen turizmi. Toka bujqësore është e konsiderueshme në Bashkinë e Lezhës dhe prodhimet e saj janë të kërkuara në treg. Lezha ka 18,496 hektarë tokë bujqësore, 19,256 ha pyje, 5,110 Ha Kullota dhe 2,884 Ha tokë jo produktive (jo e punueshme). Toka bujqësore në Lezhë përfaqëson 53% të tokës bujqësore në të gjithë qarkun, ku përfshihen edhe Kurbini e Mirdita dhe 3% në nivel vendi. Bashkia Lezhë bën të ditur se gjatë viteve të fundit i është dhënë prioritet bujqësisë dhe është bërë e mundur kullimi deri në 40% i sipërfaqes së tokës bujqësore si dhe vaditja e 30% të saj.

“Gjatë viteve të fundit ne si pushtet lokal jemi munduar që t’i japim prioritet bujqësisë. Kemi hapur kanalet dhe kemi arritur deri në 40% ta kullojmë në mënyre të mirëfilltë tokën që punohet, prodhohet e merret prodhim dhe nuk krijohen probleme nga reshjet e shiut. Normalisht që gjithmonë kullimi shoqërohet edhe me pjesën tjetër që është mjaft e rëndësishme, siç është vaditja. Për vaditjen në fakt kemi mangësi sepse edhe financimi, edhe buxhetimi ka qenë i mangët në këto vite. Megjithatë ne kemi arritur të sigurojmë vaditje për rreth 30% të sipërfaqes së tokës. Dua të them se Lezha e ka pasur sistemin kullues dhe vaditës më të mirin në Ballkan, por që është dëmtuar. Kemi hartuar projekte për realizimin e të gjitha kanaleve të dyta, pra që ato të hapen. Po ashtu janë të planifikuara edhe kanalet e treta kulluese“, sqaron Luigj Frangaj Përgjegjës i Bujqësisë në Bashkinë Lezhë.

Urbanizimi i zonave bujqësore ka krijuar vështirësi për hapjen e kanaleve kulluese dhe realizimin e sistemit të kullimit.

“Tani nuk flasim më për parcela të kuadratuara bukur sepse këto janë kthyer në zona urbane. Duke u kthyer në zona urbane ne hasim vështirësi nga më të ndryshmet sepse mjetet nuk mund të hynë për të punuar. Duhet që të gjitha zonat ku operojnë mjetet për kullim dhe vaditje të jenë të çliruara dhe kjo mund të bëhet vetëm me ligj sepse njerëzit s’na lejojnë në pronën e tyre të hymë. Nuk e konceptojnë farë se çfarë do thotë kullim dhe vaditje”, thotë Frangaj për Portën Vendore.

Specialisti i Bujqësisë në Lezhë, Ndoc Lleshi thotë se sipërfaqja e tokës arë në Lezhë është 18 mijë e 500 ha, por nuk ka një evidencë të saktë sa është sipërfaqja që aktualisht punohet.

“Tokë arë, gjithsej është rreth 18 500 ha. Në fillim të viteve ‘90 ka qenë më shumë, por është zënë me ndërtime të natyrave të ndryshme, duke i tjetërsuar. Nga kjo sipërfaqe nuk kemi një evidence të saktë, se sa punohet në fakt”, thotë Lleshi.

Zonat me rendiment të lartë dhe që njihen në sektorin e Bujqësisë në Bashkinë Lezhë, janë fusha e Zadrimës, Torovicës dhe Bregu i Matës. Pozicioni gjeografik i favorshëm, kushtet klimatike, rezervat e pasura ujore, tokat pjellore dhe shtrirja e tyre përgjatë brigjeve të lumit, janë disa nga faktorët që mundësojnë një prodhimtari të pasur bujqësore dhe blegtorale në zonë. Bujqësia është një nga sektorët tipikë e tradicionalë pothuajse në të gjitha njësitë e zonës. Ky mbetet një sektor që përbën një burim të qëndrueshëm të të ardhurave për banorët e zonës, ndaj kërkohet më shumë vëmendje dhe mbështetje për fermerët. Mosha e fermerëve është relativisht e lartë, çka do të thotë se mungesa e mbështetjes ka ulur interesin e të rinjve për këtë sektor.