Ndodhi

Rruga Lezhë-Shëngjin pa ndriçim publik, turistët e banorët në rrezik të vazhdueshëm

2 tetor 2020/ Porta Vendore/ Lezhë                                                                     

Aksi rrugor Lezhë-Shëngjin mbetet një aks problematik, jo vetëm për shkak të rrugës së ngushtë, por nuk ka ndriçim në asnjë pjesë të tij. Edhe pse janë hedhur miliona lekë, aksi i përdorur nga mijëra turistë, përbën rrezik si natën ashtu dhe ditën.

Edhe pse është një ndër rrugë me të mbipopulluara për shkak të sezonit turistik, prej vitesh aksi rrugor Lezhë -Shëngjin është i pa ndriçuar, duke u bërë në këtë mënyrë burim për aksidente. Kjo situatë ka rritur frikën e turistëve që i drejtohen plazhit të Shëngjinit si dhe të banorëve të këtyre zonave për të lëvizur gjatë natës.

 

“Kjo rrugë është problem sa nuk e ke idenë, se këtu mbizotëron gjoja prona private. Këtu në vend të kishte trotuar, rruga është lisho. Ne ndjehemi shumë të rrezikuar, gjithë ditën këtu kalojmë dhe shpesh në rrugë të madhe sepse s’ka trotuare. Nata pastaj është më e rrezikshme akoma, sepse si ndriçim në këtë rrugë të shërben vetëm drita e ndonjë lokali. Këtu po nuk pate mendjen shkove për fiq. Ne si banorë kërkojmë që të ketë ndriçim dhe trotuare, pasi unë s’mbaj mend se sa herë kam shpuar gomat e biçikletës duke kaluar këtu”, shprehet Isufi një banor aty pranë.

Ndërsa problemi evidentohet edhe nga drejtuesit e automjeteve që e bëjnë këtë rrugë për shkaqe të ndryshme, duke nisur që për turizëm e deri tek arsyet e punës.

Problem i madh është. Më mirë do ishte të kishte drita se shumë e rrezikshme është”, thotë një drejtues mjeti.

Por e keqja e kësaj rruge nuk është vetëm nata por edhe dita, pasi rreziku nuk fashitet me zbardhjen e dritës së diellit. Kjo rrugë bëhet shpesh objekt i kronikave televizive sepse është burim aksidentesh, për shkak të ngushtësisë së saj por edhe mungesës së trotuareve.

“Është pak rrugë e ngushtë, dhe duhet pas kujdes të madh. Dmth nëse shteti ve dorë rregullohet sigurisht dhe do të na kursente dhjetëra aksidente që ndodhin çdo vit jo vetëm me makinat që ndeshen kokë më kokë por edhe me kalimtarët ose personat që ngasin biçikleta në këtë rrugë”, thotë Frani banor i Shëngjinit.

Rruga e cila u ndërtua në kohën e Berishës, u inaugurua në vitin 2008 por sistemi i ndriçimit i mbetur si relike e së shkuarës tashme ka funksionuar fare pak, pasi janë vjedhur kabujt dhe është dëmtuar i gjithë rrjeti.

Rruga Lezhë-Shëngjin gjatë natës.

Projekte dhe materiale të përdorura jo cilësore, vlerësohen nga inxhinierët si shkaku kryesor i prishjes së këtyre sistemeve të ndriçimit, të cilët jashtë kamerave thonë se këto mangësi duhet të reflektohen në projektet e reja të Bashkisë, ndërsa kjo e fundit justifikohet me faktin se është aks nacional dhe përgjegjësia i kalon Autoritetit Rrugor Shqiptar. Porta Vendore iu drejtua me një kërkesë për informacion këtij autoriteti mbi masat që pritet të merren në këtë rrugë për menaxhimin e situatës. Në përgjigjen e tij, ARRSH tha se: “Segmentit rrugor cituar, mbulohet me kontratë mirëmbajtje nga projekti i Bankës Botërore (RRMSP) dhe përfshihet në Kontratën A – Lot 1 me kontraktor “JV Bioliap A.T.E.V.E &Geci shpk. Gjithashtu ju bëjmë me dije se, në kuadër të projektit të Bankës Botërore janë kryer ndërhyrje për rehabilitimin e këtij segmenti duke përfshirë këtu dhe instalimin e sistemit për mbrojtjen nga rënia e gurëve, punime të cilat tashmë kanë përfunduar duke e bërë këtë segment shumë më të sigurt për përdoruesit e rrugës”, tha në përgjigjen e saj ARRSH-së, ndërsa shton se: “Lidhur me riparimin e sistemit të ndriçimit përgjatë këtij segmenti rrugor,  ju informojmë se në kuadër të projektit të sipërcituar (RRMSP), së bashku me ekspertët ndërkombëtar janë duke u parë mundësitë kontraktuale si edhe ato financiare për përfshirjen/rehabilitimin e sistemit të ndriçimit në kuadër të punimeve të rehabilitimit”, përfundoi ARRSH në përgjigjen e saj referuar Portës Vendore.