Ngjarje/Personazhe

Grama e Dibrës, mes bukurisë përrallore dhe mungesës së rrugës

30 shtator  2020/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore/ Dibër                           

Grama është cilësuar perla e Dibrës, e pasur me bjeshkë të sheshta, liqenin e bukur dhe gjelbërim të pafundmë. Me tu ngjitur në bjeshkët e Gramës, syri sheh vetëm gjelbërim pafund, burime të shumta uji të kristaltë dhe shumë të ftohtë. Në Gramë ka një sërë monumentesh natyrore, ndaj edhe është ndër vendet më të lakmuara nga vizitorët vendas dhe turistët e huaj, por në të, si në pothuajse çdo vend të thellë të Shqipërisë mungonte rruga, duke e kthyer në një aventurë rrugëtimin drejt saj, ku për të arritur destinacionin duhet të ndjekësh disa shtigje.

Grama shtrihet në verilindje të Peshkopisë, rreth 12 km larg qytetit dhe shkon deri në 2400 metra mbi nivelin e detit. Ajo është pjesa më e bukur e parkut Korab-Koritnik. Ngjitja për në bjeshkë është shumë e bukur, të jep ndjesinë e një ballkoni, pasi prej aty mund të shikosh gjithë fushën e Dibrës, qytetin e Peshkopisë dhe plot bukuri që aty natyra i ka vizatuar me shumicë.

Për të vizituar Gramën ka disa shtigje. Në rrugëtimin tonë, ne takojmë dy udhërrëfyes lokalë, të cilët i vizitojnë shpesh këto shtigje.

Grehansi është një udhërrëfyes turistik profesionist, i cili na tregon për rrugët dhe mundësitë për të shijuar Gramën. Rruga më e bukur thotë ai është ajo nga fshati Zimur, i cili gjendet afër qytetit. Deri aty shkohet me makinë pastaj niset udhëtimi me këmbë.

“Në variantin hiking, mund të marrim fshatin më të afërt, që është fshati i Zimurit. Rrugëtimi zgjat rreth 4 orë, deri në pikën më të afërt që janë Bjeshka e Terzhës, me një mundësi për të ndenjur në shtëpi druri. Por, duke shtuar edhe 30 minua të tjera rrugë mund të shkohet deri tek liqeni. Bjeshka e Gramës është një nga pikat më kyçe të parkut kombëtar të Korabit. Ke mundësi të shikosh liqenin natyror dhe liqenin artificial gjithashtu, të ndjesh aromën e pishave dhe ajrin e pastër”, rrëfen Grehans Uka.

Rruga e amortizuar për në Gramë të Dibrës.

Ai shpjegon se shtegu tjetër është nga gryka e Gramës, Shkalla e Rahmane, Kumbull, Bjeshka e Zonjave e deri te liqeni i Gramës. “Ky shteg shkon rreth 3,5 orë dhe ka një shkallë vështirësie relativisht jo shumë të vështirë. Ajo mund të përshkohet nga të gjitha moshat”, thotë Grehansi.

Shtegu tjetër është ai me makinë. Rruga është shumë e vështirë, pasi nuk është investuar prej vitesh. Madje, mund të thuhet se është lënë në gjendje të mjerueshme.

Grama është vetëm 12 km larg nga asfalti, por përshkohet për rreth 2 orë dhe vetëm me makina me kalueshmëri të lartë, ndaj kjo e kushtëzon vizitorin goxha, pavarësisht dëshirës së tij, për të eksploruar bukuri shqiptare. Për ata njerëz që nuk kanë mundësi të shkojnë me makina të larta, apo edhe në këmbë, kjo perlë e natyrës mbetet e paeksploruar. Rruga për në Gramë është rikonstruktuar për herë të fundit në 2012, kur u rikonstruktua edhe diga e liqenit.

Por udhëtimi është i bukur, rruga kalon përmes një pylli të bukur ahu, pishe dhe bredha të mëdhenj.

Bukuritë natyrore të zonës së Gramës.

Sapo kalon pyllin me bredha të shfaqet një pamje mahnitëse. Përpara syve shfaqet një livadh të përmasave gjigande, një bjeshkë pa fund. Gjelbërimi të krijon një gjendje relaksi. Bjeshka është e mbushur me bimësi dhe shumëllojshmëri lulesh. Një masiv gipsi i gdhendur nga natyra të bie në sy. Ai quhet pasqyrat e Gramës dhe e ka marrë emrin ngaqë ndriçon nga dielli. Më tej janë një sërë monumentesh natyre si: Bjeshka e Zonjave, Liqeni i Gramës, Liqeni i Zonjave dhe Guri i Shpuar. Karakteristike e Gramës është se ka shumë burime ujore.

Shumë afër prej aty, Nderim Çibaku ka ndërtuar një baxho ku grumbullon qumështin dhe e përpunon. Për të, mungesa e rrugës ka bërë që edhe turistët ta kenë të vështirë t’i vizitojnë këto bukuri që veç në foto kalendarësh gjenden. “Unë për vete kam paguar dy herë një fadromë që të hapi rrugën, 2 milionë lekë. Është gjynah, të investoj unë me paret e mia. Pse të mos vijë shteti që të rregullojë rrugën? Unë vetë-ofrohem që të jap 1 milion lekë, por vetëm ta rregullojnë rrugën, pasi këtu vijnë shumë njerëz, jo vetëm ata që verojnë, por vijnë edhe familje me fëmijë. Të rrojmë në vendin tonë, kjo është dëshira dhe thirrja ime. Por me këtë rrugë unë as me kalë nuk vij dot këtu, jo më me makinë”, thotë Nderim Çibaku, baxhieri, i cili e ka stacionuar jetën e tij në bjeshkët e Gramës.

Përgatitja e produkteve të bulmetin në baxhon e Nderimit.

Një tjetër banor që veron me stan në Gramë është Emri Spata, ai shkon me familjen atje. Rruga është problemi kryesor për të gjithë ata, pasi në Gramë ka plot 15 familje me stane që jetojnë aty për më shumë se 4 muaj, por Grama vizitohet nga rreth 6 mijë turistë të huaj dhe vendas, të cilët vijnë me familje dhe rrinë me net të tëra në bjeshkë.

“Rruga është kryesorja këtu tek ne. Po u rregullua rruga, këtu vërshojnë turistë pafund. Edhe tani vijnë disa, por shpenzojnë shumë derisa të mbërrijnë këtu. Këtu njerëzit vijnë për bukuritë e malit, se të jetë për qytet rrinë në pallat ata dhe shohin betonin. Por këtu vijnë për ajrin e pastër dhe liqenin”, thotë Emriu, ndërsa ngre edhe shqetësimin për digën e liqenit. Sipas tij, edhe këtë dimër liqeni i Gramës do të mbetet i parregulluar, shpresat e tij janë që të merren masa për digën e tij në pranverën e ardhshme.

 “Liqenin s’po e rregullojnë fare, ka 3 vite i dëmtuar. Diga e tij është çarë dhe uji ka rrjedhur. Bashkia nuk ka marrë asnjë masë për riparimin e saj. Sot liqeni nuk e ka më bukurinë e tij për syrin e turistëve, por ka shkaktuar probleme edhe për vaditjen e 16 fshatrave poshtë duke lënë të thahen prodhimet.  Shumë vijnë vetëm për liqenin. Kemi shpresa që shteti do vërë dorën në zemër e të na i bëjë rrugën e rregullojë liqenin”, thotë Emri Spata për Portën Vendore.

Ndërsa Çibaku shton se ky është një vend ideal për të pushuar. “Këtu ke qejf të vish, ka pas peshk, rosa të egra, jemi 2400 metra mbi nivelin e detit. Nuk ka dhënë pare asnjë për liqenin. Të investojnë për atë rrugë, të investojnë për liqenin dhe të vijnë njerëzit këtu. Është gjynah mos e vizitosh këtë perlë natyrore”, rrëfen me entuziazëm Nderim Çibaku.

Artur Xhediku është një fotograf që ka pasion natyrën dhe ngjitjet në male. Ai herë pas here shoqëron grupe turistësh në malin e Korabit.

Më ka tërhequr gjithnjë nga zonë, vij shpesh kjo edhe për shkak të profesionit tim si fotograf profesionist. Më shkruajnë njerëzit që të vij t’i shoqëroj në mal, e njoh shumë mirë atë. Gjatë kohës që i shoqëroj u bëj edhe video e foto. Kam pas shumë njerëz që kanë ardhur këtë vit, dhe pretendojmë që të vijnë edhe më shumë, kjo pasi Grama është një perlë, ndërsa është pranë Korabit malit më të lartë”, tregon ai për Portën Vendore.

“Ne vendosim për të kaluar natën në Gramë. Ndaj zgjedhim një vend afër një burimi uji. Vendosim çadrat, Grama të ofron një perëndim të bukur. Nata është e freskët ndërsa gjumi bëhet shumë i qetë”, vijon ai.

Çadrat e ngritura në Gramë nga të pasionuarit e natyrës.

Shumë interesant është mëngjesi, momenti kur hap çadrën dhe të shfaqet një bukuri e rrallë. Barinjtë kanë nisur të lëvizin herët në mëngjes, duke mjelë bagëtinë dhe duke çuar qumështin në baxho. “Kam nja 10 vite që vij vazhdimisht këtu. Na del një rrogë e mirë këtu duke u kujdesur me lopët e dhitë. Ajri i pastër po që po. Ia vlen të vish për qejf, e për punë”, thotë një bari i ri.

Nderimi, pronari i baxhos, na tregon se sot në Gramë ka 14 stane, me rreth 6 mijë krerë dele. Nderimi mbledh rreth 10 mijë litra qumësht dhe e kthen në disa lloje djathi, gjalpë, gjizë, kos etj.

“Këtu bagëtia kullot vetëm në lule, dhe djathin e hanë pa merak. Grama është perla e Shqipërisë. Duhet ta duam e ta mbajmë vendin tonë, ta lulëzojmë edhe më shumë”, tha baxhieri.

Por në zonë ka dhe shumë njerëz që vijnë për të mbledhur çaj. Mishi gjithashtu është shumë i veçantë. I pëlqen shumë gjithkujt që vjen këtu. Grama është kthyer tanimë në një destinacion turistik, jo vetëm për turistët e huaj, por edhe për emigrantët shqiptarë që duan të ndjejnë aromën e Shqipërisë, duke vizituar këto vende përrallore.

Liqeni i Gramës, vendosur në mes të kësaj zone.

Janë të shumtë edhe ata që vijnë në Gramë me familjet e tyre dhe rrinë aty për disa muaj edhe për kurim. Ata tregojnë se kanë pasur përmirësime dhe se Gramën nuk e ndërrojnë me asnjë vend.

“Vend kurimi për njerëzit që janë sëmurë kryesisht me astmë, dhe kur vijnë këtu përmirësohen. Klima është shumë e mirë për këdo që ka probleme me mushkërinë. 3 muaj rrimë këtu, me 5 qershor vijmë dhe me 15 shtator ikim. Unë dua të vij këtu edhe në dimër, jo më gjatë verës. Jam 73 vjeç dhe eci normalisht, bëj shëtitje, kënaqem me pak fjalë këtu. Ndjehemi shumë mirë kur vijmë këtu, se ajri i pastër na ndikon për mirë ne moshës së tretë. Marrim ushqime, gatuajmë vetë këtu me sobë. Gatuajmë, hamë e pimë ça të kemi”, tha Rustem Perseku.

Grama, zona e cila vizitohet çdo vit nga mijëra turistë.

Bjeshkët e Gramës vizitohen nga më shumë se 3 mijë turistë në vit pasi përveç bukurive të rralla ajo është rrugë kalimi për në majën e Korabit. Pjesa më e madhe e tureve vijnë nga Rabdishti në Skërtec, flenë një natë në Gramë dhe të nesërmen marrin rrugën drejt Korabit.

Vitet e fundit në Gramë është ndërtuar një kamping me shtëpiza druri. Turistët mund të bëjnë vetë zgjedhjen, të flenë në çadra ose të qëndrojnë në shtëpizat prej druri në bjeshkën e Kaloshit.

Aty kanë gjithçka që u duhet, ushqimet bio të zonës, bulmetin e staneve, mishin e freskët, etj.

E Grama në Dibër nuk është e vetmja që të ofron këtë qetësi të natyrës. Dibra është e pasur me bukuri të shumta natyrore. Qyteti i Peshkopisë rrethohet nga dy parqe kombëtare, ai i Lurës në perëndim dhe ai i Korabit në lindje. Parku natyror i Korabit, veç Gramës, përfshin bjeshkët e Velivarit, Skërtecit, Rrafshat dhe majën e Korabit.

Facebooktwitterredditpinterestlinkedinmail