Vëzhgim/Analizë

Ndryshim i papritur “i rrjedhës” në Vjosë.

26 shtator 2020/ Artan Rama/ Porta Vendore                                         

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka vendosur, me një veprim surprizë, të sugjerojë refuzimin e kërkesën së kompanisë “Ayen Alb” për leje zhvillimi për ndërtimin e hidrocentralit të madh të Kalivaçit, i planifikuar për t’u ndërtuar në rrjedhën qëndrore të Lumit të Vjosës, për shkak të ndikimeve të rëndësishme që mund të ketë ky projekt në mjedis. Deklarata Mjedisore negative nuk është publikuar ende në faqen elektronike të AKM-së, por Porta Vendore ka arritur të sigurojë e dokumentin e refuzimit, i cili mban datën 15 shtator 2020.

Lajmi u parapri nga Kryeministri, ditën e djeshme në twitter, ku njoftoi se ministria e mjedisit ka refuzuar zyrtarisht dhënien e lejeve për projektet e HEC-eve në Vjosën e poshtme.

Duket se çështja e Vjosës, aq shumë e debatuar (edhe ndërkombëtarisht) ndryshoi rrjedhë në çastin më kritik: pak përpara se projekti për ndërtimin e digës së Kalivaçit t’i drejtohej Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), për lejen e fundit, atë të ndërtimit. Ky është rasti i dytë, pasi një tjetër digë mbi Vjosë, u refuzua tre vjet me parë. Fjala është për hidrocentralin e Poçemit, deklarata e së cilës u shpall absolutisht e pavlefshme, nga Gjykata Administrative e Tiranës.

Duke deklaruar përmes llogarisë në Twitter, Kryeministri bëri një kapërcim të papritur, duke pohuar se e tërë Lugina do të përfshihej brenda Parkut Kombëtar të Vjosës.

Por një drejtues i lartë i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, tregoi për Portën Vendore se në Këshillin e Ministrave, sapo është depozituar vetëm projekt-propozimi për shpalljen Park Kombëtar te rrjedhës së sipërme të Vjosës, që me gjasë do të miratohet në takimin e radhës së KKT-së.

Sidoqoftë në këto rrethana, përpjekjet disavjeçare të një grupi shkencëtarësh, ndërkombëtare e vendas, kanë marrë vlerësimin e merituar. Janë kryesisht këto vlerësime të përdorura edhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) si argumenta kryesorë për refuzimin e deklaratës në fjalë.

Por, saktësisht në këtë vlerësim, mund të marrë jetë një shqetësim i mundshëm, aspak i papërfillshëm, në të ardhmen.

Po të shihet me kujdes në Deklaratën Mjedisore, arsyet dhe  konsideratat e mendimit refuzues të autoritetit (ministria) përmblidhen në nëntë pika, por secilës prej tyre i mungojnë referencat e mbështetjes ligjore. Kjo e bën mbrojtjen të dobët, kur projekti të shkojë përpara anëtarëve të qeverisë, gjatë mbledhjes së KKT-së (askush s’mund ta ndalojë që të shkojë). Lobet në qeveri, që shohin të tjera interesa nga ato mjedisore, mund t’i rrëzojnë lehtësisht argumentat (shkencorë) të cilat favorizojnë natyrën e Luginës së Vjosës.

Një tjetër alternativë, por më pak e preferueshme për kompaninë, është që ajo t’i drejtohet gjykatës administrative për të paditur aktin e refuzimit. Edhe këtu, mungesa e referencave ligjore që vihet re në Deklaratë, është një mundësi a priori, që shkon në favor të saj. Por procesi i gjykimit mund të marrë një kohë, relativisht, të gjatë, çka mund të mos e ndihmojë kommpaninë. Vetëm nëse gjykata i jep asaj të drejtë, afatet kohore të lejemarrjeve shtyhen.

Edhe mënyra sesi është përpiluar kontrata, duket se favorizon kompaninë. Kësisoj, neni 15 i jep asaj mundësinë që të anulojë pa pasoja kontratën, në rast se një konsulent ndërkombëtar i pavarur konstaton se raporti mjedisor nuk është në përputhje me standartet e IFC-së (një instrument financiar i Bankës Botërore). Po aty thuhet se koncesioni mund të anulohet nëse koncesionari nuk arrin të sigurojë financimin e nevojshëm për realizimin e veprës, për shkak të mospërmbushjes së kritereve mjedisore.

Në një tjetër pikë të kontratës, mundësohet kalimi i të drejtave të koncesionarit (në rast se ky i fundit nuk i përmbush detyrimet) te një ekip tjetër, i propozuar nga pala financuese.

Ndërkohë që askush s’mund të shprehet i sigurtë, rrethanat sugjerojnë një entuziazëm të rezervuar edhe nga grupet e interesit. Dhe jo pa shkak!

Për të paktën pesë vite, digat mbi Vjosë kanë qënë çështja kryesore e debatit mjedisor në vend. Ato kanë përfshirë me dhjetëra shkencëtarë, pjesë e komunitetit akademik, ndërkombëtarë e vendas; politikanë, europarlamentarë, por edhe disa figura të shquara, me famë botërore, në favor të rrjedhës së lirë. Përpjekja për një Vjosë pa diga ka shërbyer për ilustrimin e raportimit të qindrave artikujve të dedikuar për të. Por autoritet e ekzekutivit kanë heshtur kundrejt këtyre përpjekjeve. Por, siç ndodh shpesh në këtë vend, konflikti politik u jep të gjithëve gojë.

Jo rastësisht, njoftimi nga Kryeministri pasoi kur në Tiranë, prej dy ditësh, ndodhet një grup akademikësh me në krye Prof. Friedrich Schiemmer, hartuesit kryesorë të studimit ndërkombëtar për njohjen e vlerave të jashtëzakonshme të Vjosës. Tamam në çastin e njoftimit, shkencëtarët po përuronin Qendrën Kërkimore të Vjosës në Tepelenë. I pranishëm në ceremoni ishte Presidenti i Republikës, Z. Ilir Meta, i vetmi përfaqësues zyrtar nga një listë shumë e gjatë të ftuarish; këta të fundit, kryesisht prej ekzekutivit, por që munguan të gjithë. Rama e shigjetoi Presidentin në Twitter lidhur me sinqeritetin për mbrojtjen ndaj HEC-eve, kur ai vetë (Ilir Meta) kishte qënë pjesë e ekzekutivit.

Përgjatë gjithë historisë së ndërtimit të digave mbi Vjosë, diskutimet mes palëve kanë munguar dhe deri sot qeveria nuk kishte dhënë asnjë sinjal ndryshimi. Twitter-i i Kryeministrit ishte shpërthimi i parë. Ndaj dhe dilemat janë të justifikuara.

“Një deklaratë shpresëdhënëse”, thotë Ulrich Eichelmann nga RiverWach. “Por përvoja na mëson të jemi kritikë dhe të përqëndruar, derisa të shpallet Parku Kombëtar. Qeveria duhet të fillojë mënjëherë një diskutim mes shkencëtarëve dhe Shoqërisë Civile, dhe autoriteteve publike. Ka shumë institucione ndërkombëtare, përfshirë dhe Bashkimin Europian, që do të donin të mbështesnin financiarisht menaxhimin e Parkut Kombëtar të Vjosës. Qeveria duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi!”, përfundon ai.

Është ende herët për të kuptuar përfundimisht se çfarë ndikimi do të këtë refuzimi i deklaratës në mbarëvajtjen e mëtejshme të kontratës koncesionare të Kalivaçit.

Vendimi i qeverisë shqiptare për refuzimin e Deklaratës Mjedisore të paraqitur nga kompania koncesionare “Ayen Alb”, për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit mbi Vjosë, është i befasishëm, grishës, por ende me shumë paqartësi. Por diçka është e kthjellët qysh tani: ai përbën sidoqoftë një arritje shkencore ndërkombëtare, e gërshetuar me aktivizmin mjedisor.