28 shtator 2020/ Artan Rama/ Porta Vendore
“Nëse dëshironi të kryeni mirë një hulumtim, jepini kërkimit tuaj kohë”. Ky pohim që mbart peshën e një aksiome, ushqen edhe sot themelet e gazetarisë investigative, kur zhvillimi i teknologjisë së të dhënave po ri-formaton me shpejtësi, jo vetëm mënyrën e raportimit, por dhe bazën burimore të saj. Por koha në Shqipëri, ose më saktë, manipulimi me të, jo rrallë, po kontribuon në dështimin e produktit që shoqëria pret prej gazetarisë investigative.
Prillin e shkuar, depozitova një kërkesë për informacion pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), por autoriteti publik refuzoi të përgjigjej. Kërkesa përfundoi në Gjykatën Administrative, ku procesi vazhdon ende dhe sot. Edhe Qendra “Faktoje”, një organizatë që ushtron aktivitetin në fushën e gazetarisë investigative, depozitoi një tjetër kërkesë për informacion në Ministrinë e Mbrojtjes. Autoriteti publik refuzoi përsëri dhe çështja përfundoi në Gjykatën Administrative dhe procesi është në vazhdim. Lindita Çela, një tjetër gazetare që kontribuon në fushën e gazetarisë investigative, i drejtoi Këshillit të Ministrave një kërkesë për informacion, por edhe në këtë rast, informacioni u refuzua dhe çështja përfundoi, përsëri, në gjykatë.
Ndonëse jo normale, refuzimet ndaj gazetarëve dhe prirjet e administratës për të mos publikuar dokumenta zyrtare, kontrata koncesionare, apo shpenzime dhe fatura financiare nga buxheti i shtetit, deri në një farë mase janë të pritshme, por “zvarritja” e tyre nëpër gjykata, përmes procedurave, duket sikur ka mbrapa një dorë të fshehtë. Sepse nuk do të ndodhte kështu pa “neglizhencën” e treguar nga Komisioneri për të Drejtën për Informim, një institucion i reformuar në vitet e fundit, që synon arritjen e transparencës dhe llogaridhënien e qeverisë. Kërkesat në fjalë, mund të mos kishin përfunduar në gjykatë, në rast se ky i fundit, nuk do t’i kishte lejuar që të shkonin. Dhe kontributi për këtë ishte, jo se bëri diçka, por pikërisht për të kundërtën: sepse nuk bëri asgjë; në rastin më të mire, thjesht heshti! Kërkesat e gazetarëve u ngjanin trokitjeve ndaj një porte, prapa së cilës nuk përgjigjej kush. Çelësi, çka në esence ishte e drejta e gazetarëve për të publikuar të dhëna të cilat burojnë prej dokumentave zyrtare, u ishte mohuar.
Gjatë vitit 2019 ngrita gjithsej, pesë padi detyrimi, pasi autoritetet refuzuan dhënien e informacionit; Komisioneri, gjithashtu refuzoi: me heshtje ose nuk mori asnjë vendim, me pretendimin se në secilin rast mund t’i drejtohesha gjykatës. Unë e padita edhe atë. Gjykata ka arritur të vlerësojë dy prej çështjeve, të dyja në favorin tim, duke pohuar njëkohësisht interesin publik të tyre. Në njërin prej vendimeve, gjykata e konsideroi heshtjen e Komisionerit të paligjshme, duke argumentuar se: “…e drejta për t’iu drejtuar gjykatës, më shumë duhet kuptuar si një garanci për ankuesin, sesa si një e drejtë e organit publik për të mos ushtruar kompetencat e tij”.
Pra gjykata e shpalli mosmarrjen e vendimit, të paligjshëm. Por ajo po shkon më tej. Në një tjetër seancë, javën e shkuar, ku Komisioneri ishte palë në një padi të ngritur nga Qendra “Faktoje”, kjo e fundit e përfaqësuar nga Res Publica, një zyrë ligjore që përkrah Aksesin për Informacion, gjykata i kërkoi përfaqësuesit të Komisionerit se përse Zyra e tij nuk po merrte vendime lidhur me ankesat e shumta në adresë të autoritetit.
“Dalja me vendim nuk është në dëshirën e Komisionerit”, – shprehet avokati Dorian Matlija, drejtues i Res’ Publika. “Kushdo mund t’i drejtohet gjykatës pas pesëmbëdhjetë ditësh, por ky veprim nuk e shvlerëson detyrimin e Komisionerit për t’u shprehur me vendim, ndaj çdo ankuesi, apo ndaj çdo ankese”, përfundon ai.
Për më shumë se një vit, Qendra“Faktoje” ka dërguar me qindra kërkesa për informacion tek autoritetet publike. Por puna e kësaj redaksie të re gazetarësh investigativë, fitoi një vëmendje të veçantë pas publikimit të shpenzimeve të ekzagjeruara të udhëtimeve jashtë shtetit, të ministres së Drejtësisë.
“Ne dërguam një numër kërkesash të ngjashme në disa institucione, por pas publikimit të faturave të ministres Gjonaj, ministritë e tjera refuzuan të jepnin informacione të detajuara”, – thotë gazetarja Klodiana Kapo, drejtuesja ekzekutive e Qendrës.
Në vazhdim, “Faktoje” depozitoi njëmbëdhjetë padi në Gjykatën Administrative për shkak të informacionit të refuzuar që kishte të bënte me shpenzimet dhe faturat e titullarëve të ministrive. Vendimi i Komisionerit mungonte në të njëmbëdhjeta. Ai nuk mori asnjë vendim, ndonëse ligji e detyronte për të kundërtën. Por siç nuk pritej, Komisioneri kontribuoi në një drejtim të kundërt: duke i sugjeruar gjykatës mospublikimin e faturave, pasi sipas tij, në përmbajtje të tyre ndodheshin edhe të dhëna personale. Në dy raste gjyqtarët ranë në këtë “grackë”, duke mbështetur sugjerimin e Komisionerit.
Po si garantohet një balancë e ndershme, mes aksesit për informacion dhe mbrojtjes së të dhënave personale?
“I vetmi instrument është Komisioneri, por ai nuk po vepron si një i tillë”, – pohon Dorian Matlija. “Në një farë mënyre”, – vazhdon ai, “dokumentat zyrtare mbeten si një mall pa zot, në raport me të dhënat personale, që u përkasin çdo individ”i.
“Në mënyrë të përsëritur, ne po ndeshemi me institucione qe shkelin ligjin per të drejtën e informimit, – thotë gazetarja Klodiana Kapo. “Ajo çka vihet re, është se për çështje me ndikim të madh, institucionet nuk japin informacione të plota”.
Nuk është e vështirë për të kuptuar pasojat e vendimit të gjykatës në të ardhmen. Kjo praktikë mund t’u shërbejë burokratëve, për të përdorur të dhënat personale si mburojë për të kufizuar publikimin e dokumentave me interes publik. Paradoksalisht, Komisionerit për të drejtën për informim, i duhet të lobojë për transparencën e një qeverie, e cila, qysh prej një viti, e ka zgjedhur për një mandat të dytë.
Web-sajti i Komisionerit dallon pak prej shabllonizmit kronik që ka prekur pothuajse të gjitha autoritetet publike. Në faqen kryesore, dritarja virtuale e njoftimeve ushqen më shumë grupet e Whatsapp-it të propagandës, përmes zëdhënësave, sesa interesin e vërtetë publik, ndërkohë që linku i Programit të ri të Transparencës mbetet, sidoqoftë, një butafori virtuale që shpërfillet hapur edhe prej vetë autoriteteve publike të cilat kanë detyrimin për ta zbatuar.
“Programi i transparencës nuk është thelbi i ligjit, por është vetëm një njësi e vogël, e cila ndihmon, më shumë qytetarët, por jo gazetarët”, – thotë Matlija. “Kam vënë re, se organizata që kanë një përkushtim më të dukshëm lidhur me të drejtën për informim, kanë një trajtim më të diferencuar nga Zyra e Komisionerit. Sidoqoftë, kjo është një praktike deformuese, sepse përgjithsimet e kësaj organizate mund të konsiderohen si standarte për tërë shoqërinë. Kësisoj, krijohet një përshtypje e gabuar se e drejta për informim funksionon”, – përfundon Matlija.
“Tema më aktuale sot është garantimi i privatësisë dhe mbrojtja e të dhënave personale”, shprehet Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën për Infomim dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në një mesazh, në hyrje të raportit vjetor 2019, të institucionit që ai drejton, prej gjashtë vjetësh.
Përkujdesja disproporcionale, mes mbrojtjes së të dhënave dhe të drejtës për informim, dallohet pa shumë vështirësi. Kështu, ndërkohë që numri i ankesave të publikut për të drejtën për informim, është dy herë më i lartë, hetimet administrative të kryera nga Zyra e Komisionerit, janë sa gjysma e inspektimeve të kryera në favor të mbrojtjes së të dhënave, sipas të dhënave të Raportit Vjetor 2019 të Komisionierit për të Drejtën për Infomim dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale . Të njëjtin raport diskriminues reflekton numri i lartë i udhëzimeve, rekomandimeve dhe i vendimeve për llogari të të dhënave personale.
Por entuziazmi kaotik që ka prodhuar era digjitale, veçanërisht në vitet e fundit, po nxit autoritetet për instalimin e një regjimi të mundshëm kufizues për shpërndarjen e informacioneve që kritikojnë punën e tyre, duke u fshehur pas ndjeshmërisë së publikut për mbrojtjen e privacisë.
Në 18 dhjetor (2019), Kuvendi aprovoi amendimet e të shumëdebatueshmes, “Paketa antishpifje”, e cila do të adresonte, kryesisht, ankesat e qytetarëve. Por qëllimi real i paketës në fjalë, ishte shtrirja e amendimeve në platformat e reja informative. Në qershor, Komisioni i Venecias, në opinionin e tij, i konsideroi amendimet si të paplota. Qeveria nuk po tërhiqet. Ish ministria Mirela Kumbaro ka marrë përsipër rregullimet finale, përpara se amendimet përfundimtare të Paketës t’i drejtohen Kuvendit. Në situatën parazgjedhore, me shumë mundësi, ato do të miratohen.
Në nëntor të 2019-s, Lindita Çela, një gazetare me përvojë të gjatë në fushën e investigimit, iu drejtua Këshillit të Ministrave me një kërkesë. Përgjigjja u refuzua për shkak se informacioni u konsiderua “Sekret shtetëror”, pasi publikimi i të cilit, sipas autoritetit, mund të rrezikonte sigurinë kombëtare. Ankesa tek Komisioneri rezultoi e padobishme, pasi ai konfirmoi a priori vlerësim të njëjtë me autoritetin. Çështja i ka kaluar gjykatës, por deri në marrjen e një vendimi, edhe në rast favorizimi, aktualiteti i shuar për shkak të vonesës, mund ta bëjë raportimin të pavlefshëm. Sidoqoftë, vlerësimet kufizuese janë të pritshme, por jo kufizimi a priori.
“Komisioneri nuk po zbaton parakushtet e kufizimeve”, – shprehet Matlija nga “Qendra Res publica”. “Nëse duhet të bëjë një kufizim, Komisioneri duhet të përcaktojë dhe ‘modalitetin’ se si bëhet kufizimi. Garancia e tij është sesi aplikohet kufizimi. Në rastin në fjalë duhet argumentuar se në ç’mënyrë publikmi i informacionit të kërkuar, e cënon sigurinë kombëtare”.
Ndryshimet e klimës sociale, kriza në komunikimin virtual, shpërndarja dhe zhvillimi i pakontrolluar i teknologjisë të informacionit, mund ta shenjëstrojnë lehtësisht (e qëllimisht), gazetarinë investigative, si armikun e popullit. Duke i hequr asaj mbështetjen, autoriteti dëmton transparencën dhe llogaridhënien ndaj publikut dhe kontribuon për konsolidimin e një regjimi drejtuesish autokratë. Nuk duhet harruar, se falë historive dhe dokumentave të treguara prej gazetarëve investigativë, publiku njihet me kontratat e hartuara nga burokratë të korruptuar; me planet që vendimmarrësit kërkojnë t’i fshehin publikut. Gazetaria investigative është drita që ndriçon skutat e errëta të korrupsionit; watchdog-u i çdo qeverie, tani dhe në të ardhmen.
“Një publikim investigativ është ajo çka gazetari ka mundur të dokumentojë, jo ajo çfarë ai di, apo çfarë thonë të tjerët për të”, thotë gazetarja Lindita Çela.
Sot në ditën ndërkombëtare të aksesit për Informacion, dokumentimi nuk është një alternativë, por një domosdoshmëri në funksion të së mirës publike.