24 shtator 2020/ Martin Marku/ Porta Vendore/ Lezhë
Lumi Drin në Lezhë është kthyer në ujëmbledhës të ujërave të zeza. Si institucionet private, ashtu edhe ato shtetërore derdhin ujërat e zeza në këtë lumë, duke e kthyer atë në një kanal ujëmbledhës, që po e vdes atë nga dita në ditë.
Në këtë lumë që përshkon mes për mes qytetin e Lezhës shkarkohen kanalet kulluese të zonave të ndryshme, duke bërë që të degradojë në kënetë që ndot mjedisin. Qytetarët janë dëshmitarë të ndotjes dhe shndërrimit të tij në një kanal ujëmbledhës.
Lumi Drin në Lezhë është kthyer pothuajse në një lumë të vdekur, pasi prurjet janë të pakta dhe të ndotura. Ekspertët e mjedisit fajësojnë papërgjegjshmërinë njerëzore dhe institucionale për këtë situatë.