Vëzhgim/Analizë

Bashkitë nuk paguajnë kontratat e rrugëve, 47% e borxheve në zërin “Investime”

23 shtator 2020/ Aurora Sulce/ Porta Vendore                                        

Bashkitë kanë thelluar borxhet gjatë vitit 2019, duke qenë të paafta të paguajnë kryesisht detyrimet për punët e kontraktuara në infrastrukturë. Ministria e Financave evidenton në Raportin e Buxhetit Faktik 2019, të dorëzuar tashmë në Kuvend, se 47% e totalit të detyrimeve të papaguara që pushteti vendor ka, i përket zërit të “Investimeve”. Në total, ky borxh kontabilizohet për vitin 2019 në 8.1 miliardë lekë.

“Në kuadër të evidentimit të detyrimeve të prapambetura të krijuara rishtazi, si dhe monitorimit të shlyerjes së tyre, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka vazhduar monitorimin e tyre edhe përgjatë vitit 2019. Për periudhën deri në dhjetor të vitit  2019, rezulton se stoku i detyrimeve të prapambetura në fund të muajit dhjetor 2019, i cili parashikohet të shlyhet në një periudhë afatmesme është rreth 8.1 miliard lekë.  Vlera neto e stokut të detyrimeve të prapambetura është rritur me rreth 1.9 miliard lekë, krahasuar me vlerën e detyrimeve të raportuar në tremujorin e tretë të vitit 2019, dhe është rritur me rreth 1.4 miliard lekë krahasuar me stokun e detyrimit në fund të vitit 2018”, vlerëson dikasteri i Financave në raportin dërguar deputetëve.

Sipas kategorive, zëri “Investime” zë peshën më të madhe të stokut të detyrimeve me rreth 47%, “Mallra dhe Shërbime” me rreth 23%, “Vendime Gjyqësore” me rreth 13%, dhe “Të tjera” me rreth 11%. Në raport shpjegohet se pesha që zë stoku i detyrimit të mbetur në kategorinë “Vendime Gjyqësore” është ulur në 13%, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019 që ishte 17%, ndërkohë që pesha që zë stoku i detyrimit të mbetur në kategoritë e tjera mbetet thuajse në të njëjtat nivele.

Ministria e Financave thekson se sipas informacionit të njësive të vetëqeverisjes vendore, stoku i detyrimit të mbetur është rritur ndjeshëm për arsye të cilat lidhen më së shumti me procedurat e likuidimit për mbylljen e vitit fiskal dhe gjithashtu një pjesë e detyrimeve janë krijuar si pasojë e fatkeqësisë natyrore të ndodhura gjatë tremujorit të katërt të vitit  2019. Detyrimet e krijuara rishtazi lidhen kryesisht me kategorinë “Investime”, “Mallra dhe Shërbime” dhe “Vendime Gjyqësore”.

“Në përbërjen e detyrimeve për investime peshën më të madhe e zënë investimet për infrastrukturën vendore, dhe rikonstruksion ndërtesash. Megjithatë, një pjesë e detyrimeve të krijuara deri në dhjetor 2019 janë në proces likuidimi dhe ndërkohë pritet likuidimi i plotë i tyre në periudhën në vazhdim”, theksohet në raport.

Të dhënat e detajuara në Ministrisë së Financave, të paraqitura në grafikun e mëposhtëm tregojnë ecurinë e detyrimeve të prapambetura përgjatë periudhës 2015-2019. Siç vihet re nga kurba, ka pasur një luhatje të tyre nga njëri vit në tjetrin. Në fund të vitit 2015, vlera e detyrimit ka qenë në shumën 11.8 miliardë lekë, shumë  e cila ka ardhur duke u ulur. Por në vitin 2019, stoku i borxhit u rrit sërish nga 6.7 miliardë lekë në vitin 2018 në 8.1 miliardë lekë një vit më pas. Një detyrim i mbartur për këtë vit, që ligjërisht pushteti vendor është i detyruar ta shlyejë, por që praktikisht do ta ketë shumë të vështirë, duke pasur parasysh efektet e pandemisë, që ka goditur jo pak buxhetin e bashkive.

Duke iu referuar detyrimeve në total, rezulton se bashkia e cila ka vlerën më të lartë të detyrimeve të lindura është Bashkia Tiranë, me një vlerë prej 1.7 miliardë lekë në total, e ndjekur nga Bashkia Kavajë me vlerë prej 766.2 milionë lekë, Bashkia Kamëz me vlerë 408.3 milionë lekë, Bashkia Pogradec me vlerë 404.5 milion lekë, Bashkia Lezhë me vlerë 360.5 milion lekë.

Stoku i detyrimit të mbetur i Bashkisë Tiranë zë peshën më të madhe ndaj totalit të detyrimit në masën 22%. Në grafikun e mëposhtëm, që reflekton të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave paraqitet detyrimi për frymë sipas bashkive. Vihet re se, Bashkia Kavajë është bashkia me detyrimin më lartë për frymë, e ndjekur nga bashkia Konispol, Poliçan, Finiq, Rrogozhinë dhe Libohovë.

Pandemia “godet” buxhetin e bashkive

Pandemia e COVID 19 ka tronditur jo pak buxhetin e pushtetit vendor. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se për 8 mujorin e parë të këtij viti, të ardhurat e 61 bashkive në vend janë në nivele të ulëta. Kështu, për periudhën janar-gusht 2020, vendorët mblodhën 14.9 miliardë lekë, me rënie 2.4 miliardë lekë kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Sipas dikasterit të Financave, Në 8 mujorin e vitit 2019, vendorët arkëtuan 17.3 miliardë lekë të ardhura.

Ekspertët shpjegojnë se një ecuri e tillë është pasojë e karantinës në muajt mars e prill, si dhe ndikimit që pandemia e COVID 19 vijon të japë në ekonominë e gjithësecilit dhe atë të përbashkët. “Fakti që bizneset kanë qenë mbyllur do të thotë që nuk kanë pasur aktivitet dhe nuk kanë gjeneruar fitim, rrjedhimisht nuk janë paguar taksa e tatime. Nga ana tjetër, edhe përkeqësimi i situatës financiare të familjeve ka ndikuar dhe kjo është përkthyer në pamundësi për të paguar. Disa bashki kanë bërë shtyrje të pagesës së taksave apo edhe heqje të disa taksave. Por kjo nuk ka dhënë ndonjë rezultat të madh, pasi janë ndihmuar kryesisht kategori si pensionistët, njerëzit me ndihmë ekonomike, impakti i kontributit të së cilëve në totalin e taksave është i vogël”, argumenton për Porta Vendore Merita Toska, eksperte për financave vendore.

Qartazi duket se me një performancë të tillë në pjesën më të madhe të vitit buxhetor dhe më një pandemi, fundi i së cilës ende nuk dihet, 61 bashkitë nuk do ta kenë të lehtë të ushtrojnë funksionet e tyre dhe jo më të paguajnë borxhet, të cilat nuk kanë arritur t”i zerojnë as në periudha më të “lumtura”.

 

Facebooktwitterredditpinterestlinkedinmail