22 Shtator 2020/ B.Gilaj/ Porta Vendore/ Malësi e Madhe
Kush shkon në Vermosh nuk e ban ditën dam. Kjo shprehje karakteristike e skajit më verior të vendit tonë, do ta përshkruante më mirë se asgjë luginën e Vermoshit, të shtrirë mes majave të larta e të thepisura, të pasura me gjelbërim, florë dhe faunë të egër, e ku numri i turistëve e kalon numrin e banorëve, e tashmë me investimin për ndërtimin e rrugës së re, kjo pikë turistike është lehtësisht e arritshme.
Leqet e Hotit,që ndodhen në qafëne qarkut të Shkodrës, në njëlartësi prej 730 metrash, nëpër të cilën kalon rruga e Malësisë së Madhe për në Vermosh, të ftojnë drejt një bukurie të pazakontënë skajin më verior të Shqipërisë, në Malësinë e Kelmendit. Rruga, e cila është projektuar me gjarpërime të shumta në luginën e Cemit për 500 metra nëanën verilindore, është e veshur me pyll ahu, kurse në jugperëndim bashkohet me fushën e Rapshës.
Pasi lë pas Koplikun dhe merr rrugën për Han të Hotit, në afërsi të fshatit Hot shfaqet para syve një Kryq i madh, i dizenjuar me gurë të bardhë e të mëdhenj, që mund të shquhet që në largësi dhe të drejton drejt maleve të malësisë. Duke gjarpëruar mes gjelbërimit, ngjitesh në fushën e Rapshës, e cila është e njohur për kultivimin e kërtollave (patateve). Ndërsa vetëm pak mëtutje, nëpërmjet një rruge gjarpëruese, gjendesh në pikën më të lartë të rrugës, i njohur si ballkoni mbi Leqet e Hotit.
Për njerëzit e apasionuar pas natyrës, një foto në ballkonet panoramike mbi Leqet e Hotit është një domosdoshmëri. Madje, shumica e të rinjve që vizitojnë këtë zonëshkojnë deri në kufij të ekstremitetit, duke u ngjitur në majë të ballkonit të xhamtë, për të pasur një foto vërtetë impresionuese, ku pas krahëve shtrihet lumi Cem, përbri një pylli të mrekullueshëm.
“Rruga e re është bërë deri në Tamarë dhe tashmë e e ka shkurtuar largësinë me këto mrekulli dikur thuajse të paarritshme. Shtigjet e hershme përmes malesh tanimë me sinjalistikat ndërkombëtare dhe guidat turistike që shoqërojnë turistët në vendet më mbresëlënëse të fshatrave e maleve të Kelmendit, i kanë bërë më të prekshme e më reale bukuritë thuajse surreale të kësaj malësie”, shprehet Altini, udhërrëfyes i një grupi prej 8 vetash që janë nisur për në Vermosh.
Ndërsa zbresim për në Tamarë, shpellat, ujëvarat, rrjedhat e lumenjve, burimet, pllajat, peizazhet e magjishme na shoqërojnë në çdo hap, duke na mrekulluar me qetësinë që të falin.
Fshati Tamarë ka rreth 500 banorë dhe e ka marrë këtë emër nga gruaja e Vezirit të Shkodrës, e cila ndërtoi urën që i dha emrin dhe fshatit. Ky fshat ndodhet në luginë, rreth 280 metra mbi nivelin e detit dhe është qendra e njësisë administrative. Ai është fshati ku është investuar më shumë, me një shëtitore të vogël dhe shumë lokale, ku drekojnë shumica e vizitorëve.
Fshati njihet shumë për gatimin e troftës, një peshk i lumit Cen, por ne nuk ndalojmë udhëtimin tonë në këtë fshat.
Mes pyllit dhe rrugëve gjarpëruese ne vazhdojmë drejt Vermoshit. Rruga drejt Vermoshit është e shtruar dhe investimi është bërë pikërisht vetëm për këtë fshat, vlerësuar si kryeqendra e Kelmendit. Banka Gjermane për Zhvillim, Qeveria Shqiptare dhe programi IPA i Bashkimit Evropian janë ato që kanë marrë përsipër rikonstruksionin e plotë të rrugës nga Tamara në Vermosh, ndërkaq që ky aks ka përfunduar në fund të vitit 2016.
Viteve të fundit, me shtrimin edhe të rrugës së Vermoshit është shtuar ndjeshëm numri i turistëve që e vizitojnë këtë zonë veriore të Shqipërisë thuajse gjatë të gjithë periudhës së vitit, ku gjatë dimrit është i zbardhur nga dëbora.
“Rruga ishte fantastike kur ishe në majë të ballkonit. Ishte një eksperiencë e re dhe shumë e bukur për mua, pasi nuk e kisha eksploruar këtë pjesë të veriut. Por tani që erdha në Vermosh, i kam premtuar vetes dhe familjes që do të mund ta vizitojmë më shumë veriun e Shqipërisë, pasi vërtetë qenka i mrekullueshëm”,thotë Oltjona për Portën Vendore, ndërsa tregon se ka ardhur në Vermosh nëpërmjet një agjencie turistike, së bashku me bashkëshortin e djalin e saj.
Por para se të mbërrijmë atje, rrugës, pranë një ure të vogël që kalojnë makinat, pikërisht në Qafën e Perdolecit, shikojmë tabelën për një tjetër zonë turistike, Lëpushë.
Lëpusha është vetëm 25 minuta ose thënë ndryshe 1,6 km nga Qafa e Perdolecit. Ai është një fshat fushor i rrethuar nga malet. Lëpushë nuk numëron më shumë se 10 bujtina, ndërsa këtu me një çmim prej 28 eurosh mund të flesh e të konsumosh 3 vakte.
Bujtina Dragu është një nga më të vjetrat në këtë zonë. Valteri na tregon se vizitorët në Lëpushë janë nga më të ndryshmit, nga Austria, Gjermania, Çekia, Hungaria etj.
Por megjithatë sivjet bujtina e tij nuk është ashtu sikurse çdo vit e mbushur plot. Valteri tregon për Portën Vendore se këtë vit ka një numër më të vogël turistësh sidomos atyre të huaj, ku në këto muaj pandemi janë anuluar edhe një sërë rezervimesh.
“Edhe pse ka një ulje drastike të turistëve për shkak të pandemisë së Covid 19, gjatë fundjavës vijnë turistë shqiptarë të cilët ose ndalen për pak orë për të konsumuar një drekë ose zgjedhin të flenë një natë nëpër bujtinat e zonës”, shprehet Valteri, më i riu i fisit të famshëm Dragu, ndërsa thekson se: “Çmimet këtu janë ekonomike, 35 mijë lekë të vjetra për person psh, pagesë e cila përfshin fjetje mëngjes, drekë, darkë. Para pandemisë së Covid 19, turistët e huaj ishin nga Gjermania Anglia, Çekia, Italia etj. Tani gjatë pandemisë turistët shqiptarë janë kryesisht nga Tirana Durrësi e Shkodra etj”, tha ai për Portën Vendore.
Ai na rrëfen se kapaciteti i bujtinës së tij është për 20 persona dhe ka mbi 5vite që pret e përcjell në çdo stinë me qindra turistë.
“Në Lëpushë turizmi do të ishte shumë më i zhvilluar nëse do kishim më shumë përkrahje nga shteti. Gjatë dimrit bie numri i vizitorëve ngaqë shpesh herë rrugët janë të izoluara nga dëbora”, rrëfen Valter Dragu.
Familja e Valterit ka menduar gjithashtu edhe përsa i përket mungesës së energjisë elektrike e cila është e shpeshtë në këtë zonë.
Gjyshi i tij ka ndërtuar një mulli me ujë, i cili furnizon bujtinën me energji elektrike, duke shërbyer kështu edhe si një çudi për sytë e turistëve që vizitojnë këtë bujtinë.
Në Lepushë turistët mund të vizitojnë disa bukuri natyrore si: Ujëvarën e Lepushës , majën e Vajushës , majën e Trojanit , Bjeshkët e Namuna , majën e Berishdolit , majën e Gerbenit si dhe shëtitje brenda fshatit. Vendasit e cilësojnë Lëpushën si Zvicra e Shqipërisë, ndërsa turistët mbesin gjithnjë të kënaqur me ajrin e pastër, bukuritë natyrore të zonës dhe ushqimet tradicionale bio.
Lugina e Lëpushës shtrihet buzë një përroi, anës të cilit radhiten arat e lëndinat. Shtëpitë e fshatit me çatitë e kuqe, të kujtojnë ngjyrat në paletën e një piktori.
Pasi pushojmë për disa minuta marrim rrugën për në Vermosh.
Është më pak se një orë larg, pasi duhet të kthehemi për një pjesë të rrugës për rimarrë rrugën drejt skajit më verior të Shqipërisë. Rrugës na shoqërojnë pemë të larta, ku edhe pse është fund gushti, vapa nuk ndihet aspak.
Turistët që vijnë kryesisht në këtë zonë janë vendas dhe të huaj, nga të gjitha kombësitë, pasi Vermoshi, i cili gjendet 1100 metra mbi nivelin e detit, është kthyer tanimë në një atraksion turistik për të gjithë.I vetmi sekret i turistëve që frekuentojnë këto zona është lidhja e tij e ngushtë me natyrën.
Gjatë të gjithë rrugës në brendësi të Vermoshit, fshatit në skajin më verior të Shqipërisë shkëmbehesh me shumë pak banorë. Ndërsa aktualisht në zonë operojnë mbi 15 bujtina familjare, e të tjera janë në proces ndërtimi.

Deri në vitin 1992, fshati kishte 1.300 banorë, ndërsa aktualisht 530 prej tyre kanë emigruar sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë vendosur kryesisht në Detroit.
Sot aty numërohen 350 shtëpi, 200 prej të cilave janë të braktisura. Të paktë janë ata që e kanë parë të ardhmen e tyre në Vermosh. I tillëështë edhe rasti i fëmijëve të familjes Peraj.
Florida Peraj ka fituar çmimin Miss Bjeshka në vitin 2014. Ajo së bashku me vëllain e saj ka kthyer shtëpinë e prindërve në bujtinë.
Nëna e saj shërben si kuzhiniere, ndërsa Florida me të vëllain merren me pjesën e menaxhimit në tavolinat e vogla e të thjeshta të bujtinës Peraj.
“Ka shumë turistë që vijnë në Vermosh. Kryesisht në verë fundjavat janëgjithnjë plot dhe ne bëjmë parapërgatitje ushqimesh, pasi e dimë që do të kemi prurje. Të shumtë janë ata që ndalen për një natë ose disa net në bujtinën tonë. Unë këtë punë e bëj me shumë dashuri dhe përkushtim dhe gjithnjë ne përpiqemi që klientët tanë të mbesin të kënaqur”, thotë ajo teksa shtron një tavolinë me gatimet tradicionale të Vermoshit nënjë tavolinë në mes të gjelbërimit dhe nën hijen e fiqve dhe nuk harron të buzëqeshë pas çdo shërbimi pjate që sjell në tavolinë.

Flladi i lehtë i verës, megjithëse vakt dreke e shton më shumë magjinë e këtij vendi, ndërsa tavolinat ebujtinës mbushen njëra pas tjetrës.
Maza, mishi në fërlik ose në prush, trofta,byreku me nene, patatet e prushit, lëngu i manaferrës, si dhe verën e bërë nga duart e Kelmendasve janë një drekë e shijshme dhe mbresëlënëse. Të gatuara me kujdes dhe nën vulën e ushqimeve bio, një drekë e mirë çift në bujtinat e Vermoshit nuk shkon më shumë se 3 mijë lekë të reja. Ndërsa një natë fjetjeje në bujtinat e drurit së bashku me mëngjesit shkon diku tek 50 euro nata me një kapacitet prej 4 personash ndërsa në bujtina të tjera çmimi shkonte 3mijë e 500 lekë personi duke përfshirë përveç fjetjes edhe 3 vakte ushqimore.
“Kjo aventurë nuk kishte si të ishte ndryshe, pa provuar edhe gatimet tradicionale të zonës. Të gjitha gatimet ishin bio, por në zonë mungonte elektriciteti në mënyrë totale. Mbase kjo ishte edhe e bukura, pa drita, internet e valë në celular”,thotë Suada një tjetër vizitore e Vermoshit.
Banesat në Vermosh janë të shpërndara, ndërsa ato janë të ndërtuara sipas stilit karakteristik tëçative shumë tëpjerrëta e të larta të kësaj zone, për shkak të reshjeve të shumta të dëborës.
“Më pëlqen shumë Vermoshi. Kisha dëgjuar për të nga miqtë e mi, dhe ndaj në këtë tur disa mujor në kërkim dhe eksplorim të Shqipërisë, nuk kishte si të mos u ndalja edhe në këtë perlë të natyrës. Shqipëria është një vend i vogël, por me njëbukuri të madhe”, thotë një turist gjerman për Portën Vendore, ndërsa thekson se një nga pjesët që i ka pëlqyer më shumë përveç natyrës është gastronomia. “Në Shqipëri kam provuar gjëra shumë të veçanta dhe të shijshme dhe po mund të them që keni një kulinari për tu pasur zili”, përfundon turisti gjerman, i cili prej disa muajsh ndodhet në vendin tonë për të eksploruar vende e zona të ndryshme.

Ardhja e turistëve e ka futur Vermoshin dhe në programin e 100 fshatrave. Në kuadër të Rikualifikimi Urban, qendra e fshatit turistik po ndryshon fytyrën e saj.Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbaton projektin për ndërtimin e Qendrës së Turizmit në Vermosh, ku parashikohet tëndërtohet:qendra e informacionit për vizitorët vendas dhe të huaj,qendra akomodimi,të cilat do të ndiqen dhe ngambrojtje e bankinave lumore, pasi në Vermosh kalon dhe lumi që mban të njëjtin emër.

Sipas vendasve, Vermoshi ofron një sërë aktivitetesh për turistët që zgjedhin këtë vend për të qëndruar disa ditë. “Turizmi i ecjes në natyrë dhe alpinizmit;Turizmi i parqeve dhe zonave të mbrojtura si vizita në ujëvara, kanione, pyje, lumenj, përrenj, shpella, korridore të gjelbër; piknik; shëtitje me ski, slita etj; Turizmi i fermave bujqësore si vizita në ferma bujqësore, blegtorale dhe baxho; degustim i produkteve lokale; pjesëmarrja në aktivitetet e fermës; korrja dhe mbledhje e produkteve bujqësore lokale dhe Turizmi i gastronomisë dhe produkteve lokale janë disa nga aktivitetet në këtë zonë”, thotë Gjeka, pronar i një bujtine.
Zona e Vermoshit është e përmendur për cilësinë e lartë të bulmetrave. Shquhen më së shumti kullotat në stanet e Seferçes, i cili është edhe skaji me ekstrem verior i vendit, ndërsa ka shumë vende të bukura si Lugu pa dalje i Dolit. Lugu “i varur” i Skropatushës, dhe Cirku i Smutirogës. Ndërsa burimet, kryesisht njihen me emra fisesh. Por më i veçantë në këtë zonë është Kanioni i Gerçarës që ndodhet në dalje të luginës së Vermoshit. Kanioni ka një gjatësi prej 1 km dhe lartësi deri në 40 m dhe mund të vizitohet nëpërmjet shtigjesh të shënjuara.

Po ashtu, kjo zonë është mjaft e njohur dhe për rritjen e bimëve mjekësore, ku numërohen mbi 30 lloje të tilla, si boronica, salepi, bliri, balsami, mjedra e shumë tjera, ndërkohë që nuk mbeten pas dhe kafshët e shumta që rriten në dy malet që rrethojnë luginën e Vermoshit, deri në 2 mijë metra lartësi. Më së shumti, sipas banorëve, aty gjenden ariu i murrmë, kaprolli, ujku, derri, dhia e egër e shumë shpendë të rrallë deri te shqiponja, simboli i Shqipërisë.
E mes këtyre mrekullive në fshatrat e Kelmendit,çdokush do të rikthehej me dëshirë, gati për t’ia nisur një aventure eksplorimi nëpër këto atraksione turistike.