18 shtator 2020/ Julian Hoxhaj/ Porta Vendore/ Berat
Banorët e lagjes Kodra e Sulmit në Berat prej vitesh vuajnë nga hedhja pa kriter e mbetjeve urbane pranë zonës së tyre të banimit. Ata i bëjnë thirrje bashkisë që të pastrojë zonën, ndërsa rrëfejnë se nuk kanë munguar edhe rastet e sëmundjes pranë këtij komunitetit, nga ndotja e madhe.
Të ndodhur në një nga lagjet më të vjetra të qytetit të Beratit, banorët e Kodrës së Sulmit e ndjejnë veten të pafat kur bëhet fjalë për menaxhimin e mbetjeve, pasi prej vitesh kjo lagje është kthyer në një vendgrumbullim pa leje për mbetjet urbane. Shtëpitë e banorëve, të cilët janë të shqetësuar për jetën e fëmijëve të tyre, nuk ndodhen më shumë se 50 metra larg vendit, ku depozitohen.
“Mushkonjat, mizat të gjitha këtu vijnë. Ne jemi 50 metra më tutje larg shtëpive. Apelojmë për marrjen e masave në këtë lagje këtu”, tregon Goni për Portën Vendore.
Ai i bën apel bashkisë që të pastrojë zonën ku ata jetojnë sepse është kthyer në një kosh plehrash.
“Këtu ka shumë plehra. Duam ndihmë, dikush të na ndihmojë, pasi nuk ka vënë dorë askush. Këtu nuk del dot nga shtëpia, as me maskë, as me kapele e as me kokore. Jam i sëmurë nga zemra dhe me diabet. Nuk marr dot frymë kur kaloj këtu, por as në shtëpi. Nuk kalon dot në rrugë, as për të mirë as për të keq”, tregon Azizi një banor i kësaj lagjeje.
Ndërsa një tjetër banor rrëfen se këtë e bëjnë punëtorët e pastrimit të cilët nuk kujtohen të vijnë e t’i pastrojnë këto mbetje.
Sipas tyre, ndotja po u merr frymën në një kohë që vendi ndodhet në situatë pandemie. Përveç firmave të ndryshme që hedhin gjatë natës mbetjet në këtë vend, edhe vetë banorët janë të detyruar t’i hedhin plehrat në të njëjtën zonë për shkak të mungesës së kontejnerëve. Në kushtet e pandemisë që po kalon vendi ynë, banorët janë të frikësuar prej ndotjes dhe i bëjnë thirrje bashkisë që të marrë masa të menjëhershme
“Kjo është një epidemi e gjallë në këtë lagje. Vijnë punonjësit e pastrimit i hedhin këtu dhe askush nuk kujtohet për t’i pastruar më. Jemi me kalamaj të vegjël dhe kjo çështja e mbeturinave na është kthyer në gangrenë. Lutemi vetëm që dikush ti dëgjojë fjalët tona e të mos bien në vesh të shurdhët si gjithnjë, por të marrin masa për heqjen e tyre dhe çlirimin e banorëve në këtë zonë”, thotë një tjetër banor i kësaj lagjeje.
Bashkia Berat nuk e pranon faktin e mospastrimit të zonës dhe shqetësimin e komunitetit duke thënë se zona pastrohet rregullisht sipas grafikut, ndërkohë që banorët tregojnë një tjetër realitet nga deklarimet e institucionit vendor.