17 shtator 2020/ Enriko Gabaj/ Porta Vendore/ Vlorë
Vlora vazhdon të mbetet problematike për sa i përket ujit të pijshëm, ku në një pjesë të madhe të qytetit familjet nuk furnizohen. Ndër lagjet që mbetet deri më tani problem janë: Llonxhë, Partizani, Topana, Pavarësia, Lirimi, 11 Janari e Karabashi. Banorët e këtyre lagjeve kanë gjetur si zgjidhjen e vetme blerjen e ujit të pijshëm në markete, ndërsa ujin e përdorur për të larë e blejnë në botet, që vijnë 3 herë në javë. Porta Vendore kreu një vëzhgim disa mujor në këto lagje, ku situata është kaotike dhe ku pavarësisht ankesave të vlonjatëve, gjërat ende nuk kanë ndryshuar.
Vlora edhe pse një ndër qytetet e njohur më tepër për turizmin dhe destinacionet që ofron, në anën tjetër të medaljes po njihet edhe për problematikën e madhe të mungesës së ujit të pijshëm, edhe pse në vitin 2020.
Në këtë qytet nuk kanë fund zonat pa ujë, lagje të tëra që prej vitesh nuk furnizohen. Mund të themi se është ndër qytetet, i cili e vuan këtë problem e asnjëherë nuk gjen zgjidhje.
Në vëzhgimin disa mujor të bërë nga Porta Vendore rezulton se problemi është i njëjtë, pavarësisht se në çfarë zone të Vlorës ndodhesh.
Në lagjen “Pavarësia”, e cila ndodhet në zonën e Skelës, banorët janë tejet të revoltuar nga mungesa e ujit të pijshëm. Banorët e pallatit “1234”, në lagjen “Pavarësia” kanë protestuar disa herë, duke dalë nga banesat e tyre e duke mbushur sheshin, ndërsa ankesat e shumta të këtij komuniteti kanë shkuar kundrejt ujësjellës kanalizimeve si dhe Bashkisë Vlorë. Një prej këtyre banorëve është edhe gjyshe Mysadeja, të cilën 85 vite mbi supe nuk e kanë penguar të zbresë shkallët e pallatit për të takuar gazetarët, pasi prej një kohe të gjatë në banesën e saj nuk ka ujë. Ajo shprehet se është një taksapaguese e rregullt, por kjo nuk e ka ndihmuar të jetë dhe një furnizuese e rregullt me ujë. Mysade Alushi na rrëfen se vetëm pak ditë më parë bleu dhe një tjetër pompë uji, por sërish është e njëjta situatë. “Nuk kam ujë, madje vetëm pak ditë më parë bleva pompën e re, por sërish asgjë nuk ndryshoi. Në rubinetin e shtëpisë sime nuk vjen asnjë pikë ujë, e jam detyruar të blej bidona 6 litërsh në ushqimoren e lagjes. Nuk kam më takat të shkoj nëpër zyra. Jemi ngritur të gjithë si banorë për këtë problem dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Me pensionin që marr paguaj ujin, po ashtu dhe energjinë elektrike, por shërbimi që marr është zero”, thotë e moshuara për Portën Vendore.
Një tjetër kryefamiljar i kësaj lagje tregon se çdo ditë duhet të shkojë tek burimi i “Ujit të ftohtë” për të mbushur bidonët. Banues në katin e tretë të një pallati të vjetër, Barjam Tafili nuk furnizohet me ujë në banesën e tij ndërsa gjendja vazhdon e tillë prej disa kohësh.
“Prej vitesh banoj këtu në lagjen ‘Pavarësia’ së bashku me familjen time. Nuk kam ujë, ngela çdo ditë duke mbushur ujë, kur në anën tjetër unë paguaj detyrimet mujore. Pse nuk po marrim asnjë zgjidhje? Jemi ndër zonat kryesore të Vlorës, s’jemi as në ndonjë zonë rurale që të na linin në harresë”, tregon i irrituar ai.
Bajrami rrëfen se ka bërë ankesa pafund në zyrat e ujësjellësit, por nuk ka pasur asnjë reagim. “Reagim e zgjidhje fare. Madje as inspektorët nuk kanë ardhur të na shohin se në çfarë gjendje është kjo lagje. Çfarë të bëjmë më tepër ne? S’na mbetet gjë tjetër veçse të shpresojmë të ketë një zgjidhje të këtij problemi. Jemi në pikun e sezonit veror dhe pa ujë nuk mbijetohet, e jo më ne që s’kemi asnjë pikë”, tregon Bajrami për Portën Vendore.
Në këtë lagje janë më tepër se 40 familje, të cilat çdo ditë përballen me problemin e ujit të pijshëm. Prania jonë aty bëri që për pak sekonda i gjithë pallati të mblidhej e të fliste rreth problemeve të ujit. Një tjetër zonjë e moshuar e mërzitur dhe e revoltuar denoncon neglizhencën e përfaqësuesve të zyrave të ujësjellësit, ku sipas saj ata nuk duan të dinë se çfarë bëhet me banorët.
“Dera ime nuk do të hapet për askënd, i cili do të vijë në kohën e fushatës”, premton Nazia. Në kohën e pandemisë banesa e saj nuk është furnizuar me ujë, shtuar këtu edhe tani në sezonin e verës, ku situata vijon e njëjta. “Pensioni im nuk del që të paguaj taksat mujore, e gjithashtu të blej ujë, pasi kjo është kosto dyfishe. Nuk më vjen aspak mirë që një pallat i vendosur në një nga pikat kryesore të qytetit të mos ketë ujë. Jam e revoltuar njëkohësisht nga neglizhenca e institucioneve, të cilat na vizitojnë vetëm në kohë fushate ku në fakt unë s’kam ujë sot. Nuk di se çfarë bëjnë këta njerëz, por ne po vuajmë çdo ditë. Ndërsa as në pandemi s’kishim pikën e ujit, turpi i zotit. Apeli i specialistëve ishte për larjen e duarve me ujë e sapun, por neve na mungonte uji fare”, rrëfen 72-vjeçarja.
Të blesh një apartament në këtë zonë do të duhej të shpenzosh një shifër të konsiderueshme parash, teksa çmimet variojnë deri në 1500 euro për metër katror, ndërsa nga ana tjetër, banorët hasin probleme me furnizimin e ujit të pijshëm.
Por situata nuk ndryshon as më në qendër, ku në vëzhgimin tonë u zhvendosëm pranë “Sheshit të flamurit”, monumentit historik të Vlorës. Aty ndodhet lagjja “Topana”, një zonë malore, por me një ballkon që servir një pamje të mrekullueshme të Vlorës.
Problemi i vetëm?! Uji vjen diku rreth 15 minuta në ditë, teksa në pjesën më të madhe të lagjes ka banesa që nuk kanë ujë fare. Në banesën e zonjës Fatbardha Pulaj, uji vjen vetëm 15 minuta dhe bëhet fjalë për orën 5 të mëngjesit. Asaj i duhet të zgjohet rreth orës 4:30 të mëngjesit e të presë ardhjen e ujit, por kjo rutinë është kthyer në një shqetësim për të. Sipas zonjës Pulaj, në aq pak minuta nuk mund të mbushet një kovë ujë, e jo më të furnizohet kjo familje përgjatë gjithë ditës, kështu që duhet të mbushet ujë dhe diku tjetër.“Kam shumë vite pa ujë, aq sa nuk mbahet mend. Tubacionet janë të vjetra e të amortizuara, sa në shtëpinë time vjen shumë pak ujë. Në orën 5 të mëngjesit vjen rreth 15 minuta, ku ndez pompën, por sërish shumë pak ujë arrij të mbush. Më pas dërgoj bashkëshortin për të mbushur ujë diku gjetkë, pasi nuk mbahet shtëpia ashtu. Nuk e paguaj më ujin, nuk kam të ardhura dhe jetoj mes shumë vështirësive, ku jemi të dy të papunë. Shpresojmë të zgjidhet ky problem që na ka mbërthyer prej vitesh”, rrëfen e dëshpëruar ajo.
Ajo rrëfen se në kohë fushate pushtetarët nuk kursehen në premtime, por në kaq vite demokraci problemi i kësaj lagje, si i shumë të tjerave në Vlorë, së paku me problemin e ujit të pijshëm nuk është zgjidhur.
Vladimiri, një zotëri tepër miqësor, flet hapur dhe pa dorashka për situatën e pakëndshme shkaktuar nga mungesa e ujit. Pjesëtarët e familjes detyrohen të shkojnë e të lahen tek të afërmit, pasi banesa nuk furnizohet me ujë. Pallati trekatësh ku Vladimiri banon nuk ka ujë edhe pse të gjitha banesat janë të pajisura me pompa thithëse. Sipas tij, nuk qëndron problemi se është zonë malore, pasi tubat janë të shtruara edhe aty, por si duket vjetërsia ka bërë që ato të jenë të amortizuara. Nuk ka zgjidhje tjetër për të, pensioni shkon i gjithi pagesë uji, energjie elektrike dhe për botin, i cili furnizon lagjen.
Distanca në vijë ajrore nga Bashkia e Vlorës, nuk është më tepër se 200 metra për lagjen Topana, e sërish është neglizhuar ky problem.
Po sikur të afrohemi ende më tepër me këtë institucion? Vëzhgimi i Portës Vendore vijon në lagjen “Karabash”, e gjendur vetëm 50 metra larg bashkisë, teksa zhvendosemi në rrugicën majtas. Sapo futemi në lagje, një rrjetë tubacionesh të vendosura në tokë e në mur, të jep idenë se banorët janë të furnizuar së tepërmi me ujë, por kur takojmë ata realiteti është komplet i kundërt. Duke u zhvendosur përreth 30 metra pranë shkollës “Teli Ndini”, një banor i cili zotëron një subjekt, pohon se biznesi i tij nuk furnizohet me ujë të pijshëm. Ai nuk dëshiron të prononcohet me emër, por konfirmon mungesën e ujit, gjendje e cila vijon të jetë kështu prej kohësh. Banor në këtë lagje është dhe Bujari, i cili prej 10 ditësh blen vazhdimisht botin me ujë. Para pak kohësh bëri kërkesë në zyrat e ujësjellësit, të cilët reaguan duke dërguar inxhinierët dhe punonjësit e tjerë të cilët bënë vëzhgimet në terren. Me financat e tij hapi kanalin,vendosi tubin e ri deri në banesën e tij, por sërish nuk furnizohet me ujë. “Jam i detyruar ta blej ujin”, shprehet Bujari. “E vërteta është që punonjësit e ujësjellës kanalizimeve erdhën dhe e panë situatën nga afër, por sërish nuk zgjidhën gjë. Kam paguar nga xhepi im të gjitha shpenzimet, që nga hapja e kanalit, blerja e tubave, shtrimi i tyre e si përfundim nuk kam ujë. 10 ditët e fundit nuk jam furnizuar fare. Shyqyr që vjen boti i ujit ku blejmë dhe mbushim bolierët në shtëpi. Për të pirë blej në market, pasi nuk i zë besë ujit të botit, nuk dihet se ku mbushet”, rrëfen ai për Portën Vendore, ndërkohë që nga informacionet e mbledhura rezulton se në lagjen “Karabash” jetojnë rreth 100 familje me mungesën e ujit.
Duke u zhvendosur në rrugën që të çon drejt hyrjes së qytetit, 250 familje janë pa ujë dhe bëhet fjalë për lagjen “Lirim”. Nga hyrja e lagjes e deri në dalje të saj janë të shumtë banorët që pohojnë se nuk kanë pikë ujë në banesat e tyre, por e kanë humbur shpresën se do të ketë zgjidhje. Vasili është një banor ndër më të vjetrit të kësaj lagje. Në bisedën me të bie në sy dhe vështirësia ekonomike që familja po përballet, e më tej duke mos pasur edhe ujë situata rëndohet edhe më shumë. Nuk ka se ç’zgjidhje tjetër të marrë veçse me biçikletë e me bidonët 6 litërsh në të i drejtohet burimit të ujit të ftohtë apo tek zona e quajtur “Bishti i Kalldrëmit”, ku një çezmë uji u jep mundësi të mbushin disa litra. Gjendja e vështirë ekonomike e detyron që ato pak të ardhura që vijnë nga ndihma ekonomike t’i shpenzojë për të blerë bukën, e nuk ka mundësi të paguajë taksat mujore. Krahas Vasilit, i cili ka rolin e kryefamiljarit, ka dhe shumë banorë të tjerë që ndajnë të njëjtin shqetësim, por ndihen të frikësuar të prononcohen, pasi disa punojnë në institucione vendore e të tjerë kanë ndonjë aktivitet tregtar dhe u lëshohen në kurriz tatim taksat. Shpeshherë ndodh që personat të cilët ngrenë zërin, të gjobiten apo të merren masa ndëshkuese ndaj tyre. Kjo ka bërë që të jetë e vështirë të dëgjohet zëri i banorëve të lagjes “Lirimi”.
Kaos i vërtetë është dhe në lagjen “Partizani” dhe “Llonxhë“. Pandemia i gjeti këta banorë pa ujë, sezoni veror po ashtu. Viti 2020 nuk ka sjellë asnjë pikë ujë në çezmat e tyre. Këto dy lagje të japin idenë e një kodre, për shkak të vendndodhjes së tyre, pasi janë në zonë malore. Në drejtim të spitalit rajonal Vlorë, në pjesën jugore shfaqen këto dy lagje, të cilat janë ndër më të varfrat e qytetit bregdetar. Prej më shumë se 15 vitesh banorët nuk kanë ujë, teksa një pjesë e madhe e tyre shprehen se nuk kanë pasur kurrë ujë. Të dëgjosh për herë të parë për një banesë që s’ka pasur kurrë ujë, duket e pabesueshme, por nëse shkel në “Llonxhë” pamja që shfaqet të heq çdo dyshim. Në kohën e pandemisë masat anti-covid nuk gjenin zbatim, pasi nuk ka fare ujë në mënyrë që banorët të ruajnë higjienën. Madje kjo zonë u kthye dhe në vatër infektimi për Covid19, ku sipas të dhënave shëndetësore u shënuan mbi 30 raste. E njëjta situatë vazhdon dhe tani në pikun e sezonit veror, ku asgjë nuk ka ndryshuar. Banorët këtu janë më të revoltuar se kudo tjetër, ku nuk mungojnë dhe fyerjet ndaj institucioneve. Ata shprehen se janë lënë pas dore gjatë gjithë kohës dhe askush nuk i ka në llogaritur. Ajo ç’ka bie në sy është se banorët e këtyre lagjeve nuk kanë aspak frikë të prononcohen, madje duke denoncuar bashkinë apo ujësjellësin, që sipas tyre “i ka përjashtuar” nga harta e Vlorës. Të moshuar, të rinj, burra, gra apo fëmijë kanë të gjithë vetëm një dëshirë, të kenë ujë në shtëpitë e tyre. Deri më tani kjo nuk është plotësuar, ndërsa bëhet fjalë për qindra familje, të cilat jetojnë në skamje. Ata nuk mund të paguajnë dot detyrimet mujore, nuk kanë ujë, nuk furnizohen me energji elektrike e të japin idenë sikur kjo lagje ka mbetur në vendnumëro.
Teuta, një zonjë e cila jeton me fëmijët e saj, nuk ka pasur kurrë ujë në banesën e saj, ndërsa bën thirrje të vihet dorë. Që kur është banore e Llonxhës, ajo nuk ka pasur kurrë ujë e është detyruar të mbushë gjetkë. Me bidonët bosh të vendosur mbi karro dore, të afërmit e saj shkojnë dhe mbushin ujë tek të njohurit. Duke u zhvendosur më në brendësi të lagjes dëgjohen fyerje e sharje ndaj institucioneve, deputetëve, përfaqësuesve të ndryshëm.
Situata vazhdon të jetë kaotike edhe në lagjen Partizani ku prej më tepër se 15 vitesh vuan problemet me furnizimin normal me ujë. Porta Vendore rreth 3 muaj më parë ngriti shqetësimin e familjeve të kësaj lagje, ndërsa ata tregonin se kjo është një ngjarje që përsëritet çdo vit, dhe ndërprerja e ujit të pijshëm është bërë një ritual i ditur për ta.
Revolta në këto dy lagje është shumë e madhe, por asgjë krahasuar me gjendjen e mjerueshme në të cilën banorët jetojnë. Fëmijë të vegjël me bidonë bosh në duar pohojnë se duan ujë, e është kjo një lutje për të gjithë ata persona, të cilët mund t’i japin një zgjidhje këtij problemi dhjetëravjeçar. Zana, nënë e njëkohësisht gjyshe e dy nipërve tregon se ka 16 vjet pa ujë. “Në pandemi, verë, dimër, banesa ime nuk furnizohet kurrë edhe pse jam taksapaguese e rregullt”, tregon ajo për Portën Vendore.
Lagjja “11 Janari” ose e njohur ndryshe si Pusmezini në qytetin e Vlorës është lënë gjithashtu në harresë nga bashkia. Për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe ujit të pijshëm, kjo zonë po shkon drejt shpopullimit. Sikur të mos mjaftonin këto probleme, prej një jave bashkia nuk po pastron as mbetjet urbane në këtë lagje.
“Nuk kemi ujë, nuk kemi asgjë. Vdiqëm fare me këtë shtet e këtë papërgjegjshmëri totale të institucioneve. Jemi ankuar e stër-ankuar dhe asgjë s’ka ndryshuar. Jemi të lodhur. Duam ujë, duam rrugë, duam të na pastrojnë mbetjet, pasi jemi taksapagues të rregullt. Nuk duhej kurrsesi kjo lagje të lihej në mëshirë të fatit gjithë këto vite. Jemi bërë për të ardhur keq”, tha një banor i saj për Portën Vendore. Mbi 300 familje përballen çdo ditë me mungesën e shërbimeve dhe pavarësisht ankesave në bashkinë e Vlorës nuk ka pasur asnjë reagim nga ky institucion.
Pusmezini është ndër lagjet kryesore të këtij qyteti, por me ndërtimin e autostradës Levan-Vlorë, ajo është lënë në harresë nga bashkia. Kjo zonë edhe pse është një nyje lidhëse apo e përshkueshme edhe nga turistët që zgjedhin të vizitojnë këtë qytet, sërish kjo nuk e shqetëson Bashkinë, për të ndërhyrë qoftë edhe me pastrimin e mbetjeve.
Në dimër, uji i shiut është “shpëtimi” i vetëm ku vendosen kova bosh në zonat ku ai pikon, duke i mbushur e më pas përdoret për tu larë. Metodë kjo që mund të jetë përdorur para shumë dekadash, por në Vlorë është diçka krejt normale. Për sa i përket ujit të pijshëm, familjarët e zonjës mbushin ujë në burimet e qytetit ose e sigurojnë duke e blerë në market.
E pyetur nga Porta Vendore mbi situatën e furnizimit me ujë në qytet, Bashkia Vlorë tha se:
“Situata e furnizimit me ujë të pijshëm në qytetin e Vlorës paraqitet normale me disa problematika në zonat fundore, ku përfshihen dhe lagja “Partizani”, “Karabash” dhe “Lirim”. Për këto lagje është bërë projekti me vlerë 219,254,437 lekë me TVSH. Ky projekt ka kaluar në bashki si projekt prioritar dhe jemi në pritje të financimeve për realizimin e tij”.
Ndërkohë i pyetur nga Porta Vendore, drejtori i ri i Ujësjellësit Vlorë, Shkëlqim Leskaj, i cili ka rreth 1 muaj e gjysmë që e ka marrë këtë detyrë, i pranon problematikat që kanë zonat e vëzhguara nga Porta Vendore nëpër qytet. Ai thotë se objektivi i tij është që të ketë sa më shumë investime në zonat problematike ndërsa është duke hartuar një program të detajuar për menaxhimin e punës në terren dhe për një arkëtim më të madh nga ky institucion.
“Ato që kam konstatuar unë si probleme kanë të bëjnë kryesisht më amortizimin e rrjetit, si dhe humbjet në rrjet gjatë pikut të thatësirës, ku pjesa më e madhe e zonave periferike duke qenë pa sahat dhe duke u mjaftuar vetëm me një afrofe 2 mijë lekë të reja, e shpërdorojnë ujin, duke lagur bahçen. Ne e marrim ujin nga pompat në depo dhe kemi një humbje prej 40% në rrjet nga ky proces. Është folur dhe pritet financimi i një projekti nga KFW gjermane, që do të nisë në mars të 2021 e do të përfundojë në verë për të bërë kalimin normal të rrjedhës së ujit që të mos kemi më këtë humbje në rrjet. Përsa i përket amortizimit në rrjet duhet thënë që nuk janë bërë investimet siç duhen”, thotë Leskaj për Portën Vendore, ndërsa premton se shumë shpejt do të fillojë pajisja me matës në zonat periferike të qytetit të Vlorës dhe aksionet për ndërprerjen e ujit të pijshëm ndaj abonentëve, të cilët nuk e paguajnë këtë shërbim.
“Ne mezi mbajmë mirëmbajtjen me atë buxhet që kemi, pasi arkëtimet i kemi në nivele shumë të ulëta, vetëm 47 % të arkëtimeve mbledhim. Ndaj duhet disiplinim edhe i abonentëve për të rritur arkëtimet. Ndërsa për projekte madhore ne varemi nga AKUM, nëse ata mund të na japin ndonjë buxhet për investime specifike”, përfundon ai.
Investimet e deritanishme nga Bashkia Vlorë për ujin e pijshëm në qytet në këtë mandat të dytë të kryebashkiakut Dritan Leli kanë qenë të pakta. Ashtu siç raportohet edhe nga Platforma Open Procurement, në qershor të vitit 2017 SHA Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka kryer një investim prej 7,3 milion lekë për zëvendësimin e tubove të ujësjellësit në rrugën e re nga Akademia te 7 pallatet. Në nëntor të 2017 me një fond prej 1,4 milion lekë është kryer zgjerimi i Rrjetit të Ujësjellësit në Lagjen “ Kushtrimi”, Vlorë. Ndërsa në janar të 2018, projekti i rikualifikimit në zonën urbane pranë qendrës së qytetit përfshinte edhe “Rikonstruksionin e Linjës së Ujësjellësit Vlorë, Ujëra të Bardha dhe të Zeza”, me një fond prej 20 milionë lekë. Pra, që pas reformës territoriale, Bashkia Vlorë ka shpenzuar rreth 29 milionë lekë të reja për ujësjellësin, por duke mos sjellë asnjë ndryshim të dukshëm, e duke i lënë njerëzit në kërkim të ujit.