Vëzhgim/Analizë

Lana/Dje, sot dhe nesër

11 shtator 2020/ E.Gjerani/ Porta Vendore/ Tiranë

Lana nuk është më ajo e para 19 viteve, me kioska e ndërtime pa leje. Ato u sheshuan duke u prishur me urdhër të ish Kryetarit të Bashkisë Tiranë të asaj kohe, Edi Rama, por ama pavarësisht formalizimit që mori në dy dekadat e fundit, ky lumë nuk mundi ta zgjidhë kurrë problemin e tij të madh, ndotjen, që e ka pushtuar thuajse në çdo metër të tij.

Lana për disa është një lumë, për të tjerë është thjesht një përrua, pasi ka kohë që e ka humbur funksionin e vet si lumë, kohë e cila përkon me shkarkimin e ujërave të ndotur në të, duke marrë kështu trajtën e një kolektori, aspak dinjitoz për mesin e qytetit.

Ajo shkakton ndotje, erë të pakëndshme, por dhe rrezik për shëndetin e banorëve që jetojnë në afërsi të saj.

Lana përshkon Tiranën tejpërtej nga lindja në perëndim.

Ujë i saj buron në pjesën perëndimore të Qafës së Priskës. Ky lumë është 29 km i gjatë dhe ka një sipërfaqe të pellgut 67 km² e një lartësi mesatare 179 metër, ndërsa pjerrësia shkon deri në 24 m/km.

Porta Vendore gjatë muajve janar-shkurt 2020 bëri një vëzhgim nëpër Lanë për të konstatuar shkallën e saj të ndotjes dhe rehabilitimin e saj me projektin e nisur nga ana e Bashkisë Tiranë.

Banorët që jetojnë pranë Lanabregas, fshat i cili ka marrë emrin nga vetë kalimi i lumit Lana në këtë zonë të Tiranës, tregojnë se sa herë që bie shi, lumi fryhet duke krijuar përmbytje të zonës, për shkak të inerteve pa kriter që derdhen prej vitesh pranë Dajtit në Linzë, e që uji i merr me vete në drejtim të qytetit.

“Lana do bëjë punën e vet, ka rrugën e vet, do eci ajo, dhe sa herë që bie shi këtë punë ka.

Por problemin e kemi tek ura këtu, që duhet një urë që të dalë uji tamam. Ky është problemi kryesor i lagjes”, thotë Ardiani, banor i Lanabregasit.

I moshuari tregon për Portën Vendore se Lana përmbytet çdo vit, por edhe pse mund të vijnë ndonjëherë në të rrallë ta pastrojnë nga bashkia, sërish kjo nuk është zgjidhje. Ai na shpjegon se në vend që rrjedha e lumit të lihej e lirë të kalonte nën urë, poshtë urës është vendosur një tub, i cili është shumë i vogël e nuk i përthith dot papastërtitë e shumta të mbetjeve që vijnë bashkë me Lumin Lana që nga zona e Dajtit. Kjo bën që të ketë përmbytje të zonës për shkak të mos depërtimit të inerteve dhe grumbullimit të tyre në urën e Lanabregasit.

“Nuk ka ardh kush me pastru Lanën këtu por nga hedhjet e mbetjeve është bërë kjo punë kështu. Ky nuk është viti i parë, ka tre-katër vjet kjo situatë. Ata e pastrojnë me fadromë, vjen lumi dhe ajo bëhet prapë pis”, tregon ai.

I lindur e rritur në këtë zonë, ai kujton kthjelltësinë e lumit dikur dhe se si ai ka ndryshuar në këto vite.

Mbaj mend qysh kur kam qenë i vogël që ujë ka pas ardh i kthjellët pa turbullira, por tani në kohët e vona, ka mbeturina, hedhin mbeturina nuk është më siç ka qenë”, thotë Ardiani, të cilit i dhemb në shpirt, situata në të cilën është katandisur Lana sot.

Ndërsa Qemali, një tjetër banor i kësaj zone, që dëshiron shumë që gjërat me Lanën të rehabilitohen, jo vetëm në qendër të Tiranës, por edhe në skajet fundore të saj, e sidomos në Lanabregas, tregon se cila ishte pikënisja e dëmtimit të këtij lumi, i cili deri në vitin 2000, uji i tij ishte kristal.

“Këtu në lumin e Lanës ka mbeturina nga më të ndryshmet, pllaka betoni, inerte. Këto kanë ardhur si pasojë e shkarkimeve nga Tirana mbi lumin Lanë, rreth vitit 2000. Edhe sot e kësaj dite vazhdojnë herë pas here të hedhin mbeturina mbi lumin Lanë. Kjo mund të dojë shumë vite që të shkojë aty ku duhet. Nëse nuk vë dorë njeri, është e pamundur që të futen mjetet, sepse këtu është shumë e vështirë që të pastrohet.

E gjithë kjo do të shkaktojë dëme më poshtë nga ku shkon Lana, deri më sot nuk është interesuar njeri, as kur ishte komunë dhe as sot që është bashki”, thotë ai për Portën Vendore.

Neglizhenca institucionale, ndërtimet pa kriter e të pastudiuara, por edhe mos aksesi për ta pastruar Lanën në këtë zonë, ku nuk mund të futesh as me mjete të rënda, ka bërë që Lana në vend që të shërbente si një atraksion turistik, të jetë një “mallkim” për banorët e kësaj njësie administrative dhe jo vetëm.

Në Njësinë Administrative Dajt, ku bën pjesë edhe fshati Lanabregas, ka në total rreth 21.218 banorë, ndërkohë që njerëzit në këtë zonë jetojnë me bujqësinë.

Ndërsa nga Materniteti i ri e deri tek Pallati me Shigjeta, situata duket disi më e normalizuar, por hera-herës në varësi të vërshimit të ujit edhe aty gjen mbetje, plastikë, gurë, bidonë etj.

“E bëjmë çdo ditë këtë rrugën dhe normal që është e ndotur. Uroj që të bëjnë diçka që edhe ne kur të kalojmë mos të mbyllim hundën nga era e rëndë që vjen këtu”, thotë një kalimtare.

Por nëse dikush ia vë fajin institucioneve për formën në të cilën ndodhet Lana nga mospastrimi i saj, banorë të tjerë fajësojnë edhe dorën e njeriut.

Situata e mbetjeve në lumin Lana pranë zonës së maternitetit të ri. Foto: E. Gjerani

Kështu, në vëzhgimin e bërë në terren nga Porta Vendore para pandemisë së Covid 19, një tjetër skaj i qytetit ku gjarpëron Lana është edhe zona e Astirit, ku era e padurueshme e ujërave të zeza kundërmonte.

“Kur kalojmë këtu e ndjej, sepse janë gjitha ata banorë që jetojnë në anë të Lanës, dhe kjo duhet mbyllur. Edhe aty ku jetojmë ne tek unaza e re, edhe aty vjen era, nuk kalojmë dot tek ura. Po para viteve ‘90 kishe qejf të jetoje këtu, se tani është bërë shumë keq. Janë ndërtuar vend e pa vend, janë zënë kolektorët dhe gjithë ujërat e zeza derdhen këtu. Edhe faji i banorëve është, edhe faji i pushtetarëve, që i kanë lejuar të ndërtojnë vend e pa vend”, thotë një qytetare e cila banon në këtë zonë.

Lumi Lana përgjatë zonës së Astirit. Foto: E. Gjerani

Nëpër të gjithë gjatësinë e Unazës së re, në Lanë derdhen ujërat e përdorura të bizneseve dhe pallateve të mbipopulluar të kësaj zone. Problemi nis që nga pallati me shigjeta, duke vijuar në Unazën e Re e duke përfunduar pranë Casa Italias.

Mbetjet e varura në betonet rrethues të lumin Lana pranë zonës së CasaItalias. Foto: E. Gjerani

Aty Lana bashkohet me Lumin e Tiranës në verilindje të Bërxullës, duke u shkarkuar më pas në basenin e Ishmit, një prej ujërave më të ndotura, sipas raporteve të përvitshme të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Olsi Nika, hidrobiolog i tha Portës Vendore se pas reshjeve të shiut, Lana i fal gjithnjë kalimtarëve, por edhe banorëve të pallateve pranë saj, një erë të pakëndshme, prej ujërave të përdorura derdhura në të, të cilët duke qenë të pastrajtuar, shkaktojnë super ndotje kimike në këtë mjedis.

“Është një segment kryesor që kalon mes për mes qendrës urbane, dhe praktikisht është shndërruar, si në shumë vende të tjera të kryeqyteteve Europiane, në një kolektor të ujërave të përdorur të qytetit. Ndotja është përgjatë gjithë gjatësisë së lumit, përjashto po themi vetëm metrat e para që janë afër burimit. Është e ndotur sepse këtu shkarkojnë blloqet e banimit, bizneset, ujërat e tyre të përdorur. Ajo që ndjehet shpesh është pjesa që vjen e baktereve që ndodhen në lumë. Ajo që vihet re është se kur ka 2-3 ditë reshje me intensitet të vazhdueshëm fryhet shtrati ose sasia e ujit që ndodhet këtu dhe ne erën e ndjejmë deri tek piletat në shtëpitë tona. Kjo është ajo aroma e pakëndshme, por që është edhe kimike dhe e dëmshme”.

Olsi gjithashtu rekomandon se zgjidhja për Lanën do të ishte nivelimi i ujit në dy nivele, por që kjo praktikë evropiane është tejet e kushtueshme për t’u kryer.

“Për Lanën duhet të merren masa që të paktën të izolohet ajo pjesa e kolektorit, mund të jetë në dy nivele lumi; një nivel ujërat e ndotura që ne shkarkojmë dhe pjesa tjetër të jetë pjesa e ujit të lumit sipër. Sigurisht që ka kosto të madhe si projekt”.

E pyetur nga Porta Vendore, Bashkia Tiranë nuk dha detaje për projektin e rehabilitimit të Lumit Lana, por megjithatë në faqen online të faqes zyrtare të Bashkisë Tiranë https://tirana.al/ thuhet se “Projekti ‘Shtrati i Lumit Lana – Zhvillim Urban’ përfshin rehabilitimin hidroteknik të lumit Lana, me gjatësi rreth 1.8 km dhe zgjatimin e dy bulevardeve ‘Gjergj Fishta’ dhe ‘Bajram Curri’, që shkojnë paralelisht me lumin. Punimet e Projektit janë vazhdim i punimeve të mëparshme të rehabilitimit të lumit Lana, me një gjatësi prej 16 km, në rrjedhën e sipërme të lumit Lana deri në Urën te Teknologjiku, e cila është pikënisja e punimeve të Projekti të ri që shtrihet deri në vendkalimin e rrugës ‘Teodor Keko’, e njohur gjithashtu si Unaza e Re”.

Objektivat dhe punimet e parashikuara të Projektit janë në përputhje me kërkesat e Planit të Përgjithshëm Vendor të Tiranës 2030, i miratuar nga Bashkia Tiranë.

Projekti gjithashtu përfshin pajisjen e zonës pranë lumit me infrastrukturë dhe shërbime urbane, siç janë furnizimi me ujë, kullimi, kanalizimet e ujërave të zeza, ndriçimi publik, telekomunikacioni dhe peizazhet.

Në fillim të këtij viti qeveria ka miratuar një fond prej rreth 13 milionë euro për rehabilitimin e shtratit të lumit të Lanës, ku gjysma e këtij investimi do të përballohet nga buxheti i shtetit dhe gjysma tjetër nga Bashkia Tiranë.

Investimi do të ndahet në 3 vite, duke filluar nga viti 2021, ku për çdo vit do të akordohen rreth 4.3 milionë euro, pasi ngërçi aktual është dëmshpërblimi për rreth 380 familje të pozicionuara në këtë zonë, për t’i hapur më pas rrugë investime për rehabilitimin e Lumit Lana në të gjithë gjatësinë e tij.

Por teksa projekti po vijon të ecë me hapa të ngadaltë, duke qenë se situata e ndotjes dhe vërshimi i inerteve vijon të jetë prezentë përgjatë gjithë Lanës, e sidomos në pjesët fundore të saj, një tjetër investim i lënë në harresë e që do t’i shërbejë këtij investimi madhor është edhe Impianti i Përpunimit të Ujërave të Zeza në kryeqytet.

Tabela e mbetur nga punimet në Impiantin e Ujërave të Zeza në zonën e Kasharit. Foto: E. Gjerani

Vlera e këtij projekti kapte shifrën e 77.5 milion euro dhe do të ishte një risi për kryeqytetin e jo vetëm, por edhe në nivel rajoni.

Në një inspektim të janar 2016, Kryetari i Bashkisë Tiranë, ErionVeliaj së bashku me ish-Ministrin e Transportit Edmond Haxhinasto, thanë se ky impiant është i dyti për nga madhësia në zonën e Europës Juglindore me një kapacitet përpunimi prej 75 mijë metrash kub në ditë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se pas më shumë se 50 vitesh, po ndërhyhet për kanalizimet dhe pastrimin e ujërave të zeza dhe pasojat janë ndjerë gjatë përmbytjeve të fundit.

Veliaj: “Nga ky projekt do të përfitojnë 700 mijë banorë të Tiranës, pra gjysma e popullsisë zyrtare, që merr shërbime në qytet dhe besoj se vjen në një kontekst ku pas përmbytjeve, të gjithë jemi bërë pak më të ndjeshëm për infrastrukturën që kemi trashëguar. Dua t’ju kujtoj qytetarëve një histori të thjeshtë, se për projektin e pastrimit të ujërave të ndotura në Tiranë është menduar që në vitin 1960. Me gjithë padurimin që këto projekte të ecin sa më shpejt, besoj se është ecur më shpejt në këto dy vite me këtë projekt se sa në 50-60 vitet e fundit. Projekti parashikon ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të ndotura, në zonën e pellgut të Lumit të Lanës dhe ndërtimi i impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në zonën e Kasharit”.

Ky financim japonez pritej të përpunonte ujërat e ndotura që derdhen në Lanë  Në terren gjatë vëzhgimit, shihet qarte se investimi fillestar thuajse është mbyllur, por ngrehinat qëndrojnë si të shkretuara, ku disa janë prekur madje edhe nga tërmeti i 26 nëntorit, që nuk ka shpëtuar as këtë investim kolosal. Këtu sheh vetëm rojet e objektin, të cilët me të drejtë ngrenë supet kur i pyet se çfarë po ndodh me këtë vend. Ata na tregojnë se nuk kanë asnjë informacion më shumë, përveç faktit që ruajnë objektin me turne. “Jemi tre roje, që punojmë me turne këtu. Kemi rreth dy vite a më shumë. Ne ushqejmë familjen me këtë rrogë që marrim këtu. Këtu mesa dimë, punimet janë pezulluar por ama se ça do të ndodhë nuk dimë gjë, për ne e rëndësishme është që po hamë bukë sot për sot. Këtu nuk vjen asnjë njeri, ju jeni të parët madje, që prej lajmit të mbylljes së kantierit të punimeve dhe lënies së tyre në mes”, thotë roja e objektit.

Aktualisht puna ka ndalur që prej 3 vitesh, pasi megjithëse pritej të përfundonte në vitin 2017 dhe nga ky projekt do të përfitojnë rreth 350 mijë qytetarë, ky projekt u pezullua duke shkaktuar një dëm në efekt domino.

Pas vonesash, Ministria e Infrastrukturës nëpërmjet një auditi konstatoi se kompania italiane Dondi që ishte implementuese e projektit japonez të impiantit, kishte shpenzuar të gjitha fondet për gjysmën e punimeve për ndërtimin e impiantit të pastrimit të ujërave të Lanës, ndaj çoi për ndjekje penale ekipin, dhe më pas ndodhi dhe ndërprerja e kontratës nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve. Ndërkohë kompania Dondi e cila kishte fituar në atë kohë tenderin e këtij projekti ka hedhur shtetin shqiptar në gjyq në arbitrazhin e Londrës dhe kjo e mban peng atë impiant.

Porta Vendore iu drejtua për një prononcim lidhur me këtë çështje muaj më parë UKT por ky institucion na referoi tek Ministria e Infrastrukturës si organi ekzekutues i këtij investimi, ndërsa Bashkia Tiranë nuk ktheu një përgjigje lidhur me projektin aktual për rehabilitimin e Lanës e as për çështjen e impiantit të trajtimit të ujërave, në kërkesën për informacion që Porta Vendore i ka nisur.

E pyetur se çfarë po ndodh me këtë vepër, as Ministria e Infrastrukturës nuk dha një përgjigje për Portën Vendore, duke e lënë kërkesën për informacion referuar këtij institucioni në heshtje të plotë. Ndërkohë për çështjen e impiantit Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve thotë se deri në marrjen e vendimit nga gjykata e Londrës punimet për impiantin e përpunimit të ujërave të zeza do të qëndrojnë të pezulluara, ndërsa procesi i po monitorohet nga Avokati i Popullit.