Ndodhi

Lezha përjeton krizë vizitorësh, bashkia krijon aplikacionin për atraksionet turistike të zonës

10 shtator 2020/ Elvis Hila/ Porta Vendore/ Lezhë

Numri i vizitorëve në qytetin e Lezhës ka pësuar ulje gjatë këtij sezoni turistik. Në atraksionet kulturore të qytetit, siç është vendvarrimi i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, por edhe në kalanë e qytetit, numri i vizitorëve vendas është në shifra të papërfillshme krahasuar me një vit më parë. Bashkia Lezhë, për t’i ardhur më ndihmë turistëve, ka krijuar një barkod të vendosur thuajse në çdo hotel të zonës, ku nëpërmjet skanimit të tij në telefon, vizitorët vendas edhe të huaj njihen me atraksionet turistike të kësaj zone.

Vendvarrimi i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Lezhë nuk ka qenë kurrë kaq i boshatisur në mes të sezonit turistik. Pandemia Covid-19 ka ndikuar në uljen e ndjeshme të vizitorëve. Përgjegjësi i Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë Lezhë, Paulin Zefi thotë se të huajt këtë verë mungojnë, ndërsa shqiptarët nuk kanë arritur as në 10% të numrit të vizitorëve të viteve të shkuara.

“Vitin e kaluar vinin grupe të organizuara me shkolla, me dhjetëra autobusë nga Kosova si dhe me qindra nxënës brenda një dite të vetme. Sivjet, kuptohet që mësimi nuk u zhvillua dhe aktivitetet u anuluan të gjitha. Nëse në muajin e pikut të vizitorëve kemi pritur nga 2 000 deri në 2 500 turistë brenda një muaji, këtë muaj nuk është kaluar numri në total i vizitorëve në 300. Këta vizitorë janë kryesisht shqiptarë të Shqipërisë dhe shumë më pak të Kosovës. Nuk bëhet fjalë për turistë të huaj dhe grupe të organizuara siç vinin vitin e kaluar nga Polonia, Hungaria, Gjermania, Italia dhe vend të tjera, të cilët vinin në numër shumë të madh. Normalisht që kjo situatë ka ndikuar edhe në rënien e nivelit të të ardhurave në memorialin e Skënderbeut i cili administrohet nga Bashkia Lezhë”, thotë Zefi për Portën Vendore.

Në një sezon normal, vendvarrimin e Skënderbeut e vizitojnë disa mijëra persona, ku pjesën më të mëdha e përbëjnë shqiptarët e Kosovës dhe turistët e huaj.

Situatë e ngjashme paraqitet edhe në kalanë mesjetare të qytetit të Lezhës. Sipas të dhënave, edhe atje numri i vizitoreve gjatë këtij sezoni turistik ka qenë mjaft i ulët, ku sigurisht për shkak të mbylljes së kufijve kanë munguar dhe turistet e huaj të cilët në kohë normale janë të shumtë në numër.

Ndërkohë që edhe pse në kushte pandemie, Bashkia Lezhë nuk e ka ndaluar punën për promovimin dhe krijimin e kushteve të favorshme për vizitorët që zgjedhin rajonin e Lezhës. Turistët që vizitojnë këtë zonë tashmë e kanë shumë të thjeshtë që të njihen me atraksionet turistike dhe historike të këtij rajoni. Bashkia ka krijuar një barkod, i cili është vendosur në vende të ndryshme dhe aksesohet përmes telefonit ku menjëherë të shfaqet ajo që të ofron ky qytet.

“Kemi realizuar këtë barkod që e kemi vendosur në vendet turistike që vizitohen më shumë nga turistët për të vijuar më pas vizitën në të gjitha vendet turistike. Faqja ka këtu atraksionet turistike, këtu ekziston gjithashtu përkthimi shqip dhe anglisht që të ndihmojmë të gjithë vizitorët e huaj”, thotë Renaldo Xhani Drejtor i Turizmit dhe Kulturës, Bashkia Lezhë.

Foto të barkodit të vendosur në qytetin e Lezhës, i aksesueshëm për të gjithë turistët.

Për nënkryetaren e Bashkisë Lezhë Oliana Moriseni nxitja dhe promovimi i turizmit vendas është objektiv kryesor edhe pse jemi në kohë pandemie.

“Nxitja dhe promovimi i turizmit vendas është një ndër politikat dhe objektivat e Bashkisë së Lezhës. Edhe pse jemi në një situatë pandemie globale kjo nuk ka ndikuar aspak që Bashkia Lezhë të vazhdojë me promovimin e vendeve në forma të ndryshme ku një ndër këto mënyra është edhe krijimi i barkodit nga drejtoria e turizmit në bashkinë Lezhë. Ky barkod është i aksesueshëm nga çdo qytetar, ku nëpërmjet telefonit e skanon barkodin dhe nëpërmjet skanimit të shfaqet website Lezha Turizëm. Aty mund të gjesh në shqip dhe anglisht gjithçka ofron ky rajon në turizëm”, shprehet Oliana Moriseni Nënkryetare e Bashkisë Lezhë.

Për t’ju ardhur në ndihmë vizitoreve, barkodi i krijuar nga kjo Bashkia Lezhë është vendosur në vende publike dhe thuajse në të gjitha hotelet e zonës turistike të Shëngjinit ku është edhe përqendrimi më i madh i vizitorëve, ndërsa qëllimi është thithja e sa më shumë vizitorëve vendas e të huaj.