Ngjarje/Personazhe

Banorët e Kërkovës së Vlorës të zhgënjyer nga shteti për shkak të mungesës së investimeve. “Nuk do marrim pjesë në zgjedhjet e 2021-it”.

7 shtator 2020/ Enriko Gabaj/ Porta Vendore/ Vlorë

I gjendur vetëm 7 km larg qytetit Vlorës, fshati Kërkovë përballet çdo ditë me neglizhencën e institucioneve lokale. Rruga e shkatërruar që në hyrje e deri në qendër të fshatit, mungesa e ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike, ka detyruar rininë të braktisë fshatin e të largohet për një jetë më të mirë, ndërsa banorët e mbetur janë gjithnjë e më të pakët.

Gjendja e fshatit Kërkovë është alarmante, teksa braktisja nga shteti e detyron rininë të emigrojnë për vite me radhë larg familjes. Kjo situatë ka bërë që rreth 60 familje në vitet e fundit të largohen nga fshati drejt zonave të tjera të Shqipërisë, për një jetesë më të mirë, ndërsa aktualisht kanë mbetur rreth 100 familje në total. Banorët e tjerë, për këtë braktisje të fshatit gishtin e drejtojnë nga pushteti vendor, i cili prej dekadash nuk ka investuar thuajse asgjë në këtë zonë.

Rruga e gjitha është e shkatërruar dhe dëmton automjetet e pakta që banorët e fshatit kanë. Energjia elektrike mungon, po ashtu edhe uji i pijshëm, duke vështirësuar edhe më shumë jetesën në këtë zonë. Sipas banorëve nuk ka arsye pse të qëndrohet më këtu, e me të drejtë zgjidhja e vetme mbetet largimi.

Qendra e fshatit Kërkovë në Vlorë. Foto: E. Gabaj.

Sipas të dhënave nga vetë banorët, vite më parë, në këtë fshat kanë jetuar rreth 200 familje, ndërsa tani numri i banorëve është përgjysmuar.

Neglizhenca e shtetit është e pafalshme nga ana e banorëve, të cilët theksojnë se do t’i mbyllet dera për fushatë atyre që do të lypin votën e tyre sërish. “Kryetari i Bashkisë Vlorë ka ardhur vetëm për fushatë tek banorët, e që atëherë nuk është dukur më. Po ashtu dhe deputeti Fate Velaj, të cilit nuk i interesojnë ata që i dhanë votën. Ndërsa prej më tepër se një muaji plehrat nuk hiqen duke na qelbur erë”, shpjegon me pak fjalë situatën në këtë fshat një nga banorët, i cili nuk pranon të flasë më gjatë.

Kryeplaku i fshatit Kërkovë, Zaho Rrapaj, pohon se të gjitha shqetësimet e banorëve i ka transmetuar në njësinë administrative Qendër, madje ai shprehet se i është premtuar çdo gjë fshatit, por deri më tani nuk është vënë dorë dhe e kanë neglizhuar, si bashkia edhe qeveria.

“Problematikat janë nga më të ndryshmet këtu në fshatin tonë, por problemi më i madh për ne mbetet rruga. Kemi marrë një premtim për këtë rrugën që nga viti 2013, por deri më sot nuk është bërë asgjë. Të shohim deri vitin tjetër nëse do të na e bëjnë realitet premtimin për rrugën apo jo”, thotë kryeplaku i fshatit Kërkovë, Zaho Rrapaj.

Rrugët e fshatit Kërkovë në qytetin e Vlorës. Foto: E. Gabaj

Ai sqaron gjithashtu se i gjithë fshati i paguan taksat, kështu që pushteti vendor duhet të bëjë një investim që ka nevojë kjo zonë, qoftë në rrugë, apo mungesën e furnizimin me ujë të pijshëm, të ndriçimit ose në menaxhimin e mbetjeve, të cilat po hidhen vend e pavend.

Mbetjet hidhen pa kriter në kodrinat e fshatit të Kërkovës. Foto: E. Gabaj.

Problemet e fshatit tonë janë ngritur në çdo takim e diskutim që kemi pasur me kryetarin e bashkisë dhe deputetin e zonës, por prapë asgjë. Para dy javësh patëm një takim me Damian Gjiknurin, ku ia thamë edhe atij hallet e fshatit”, vijon kryeplaku.

Ai premton se asnjë banor i fshatit nuk do të marrë pjesë në votime, pasi asnjë nuk e meriton votën e këtij populli.

Rruga është ashtu që kur kam lindur unë, dmth me demokraci. Këtu vijnë pushtetarët nuk është që s’vijnë. Vijnë e japim premtimet, vijnë për fushatë, por gjë konkrete s’ka. Këtu s’ka as punë asgjë, ndaj ka emigruar një pjesë e mirë e fshatit për një jetë më të mirë. Edhe unë atë dua të bëj, të largohem nga fshati”, thotë një 20-vjeçar, ndërsa përsa i përket shkollës 9-vjeçare të fshatit e cila paraqitet në kushte të mjerueshme, i riu tregon se aty edhe mësimi bëhet me copa.

Shkolla 9-vjeçare, e vetmja në këtë fshat, në gjendjen në të cilën ndodhet është thuajse jashtë çdo funksioni, madje ajo i ngjan një stalle lopësh. Banorët pohojnë se janë bërë ankesa në vijimësi nëpër të gjitha institucionet përkatëse, por prapë asgjë.

“Kemi bërë ankesa në çdo vend. Shkolla është parë nga deputetet e zonës, kryetari etj. Ndërsa Drejtoria Arsimore s’ka ardhur asnjëherë ta shikojë shkollën në çfarë gjendje është jo më të investojë në të”, thotë Rrapaj për Portën Vendore.

Gjendja e mjerueshme në të cilën gjendet shkolla e fshatit Kërkovë. Foto: E. Gabaj.

Ato familje që kanë pasur mundësi, i kanë çuar fëmijët në shkollat e Vlorës, pasi kushtet e mjerueshme të saj, pa ujë, ngrohje, banka e tualete i kanë larguar të vegjlit nga ky institucion arsimor, i cili rrezikon mbylljen.

Krahas problemeve të pafundme, katastrofike është gjendja në të cilën ndodhet edhe xhamia e Kërkovës. Me tavan të amortizuar, pa xhama nëpër dritare e me mure të shkatërruara.

Ndërsa Fatmiri, i cili ka 60 vite në Kërkovë dhe ia njeh çdo pëllëmbë këtij fshati, e ndeshim në rrugën plot pluhur të Kërkovës, në mes të një dielli përvëlues. Ai rrëfen për Portën Vendore se nuk ka ndryshuar asgjë në këtë fshat.

Nuk ka ndryshuar absolutisht asgjë, përveç tkurrjes së popullsisë dhe shqetësimeve tona që shtohet dita-ditës, s’ka ndryshuar asgjë. Pushteti po tallet me ne, asgjë nuk po bëjnë. Ujin e marrim me gomar, ku t’i gjejmë lekët që të blejmë ujë të pijshëm ne. Këtu vjen gjysmë ore ujë një herë në dy ditë”, tregon ai, ndërsa shpjegon se nuk do të votojë në zgjedhjet e ardhshme, pasi mendon se pushteti po tallet me popullin.

“Kryetari aktual i bashkisë ishte për të ardhur në fshat gjatë fushatës së fundit, por nuk erdhi. Tek të gjithë fshatrat e tjerë ka vajtur, vetëm tek ne jo. Po si të vinte, ai një herë duhej të jepte shpjegime për premtimet që nuk ka mbajtur, pastaj të bënte premtime të reja. Por duke e parë veten pa kundërshtar, vendosi që më mirë të mos vinte”, përfundon Fatmiri për Portën Vendore.

Rrëshqitja e dheut në një pjesë të fshatit rrezikon jetën e 15 familjeve, ku një banor shprehet i shqetësuar kryesisht gjatë dimrit ku me shiun rruga është ngushtuar dhe një zhvendosje e automjetit të hedh në humnerë.

Rruga është jeta. Nuk mund të sjellim fëmijët në shkollë, prindërit s’i çojmë dot në spital. Aty te lagja ime, afër shpellës, siç njihet nga ne, jemi në rrezik serioz, se ka rrëshqitje. Kanë ardhur ekspertë, ka ardhur kryetari i bashkisë, e kanë parë, por nuk kanë bërë gjë. Për këtë kërkojmë një ndërhyrje të shpejtë, se do fillojnë shirat tani në vjeshtë dhe rrezikojmë kokën aty në atë rrugë, sepse është greminë”, tha ai i zhgënjyer nga fakti që pavarësisht se e ka ngritur zërin, sërish nuk është bërë asnjë veprim sado minimal për marrje masash, dhe parandalimin e një fatkeqësie për 700 banorët e këtij fshati të varfër nga ekonomia e të zhgënjyer nga demokracia.

Nuk dihet ende për sa kohë do të vazhdojë kjo situatë, por fushatën do të duhet ta zhvendosin diku tjetër pasi Kërkova i ka mbyllur dyert dhe nuk pranon “lypje votash”.