Ngjarje/Personazhe

Parkingjet, Bashkia Vlorë fiton në Arbitrazh ndaj kompanisë koncesionare

5 shtator 2020/ E.Gjerani/ Porta Vendore/ Vlorë

Bashkia e Vlorë ka fituar gjyqin në arbitrazh në Paris kundrejt kompanisë së parkimeve “Tis Park”, duke shmangur gjobën e majme prej minimalisht 24 milionë dollarë që kompania kishte kërkuar ndaj bashkisë për prishje të njëanshme të kontratës. Sipas kryebashkiakut Dritan Leli, me vendimin e marrë nga Arbitrazhi, kompania i detyrohet Bashkisë Vlorë 700 mijë euro.

Kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli ka qenë personi, i cili ka njoftuar përfundimin e çështjes gjyqësore, duke e cilësuar këtë si një super lajm. “Mbrëmë në darkë ka ardhur njoftimi nga gjykata e arbitrazhit në Paris që Bashkia e Vlorës ka fituar çështjen me Tis Parkun. Tani kontrata me Tis Parkun quhet e përfunduar. Bashkia e Vlorës nuk do të ketë asgjë kosto në vazhdimësi. Dhe detyrohet firma Tis Park të paguajë një shumë rreth 700 mijë dollarë Bashkisë së Vlorës si dhe detyrimet e tjera që janë për ketë çështje. Nuk do jemi më peng i kërkesës absurde nga kjo firmë, e cila kërkonte 23 milionë euro dëmshpërblim për prishje të njëanshme të kontratës”, tha Leli.

Historia e kësaj kompanie nis në vitin 2015 përmes një kontrate koncesionare, e cilësuar e dyshimtë dhe nga organi i prokurorisë, që u bë ndërmjet kompanisë “Tis Park” dhe Bashkisë Vlorë. Kompania Tis Park rezulton se është krijuar nga bashkimi i dy kompanive të tjera, “Tis Holding L.L.C” që zotërohet nga biznesmeni shqiptar Bashkim Shalla dhe “On Track Innovations L.T.D” që përfaqësohej me prokurorë nga izraeliti Arnon Efraty.

Ky bashkim operatorësh shqiptaro-izraelit ka krijuar kompaninë e “Tis Park” e regjistruar në Shqipëri më 27 mars 2015, gati 51 ditë pasi ish-kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika dhe dy biznesmenët Bashkim Shalla e Arnon Efraty lidhen me firmë në 6 shkurt 2015 kontratën koncesionare për parkingjet në Vlorë.

Sipas marrëveshjes koncesionare të firmosur nga ish-kryebashkiaku Shpëtim Gjika, kompania private do të investonte 10 milionë lekë në vit në parkingjet publike të Vlorës dhe në këmbim do të vilte pagesën nga automjetet e qytetarëve për 15 vjet.

Por, sapo u instalua sistemi i pagesës, qytetarët vlonjatë protestuan fuqishëm duke e detyruar kompaninë të largohej, ndërsa një vit më vonë, bashkia, tashmë e drejtuar nga Dritan Leli, e anuloi koncesionin. Pas prishjes së kontratës, kompania koncesionare paditi Bashkinë në Arbitrazhin e Parisit. Në nenin 29 të kontratës ekziston një klauzolë ku thuhet se në rast prishjeje të njëanshme të kontratës apo dështimit për fajin e shtetit, bashkia ka rënë dakord t’i paguajë koncesionarit privat të ardhurat e parashikuara për 15 vjet, pra gjithë jetëgjatësinë e koncesionit. Sipas një formule të detajuar, pjesë e marrëveshjes koncesionare, këtij dëmshpërblimi i korrespondon një shumë që varion nga 24 deri në 58 milionë dollarë.

Lidhur me këtë çështje, prokuroria e Vlorës ndërmori një hetim të gjatë. Sipas konkluzioneve të prokurorisë rezultoi se në kontratë ishin bërë disa shkelje, një prej të cilave ishte fakti se në kontratë ishte parashikuar pagesa e parkimit edhe për ditët e shtuna, duke filluar nga ora 08:00 deri në orën 14:00. Ndërsa në relacionin përcjellë anëtarëve të këshillit bashkiak, nuk ishin përcaktuar ditët javore të parkimit, por njëherësh nuk ishte parashikuar as në përllogaritjet e studimit financiar të kryer nga komisioni i ngritur në Bashkinë e Vlorës.

Po ashtu, në dosjen hetimore thuhet se operatori ekonomik “Tis Holding L.L.C” jashtë çdo kriteri ka paraqitur pranë Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Vlorë, vetëm pasqyrat financiare për vitin 2013, vit kur është themeluar dhe asnjë pasqyrë tjetër për vitet e tjera.

Në këto kushte, prokuroria e Vlorës, më 20 shkurt 2019 dërgoi në gjykatë 8 zyrtarë e ish-zyrtarë të Bashkisë Vlorë për shkelje në firmosjen e kësaj kontrate. Çështja vazhdon të jetë në gjykatë dhe ende nuk ka një vendim përfundimtar, ndërkohë që Arbitrazhi në Francë ka rrëzuar pretendimet e kompanisë, duke vendosur dhe dëmshpërblim për Bashkinë Vlorë.

Lidhur me këtë çështje, Porta Vendore kontaktoi dhe me avokatin e kompanisë “Tis Park”, Kujtim Cakrani, i cili megjithëse e njeh çështjen në detaje, thotë se nuk e ka përfaqësuar ai këtë proces. “Jam në dijeni të lajmit por nuk di nëse ky është versioni përfundimtar i vendimit apo jo” u shpreh ai. Ndërkohë Porta Vendore tentoi të flasë më përfaqësuesit e kompanisë nëpërmjet numrave të kontaktit që gjeti në ekstraktin e QKR-së ku zoti Bashkim Shalla përfaqësues i kompanisë Tis Park ndryshe nga avokati që ndjek çështjet ligjore të kësaj kompanie u shpreh i habitur me lajmin. “Nuk kam një njoftim , presim brenda dt 30 shtator ta kemi një të tillë nga gjykata. Tani ma treguat lajmin dhe mua normalisht. Ajo ka hapat e veta të ankimimit nëse rezulton i vërtetë, por duhet parë”, tha ai për Portën Vendore.

I pyetur nëse do ta zbatojë vendimin e gjykatës për ti paguar një shifër prej 700 mijë eurosh dëmshpërblim Bashkisë Vlorë, Shalla u shpreh se po, por vetëm pasi të ezaurojë të gjitha etapat e ankimimit të vendimit.

Aktualisht, kompania “Tis-Park” është në disa procese gjyqësore për borxhe dhe ka disa masa sekuestroje nga përmbarimi, ku bllokimi i fundit që i është vendosur në nëntor 2018, është kryer nga kompania “Landmark Communication” për vlerën 3.38 milionë lekë të reja.