5 shtator 2020/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore/ Tiranë
Edhe pas investimit prej 27 milionë eurosh si kredi koncensionare të dhënë nga Ministria Italiane e Punëve të Jashtme dhe e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Bovilla nuk i furnizoi dot banorët e Tiranës me ujë 24 orë ashtu sikurse u premtua dhe trumbetua gjatë inaugurimit të këtij investimi madhor më 16 korrik 2020. Furnizimi me ujë 24 orë duket se do të mbetet një ëndërr e largët, megjithëse qeveria dhe bashkia premtojnë që brenda 2023 e gjithë Tirana do të furnizohet me ujë 24/7. Por teksa Bovilla u inaugurua dhe pritej ujë 24 orë në çezmat e rreth 500 mijë banorëve të kryeqytetit në 28 zona, vëzhgimi i kryer nga Porta Vendore gjatë muajit gusht në disa prej zonave që pretendohet të kishin ujë 24 orë pas investimit në Bovillë, rezulton krejt ndryshe. Ato furnizohen me të njëjtat orare si edhe para investimit të Bovillës.
“Lali thotë për 20 ditë do ndërtohen shtëpitë, por unë gjithmonë Lalin e marr me pak rezervë se e ka optimizmin si ai uji 24 orë i Bovillës që u hap dje…” kështu u shpreh kryeministri Edi Rama më 17 korrik, në një aktivitet në kuadër të rindërtimit, teksa në krah kishte kryebashkiakun Veliaj, të cilit i referohej me emrin Lali. Deklarata e bërë vjen vetëm një ditë pas përurimit të impiantit të ri të Bovillës, në një ceremoni ku kryebashkiaku Veliaj theksoi dhe përsëriti disa herë se pas këtij investimi 62% e Tiranës do të furnizohet me 24 orë ujë në Tiranë. “Jeni ulur mbi 30 mijë metra kub ujë. Kjo depozitë më parë hapej 3 herë në ditë për të furnizuar Tiranën, por nga dita e sotme është e hapur 24 orë dhe jam i lumtur t’ju njoftoj se sot 62% e abonentëve të Tiranës kanë ujë 24 orë në ditë në shtëpitë e tyre”, u shpreh Veliaj më 16 korrik në një ceremoni ku ishte i pranishëm kryeministri, i cili siç dukej s’e kishte përtypur lehtë këtë deklaratë “optimiste” siç thotë ai, dhe iu deshën vetëm 24 orë për ta ngacmuar kreun e bashkisë së Tiranës. Por për Veliajn duke nisur nga 16 korriku, 62% e Tiranës do duhej të furnizohej me 24 orë ujë në ditë. “Zonat që do të kenë ujë 24 orë janë Kinostudio, Rruga e Dibrës, Xhamlliku, Hoxha Tahsim, Brryli, Pazari i Ri, rruga “5 Maji”, “Siri Kodra”, Bulevardi i Ri, Don Bosko, Lapraka, Mine Peza, Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës, Myslym Shyri, Fusha e Aviacionit, ish-Parku i Autobusëve, NSHR-ku, Dogana, janë me 24 orë ujë në qytetin e Tiranës”, tha Veliaj.
Programi i ndarë në tre faza, i administruar nga Ministria Shqiptare e Infrastrukturës dhe Energjisë, me një buxhet prej 27 milionë eurosh si kredi koncesionare e dhënë nga Ministria Italiane e Punëve të Jashtme dhe e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, ishte menduar të shtrihej nga shkurt 2019-gusht 2020 dhe është realizuar nga shoqëritë sipërmarrëse italiane HTC Costruzioni dhe Servizi Srl, AI Engineering Srl e SËS Consulting Engineering Srl.
“Ministria ka ndërtuar një tubacion që dyfishon prurjet nga liqeni i mrekullueshëm. Kalon mes për mes territorit të Zallherrit derisa vjen në impiantit tonë këtu. Kjo ishte puna që bëri qeveria dhe që financoi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës. Ndërsa puna jonë e bashkisë, pasi shëndoshëm financat e ujësjellësit, një ujësjellës që e gjetëm gropë nga administrata e mëparshme, sot jemi në një situatë kur arkëtojmë 98 % të faturimit. Ne do ta çojmë në 100% dyfishimin e filtrimit të ujit në Tiranë për tu siguruar që edhe ajo pjesë e qytetit, rreth 1/3, që vërtetë nuk e kanë ujin 24 orë, por ka kaluar sot në një regjim nga 4-5 orë në 16 -18 orë, në mandatin e tretë të Edi Ramës si kryeministër do të jetë edhe ajo pjesë e Tiranës me 24 orë ujë të pijshëm”, tha Veliaj gjatë fjalës së tij në përurimin e investimit në Bovillë.
Veliaj gjithashtu njoftoi aksionin për heqjen e depozitave në zonat që problemi i furnizimit me ujë të pijshëm është zgjidhur.
Porta Vendore kontaktoi me përfaqësues të UKT-së që në fund të muajit qershor, rreth 2 javë pasi Tirana mbeti disa ditë pa ujë për shkak të investimit në Bovillë. Përfaqësuesit e UKT-së i thanë Portës Vendore, se duhet të priste pak kohë që të mund të bënte vëzhgimin dhe të shikonte rezultatin real të zonat që do të prekeshin nga investimi i Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Energjetikës dhe Ambasadës Italiane për furnizimin 24 orë të kryeqytetasve, pasi duhej furnizuar i gjithë rrjeti i tubacionit me ujë, dhe kjo procedurë kërkonte pak kohë. Porta Vendore u interesua sërish në fillim të korrikut në lidhje me këtë çështje, ku sërish përfaqësuesja e UKT-së tha se: “Bovilla furnizon rreth 70% te qytetit. Nuk ka përfunduar ende procesi i testimit të skemave të furnizimit, është drejt fundit në fakt. Pjesa më e madhe e zonave që furnizohen nga Bovilla kanë aktualisht furnizim 24 orë në 24”.
Banorët: Nuk ka asnjë ndryshim, uji vjen me orare 2-3 herë në ditë
Duke u bazuar në deklaratat e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, por dhe të Ujësjellësit, Porta Vendore ndërmori një vëzhgim gjatë muajt gusht në disa nga zonat, ku pretendohet se ka ujë 24 orë.
Leta Shaba banon në një pallat tek zona e Oxhakut pranë Kinostudios. Ajo thotë se furnizohet me ujin e Bovillës, por nuk ka asnjë ndryshim në drejtim të furnizimit me ujë. Garanton se nuk ka 24 orë ujë në ditë, por thotë se ka 3 herë ujë në ditë sipas orareve, në mëngjes, drekë dhe darkë me një interval prej 1 orë e gjysmë dhe në total diku tek 5-6 orë në ditë. “Furnizohemi me Bovillën, por 24 orë ujë në ditë nuk kam. Unë fatmirësisht kam depozitë dhe nuk më mungon uji për t’u larë apo pastruar, se ujin e pijshëm kemi vite, s’mbahet mend që e blejmë. Por ujë për t’u larë kam pasur gjithmonë falë depozitës. Di që tani na vjen 3 herë në ditë uji nga 1 orë e gjysmë çdo herë”, thotë Leta.
Të njëjtën gjë pohon edhe Marjeta, e cila banon në rrugën Kont Uran, pas ministrisë së Arsimit te Rruga e Durrësit. Edhe Marjeta pohon se furnizohet me ujin e Bovillës dhe se i vjen me orare 3 herë në ditë, por asnjë herë nuk ndodh të ketë 24 orë ujë. “Jo asnjëherë s’kemi pasur ujë 24 orë në ditë. Kurrë, nuk e mbaj mend. Edhe tani me orare na vjen. Në mëngjes vjen në 7.30, në drekë rreth orës 12.30 dhe në darkë vjen në 7.30 dhe mban dy orë. Kështu ka qenë dhe kështu është edhe tani, nuk ka asnjë ndryshim”, pohon Marjeta.
Por në situatë më të vështirë ndodhet Entela Saja. Ajo banon në rrugën Tefta Tashko në pallatet pas Ministrisë së Jashtme dhe furnizohet me ujin e Bovillës, por shumë e revoltuar thotë se ka rreth 3 ditë që është pa ujë në shtëpi.
“Ne sinqerisht kemi 3 ditë pa pikën e ujit në shtëpi. Gjithmonë ka qenë problem furnizimi me ujë në lagjen tonë. Kemi disa vite që vuajmë. Por menduam se këtë verë do të zgjidhej problemi se na është premtuar me dhjetëra herë që me zgjerimin e Bovillës do kemi ujë 24 orë në ditë. Unë po të them, jo që s’kemi 24 orë ujë, por s’kemi as dy orë. Sot ka ardhur çerek ore në orën 12 dhe tani nga ora 7.30 e darkës, por ndenji aq pak sa nuk arrita të mbush ndonjë kovë ta ruaj për të pastruar banjon. Turp është të them po banjoja ka nisur të mbajë erë. Se po s’pati ujë njeriu qelbet. Nuk e di pse ndodh kjo, me shtëpinë në mes të Tiranës dhe mos kesh një pikë ujë. Tre ditë sot që jemi pa ujë. Kur bënë ato lidhjet e Bovillës, lerë mos e pyet se ndenjëm gati 1 javë pa ujë. Po hajt duruam me shpresë se do na rregullohet njëherë e përgjithmonë, por jo. Prapë vijojmë të vuajmë”, thotë Entela e cila ankohet edhe për çmimin e lartë që i duhet të paguajë për ujin çdo muaj. “Më e keqja është se e kanë dyfishuar çmimin e ujit, ose i vënë afrofe unë nuk e di se ç’bëjnë. Di vetëm se katër muajt e fundit kam paguar gati 40 mijë lekë ujë në muaj. Vetëm unë e çuni jemi në shtëpi. Dy vetë të harxhojmë 40 mijë lekë ujë në muaj kjo nuk qëndron. Unë faturistin nuk e kam parë kurrë në jetën time. A vjen, a s’vjen…s’e di si i vënë këto fatura. Na grinë nga lekët. Në dhjetor kam paguar 18 mijë lekë ujë, ndërsa katër muajt e fundit njëherë 38 dhe herët e tjera 40, 42 mijë lekë. Kjo është zhvatje”, tregon Entela. E pyetur nëse ka bërë ankesë për mbifaturim ajo thotë se “dy herë që jam ankuar më kanë thënë e ke sahatin me defekt dhe duhet ta ndërrosh. Herën e fundit kam paguar 65 mijë lekë për të vënë sahatin. Kjo s’më duket normale”, përfundon ajo.
Reti është banore në lagjen Hoxha Tahsin dhe ajo tregon se nuk ka shtim të ujit, pavarësisht se banon në katin e parë të një pallati të para viteve 90. “Uji është me orar, nuk di të them nëse kjo situatë do të ndryshojë së shpejti, paçka se të gjithë ne në këtë lagje menduam se problemi i furnizimit me ujë do të rregullohej. Kemi dëgjuar në televizor që është inauguruar investimi në impiantin e Bovillës e që zona jonë si shumë zona të tjera po furnizohet me ujë 24 orë por nuk e di se kur po ndodh ky furnizim, dhe asnjë s’ka ardh të interesohet dhe testojë këtë gjë në lagjen tonë. Në mënyrë absolute jo”, thotë ajo për Portën Vendore.
Liljana Prushi banon te pallatet pranë sheshit “Shtraus” te Xhamlliku. Ajo na tregon se uji i vjen 3 herë në ditë me orar dhe se nuk ka asnjë ndryshim. Edhe Liljana ankohet se paguan dy fatura për ujin, një për shtetin dhe një për privatin. “Nuk kemi ujë 24 orë. Unë gjithë ditën në shtëpi jam. Na vjen 3 herë në ditë, siç e kemi pasur. Nuk ka asnjë ndryshim. Nga një orë e gjysmë në mëngjes, drekë dhe darkë. Për të paguar plot paguajmë mbi 25 mijë lekë çdo muaj. Shto këtu edhe ujin që blemë për të pirë, sa qimet e kokës e paguajmë ujin”.
Të njëjtën gjë pohon edhe Alba Skifteri. Ajo banon në zonën e Brrylit dhe garanton se nuk ka 24 orë ujë në ditë, por vetëm me orare. “Jo nuk kemi 24 orë ujë. Me orar e kemi. Asnjë ndryshim nuk ka pasur”, thotë Alba.
Isidori është banues në Don Bosko. Ai njëkohësisht është edhe administrator i një pallati të ri në këtë zonë, ndërsa pohon të njëjtën gjë. As në Don Bosko s’ka mbërritur frymë e investimit aq shumë të pritur, për furnizimin me 24 orë ujë në ditë.
“Në mënyrë absolute jo, s’kemi ujë 24 orë. Ne kemi një depozitë të madhe në pallat dhe me atë funksionojmë, ndaj s’është që e kemi ndjerë ndonjëherë mungesën e ujit të pijshëm”, thotë ai.
Migena është pronare e një lokali të vogël në zonën e ish parkut. Edhe ajo rrëfen për Portën Vendore se nuk ka asnjë ndryshim në furnizimin me ujë në lokalin e saj. “Unë funksionoj me depozitë, se duke qenë lokal lagjeje të gjitha shërbimet edhe banakieren e bëj vetë. E di që s’ka ndryshime sepse kam mbetur sa e sa herë pa ujë duke larë filxhanët. Gjithsesi unë jam optimiste që shumë shpejt situata do të ndryshojë në Tiranë, dhe do të kemi furnizim 24 orë, pasi bashkia po punon dhe besoj do ta arrijë këtë”, thotë optimiste ajo.
Porta Vendore kontaktoi gjithashtu me banorë në zonën e Laprakë, Mine Pezës, Kinostudios, Siri Kodrës, Myslym Shyrit, e Fushës së Aviacionit ku i pyeti nëse kanë vërejtur shtim të furnizimit me ujë të pijshëm nga 16 korriku e mbrapa, por përgjigjet e tyre qenë thuajse njëzëri JO.
Pas vëzhgimit në zona të ndryshme të Tiranës, Porta Vendore i drejtoi sërish një kërkesë për informacion UKT-së dhe Bashkisë Tiranë në mes të muajit gusht ku i pyeti për detajet e këtij investimi, se sa është shtuar aktualisht orari i ujit të pijshëm pas ndërhyrjeve në Bovillë, nëse do të kishte zgjerim të hartës për shtimin dhe furnizimi me ujë të pijshëm, sa ka kushtuar investimi, dhe meqë në sajë të vëzhgimit të bërë nga Porta Vendore u konstatua se zonat që duhet të kishin furnizim me ujë 24 orë nuk e kishin ende këtë shërbim, se kur do të kenë këto zona ujë 24 orë në ditë, sipas parashikimeve të këtyre dy institucioneve. Por Bashkia Tiranë më 31.08.2020 ja delegoi këtë detyrë Ujësjellës-Kanalizimet Tiranë duke mos kthyer një përgjigje vetë për pyetjet tona.
Ndërsa në një status në rrjetin social FB në datën 17 korrik 2020, UKT shkruante se: “Nëpërmjet shtesës së re të Impiantit të Bovillës, kemi shtuar aktualisht me 40% kapacitetin e trajtimit të ujit, duke prodhuar 2500 litra/sek ujë. Janë 28 zona, rreth 500 mijë banorë në Tiranë që sot kanë furnizim 24 orë . Idetë dhe projektet tona nuk kanë të ndalur derisa të sigurojmë një furnizim 24/7 deri në vitin 2023”.
Eksperti i ekonomisë Pano Soko, i pyetur nga Porta Vendore për kostot e mëdha të këtij investimi, të cilat në fakt janë marrë borxh, tha se mbi këtë çështje duhet të hetojë prokuroria.
“Në gjykimin tim, nëse investimi nuk ka arritur objektivin e përcaktuar dhe pranuar, atëherë këtu kemi të bëjmë me një vepër penale dhe do të duhet prokuroria të hetojë ku shkuan lekët dhe pse ky investim dështoi të jepte produktin e parashikuar. Duhet kuptuar që këto lekë janë marrë borxh. Dhe janë marrë borxh në një kohë kur Shqipëria po mbytet nga borxhi i madh, në kuptimin e parë të fjalës. Ato lekë do të paguhen plotësisht nga qytetarët dhe do të paguhen në një kohë kur e kanë rripin të shtrënguar deri në fund, si pasojë e krizës. Nuk e kemi luksin të tolerojmë asnjë lek që merret borxh dhe nuk e jep produktin e parashikuar”, tha eksperti i ekonomisë Pano Soko.
Eksperti: Bovilla ka nevojë për rritje të sasisë së ujit në rezervuar! Mbishfrytëzimi do të sjellë probleme
Klodian Zaimi me profesion inxhinier hidrolog, ekspert mjedisi për çështjet e ujit e vlerëson pozitivisht investimin e qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës në impiantin e ri të Bovillës, teksa shton se kishte ardhur koha për një projekt të tillë, pasi impianti i mëparshëm ishte amortizuar dhe kishte kapacitet të kufizuara.
“Për mendimin tim, ishte një investim i nevojshëm jo vetëm si kapacitet, por edhe si linjë transmetimi, pasi pjesa ekzistuese ishte konsumuar. Ishte në gjendje shumë të keqe kjo linjë e vjetër. Dhe linja dytësore që u bë tani ishte krejtësisht e domosdoshme edhe për shkak të amortizimit të linjës së vjetër, por edhe për shtimin e kapacitetit të dërgimit të ujit në impiant. Tani do kemi një furnizim më të mirë të të gjithë qytetit të Tiranës, pasi disa zona nuk kishin mundësi të furnizoheshin”, thotë Zaimi për Portën Vendore.
Por problemin, eksperti e sheh te sasia e ujit që ka rezervuari i Bovillës. Ai mendon se duhen hartuar projekte e studime për të gjetur mënyra për të shtuar sasinë e ujit në Bovillë pasi në të ardhmen do të rritet edhe më shumë nevoja për konsum dhe për furnizim me ujë e Tiranës.
“Unë kam mendimin tim personal se ndoshta edhe vetë Bovilla që është shumë e rëndësishme për Tiranën, por ndoshta edhe për një pjesë të Durrësit në një kohë të afërt, ka nevojë të rishihet për pjesën e shtimit të kapaciteteve të saj, të sasisë së ujit që ka në rezervuar. Një qytet modern si Tirana do ketë nevojë për sasi më të mëdha uji, duke parë edhe sasinë e ujit për banor që pritet të përdoret në të ardhmen apo qoftë edhe me normat e tanishme që do furnizohet me 24 orë ujë në ditë disa zona të Tiranës. Është pak e vështirë që vetëm sasia ekzistuese e kapacitetit të rezervuarit të Bovillës të përballojë nevojat në rritje. Pra kërkohen disa projekte dhe disa studime të tjera sepse vetë vendi ynë nga të gjitha projeksionet për ndryshime klimatike, ndërsa parashikohet që resurset ujore të kenë një zvogëlim. Nga ana tjetër ne po kërkojmë një mbi shfrytëzim të lartë të një baseni siç është pjesa e basenit të Bovillës me një kapacitet të rritur, gjë që do na tregojë në vitet në vijim nëse do të mjaftojë kjo sasi uji e këtij baseni ujor, por mund të krijohen disa opsione si futja e ujit nga basene të tjera. Edhe për vetë zhvillimin e Tiranës do kemi rritje të kërkesës për ujë”, shpjegon eksperti Zaimi. Ai thotë se brenda këtij 10-vjeçari duhet të gjenden resurse të tjera ujore për furnizimin me ujë të Tiranës. “E shoh pak problem që brenda këtij dhjetëvjeçari të shihen mundësi të tjera, të gjetjes së resurseve ujore të përdorimit të ujit për Tiranën pasi këto që kemi do të jenë të pamjaftueshme. Biles mund të krijojë probleme edhe tani sepse u zhvillua procesi i dyfishimit të kapacitetit transmetues, por nuk janë bërë studimeve të thelluara për rezervat ujore të vetë digës së Bovillës, pasi do krijohet një mbi shfrytëzim. Mbase nuk do të shihet këtë vit sepse tani po fillon të shfrytëzohet. Ky mbi shfrytëzim i Bovillës do krijojë probleme në shfrytëzimin e sasisë sepse kjo deri diku mund të jetë e kontrollueshme, pra duke pasur periudha kufizimesh. Por tjetër problem është se kur krijon mbi shfrytëzim krijon probleme të cilësisë së ujit në rezervuar, që kanë të bëjnë me sedimentet apo me problemet e algave” thekson eksperti Klodian Zaimi për Portën Vendore.
I pyetur për cilësinë e ujit në kryeqytet eksperti thotë se ajo është e garantuar në impiant, ndërsa problemet mund të krijohen gjatë shpërndarjes në rrjet, por pohon se ka pika monitorimi dhe kontrolli.
“Pjesa e cilësisë së ujit është e garantuar në pjesën e trajtimit të ujit në rezervuarit në Bovillë. Aty është i garantuar uji pasi është një proces teknologjik që kalon në të gjitha stadet e veta dhe në impiant cilësia është e garantuar. Por ajo që unë mendoj është se me rritjen e mbi shfrytëzimit të impiantit shpeshherë në periudha të thata, për vetë faktorët klimatikë dhe biologjikë dhe uljes së sasisë së ujit në rezervuar mund të shfaqen probleme në cilësinë e ujit te rezervuari i Bovillës gjë që shkakton probleme te impianti poshtë. Dmth rrit sasinë e reagentëve ose kohës që i duhet ujit për t’u trajtuar dhe krijon rritje të kostos së trajtimit. Por pasi kalon në impiant cilësia e ujit është e garantuar. Pasi çfarë ndodh pastaj në rrjetin shpërndarës është një problem tjetër. Në qytete të mëdha ka probleme. Por ka pika kontrolli ku bëhet një monitorim i mostrave të ujit që merren në mënyrë të vazhdueshme dhe përcaktohet se si është cilësia e ujit në pika të ndryshme”, thotë eksperti.
Ai thotë se investimi i bërë aktualisht në Bovillë mund të garantojë 24 orë ujë në ditë për një pjesë të Tiranës, por problem shikon të ardhmen dhe resurset e ujit që ka Bovilla për të cilat shpjegon se nuk do të jenë të mjaftueshme dhe për këtë duhen marrë masat që tani.