3 shtator 2020/ Xhemil Beharaj/ Porta Vendore/ Mallakastër
Mes përplasjeve dhe tensioneve të shumta, naftëtarët e Ballshit kanë arritur të marrin premtimin se do të fillojë puna që të përpilohen kontratat kolektive sipas sektorëve të Uzinës së Përpunimit të Naftës. Punonjësit janë mbledhur para uzinës që në orën 10.00 të paradites, kur ishte lënë takimi me përfaqësuesit e kompanisë private, por këta të fundit janë paraqitur me vonesë. Kjo ka shkaktuar irritim dhe mosbesim te naftëtarët, të cilët janë përplasur me forcat e policisë. Më pas, një përfaqësi e tyre ka hyrë në takim me përfaqësuesit e kompanisë dhe është rënë dakord për nënshkrimin e kontratave kolektive. Po ashtu është rënë dakord që atyre tu paguhen 10 muaj paga të prapambetura dhe 13 muaj sigurime shoqërore.
Naftëtarët e Ballshit i janë rikthyer protestave për pagat e prapambetura mëngjesin e së enjtes (3 shtator), ndërkohë që u ishte premtuar një takim me përfaqësuesit e kompanisë që ka marrë në administrim këtë Uzinë të Përpunimit të Naftës.
Naftëtarët janë shprehur se nëse nuk paraqiten përfaqësuesit e kompanisë, ata do të marrin vendim në këshill sindikal për veprimet e mëtejshme. Ndërsa përpara uzinës kishte prezencë edhe të policisë, ku veç forcave të komisariatit, ka pasur dhe Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë.
“Ashtu siç kemi ndjekur në vazhdim kohët e fundit gjithë përpjekjet e punëtorëve që është prezantuar në rafinerinë tonë në firmën Allun. Ne jemi për një zgjidhje emergjente dhe dypalëshe. Unë habitem që kanë ardhur kaq shumë forca policore këtu. Rafineria është e jona, pasi ne jemi ulur disa herë në bisedime me përfaqësuesit e kompanisë dhe tani presim vendimet dhe marrjen e masave. Prej 11 muajsh ne jemi në protestë dhe partitë politike heshtin për çështjen ARMO. Kjo është çështje e politikës që ne kemi mbetur pa zgjidhje, nëse ata do të donin një orë e më parë, kjo çështje do të merrte zgjidhje”, tha naftëtari dhe përfaqësuesi i sindikatës Sokol Dautaj.
Punonjësit e kësaj rafinerie ishin kontaktuar që një ditë më herët nga përfaqësues të firmës Allun për firmosjen e kontratave individuale. Naftëtarët kërkojnë 10 muaj paga të prapambetura dhe 13 muaj sigurime shoqërore. Ata shprehen se uzina nuk mund të punojë pa ta, pasi ata janë pjesë e saj prej 30 vitesh dhe nuk do të lejojnë pazare të kompanive me jetën e tyre.
Por teksa ishin shumë pranë humbjes së shpresës për një takim të premtuar me përfaqësuesite kompanisë ALLUN, këta të fundit u paraqiten rreth orës 11:30 në uzinë ku takuan një përfaqësi të punëtorëve. Ardhja e tyre me vonesë ka irrituar punonjësit dhe ka shkaktuar mosbesim tek ata, duke shkaktuar përplasje me forcat e policisë, që kishin marrë në mbrojtje Uzinën e Përpunimit të Naftës Ballsh. Një përfaqësi e naftëtarëve kanë hyrë në takim me përfaqësuesit e kompanisë, duke diskutuar mbi vazhdimësinë e procesit.
Që në janar sindikata ka dhënë dy zgjidhje, opsioni i parë ka qenë që rafineria të vihej në punë dhe opsioni i dytë ka qenë që të mbyllej rafineria dhe t’u jepej punëtorëve gjithë detyrimet e prapambetura.
Pas takimit, Dautaj tha se që sot do fillojë firmosja e kontratave individuale ndërsa paga do të kalojë në bankë.
“Nga përfaqësia e punëtorëve iu kërkua kompanisë që të mbajë premtimin që është folur edhe gjatë takimeve të mëparshme, për firmosjen e kontratës individuale provizore për të gjithë punonjësit. Njëkohësisht nuk do hyjë askush në remont pa dhënë pagën që është premtuar nga kompania, nëpërmjet llogarisë bankare”, përfundoi përfaqësuesi i sindikatës së naftëtarëve. Po ashtu, në takim mësohet se është rënë dakord dhe për nënshkrimin e kontratave kolektive sipas sektorëve të Uzinës.
Naftëtarët e Ballshit kanë mbi 11 muaj që protestojnë për të drejtat e tyre, ku protesta e fundit ka qenë para një jave për mos marrjen e pagave të prapambetura, ndërsa më 24 korrik, ata protestuan para Bashkisë së Mallakatrës. Në shkurt 2020, naftëtarët e Ballshit u futën në grevë urie për rrogat e prapambetura, ndërsa iu rikthyen punës pasi u njoftuan se një kompanie e re do të merrte në administrim rafinerinë dhe se do të gjendej mundësi për pagesat e tyre të prapambetura. Rafineria e Ballshit ka vite që has probleme në keqmenaxhimin e saj, duke krijuar shqetësim të madh tek qindra punëtorë që e kanë të lidhur jetën pazgjidhshmërisht me këtë punë, ndërsa punojnë tek një nga sektorët kyç të ekonomisë shqiptare.