3 shtator /Bledar Gilaj/ Porta Vendore/ Kurbin
Ura e Zogut e shpallur si Miss Ballkani në vitin 2001 në një konkurs mbarëkombëtar, për vlerat e saj arkitekturore dhe inxhinerike rrezikon të dalë jashtë funksionit dhe të shembet totalisht si shkak i dëmtimit të këmbë vetë urës, ndërkohë që autoritetet e kanë lënë në harresë duke bërë që ura të degradojë totalisht megjithëse e shpallur monument kulture.
E ndërtuar në vitin 1927, Ura e Zogut e ndodhur mbi lumin Mat e që lidh Lezhën me Kurbinin rrezikon të shembet nga dita në ditë, pasi ndër vite mosvënia dorë e shtetit ka bërë që ajo të marrë krisje dhe çarje gjatë gjatësisë së saj, ndërsa dora e keqbërësve herë pas here ka ndërhyrë në të duke i vjedhur hekur e duke “zhveshur” pak nga pak për ta shitur për skrap. Ura me harqe kategorizohet si monument kulture i kategorisë së parë që prej vitit 1999.
Edhe pse monument i rëndësisë së veçantë, kjo urë nuk ka tërhequr dot përgjatë të gjithë viteve të demokracisë, e sidomos gjatë dekadës së fundit, vëmendjen e institucioneve, për të ndërhyrë kështu në rikonstruksionin dhe ruajtjen e saj.
“Ura ka qenë në rregull, ndërsa në hyrje të demokracisë filloi vjedhja e hekurit në urë. Kjo urë lidhte gjithë zonën e veriut, se më përpara kjo rrugë është përdorur për Shkodër”, thotë një banor i vjetër i zonës.

Ndërsa një banor tjetër tregon se këtë urë e ka përshkuar çdo ditë të jetës së tij për 30 vite rresht, pasi punonte në atë kohë kur ishte djalë i ri para viteve 90’në Shkodër si mjek dhe ndaj kalon këtu edhe sot e kësaj dite për nostalgji.
“Pamja e dikurshme me pamjen sot nuk mund të krahasohen, pasi janë si dita me natën. Unë kaloj këtu sot për nostalgji, pasi me të vërtetë për kohën ka qenë një urë shumë e bukur, dhe mendoj se jo vetëm për atë kohë por edhe për këtë kohë, kjo mbetet një nga ura më të bukura që ka Shqipëria, por për fat të keq është lënë në harresë dhe po shkon drejt degradimit”, thotë Agustini për Portën Vendore i indinjuar me instancat shtetërore që nuk kanë mundur të bëjnë dot gjë për Urën e Zogut.
Këmbët e urës kanë dalë në sipërfaqe nga gërryerja që i është bërë lumit Mat duke marrë inerte, ndërsa elementet metalike janë zhveshur nga ato të betonit, duke bërë që e gjithë pesha të qëndrojë mbi hekura.

Ajo gjendet në të djathtë të rrugës që të çon në Mirditë, në të dyja ekstremet e lumit Mat. Që me ndërtimin e rrugës së Kombit, ura nuk u përdor për kalimin e mjeteve, por kjo urë ka vlerë arkitekturore.
Vetë Ahmet Zogu ishte ideatori i ndërtimit të kësaj ure shumëfunksionale, sidomos për kohën. Sot, ura me harqe ose e quajtur ndryshe, “Ura e Zogut” mbi lumin Mat, po shkon drejt shkatërrimit të plotë.

Paulin Zefi, historian dhe specialist i monumenteve të kulturës në Qarkun e Lezhës tha për Portën Vendore se ky objekt ka vlera të paçmueshme monumentale, muzeore dhe historike.
“Jo vetëm asokohe, por edhe në ditët e sotme, ky objekt impresionues konsiderohet si një arritje e shënuar në fushën e ndërtimit të veprave të artit dhe konstruksioneve metalike apo prej betoni të ndërtuara mbi lumenjtë e kontinentit Europian. Kjo urë cilësohet si një nga veprat e para inxhinerike moderne të shekullit XX, e cila kur u ndërtua nuk kishte simotra në Ballkan dhe përveç gjatësisë së konsiderueshme, veçantia e saj lidhet kryesisht me strukturën arkitekturore, stilin e harqeve dhe lokalitetin mjaft piktoresk në të cilin ndodhet. Janë elementët e shumtë arkitekturorë, funksionalë dhe estetikë, por edhe vjetërsia (93 vjeçare), të cilët i japin asaj një vlerë të paçmueshme monumentale, muzeore dhe historike. Personalisht kam ngritur zërin shumë herë në Media, duke iu bërë apel institucioneve shtetërore përgjegjëse për mbrojtjen dhe administrimin e saj, sepse amortizimi i vazhdueshëm, rrënimi apo qoftë larg, shembja eventuale e këtij Monumenti Kulture me vlera kaq të çmuara, do të ishte një humbje shumë e madhe, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për vetë Trashëgiminë Kulturore Europiane në përgjithësi”, tregon ai.
Ura ka një gjatësi prej 480 metra dhe me 5 harqe, por në kohën kur u ndërtua dhe deri në nëntor të vitit 1944 kishte 6 harqe, gjithsecili me gjatësi 54 metra, të cilët mbulonin 324 m ose 67.5% të gjatësisë totale.
Pal Trashaj, pjesë e Forumi i Trashëgimisë Kulturore, është shprehur se po humb një nga vlerat me të rralla të trashëgimisë Kulturorë dhe Historike si pasojë të papërgjegjshmërisë dhe inekzistencës së shtetit.
“Kjo është ura që ka lidhur dy botë veriun dhe jugun. Aty tek ura është një pllakat që thotë ‘Monument kulture, mbrohet nga shteti’, kurse unë do thosha duhet ‘Monument kulture po shkatërrohet nga shteti’. Kjo urë ka degraduar për shkak të firmave të papërgjegjshme, të cilat gërmojnë zhavorr dhe ka shkuar niveli i lumit Mat mbi 6-7 metra. Ky nivel ka bërë që këmbët e urës të jenë të ekspozuara më shumë ndaj faktorëve gjeografikë”, ka rrëfyer Pal Trashaj nga Forumi i Trashëgimisë Kulturore.
Ai tregon se kjo urë me mbështetjen e ambasadës gjermane në vitin 2001 është rikonstruktuar dhe e bënë model. Por në vitin 2004, ajo ka degraduar sërish.
“Ura është shpallur në vitin 2001 në një konkurs mbarëkombëtar si Miss Ballkani, për vlerat arkitekturore dhe inxhinerike. Kjo urë do të mbetet shumë shpejt, ‘Na ishte njëherë’, duke humbur kështu bashkë me të edhe vlerat e inxhinierëve italianë, që e kanë projektuar. Kjo urë mund të shembet me sekonda, jo me javë e me ditë. Kjo kryevepër nuk mund të baltoset. Bota i ruan këto atraksione”, është shprehur Trashaj.
Nëse kjo urë do të mirëmbahej, kjo urë mund të ishte pa frikë një atraksion mbarëkombëtar, pasi është e rrallë në llojin e saj në Ballkan. Ndërkohë, njëri nga zbatuesit e projektit ishte inxhinieri lezhjan, Gjovalin Gjadri.
“Sigurisht që kjo urë monumentale mund të shpëtohet dhe e vetmja mënyrë për ta shpëtuar është marrja e masave sa më shpejt që të jetë e mundur, duke nisur nga konsolidimi i strukturave mbajtëse (këmbëve të urës) dhe më pas me ndërtimin e një platforme (dige) për të niveluar inertet e shtratit të gjerë të lumit Mat deri sa niveli i zhavorrit të arrijë në kuotën e para viteve ‘90. Po ashtu, edhe harqet së bashku me elementët e tjerë përbërëse të kësaj ure, kanë nevojë emergjente për ndërhyrje në konsolidimin dhe konservimin e tyre. Parmakët metalikë, të cilët janë vjedhur për t’u shitur për skrap, duhen zëvendësuar. Po ashtu, pjesa veriore e urës që lidhet me territorin e Lezhës, në fshatin Pllanë, duhet rikonceptuar e gjitha në mënyrë që këtu të zbatohet një projekt i ri dhe sa më dinjitoz, ku zgjidhja më e përsosur do të ishte rindërtimi i harkut (harku fillestar) sipas tipologjisë së 5 harqeve ekzistuese, të cilin e kanë hedhur në erë me eksploziv trupat naziste gjermane në muajin nëntor të vitit 1944”, sugjeron historiani.
Në lidhje me një projekt të mundshëm për këtë vlerë të trashëgimisë sonë , Porta Vendore i kërkoi Ministrisë së Kulturës nëse ka një plan konkret për rikonstruksionin dhe rimëkëmbjen e saj, sa kushton projekti dhe kur pritet të fillojë nëse ekziston një projekt i tillë.
“Në vijim të kërkesës suaj për informacion nëse Ministria e Kulturës disponon një projekt konkret për rikonstruksionin e Urës së Zogut, ju bëjmë me dije se: Ura e Zogut gëzon statusin pasuri kulturore me emërtimin ‘Ura e Matit’, monument kulture kategoria I, shpallur me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 313, datë 08.07.1999. Aktualisht Ministria e Kulturës, nëpërmjet institucioneve e saj të specializuara, nuk ka të hartuar asnjë projekt për rikonstruksionin e pasurisë kulturore të sipërcituar”, shprehet Ministria e Kulturës.
Ura e Zogut është pjesë e territorit të Bashkisë Kurbin, ku është një nga 4 monumentet e kulturës që ka kjo bashki. Ndërsa Lezha në nivel qarku numëron rreth 33 monumente të pasurisë kulturore.

Ura e Zogut është një nga më të veçantat në Shqipëri e jo vetëm për strukturën e saj arkitekturore. Stili i harqeve i japin asaj vlerë muzeore të pazakontë, e cila është vlerësuar ndër vite nga arkitektët shqiptarë e të huaj, kjo edhe për vetë faktin se kjo urë është projektuar nga një inxhinier italian dhe pothuajse e gjithë baza materiale u soll nga italianët. Ato vite ajo ishte një portë e domosdoshme për të hyrë në Shqipërinë e epërme që përfshin Shkodrën, Lezhën, Mirditën, Tropojën, Kukësin, Pukën etj. Sipas shtypit të kohës, ura është ndërtuar brenda një viti dhe dallohej për madhështinë e saj.