Ndodhi

Pandemia nuk frenon lejet e ndërtimit

1 shtator 2020/ Aurora Sulce/ Porta Vendore

Ndërtimi në Shqipëri nuk pyet për pandemi. Bashkitë kanë vijuar dhënien e lejeve të ndërtimit edhe në tremujorin e dytë të këtij viti, që përfaqëson edhe pikun e goditjes së koronavirusit në vendin tonë. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në këtë periudhë u dhanë 209 leje ndërtimit, në rritje 14% krahasuar me tremujorin e parë.

Të dhënat e detajuara tregojnë se rritja më e ndjeshme ka ardhur kryesisht nga rritja e numrit të lejeve jashtë qarkut të Tiranës. Në Durrës, Elbasan, Berat, Fier, Shkodër, Lezhë dhe Dibër numri i lejeve është rritur krahasuar me tremujorin e parë. Kështu, Bashkia e Durrësit ka dhënë 27 leje ndërtimi, ajo e Elbasanit 24 leje, pushteti vendor në Berat ka dhënë 10 leje ndërtimi, Shkodra 18 leje ndërtimi, Lezha 12 leje dhe Bashkia e Dibrës ka dhënë 11 leje. Ndërkohë, qarku i Tiranës ka regjistruar një rënie të lejeve me 25% krahasuar me tremujorin e parë. Në tremujorin e dytë të këtij viti, bashkia e kryeqytetit ka dhënë 63 leje ndërtimi nga 84 të dhëna në tremujorin e parë. Por pavarësisht kësaj, Tirana vazhdon të dominojë numrin e përgjithshëm të lejeve të ndërtimit, me 30% të totalit. Bashkia e vetme që nuk ka dhënë asnjë leje ndërtimi ka qenë ajo e Kukësit.

Ndonëse lejet e ndërtimit kanë shënuar rritje kundrejt tremujorit të parë, në bazë krahasimore ato janë në rënie kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i tyre rezulton 38% më i ulët se ai i lejeve të ndërtimit dhënë në tremujorin e dytë të vitit të kaluar.

Pjesa dërrmuese e lejeve të ndërtimit, të dhëna në kulmin e pandemisë kanë qenë për ndërtime për banim (rezidentë). Këto zunë edhe 63.2% të totalit të lejeve të kësaj periudhe, pasuar nga 24.8% e lejeve dhënë për punime inxhinierike dhe 12% për ndërtesa të tjera (jo rezidentë).

Eksperti Rrezart Prifti, pedagog në Fakultetin e Ekonomisë, e sheh me shqetësim fluksin e dhënies së lejeve të ndërtimit. Sipas tij, kjo lidhet me vizionin që ka pushteti vendor për të zhvilluar qytetet, por edhe me rolin e institucioneve për të kontrolluar financimin e këtyre projekteve. “Për sa i përket bashkive si institucione vendimmarrëse dhe të ndikuara drejtpërdrejtë nga ky aktivitet janë dy kahe paradoksale. E para, ka të bëjë me vizionin sesi këta vendimmarrës e shikojnë zhvillimin e qytetit. A ka nevojë më Tirana për ndërtim? A është racionale të ndërtohet më në këtë formë që po ndërtohet dhe në ato vende që po ndërtohet? Teorikisht, një ekspert asnjanës do të thoshte se këtë e vendos tregu, nëse ka nevojë për ndërtim. Si ekspert ekonomie kam qenë kategorikisht kundër ndalimit të lejeve të ndërtimit që propozoi kandidati për kryetar bashkie i atëhershëm, kryetar sot. Kjo për principin e thjeshtë se është vendimmarrje e tregut, nëse ka nevojë atëherë do të ndërtohet dhe është një industri që prodhon një zinxhir zhvillimi ekonomik të konsiderueshëm. Por, bashkia si vendimmarrëse ka për detyrë që të përcaktojë rregullat e lojës, institucionet hetimore dhe financiare të kontrollojnë sesi po financohen këto projekte. Thënë këtë, këtu nuk funksionon me logjika e tregut, por ajo e të fortit”, shprehet për Prifti për Porta Vendore.

Por ka edhe një tjetër arsye të fortë pse bashkitë nxiten të japin sa më shumë leje ndërtimi. Kjo lidhet më taksa e ndikimit në infrastrukturë që duhet të paguajnë firmat për çdo leje, të ardhurat nga të cilat janë burimi kryesor i mbushjes së arkës së pushtetit vendor.

Këto leje ndërtimi janë burim të ardhurash të mëdha, duke marrë parasysh dhe rritjen e konsiderueshme të taksave dhe mënyrën e vjeljeve së tyre. Pra, si logjikë ekonomike për një organizatë që kërkon të gjenerojë të ardhura, rritja e numrit të lejeve është racionale. Por me sa kosto shoqërore dhe jetësore afatgjatë po bëhet kjo?”, argumenton eksperti i ekonomisë Rrezart Prifti.

Sipas raportit të Financave Vendore, publikuar nga Coplan dhe Ministria e Financave, në tremujorin e parë të këtij viti (kjo është e dhëna e fundit zyrtare) u mblodhën nga taksa e ndikimit në infrastrukturë rreth 1.7 miliardë lekë, në rritje me rreth 27.6% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Përjashtuar të ardhurat për këtë taksë nga bashkia Tiranë, 60 bashkitë e tjera në vend mblodhën rreth 329.5 milionë lekë, në rënie me rreth 46.1% në terma vjetorë.

Me fluksin e lejeve të reja që kanë dhënë, bashkitë e kanë të siguruar një burim të ardhurash, aq shumë të dëshiruar në këtë periudhë, kur nuk pritet të ketë rritje të transfertës, (nuk pati në rishikimin e buxhetit që u bë në korrik), pasi vëmendja e qeverisë dhe fondet e buxhetit janë të përqendruara tek përballimi i pandemisë dhe krizës ekonomike që po e shoqëron atë.