1 shtator 2020/ Xhemil Beharaj/ Porta Vendore/ Fier
Zyra Ramadani është një nënë e ve, e cila ka tre fëmijë në moshë të rritur të sëmurë me epilepsi. Dy prej tyre përfitojnë KEMP, ndërsa i treti, i cili është në gjendje dhe më të rëndë, pasi nuk mund të lëvizë nga krevati dhe rri gjithmonë brenda, nuk e përfiton. Në kushte ekstreme varfërie, nënë Zyraja apelon për ndihmë, duke kërkuar dhe një pagesë për kujdestare, ndërsa institucionet justifikohen me faktin se djali i tretë nuk përfiton KEMP, pasi ai nuk paraqitet në komision.
E vetme dhe pa asnjë mbështetje, Zyra Ramadanit, 70-vjeçares nga Peshtani i Fierit, i është dashur të sorollatet sa në njërën zyrë në tjetrën për t’i lidhur KEMP-in fëmijëve të saj, të cilët kanë probleme shëndetësore
“Unë kur erdha tek burri kam qenë 15 vjeçe. Kam pasur 6 fëmijë, 5 djem dhe 1 vajzë. Një djalë më ka vdekur. Vajzën e kam të martuar në Vlorë, por edhe ajo si mua është, e këputur nga gjendja financiare. Ndërsa një djalë e kam në Greqi të martuar, por s’para më vjen ai mua, vjen shumë rrallë, kur t’i teket”, tregon Zyraja, duke psherëtirë brengat që vetëm shpirti ia di.
Sipas saj, fëmijët e kanë trashëguar sëmundjen e tokës nga njerëzit e bashkëshortit. “E kishte vjehrra ime si sëmundje, pastaj bashkëshorti im dhe kunata. Ata kanë ndërruar jetë para disa kohësh, dhe ia trashëguan edhe 3 djemve të tjerë”, vijon ajo.
Pas shumë përpjekjesh të saj, dy nga djemtë, përkatësisht të moshës 34 dhe 35 vjeç marrin KEMP-in, ndërsa djali i vogël, 33 vjeç, që nuk lëviz, e ka zënë krevatin prej vitesh, nuk e merr.
“Nga 100 mijë lekë KEMP marrin të dy. Me borxhe ia kam dalë, se kemi nevojë për ilaçe. Nuk më lënë pa ushqime. Dritat i kam me kamatëvonesë. Nga fshati ndihma kam pasur sidomos në ditën që më vdiq djali i madh, 47 vjeç. 9 mijë lekë të vjetra në xhep kam pasur ditën që ai vdiq. Fshati ma hoqi hallin dhe vëllai im i madh”, tregon ajo e përlotur dhe me zërin që i dridhet nga emocioni.
E rritur jetime, ajo rrëfen se e gjithë jeta e saj ka qenë mes vuajtjesh, sakrificash dhe pengjet e një jete të pajetuar siç ajo do të kishte dashur. Edhe pse 70-vjeçarja u shërben tre djemve të sëmurë, ajo nuk e merr shpërblimin e kujdestarisë.
“Kam vuajtur shumë. Kanë ndenjur 13 vite muret e dhomave gjysmë të ngritur me blloqe. I çova fotot Bashkisë Fier që të më ndihmonte me ndonjë gjë, por nuk më ndihmoi fare. Njerëzit më kanë ndihmuar që t’i ngre shtëpitë disi dhe me mobilje, fshati më ka ndihmuar.
Dua të kem ndonjë lekë , të bëhem edhe unë si gratë e tjera. Të iki edhe unë nga kjo jetë e qetë, por kaq më jepet mundësia”, thotë Zyraja ndërsa vijon të rrëfejë mbi jetën e saj të vështirë.
“Lodhem se janë tre persona që duhet t’u shërbej, t’i laj dhe shpëlaj. Ka pasur raste që edhe me polici ka shkuar puna e fëmijëve të mi. Kur e morën vesh që djali ishte me epilepsi, ma lanë të lirë, s’ma morën”, thotë e moshuara për Portën Vendore.
“Djemtë i kam rritur me të keq, duke bredhur sa dyerve të doktorëve, ashtu dhe zyrave të shtetit”, pohon e moshuara. “Nuk më ndihmonte njeri. Edhe pse më ka takuar KEMP-i i djemve më kanë lodhur me burokraci”, vijon së rrëfyeri ajo.
Teksa ditët i lënë vendin javëve, e javët muajve, një nga gjërat që e frikëson më shumë këtë nënë të vetme me një mijë halle në kokë, është koha kur ajo të mos jetë më. Pyetja që e mundon është se kush do t’i ndihmojë dhe kujdeset për fëmijët e saj.
“Më ka ndihmuar fshati më çfarë kanë mundur”, thotë ajo. –“Jam në borxhe në dyqane në fshat e në Fier, kur i bëj lekët, i shlyej pjesë-pjesë. Edhe me shtëpinë ku jetojmë, të afërmit e burrit e të mi më kanë ndihmuar. Po ashtu edhe orenditë brenda, ndihma e tyre ka qenë”, vijon Zyraja.
Ajo rrëfen për Portën Vendore mes dëshpërimit se kur tre djemtë e saj pësojnë kriza, një nipi i burrit me shtëpi aty pranë, i vjen në ndihmë.
Komshinjtë e bashkëfshatarët e familjes pohojnë se fshati ia di hallet e nevojën. Dhe ata sa kanë pasur mundësi i janë gjetur pranë me ndihma, orendi e ushqime.
“Janë në hall të madh si familje. Ne si fshat e kemi ndihmuar të gjithë, me aq sa kemi pasur mundësi. Ajo ka nevojë për çdo gjë”, tregon Laver Duraj, fqinj i Zyrasë. Ai ia njeh mirë hallet dhe brengat kësaj familjeje. Madje, ai na rrëfen gjithashtu se njëri prej djemve qëndron i mbyllur në shtëpi ditë-natë, nuk del qoftë edhe për të parë një çast dritën e diellit.
“Këtë s’e ndihmon asnjëri. Edhe kur vijnë shpërndajnë ushqime, tek Zyraja nuk vijnë. As gjatë pandemisë nuk i dhanë asnjë pako ushqimore. Ne si fshat i çojmë ndonjë gjë, që i mban kalamajtë me bukë. Njeri s’i ndihmon, shtet nuk ka, ça të bëjnë ata, të vetëm. Sa herë që i dëgjoj që kanë kriza, vrapoj që t’i ndihmoj, s’mund t’i lë të vriten”, thotë Luan Hasaj, një tjetër banor i fshatit Peshtan, ndërsa shpjegon se asnjë prej 3 djemve nuk është i aftë për punë. “Ata vetëm hanë e pinë dhe rrinë aty brenda. Kaq! As janë për punë, as për gjë”.
70-vjeçarja nga fshati Peshtan i njësisë administrative Frakull në Fier nuk nguron të bëjë një apel. Zyraja kërkon ndihmë nga shteti, pasi gjendja e saj ekonomike është e keqe dhe jeton prej kohësh në mjerim të plotë. E lodhur nga burokracitë dhe shpërfillja, ajo nuk di më ku të adresohet që të mund të përfitojë KEMP për djalin e tretë të sëmurë si dhe pagesën e saj si kujdestare, duke qenë se ajo nuk mund të bëjë asgjë tjetër, pasi gjatë gjithë kohës duhet të kujdeset për ta.
Në lidhje me problemin në fjalë, e kontaktuar nga Porta Vendore, Bashkia Fier pretendon se zonja Ramadani është trajtuar me ndihma ushqimore gjatë kohës së pandemisë, jo një herë por disa herë, pavarësisht se kjo mohohet nga vetë ajo dhe fqinjët e saj. “Emri i saj figuron në listat e ndihmave që ka shpërndarë bashkia. Madje zonja Zyra Ramadani merr një pension. Ajo ka tre djem të sëmurë, por ka rregulla që funksionojnë në bazë të ligjit. Tre djemtë e saj janë të sëmurë të lindur. Njëri merr pension invaliditeti sepse shkon e vizitohet dhe rifreskon dokumentet rregullisht. Djali tjetër kur paraqitet për vizita para komisionit dhe kryen rifreskimin e dokumenteve, e merr atë. Kur nuk paraqitet nuk e merr, ndërsa djali i tretë nuk paraqitet për vizita asnjëherë dhe detyrimisht që nuk e përfiton”, thonë burimet zyrtare të Bashkisë Fier për Portën Vendore.
Por askush nuk flet për mundësinë e paraqitjes së tyre në komision. Nëna Zyra shprehet se ajo mundohet që të bindë djalin të paraqitet në komision, por atë mund ta kapin krizat. “Djalin e kapin krizat dhe ata më thonë se nuk paraqitet në komision. Ndërsa djali tjetër nuk lëviz nga krevati, si mund të paraqitet ai në komision”, shprehet ajo, me zërin e saj të pafuqishëm që kërkon ndihmë.
Për këtë arsye, Porta Vendore iu drejtua gjithashtu edhe Shërbimit Social Shtetëror Fier ku drejtorja Mirela Pitushi, pohoi faktin se duhet parë dosja se çfarë kategorie kanë përfituar nga komisioni i KEMP-it djemtë. “Nëse ata marrin kategorinë e parë, mamasë së tyre i takon ndihma e kujdestarisë, në rast të kundërt nuk e përfiton. Kjo varet dhe si e përcakton komisioni i mjekëve të KEMP-it, por jo ne si drejtori”, përfundon Pitushi. Megjithatë, asnjë institucion nuk jep shpjegime sesi nuk studiohet dosja e kësaj familje për t’i ardhur më shumë në ndihmë, si një mision ndaj të sëmurëve.
Megjithatë, Porta Vendore me anë të burimeve të saj mësoi se familja Ramadani trajtohet me KEMP për kategorinë e dytë, ndaj nëna e tre fëmijëve të sëmurë, nuk përfiton pagesën e kujdestares. Portës iu premtua nga Shërbimi social Fier se çështja e kësaj familjeje do të rishikohet në momentin e rinovimit të dokumentacionit për të marrë një zgjidhje definitive në favor të familjes, e cila ndodhet në vështirësi ekonomike e shëndetësore.
Me shpresën se kjo familja do të trajtohet me ndihmën e KEMP-it edhe për djalin e tretë dhe Zyraja do të përfitojë nga pagesa e kujdestares, apeli jonë shkon për mbajtjen e premtimeve nga zyrtarët shtetërorë për familjen e vuajtur Ramadani.