30 gusht 2020/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore/ Durrës
Nëpërmjet një foto-reportazhit, realizuar gjatë fundjavës, Durrësi na sjell disa copëza të tij, mes detit, mes përpjekjes për rindërtim, durrsakëve pasionantë që kërkojnë të harrojnë ngjarjet e fundit të këtij qyteti, gjunjëzimin e komuniteteve vunerabël ku pandemia e Covid 19 dha një goditje finale, punimeve për një qytet më të bukur, mbetjet urbane të hedhura pa kriter, realiteteve të dyfishta, dhe punëtorë të palodhur që se njohin fjalën PUSHIM.
Procesi i rindërtimit, ndërsa ecën me hapa breshke në terren, i kujton çdo kalimtari dhe banori në zonën e ish-Kënetës tërmetin tragjik të 26 nëntorit 2019.
Muret e disa prej pallateve të lagjes nr. 3 në Durrës ende nuk i janë nënshtruar rikonstruksionit.
Rrënojat e Poliklinikës Qendrore në qytetin e Durrësit. Edhe pse ka kohë që është prishur, aty vijojnë të qëndrojnë inerte të konsiderueshme, ku ndër to edhe shufra të mëdha hekuri, ndaj banorët ndihen të rrezikuar për fëmijët e tyre.
Shkolla 9-vjeçare “Qemal Mici”, ka nisur nga rindërtimi. Ajo që të bie sy në këtë ngrehinë të re, është toka e lagësht dhe e brishtë e zonës së ish-Kënetës, ku gropat e mëdha të ujit nuk mungojnë në themelet e ngritura tashmë. Kjo shkollë u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit dhe është pjesë e listës së shkollave për rindërtim në zonën e Durrësit. Po a do të mund të mbarojë brenda këtij viti?
Kullës C në Kalanë e qytetit të Durrësit ka nisur rikonstruksionin, pas financimit prej 800.000 dollarësh të Ambasadës Amerikane për rimëkëmbjen e monumenteve të kulturës në vend. Kalaja e stilit bizantin tërheq çdo vit me mijëra vizitorë në qytetin e Durrësit.
Plazh si në vitet ‘90. Qytetit të Durrësit po i rikthehen hapësirat publike ndërsa gjatë kësaj vere dhjetëra banorë të zonës së Vollgës frekuentojnë këtë hapësirë plazhi, pranë banesave të tyre.
Kriza që Covid 19 la pas, ka sjellë një numër të shtuar familjesh në nevojë, teksa varfëria thellohet çdo ditë.
Betejat e përditshme të qindra njerëzve të qytetit për të “mbytur” zinë e bukës në kazanët e qytetit.
Në shëtitoren Taulantja vijojnë punimet për rehabilitimin e saj. Kjo shëtitore pritet të marrë një pamje të re, e cila sipas projektit do të ketë edhe ndriçim, që ka munguar më parë.
Projekti i shëtitores ishte parashikuar të zgjaste 18 muaj dhe firma është brenda afate kohore të përcaktuara. Nga Veliera e deri tek Universiteti “Aleksandër Moisiu”, pra rreth 1 km, teksa punimet vijojnë nuk lejohet kalimi i qytetarëve.
Puna për përmirësimin e infrastrukturës rrugore vijon në qytetin e Durrësit. Punëtorët e bashkisë kanë hapur një sërë kantieresh ndërtimi nëpër qytet, duke rregulluar trotuaret, “arnuar” ose rikonstruktuar rrugët problematike ose linjën e kanalizimeve. Një prej tyre është edhe rruga Egnatia. Bashkia Durrës administron një rrjet rrugor prej rreth 209 km rrugë gjithsej, ku 136 km rrugë urbane dhe 73 km rrugë rurale.
Lajtmotivi i mbajtjes pastër të ambientit shënuar me ngjyra të verdha e të dukshme pranë kontejnerëve nuk kuptohet njësoj nga të gjithë njerëzit. Pirgje të mëdha inertesh hedhura jashtë kontejnerëve në rrugën e “Epikadeve” shëmtojnë edhe më shumë pamjen estetike të qytetit.
Sërish mbetje. Kontejnerët e boshatisur qëndrojnë stoikë, ndërsa pranë tyre dergjen mbetje të ndryshme plastike e kartonë. Fotoja është realizuar pranë Gjimnazit “Gjergj Kastrioti” në Durrës.
Një pallat i braktisur nga ish pronari, për shkak se ky i fundit i konsideruar një personazh i njohur në Durrës përfundoi në burg. Ngrehina shumëkatëshe që gjendet pranë Stadiumi “Niko Dovana”, ka lënë në qiell të hapur e të zhytur në borxhe qindra familje.
Paradoksi. Dy botë në një rrugë. Një vilë e kohës së Italisë ku pavarësisht arkitekturës së veçantë, ajo ka kohë që është braktisur dhe gati në rrënim, është lënë në harresë pa asnjë mëshirë dhe mezi qëndron në këmbë përkundër gëzimit dhe ngjyrave që sjell një pallat i ri, pranë saj.
Punëtorët e sektorit të kanalizimeve, në krye të detyrës pavarësisht vendit, temperaturave dhe ditëve të pushimit.
“Aroma e çlodhjes”. Teksa tymosin nga një cigare, dy gra të komuniteti rom në përpjekje për të nxjerrë jetesën e duke ushtruar riciklimin e mbetjeve, si pak kush në këtë qytet janë në momentin e tyre të pushimit, të ulura në shkallët e një qendre bukurie.
Banorët e fshatrave përreth Durrësit zbarkojnë thuajse çdo ditë të papërtuar në rrugët kryesore të qytetit për të tregtuar produktet e tyre bio në mënyrë ambulante.
Stacioni i vjetër i biletarisë në Durrës. Heshtjen e vagonëve që nuk lëvizin prej vitesh e prish një zotëri që kalon mes për mes biletarisë së stacionit të plazhit.