Ngjarje/Personazhe

Gurë i Bardhë në Klos, fshati mes turizmit dhe HEC-eve

28 gusht 2020/ Dritan Kurti/ Porta Vendore/ Klos

Fshati Gurë i Bardhë në Klos është zgjedhur mes 100 fshatrave turistikë, por nga ana tjetër është dhënë koncesion për ndërtimin e tre HEC-eve. Kjo ka shkaktuar reagimin e banorëve, të cilët kanë protestuar, duke kundërshtuar ndërtimin e HEC-eve, ndërkohë që edhe bashkia i ka mbështetur, por deri më sot, të dyja projektet kanë mbetur në vendnumëro, nuk janë anuluar e as nuk ka nisur investimi për ndërtimin e tyre dhe kjo i shqetëson banorët për të ardhmen e fshatit.

Në fillim të vitit 2018, qeveria shqiptare miratoi një listë me 100 fshatra, në të cilët do të investohej për turizmin. Bashkitë do të ishin përgjegjëse për hartimin e projekteve infrastrukturore e për objektet me vlera historike e kulturore ku më pas do të financoheshin nga fondet e qeverisë. Në Bashkinë Klos u përzgjodh fshati Gurë i Bardhë për shumë arsye. Ky fshat ofron resurse të mëdha të agroturizmit, ndërsa mbart në të histori ndër shekuj. Në këtë fshat ndodhet Kalaja e Petralbës e njohur si rezidenca e Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Gjithashtu, fshati Gurë i Bardhë është edhe vendlindja e prozatorit të parë të letrave shqipe, Pjetër Budit.

Por në vitin 2017 në këtë fshat është miratuar një leje për ndërtimin e 3 HEC-eve në pellgun ujëmbledhës të përrenjve të Zallit të Dishit dhe të Shehut, ndërkohë që banorët e kundërshtojnë këtë projekt dhe kërkojnë anulimin e tij. Për këtë ata kanë zhvilluar disa protesta për të kërkuar që këto hidrocentrale të mos ndërtohen. Ndonëse kompania që ka marrë me koncesion ndërtimin e këtyre HEC-eve nuk ka nisur ende punën, banorët kërkojnë anulimin e lejes së dhënë. Isuf Marini, banor i fshatit thotë se kërkon mbështetjen e pushtetit vendor për të mos lejuar fillimin e punimeve.

Unë kërkoj mbështetjen e Bashkisë së Klosit, ta kemi në krah, pasi në këtë mënyrë ne do të jemi edhe më të fortë në rezistencën tonë. Po ashtu, kërkojmë që të rinjtë e fshatit që janë në emigrim të rikthehen e ta mbrojmë këtë vend i cili na rriti e na bëri këta që jemi. Fshati ynë ka resurset më të mira se çdo fshat tjetër dhe prandaj u përzgjodh ndër 100 fshatrat turistikë të vendit tonë. Për këtë arsye kërkojmë që leja e dhënë për këto HEC-e të anulohet menjëherë. Ne do të ndjekim të gjitha mënyrat demokratike për ta penguar këtë projekt dhe nuk do ta lejojmë. Nëse ndërtohen këto HEC-e, do të bëhet një vend i shkretë, ashtu si Vali i Martaneshit e kudo ku janë ndërtuar hidrocentrale të tilla”, shprehet Marini.

Isuf Marini, banor i fshatit Gur i Bardhë teksa proteston për ndërtimin e Heceve. Foto: D. Kurti

Një tjetër banore e fshatit Gurë i Bardhë, Hajrie Stafa thotë se po jetë nevoja do ta mbrojnë edhe me gjak e nuk do të lejojnë që uji i zallit të Dishit dhe Shehut të futet në tubacione. “Do ta mbrojmë me çdo kusht fshatin tonë. Nuk do të lejojmë që këtu të hidhet beton për hidrocentral, por vetëm për turizëm. Investimet i presim vetëm për turizmin. As mos t’ju shkojë nëpër mend që të vini e të filloni punë. Ne do të japim edhe jetën e një gjë të tillë nuk e lejojmë”, shprehet Stafa.

Protestës së banorëve të fshatit Gurë i Bardhë i është bashkuar edhe anëtarit i këshillit bashkiak të Klosit Kasem Muça. Ai shprehu mbështetjen e tij për ta kundërshtuar projektin, duke konstatuar se një dëm i tillë nuk i bëhet vetëm Gurit të Bardhë por gjithë Njësisë Administrative Xibër e Bashkisë Klos. “Problemi juaj nuk është vetëm juaji, por edhe i yni, që jemi nga fshatra të tjera të Njësisë Xibër. Kur themi se Guri i Bardhë është përzgjedhur ndër 100 fshatrat turistikë me vendim qeverie dhe shumë mirë është bërë. Janë marrë disa gjëra parasysh si vlerat e mëdha historike, kulturore e resurset natyrore. Pra nuk është përzgjedhur rastësisht. Këshilli Bashkiak e ka ngritur këtë shqetësim dhe të gjithë janë pro jush. Unë nuk kam ardhur këtu si përfaqësues i këshillit, por po ju them atë që është diskutuar në këshill, kur ka ardhur kërkesa juaj. Krahas protestave, rezistencës tuaj si banorë mendoj që duhet t’i shtoni edhe një betejë ligjore. Ju si banorë dhe ne si Këshillë Bashkiak, nuk jemi kundër zhvillimit, por ky zhvillim duhet të shkojë në harmoni me natyrën dhe prespektivën afatgjatë të agroturizmit. Fatmirësisht Rruga e Arbrit nuk e lë ëndërr zhvillimin e Gurit të Bardhë, por i krijon atij mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit. Dhe kur them Guri i Bardhë, e kam për gjithë zonën edhe fshatin tim Shkallën, gjithë Njësia Xibër e Bashkia Klos. Mbështetjen tonë si Këshill Bashkiak do ta keni, por duhet nisur beteja ligjore” , u shpreh me të tjerash në fjalën tij gjatë një takimi me banorët këshilltari Muça. Në mbështetje të banorëve të fshatit Gurë i Bardhë kanë dalë edhe banorë të fshatit Shkallë, si dhe ish drejtues te Njësisë Administrative Xibër.

Kasem Muça, këshilltar në Këshillin Bashkiak Klos. Foto: D. Kurti

Porta Vendore iu drejtua zyrtarisht Bashkisë Klos për të mësuar për hapat që po ndjek ajo në anulimin e këtyre lejeve për ndërtimin e dy HEC-eve në fshatin Gurë i Bardhë dhe për të mësuar se çfarë po bën ajo për këtë fshat i përzgjedhur si një ndër 100 fshatrat turistikë. Në shkresën zyrtare të kthimit të përgjigjes për informacion, Bashkia Klos bën të ditur se “nga ana e Bashkisë Klos janë ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme për të penguar zbatimin e projektit”. Në shkurt të këtij viti, Bashkia Klos i ka nisur shkresë zyrtare me Nr.2625 prot., Drejtorisë Rajonale të Mjedisit me objekt “Dhënie Mendimi” ku në përmbajtje të shkresës është shkruar qartazi dhënia e mendimit negativ për ndërtimin e HEC-ve. Gjithashtu ju sqarojmë se firma koncesionare, pa pasur aprovimin nga banorët e zonës dhe nga bashkia nuk ka nisur dhe nuk mund të nisë punimet për zbatimin e projektit. Sakaq, Bashkia Klos ka në vëmendje të veçantë zonën e Gurit e Bardhë sikurse dihet tashmë, i klasifikuar në 100 fshatrat turistikë të Shqipërisë, kështu që nuk mund të lejojmë të cenohet pjesa e resurseve natyrore dhe me potencialet e mëdha turistike të kësaj zone”, sqaroi Bashkia Klos.

Më tej, bashkia shpjegoi se ka argumentuar mendimin negativ për ndërtimin e dy HEC-eve, bazuar në një peticion të bërë nga banorët e fshatrave gurë i Bardhë dhe Petralbë në Njësinë Administrative Xibër. Po ashtu, një tjetër argument ishte edhe përzgjedhja e këtij fshati nga ana e qeverisë shqiptare ndër “100 fshatra turistikë” në vend.

“Në peticionin e datës 15.06.2019, banorët e fshatrave Gurë i Bardhë dhe Petralbë të Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit janë shprehur kundër ndërtimit të këtyre dy HEC-eve. Vendimet për këto HEC-e sipas banorëve janë marrë në mungesë të plotë të transparencës dhe pa informim e konsultim publik me komunitetin, në zbatim të ligjit Nr.146/2014, “Njoftimi dhe Konsultimi Publik”. Sa më lart, ëstë konstatuar se ndërtimi i këtyre HEC-eve do të dëmtonte resurset më jetike të zonës, ku bëjnë pjesë disa fshatra. Për sa kohë ne nuk kemi një plan të detajuar vendor për fshatin Gurë i Bardhë, nuk mund të lejojmë ndërtimin e një HEC-i, i cili do të binte ndesh me interesat e komunitetit, dokumentet e planifikimit të territorit për Bashkinë Klos. Për sa më lart, jemi të mendimit që ndërtimi i këtyre HEC-eve nuk duhet të bëhet”, thuhet në shkresën e Bashkisë Klos.

Por Bashkia e Klosit i ka ndalur hapat e saj me vetëm këtë shkresë, ndërsa nuk ka asnjë tjetër që i është drejtuar Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit apo Këshillit të Ministrave për të anuluar lejen e dhënë në vitin 2017, një vit para se fshati Gurë i Bardhë të përzgjidhej nga Qeveria Shqiptare në programin e “100 fshatrave turistikë”.

Por në përgjigje të kërkesës së Portës Vendore për informacion, Bashkia Klos thotë se: jemi në proces dhënie së lejes së ndërtimit të një bujtine për agroturizëm, e cila mendohet të sjellë zhvillim për zonë. Bujtina do të ndërtohet në një pozicion strategjik, ku do ketë pranë ‘Gurrat e Gurit të Bardhë’. Gjithashtu në Planin e Përgjithshëm Vendor me nr.1, me datë: 27.04.2018 me vendim të Këshillit Kombëtarë të Territorit janë lënë rrugë të biçikletave të propozuara, të cilat lidhin pikat më turistike të zonës si Shkallë–Petralbë–Guri i Bardhë-Xibër–Mali me Gropa. Në fshatin Petralbë, ngjitur me Gurin e Bardhë jemi në proces të zbatimit të një projekti me financim të Bashkimit Europian dhe në bashkëpunim me Bashkinë Demir Hisar të Maqedonisë së Veriut për ndërtimin e një Muzeu Historik si dhe planifikimin e disa shtigjeve turistike”, shprehet Bashkia Klos.

Por deri tani nuk ka asnjë investim konkret në infrastrukturë apo vepra historike që ka fshati Gurë i Bardhë nga ana e Bashkisë Klos, dhe sytë janë nga qeveria, përsa kohë ajo e ka marrë përsipër këtë projekt madhor titulluar “100 fshatrat turistikë”, nga i cili zonat e përzgjedhura presin të përfitojnë shpenzime në sektorë të caktuar, në varësi të përbërjes së tyre historike, arkitekturore etj. Rruga që të çon në këtë fshat është vështirësisht e kalueshme dhe në ditët me shi apo në stinën e dimrit është e pamundur të futen mjetet e vogla. Pra nga njëra anë kërkohet që këto hidrocentrale të mos ndërtohen e nga ana tjetër, nuk ka asnjë investim nga pushteti vendor për ta kthyer fshatin në një atraksion turistik për tu vizituar për vlerat me mëdha historike dhe resurset natyrore që mbart. Fshati Gurë i Bardhë ndodhet vetëm 15 kilometra nga qyteti i Klosit e jo më shumë se 4 kilometra nga Rruga e Arbrit që kalon përmes fshatit Shkallë të Njësisë Administrative Xibër. Megjithëse punimet për ndërtimin e këtyre HEC-eve në zallin e Dishit dhe atë të Shehut nuk kanë nisur ende, banorët janë të vendosur për rezistencën e tyre dhe paralajmërojnë protesta të tjera.

Në të njëjtën zonë ku HEC-et kanë planifikuar të marrin ujin, zhvillohet një festë e veçantë e kthyer tashmë në traditë prej vitesh, “Festa e emigrantëve”. Të gjithë ata që kthehen me pushime në vendlindje mblidhen në një ndër pikat më të bukura të këtij fshati e cila quhet Gujë. Dhjetra banorë mblidhen duke kaluar orë të tëra së bashku. Aktiviteti i ngjan një feste ndaj dhe organizatorët kanë menduar për detaje duke mos lënë pa përfshirë argëtimin. Për shkak të pandemisë nga Covid-19, numri i pjesëmarrësve këtë vit ka qenë i kufizuar, ndërsa nuk kanë munguar panairet me punime artizanale apo gatimet e ndryshme tradicionale të zonës. Organizatorët thonë se qëllimi i kësaj feste është të bëjë bashkë emigrantët dhe brezat të njihen me njëri – tjetrin.

“Duke qenë se shumë familje të këtij fshati jetojnë në vende të ndryshme të botës, kemi menduar që të paktën njëherë në vit të mblidhemi. Këtë e kemi vendosur si fshat dhe jo pa qëllim. Të rinjtë që jetojnë në Angli, Itali apo Francë nuk kanë mundësi të njihen, ndaj ne ju kemi krijuar këtë festë e cila i bën bashkë. Kjo traditë pritet të vazhdojë në mënyrë që të mos humbasë ajo harmonia mes njëri-tjetrit që kanë patur brezat e mëparshëm” , tha Avni Hysa, njëri prej organizatorëve të kësaj feste. Në këtë festë të datës 16 gusht nuk munguan as kërcimet e ndryshme të valleve tradicionale.