Ndodhi

30 piktorë nga Ballkani dhe Europa rikthehen në Pogradec për të pikturuar, në kohë pandemie

28 gusht 2020/ Sidorela Xhomaqi/ Porta Vendore/ Pogradec

30 piktorë nga Ballkani dhe disa vende të Europës janë bërë pjesë e Kolonisë së Artit Pogradec 2020. Një bashkëpunim mes Bashkisë Pogradec dhe Shoqatës Antik, ka sjell ngjyrat në qytetin liqenor të Lasgushit e Kutelit.

Të pikturosh në kohë pandemia në natyrë duke shpalosur jo vetëm talentin në artin figurative por edhe duke sjellë peizazhet më të bukura nga Pogradeci me ndërthurjet mjeshtërore të ngjyrave nga këta artistë. Mbrëmjen e të mërkurës piktorët nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë performuar në natyrë tek sheshi i trëndafilave.

Nën tinguj muzikorë të Mariza Ikonomi dhe aromës së trëndafilave ata kanë hedhur në telajo bojërat shumëngjyrëshe sipas perceptimit të tyre.

Sipas Neritan Kamolli dhe Samir Ahmetit ky është një aktivitet i ndarë në tre pjesë, ku në dy pjesët e para piktorët duke respektuar distancimin fizik për shkak të pandemisë do të pikturojnë në natyrë.

“ Është një aktivitet i cili synon të shpalosë vlerat e artit pamor por gjithashtu shërben si një mënyrë promocioni për qytetin e Pogradecit dhe për pjesët më të bukura të qytetit tonë. Ne kemi prej kohësh që përgatitemi për këtë aktivitet dhe kishim menduar ta bënim ndryshe, por për shkak të Covid 19 e realizuam këtë aktivitet kulturor me një numër të kufizuar njerëzish”, tha Neritan Kamolli, Drejtor i qendrës kulturore “Lasgush Poradeci”.

Në shtator do të çelet ekspozita me punimet e tyre, më të mirat mes tyre do ti dhurohen fondit të Galerisë së Arteve në Pogradec.

Është një aktivitet ndërkombëtarë i artit pamor. Ky aktivitet shënon fillimin e veprave të artit që do ti dhurohen galerisë, pasi pas ekspozimit artistët do tja lënë si dhuratë veprën e tyre Bashkisë Pogradec. Kemi artistë të rinj nga Ukraina, nga Bosnja etj. Do të ketë gjithashtu një guidë nëpër resurset e qytetit të Pogradecit” , tha Samir Ahmetit, organizator i aktivitetit kulturor.

Gjatë aktivitetit të pikturës në qytetin e Pogradecit.

Ndërsa piktorët nga Kosova dhe Maqedonia janë shprehur tepër entuziastë për këtë pjesëmarrje në një kohë të pazakontë ndërsa shtojnë se aktivitete të tilla duhet të kenë mbështetjen e Ministrisë së Kulturës në mënyrë që të jenë të përvitshme.

Unë vij nga Prishtina. Jam i pranishëm gjithnjë në eventet të cilat organizohen në Pogradec dhe është një privilegj dhe kenaqësi të pikturosh në një qytet të tillë kaq të bukur, me të cilin ne krenohemi. Veprat do të krijohen në bazë të stilit, origjinalitetit dhe performancës së tyre. Është një event që duhet të ketë mbështetjet e Ministrisë së Kulturës, pasi eventet ndërkombëtarë nuk mund të bëhen vetëm në metropolet si Tirana, Shkupi, Prishtina etj por pse jo të mos jenë edhe qytet e tjera si Pogradeci e Korça”, tha Hajrush Fazliu piktori nga Prishtina.

“Kam nderin që të jem e pranishme në këtë eveniment. Kam marrë një inspirim shumë të madh nga ky qytet i mrekullueshëm. Patjetër që arti ka një gjuhë të përbashkët, si arti pamor edhe ai i muzikës. Unë u përpoqa që kryeja teknikën time, në një telajo gjigande e realizuar para publikut ku çdo pikturë ka mesazhin e vet”, u shpreh Kasiopeja Naumoska, artiste nga Maqedonia.

Kasiopeja Naumoska, artistja nga Maqedonia. duke realizuar pikturës e saj.

Art Koloni 2020 Pogradec ishte menduar krejt ndryshe për tu organizuar por pandemia ndryshoi komplet axhendën e aktivitetit megjithatë nuk ka ndalur artistët nga Ballkani dhe Europa për ta kthyer Pogradecin për dy javë në qendrën Ballkanike të artit dhe kulturës.