27 gusht 2020/ Aurora Sulce/ Porta Vendore/ Tiranë
Disa nga qytetet shqiptare renditen ndër të parat në Europë për rënien e popullsisë, një alarm i dhënë më herët këto ditë edhe nga revista prestigjoze The Economist. Në një botim të posaçëm për statistikat e rajoneve, Instituti Europian i Statistikave (Eurostat) evidenton Gjirokastrën, Beratin, Dibrën dhe Kukësin, si qytetet ku rënia e popullsisë ishte nga më të lartat në Europë në vitin 2017, me mbi 20 banorë për 1000 banorë. Arsyet e rënies së popullsisë vlerësohen të jenë tranzicioni demografik, me lëvizje të brendshme të popullsisë dhe emigracioni i lartë.
Raporti thekson se 765 rajone në Bashkimin Europian kanë pasur rritje të numrit të banorëve, teksa tetë rajone nuk kanë pasur ndryshim në popullsinë e tyre. Në hartën e mëposhtme, hija e errët me ngjyrë blu tregon se, ato rajone kishin një normë rritje të popullsisë me të paktën 12 banorë për 1000 banorë. Në Shqipëri, Eurostat ka përcaktuar me ngjyrë blu rajonet e Tiranës dhe Shkodrës, ndërsa rajonet e tjera janë skajin tjetër, rënia e popullsisë është nga më të lartat.
Popullsia e Shqipërisë është duke u tkurrur me ritme të shpejta vitet e fundit. Instituti i Statistikave vlerëson se më 1 janar 2020 popullsia jonë ishte 2.85 milion banorë, duke pësuar rënie prej 0.6 % krahasuar me një vit më parë. “Gjatë vitit 2019 kanë lindur rreth 29 mijë foshnje, ndërsa kanë vdekur rreth 22 mijë persona. Numri i lindjeve vazhdon të tejkalojë numrin e vdekjeve, pavarësisht se diferenca midis tyre po ngushtohet me kalimin e viteve. Kjo diferencë, në vitin 2019 është rreth 7 mijë banorë”, vlerësohet në publikimin e INSTAT “Shqipëria në shifra”.

Shtesa natyrore (diferenca mes lindjeve dhe vdekjeve), e cila tregon edhe rënien e popullsisë, ka pësuar përkeqësim të fortë. Në vitin 1990, shtesa natyrore ishte 64 mijë persona në vit, ose gati 12 herë më e lartë se në vitin 2019.
Po çfarë duhet bërë përballë një situatë të tillë dhe mbi të gjitha me qytetet që po boshatisen? Ekspertët sugjerojnë disa masa. “Zonat që kanë tendencën të boshatisen nga popullsia (Gjirokastër, Kukës, etj.) mund të transformohen në zona të lira ekonomike në free tax. Kjo do të tërhiqte vëmendjen e investitorëve të huaj dhe vendas duke rritur fluksin e investimeve private në ato zona dhe në hapjen e vendeve të punës (migracioni dhe emigracioni justifikohen kryesisht nga mungesa e punës apo e të ardhurave). Shteti duke transformuar këto zona të disavantazhuara për punë në zona të lira ekonomike do të zgjidhte problemin e punësimit e do të kishim me tepër siguri një ripopullim të tyre”, shprehet për Porta Vendore Klodian Muço, ekspert për ekonominë.
Një tjetër masë që duhet marrë është ajo për nxitjen e lindjeve.“Përsa i përket politikave apo masave për të moderuar ritmet e pakësimit të popullsisë, ato duhet të synojnë dy objektiva: së pari, dekurajimin e flukseve migratore, nëpërmjet krijimit të vendeve të reja të punës, e cila mund të garantohet nëpërmjet riprogramimit të disa përparësive të zhvillimit në secilin qark; së dyti, nëpërmjet thellimit të politikave e ndërhyrjeve pronataliste që kanë filluar të zbatohen në Shqipëri, për shtimin e numrit të lindjeve, nëpërmjet mbështetjes më të madhe ekonomike, sociale e me shërbime të familjeve të reja”, argumenton për Porta Vendore Kosta Bajraba, ekspert për ekonominë.
Deri më tani, masa e vetme që qeveria ka zbatuar për të nxitur lindjet ka qenë bonusi i bebeve, ku sipas vendimit të qeverisë, fëmija i parë përfiton 40.000 lekë, fëmija i dytë 80.000 lekë dhe fëmija i tretë 120.000 lekë. “Në Shqipëri u vu re se bonus bebe nuk pati impakt në rritjen e numrit të lindjeve. Nëse shteti do të jepte 5000 lekë në muaj për çdo fëmijë qe nga muaji i parë deri sa të mbushi moshën 15 vjeç kjo me siguri që do të ishte një ndihmë për familjet me të ardhura të ulëta e të mesme e me siguri do të ndihmonte pozitivisht në rritjen e lindjeve. Ne në 2019 kishim 28.561 lindje. Kosto e një politike të tillë do të ishte diku te 13.5-15 milionë euro në vit (nëse do jepeshin vetëm për ata që do lindin në vijim). Një formë tjetër do të ishte stimulimi i rikthimit i të rinjve shqiptarë në atdhe. Pra rritja e popullsisë arrihet me anë të rritjes së mirëqenies në një vend, falë sigurimit të punës, rritjes së sigurisë shëndetësore, ushqimore, e rritja e investimeve në arsim për një të ardhme më të mirë”, shprehet Muço.
Efekti zinxhir i efekteve negative në ekonomi
Tkurrja e popullsisë është një kambanë alarmi për efektet që ka në ekonomi. Goditja e parë është tek tregu i punës, pasi me largimin e të rinjve në rritje që janë edhe pjesa më vitale, bizneset hasin vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore, duke qenë të detyruar që në një të ardhme, ta importojnë atë nga jashtë. Sipas një studimi të Fondit Monetar Ndërkombëtar, emigracioni ka një kosto të drejtpërdrejtë që shkon në 120 milionë dollarë. Ndërsa emigracioni dhe reduktimi i lindjeve çon në rritjen e moshës mesatare të popullsisë vendase, që aktualisht është 37.2 vjeç nga 27 vjeç që ka qenë në 1990, kjo ndikon në rritjen e numrit të pensionistëve. Kjo shkakton përkeqësim të raportit të kontribuesve dhe përfituesve në skemën e pensioneve, duke kaluar nga 4 me 1 që ishte në 1990 në 1.5 me 1 në 2019, e pritet që në 2030 të arrijmë në 1.2 kontribues për çdo një përfitues pensioni. Rrjedhimisht, kjo pritet të shkaktojë një rritje të presionit fiskal mbi sektorin publik, duke e bërë të pa mundur pagesën e pensioneve në të ardhmen.
Pak ditë më parë, revista prestigjoze The Economist publikoi një artikull për rënien e popullsisë në Ballkan, ku evidentoi se popullsia e Shqipërisë pritet të ulet me 26% deri në vitin 2050. Kjo është tkurrja më e madhe në Ballkan, me përjashtim të Bosnjës.