27 gusht 2020/ Porta Vendore/ Kamëz
Valiasi në Bashkinë e Kamzës është përcaktuar si një nga zonat për rindërtim pas tërmetit me vendim qeverie të datës 10 qershor 2020, duke iu premtuar banorëve, të cilëve do tu prishen shtëpitë për shkak të projektit, banesa të reja. Banesat nuk u preken vetëm aty që janë dëmtuar gjatë tërmetit të 26 nëntorit, por edhe atyre që janë brenda zonës ku do të zhvillohet projekti. Kjo ka shkaktuar konfuzion tek banorët pasi ata nuk kanë asnjë dokument në dorë sesi do i përfitojnë banesat e reja. I vetmi dokument që disponojnë është vërtetimi për bonusin e qirasë, ku shumica prej tyre janë të pakënaqur me shifrën e dhënë nga ana e Bashkisë Kamëz. Për këtë shqetësim është angazhuar edhe një grup aktivistësh, të cilët kërkojnë që bashkia të jetë më transparente për këtë proces me banorët. Ndërkohë që nga vetë institucionet e përfshira në procesin e rindërtimit, nuk disponohet asnjë projekt konkret mbi trajtën që do të marrë Lagja e re e Valiasit, e ndërsa banorëve i mbeten shumë pak ditë kohë sipas afatit të dhënë nga bashkia për boshatisjen e shtëpive (fundi i gushtit), Porta Vendore zbuloi se Bashkia Kamëz ende nuk ka hartuar planin e Detyruar Vendor për Zonën e Re të Zhvillimit 1, Fshati Valias.
Projekti ka nisur zbatimin, banorët ndahen në pro e kundra
Shtjefën Hoxha, banor i Valiasit, është një nga ata që është pro projektit, megjithëse nuk ka shumë informacion sesi do të veprohet, por vetëm premtimin që ka marrë nga kryetari i Bashkisë Kamëz.
“Kush nuk është i kënaqur që të shembet shtëpia e vjetër dhe të bëhet një shtëpi e re? Kanë ardhur punonjësit e bashkisë, qeveria ka marrë vendim për t’i prishur të gjitha. Do prishen rreth 12 pallate si dhe godinat ekzistuese të ish minierës dhe do bëhet një projekt modern. Të gjithë kanë rënë dakord për prishje, kanë firmosur për bonusin, kanë marrë edhe paratë. Bonusi na ka dalë sipas numrit të familjarëve, por e rëndësishme është që ata që kanë qenë 1 frymë kanë marrë 110 mijë lekë bonus. Na kanë dhënë afat 20 ditë dhe presim kur të vijnë për shembje. Njerëzit po interesohen për shtëpi me qira. Unë e kam gjetur shtëpinë time. E kam gjetur në Kamëz. Shtoj vetëm diçka të vogël për pagesën e qirasë së shtëpisë përveç bonusit që kam marrë. Dikush e përballon, dikush jo, por për mua ajo shtesa nuk është problem”, shprehet Hoxha, i cili nuk ka informacion sesi do të bëhet ndarja e banesave të reja dhe nëse ende ka një projekt konkret për rindërtimin. Ai shprehet se u është thënë se do marrin aq metra sa kanë, megjithëse asgjë nuk e ka të shkruar. “Kemi firmosur vetëm për bonusin e qirasë dhe që jemi dakord për prishjen e shtëpive, nuk di më tepër. Kam 3 dhoma, me letra, dmth kam 120 metra. Kam 20 vite që kam ardhur në Valias, nga Mati. Pjesa e godinave të vjetra të ish minierës janë pa letra, por ama sipas vendimit të qeverisë fitojnë të gjithë”, shprehet ai, duke shtuar se “ka njerëz që u prishet interesi, ka njerëz që kanë bërë investime, ka të tjerë që kanë bërë shtesa që nuk u njihen në metra katrorë normalisht, ose ata që kanë sfond politik dhe janë në mënyrë kategorike kundra këtij investimi”.

Sipas përllogaritjeve të Bashkisë Kamëz, 200 familje të Valiasit preken nga investimi, por asnjë prej tyre nuk e di sesi do veprohet në të ardhmen. “Me projektin që kemi parë do dalë një lagje moderne, nuk e di për më vonë. Sipas vendimit të qeverisë mendoj se do bëhet diçka e mirë”, thotë Shtjefën Hoxha, duke iu gëzuar faktit se të paktën do të formalizohet si lagje, megjithëse një projekt i tillë zyrtarisht nuk është publikuar nga asnjë institucion, ashtu siç është vepruar me zonat e tjera për rindërtim. Ai beson verbërisht në vendimin e qeverisë Rama për futjen e zonës së Valiasit në procesin e rindërtimit.
Vendimi i marrë më 10 qershor 2020 e shpall këtë zonë si pjesë të programit të rindërtimit, ku përfituee përveç bashkive të prekura më së shumti nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, si Kruja, Durrësi, Shijaku etj, shpallet edhe Kamza, duke qenë përfituese e drejtpërdrejtë e granteve për rindërtim.
Ndërsa Osman Spillari, ndryshe nga Shtjefni, është kundër këtij projekti, duke vënë në dukje një sërë arsyesh. “E para s’kanë plasje shtëpitë tona nga tërmeti, janë pa plasje, ndaj jam kundra këtij projekti. E bëjnë me idenë e tyre, që të marrin ndonjë lek në xhepin e vet. E dyta, bonusin e kam pak, e kam 110 mijë, qiraja është 170 mijë, ku të shkoj unë?! Unë jam pensionist. Jam 3 veta në familje, unë, gruaja, djali. E kam blerë shtëpinë me para në dorë dhe e kam me letra të rregullta. 50 milionë e kam blerë shtëpinë këtu, ka 25 vite tanimë. Madje, kam dëgjuar të thuhet se shtëpitë që do të na japin do t’i paguajmë me këste për çdo vit. E di shumë mirë unë këtë. Kam dëgjuar njërin nga bashkia. Nuk e di se sa lekë do mbahen, por unë kështu kam dëgjuar. Unë e kam blerë njërën me para, të blej edhe shtëpinë tjetër me para unë? E kam gruan sakate, ku të shkoj me gruan unë?”, shprehet ai skeptik për projektin e rindërtimit. Megjithatë, ai nuk ka informacion sesa hapësirë do i japin në shtëpinë e re dhe nëse do ia japin apo jo. Ai është i vendosur se nuk do të braktisë shtëpinë dhe nuk ka pranuar të firmosë për shembjen e saj. “Unë do rri në shtëpi, do rri në të kur të shembet. Ka shumë të tjerë që mendojnë si unë. Unë nuk do ta boshatis shtëpinë, nëse nuk ma japin bonusin 170 mijë lekë. Unë nuk kam firmosur askund për po, edhe në bashki kur shkova para ca ditësh nuk ia vura firmën”, deklaron i vendosur ai.

Flora, një tjetër banore që preket nga projekti i rindërtimit në Valias, e ka problemin tek fakti se ajo dhe fëmijët nuk kanë pasaportizim në Kamëz, vetëm bashkëshorti dhe për këtë arsye, bonusi i qirasë u ka dalë shumë i vogël. “Unë banoj me burrin, por nuk kemi bërë celebrim dhe rezultoj me vendbanim në Laprakë, pavarësisht se jetoj me burrin në Valias. Bashkia na ka dhënë bonus qiraje vetëm 110 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që më duhet të shtoj dhe 100 mijë lekë për të paguar qiranë që i marr nga rroga ime në fasoneri. Unë 200 mijë lekë rrogë marr dhe na mbeten vetëm 100 mijë lekë për të jetuar. Por kjo nuk është e drejtë. Për këtë arsye kam kërkuar që të bëjë pasaportizimin në Kamëz që të përfitoj të paktën bonusin e qirasë. Nëse Bashkia nuk e realizon, atëherë ne do ta kundërshtojmë këtë projekt”, shprehet Flora.

Kurse një grua tjetër, e cila nuk do të identifikohet shprehet se ata janë tre kurorë në një familje dhe për këtë duan tre shtëpi dhe jo një siç u ka premtuar bashkia. “Jemi një trung familjar me tre kurorë. Tani shteti do të na japë një shtëpi, kur unë shtëpinë time e kam blerë vetë bashkë me burrin tim, prej 15 vitesh. Ne ngremë pretendimin që duam 3 shtëpi, pse duhet të jetoj unë me vjehrrën kur shtëpia është e imja dhe investimi i imi. Gabimi jonë i vetëm është që nuk jemi ndarë nga trungu familjar dhe figurojmë të gjithë bashkë, por ama për të ma zgjidhur këtë çështje kam lënë një takim në bashki, dhe nëse më gjejnë një zgjidhje, pra që secili të marrë nga një shtëpi siç i takon, jam dakord me projektin, në të kundërt nuk pranoj të më prishet shtëpia, dhe do rezistoj aty bashkë me fëmijët kur të vijnë fadromat për prishje”, thotë banorja.
Ndërsa pronarja e një lokali aty pranë tregon për Portën Vendore se objekti i saj nuk preket nga projekti, dhe ajo gjithsesi është e lumtur për këtë fat. “Shyqyr që nuk prekemi, sepse kemi bërë goxha investime, kemi edhe lokalin e lagjes aty, por edhe shtëpinë dykatëshe. Ja shiko se ç’bëhet, jo të gjithë janë të kënaqur me frymën e re të formalizimit të Valiasit, ndaj jam e lumtur që nuk do të marr shtëpi të re, dhe së paku do të kem atë që kam”, shprehet ajo.
Shumë prej banorëve nuk besojnë në teorinë e rindërtimit, duke pasur frikë se mos diçka e keqe do të ndodhë me pronën e tyre dhe do të mbeten pa gjë në fund të të gjithë kësaj. Por mendimet e tyre janë kontradiktore, pasi disa thotë që e kanë parë projektin, ndërsa të tjerë jo.
Disa banorë të kateve të para të pallateve të vjetër të ndërtuar rreth viteve ‘60 në Valias tregojnë se nuk janë dëmtuar nga tërmeti dhe nuk e kuptojnë pse duhet të prishen shtëpitë e tyre. Për më tepër se nuk kanë asnjë kontratë të shkruar se çfarë do të përfitojnë.

Por në fund shqetësimi i tyre është i përbashkët dhe ka një emërues, a po garantohet e drejta e pronësisë së tyre? A do të përfitojnë realisht nga ky projekt, megjithëse nuk kanë asnjë dokument në dorë? A do të ishte më mirë që të kishte pasur një konsultim publik më të qenësishëm se thjesht ca takime “rastësore” me banorët e kësaj zone?
Lidhur me këtë, asnjë prej banorëve nuk pranon të jenë bërë konsultime publike, veç faktit se ka ardhur një herë kryetari i Bashkisë Rakip Suli dhe më pas Kryeministri Rama. Me pas ata janë thirrur në bashki një e nga një. Ndërkohë, duke e marrë të mirëqenë se do të marrin shtëpi, disa prej tyre janë mjaftuar me vendimin e qeverisë dhe fjalën e dhënë nga përfaqësuesit e bashkisë, pa pasur asnjë dokument për mbrojtjen e vet, veç bonusin e qirasë. Edhe me këtë të fundit jo të gjithë shprehen të kënaqur.

Ky vendim ka prekur edhe familjet që jetojnë në godinat e ish minierës së qymyrgurit, të cilat nuk disponojnë hipotekë. Frika e tyre është më e madhe se e atyre që kanë dokumente pronësie. Megjithatë në sajë të vendimit të qeverisë për rindërtimin e kësaj zone, këto banorë janë automatikisht përfitues, megjithëse edhe kjo kategori janë në terr informativ, pasi nuk dihet se si do të bëhet ndarja, sa përfitojnë dhe kush ja garanton të drejtën e strehimit të tyre?
***
Por çfarë pritet të përfitojnë realisht 200 familjet e Valiasit? Sipas vendimit Nr. 5, datë 6.1.2020 “për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për përfitimet nga programi i granteve të rindërtimit dhe projektet model”, ata përfitojnë vetëm nga një shtëpi, ku sipërfaqja do të jetë sipas numrit të anëtarëve të familjes.
Në kapitullin 3 të këtij vendimi flitet për masën e grantit të rindërtimit, ku përfshin:
- vlerën e investimit të ndërtimit;
- investimet për lidhjen me rrjetin kryesor të infrastrukturës si ujësjellës-kanalizime, telefoni, energji elektrike;
- çdo shpenzim tjetër të parashikueshëm.
Masa e grantit llogaritet sipas tabelës A, ku për një familje deri në 2 anëtarë sipërfaqja e përfituar do të jetë 60-70 metra katrorë, nga 2 deri në 4 anëtarë, 70-80 metra katrorë dhe familjet që kanë 5 anëtarë e më shumë, jo më pak se 90 metra katrorë. Pra ky vendim hedh poshtë zërat e banorëve që do të përfitojnë aq metra katrorë sa kanë aktualisht në apartamentet e vjetër, pavarsisht nëse ndërtesat e tyre janë dëmtuar ose jo prej tërmetit të 26 nëntorit, pasi vlerësimi i banesave do të bëhet për frymë e jo në bazë të metrave katrorëve aktualë.
Shembjet nisin për pak ditë, Bashkia Kamëz, ende pa Plan Vendor për Valiasin
Në kuadër të procesit të rindërtimit, në datën 27 janar 2020 Këshilli Bashkiak miratoi vendimin e krijimit të një lagjeje në territorin e qytetit të Kamzës nga bashkimi i Kamza 3 (tre), Valias i Ri, Valias dhe Laknas me emërtesën “Lagje 1”.
Po ku bazohet kjo ndërhyrje për projektin e rindërtimit në Valias? Sipas verifikimeve të bëra nga Porta Vendore, rezulton se pas vendimit të këshillit bashkiak më 27 janar 2020, institucionet e tjera kanë marrë disa vendime për të plotësuar kuadrin ligjor, ndonëse banorët nuk janë në dijeni të asnjërit prej tyre. Konkretisht, më 25 maj 2020, Komisioni Shtetëror i Rindërtimit ka marrë vendimin nr. 22, ku miratohet Valiasi si zonë të përshtatshme për zhvillim të detyruar, “Duke u quajtur një Zonë e Re për Zhvillim territorin prej 86,710m2, në këtë zonë do të kryhet ndërtimi i 270 njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për akomodimin e familjeve të dëmtuara nga tërmeti në territorin e bashkisë, rindërtimin e objekteve arsimore shkollë dhe kopsht, ndërtimin e një qendre administrative, për rehabilitimin e terreneve sportive dhe hapësirave publike”, thuhet në dokumentin që Porta Vendore e disponon.
Pas këtij vendimi, Këshilli i Ministrave, më 10 qershor 2020 ka miratuar vendimin për shpalljen e zonës së re për zhvillim në Valias. Në këtë vendim deklarohet ndër të tjera se kjo lagje në zonën e Bashkisë Kamëz shpallet si zonë e re për zhvillim, dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit caktohet si njësia zbatuese për ndërtimin e banesave të reja ose të ndërtesave publike të dëmtuara, rikonstruksionin e infrastrukturës publike dhe realizimin e ndërtimeve në këtë zonë si dhe çdo ndërhyrje në funksion të rindërtimit të kësaj zone. Ndërsa ngarkohet Ministri i Shtetit për Rindërtim, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia Kamëz dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi, i cili ka hyrë menjëherë në fuqi.
Pas vendimit të qeverisë, Ministria e Rindërtimit ka miratuar dhe specifikimet teknike të projektit.
“Qeveria Shqiptare është duke zbatuar ‘Programin e Rindërtimit të Infrastrukturës së dëmtuar nga pasojat e tërmetit të Nëntorit 2019’, e cila do të vihet në shërbim të qytetareve të prekur nga fatkeqësia natyrore, bazuar në parimin “ndërto përsëri më mirë”.
Programi ka si synim: Rindërtimin e banesave individuale apo edhe atyre kolektive në funksion të strehimit në kushte optimale për banorët që rezultojnë të pastrehë si pasoje e tërmetit. Rindërtimin e objekteve të infrastrukturës sociale, si ato arsimore, shëndetësore apo të kujdesit social; Rindërtimin e Infrastrukturës së objekteve administrative të institucioneve shtetërore, vendore apo ato të sistemit gjyqësor, Rindërtimin e infrastrukturës publike dhe kritike shoqëruese dhe në funksion të objekteve të sipërpërmendura”, thuhet në raportin e specifikimeve teknike, ku një nga zonat e përzgjedhura është edhe Valiasi në Kamëz.
Duke u bazuar pikërisht në këto vendime, Bashkia e Kamzës i ka njoftuar derë më derë banorët se në fund të muajit gusht do fillojë prishja e ndërtimeve ekzistuese, por ajo që mbetet për t’u parë është nëse banorët do të lejojnë vazhdimin e këtij procesi, duke u bazuar vetëm në premtime, pa qenë në dijeni të projektit konkret, pa asnjë kontratë në dorë, ose akt-ekspertimi të kryer nga Instituti i Ndërtimit mbi gjendjen e banesave të tyre pas tërmetit të 26 nëntorit.
Ndërkohë shumë prej tyre me marrjen e bonusit të qirasë kanë zbrazur banesat për t’i hapur rrugë procesit të shembjes e me pas rindërtimit të premtuar, duke besuar vetëm në fjalët e zyrtarëve.
Për të mësuar më shumë rreth këtij projekti dhe shqetësimeve të ndryshme të banorëve, Porta Vendore kërkoi informacion më të detajuar pranë Bashkisë Kamëz. E pyetur në datën 14 gusht 2020, Bashkia Kamëz tha nëpërmjet zëdhënëses së këtij institucioni znj. Nertila Koka, se projekti i Valiasit ka lidhje me projektin e madh të rindërtimit nga tërmeti i 26 nëntorit, dhe se duhet të prisnim deri të hënën e datës 17 gusht për një përgjigje më të detajuar, pasi drejtori i Urbanistikës ishte me pushime dhe vetëm atëherë mund të kthehej në punë. Por pavarësisht se Porta Vendore kontaktoi edhe së paku 3 herë me telefon ditën e hënë me zëdhënësen e këtij institucioni, nuk u bë i mundur një kontakt me drejtorin, dhe as nuk u dha një informacion më i zgjeruar lidhur me këtë çështje, ndryshe nga sa ishte premtuar.
Gjithsesi Porta Vendore iu drejtua këtij institucioni vendor edhe me një kërkesë për informacion, në datë 14 gusht, për të ditur më shumë mbi planet e Bashkisë Kamëz në lidhje me këtë komunitet, nëse ishin realizuar dëgjesa publike, siç ligji e kërkon dhe se çfarë projekti do të implementohet në këtë zonë, por ende nuk ka marrë përgjigje, dhe pse po përfundon afati për khimin e përgjigjes sipas ligjit.
Porta Vendore lidhur me këtë çështje iu drejtua edhe një tjetër institucioni, Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili ka rolin zbatues të projektit të rindërtimit, ku kërkoi informacion mbi projektin e rindërtimit që do të implementohet në zonën e Valiasit në Kamëz. Fondi Shqiptar i Zhvillimit tha se ky institucion nuk e disponon këtë material: “Plani i Detyruar Vendor për zonën e Valiasit është kompetencë e Institucionit të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit. Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk e disponon këtë material”, tha në përgjigjen zyrtare FSHZH. I vetmi informacion që disponohet në faqen zyrtare të Fondit është fakti se në zonat e shpallura për zhvillim të detyruar, përkatësisht në bashkitë Durrës, Kavajë, Kamzë, Krujë, Kurbin, Mirditë, Lezhë, Shijak dhe Vorë, buxheti i vënë në dispozicion për vitin 2020 është 3,112,403,208 lekë pa TVSH.
Ndërsa në terren ndjehen “zhurmat” e ndërtimit, pasi projekti ka nisur të zbatohet prej muajsh, duke nisur me shembjen dhe më pas me ri-ndërtimin e kopshtit “Niko Hoxha”, për investimin e të cilit nuk ka një tender nga Bashkia Kamëz, sipas kërkimit tonë në faqen e të dhënave openprocurement.al. Ndërsa Porta Vendore gjithashtu monitoroi faqen e FB të kryebashkiakut Rakip Suli dhe të Kryeministrit Edi Rama nëse ka një projekt konkret të propozuar për ndërtimet që do të zhvillohen në Valias, si në rastin e Thumanës, Fushë-Krujës apo Shijakut, dhe nuk gjetëm asnjë të dhënë në lidhje me këtë projekt.
Ndaj Porta Vendore iu drejtua një kërkesë për informacion edhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, ku kjo e fundit tha se Plani Vendor për zonën e Valiasit ende nuk është hartuar, dhe për hartimin e këtij Plani është zhvilluar një proces prokurimi dhe është nëshkruar një kontratë në datë 10 Gusht 2020.
“ Në përgjigje të kërkesës tuaj për informacion mbi dokumentet e planifikimit, në kuadër të rindërtimit në zonën Valias, Bashkia Kamzës, ju bëjmë me dije si më poshtë vijon:
Me VKM Nr. 9, datë 10.01.2020 ‘Për caktimin e njësive zbatuese për hartimin e planeve të detyruara vendore dhe financimin e tyre nga fondi për rindërtimin, miratuar në buxhetin e vitit 2020’, AKPT është caktuar njësi zbatuese për hartimin e planeve të detyruara vendore për 9 bashki: Durrës, Kamzë, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak, Vorë.
Në vijim, AKPT ka zhvilluar një korrespondencë zyrtare me Bashkinë Kamëz dhe Bashkia ka dërguar informacion të detajuar për nevojat e rindërtimit.
Në këtë kuadër, AKPT ka zhvilluar procedurën e prokurimit dhe ka lidhur kontraten me objekt: ‘Hartimi i Planit të Detyruar Vendor për Zonën e Re të Zhvillimit 1, Fshati Valias, Bashkia Kamëz’. Kontrata është lidhur me datë 10.08.2020, dhe parashikohet të përfundojë me datë 10.09.2020. Pasi të përfundojë hartimi, Plani i Detyruar Vendor do të miratohet nga Kryetari i Bashkisë në zbatim të pikës 6, kreu II të VKM Nr. 887, datë 24.12.2019 ‘Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurës së përshpejtuar për hartimin dhe miratimin e planit të detyruar vendor, si dhe procedurës së miratimit të lejeve të zhvillimit/ndërtimit, në rastet e fatkeqësisë natyrore’, u përgjigj në kërkesën për informacion AKPT-ja.
Por në faqen e Agjensisë të Prokurimeve Publike nuk ka asnjë informcion për këtë proces tenderimi.
Sipas përgjigjes së AKPT, hartimi i Planit pritet të përfundojë në 10 Shtator, dhe më pas ky Plan do të duhet të miratohet nga Kryetari i Bashkisë. Por ende pa përfunduar këto procese të rëndësishme, dhe pa një Plan Vendor të hartuar, konsultuar e miratuar nga Bashkia Kamëz, projekti ka filluar zbatimin, pasi puna për ndërtimin e kopshtit ka nisur (pjesë e planit të detyruar vendor), dhe banorëve i është vendosur afat që brenda muajit gusht do duhet të boshatisin shtëpitë e tyre pasi fillon shembja.
Lidhur me mungesën e transparencës dhe konsultimeve Publike, Porta Vendore u konsultua edhe me ekspertin e pushtetin vendor z. Fatlum Nurja për të kuptuar më shumë mbi bazat ligjore që parashikohen, dhe nëse duhet apo jo që Bashkia Kamëz të kryente konsultime publike fillimisht lidhur me këtë çështje. Për hartimin dhe miratimin e projektit Bashkia Kamëz “ Duhet respektuar neni 18 dhe 54 i ligjit nr. 139 i vitit 2015 për Vetëqeverisjen Vendore”, thotë ai për Portën Vendore.
Ky ligj sqaron se, duhet të kryhen seanca këshillimi me banorët, duke përdorur një nga format, si takime të hapura me banorë e grupet e interesit, takime me specialistë, me institucionet e interesuara dhe organizatat jofitimprurëse ose nëpërmjet marrjes së nismës për organizimin e referendumeve vendore.
Por sesa do të jetë i mundur konsultimi në këtë turravrap, për të miratuar projektin vendor e për të prishur pallatet ekzistuese për kapjen e afateve të përcaktuara nga qeveria për rindërtim, kjo vlen të shihet në ditët në vijim ku detajet e projektit të rindërtimit për Valiasin të kristalizohen e zezë në të bardhë e kur banorët e kësaj zone të mund të sqarohen për hapat konkret që do të ndërmerren dhe për përfitimet reale nga projekti i rindërtimit.
Shoqëria civile në çështjen e Valiasit
Grupimi ATA, një grupim aktivistësh i cili ushtron aktivitetin e tij prej vitesh në zonën e Kamzës, duke advokuar për cështje të rëndësishme për komunitetin, më 15 gusht 2020, nëpërmjet një kasti aktorësh amatorë vuri në skenën e improvizuar të ish zonës së minierës, në Valias, shfaqjen “Vidh një çikë më pak”, të novelistit Dario Fo. Madje, duke dashur të sensibilizojnë banorët nëpërmjet artit, pas shfaqjes ishte menduar te facilitohej edhe një diskutim mes banoreve, mbi planin e prishjes dhe rindërtimit të shtëpive të tyre, por që u ndërpre për shkak të një incidenti te shkaktuar nga disa persona që me forcë e presion nuk lejuan vazhdimin e shfaqjes si dhe mbarëvajtjen e diskutimit mes banorëve.

Në një reagim të tyre në rrjetet sociale grupimi ATA thotë se:
“Atë pasdite, bashkë me regjisoren Anila Balla dhe një grup aktorësh të rinj, pas një pune tre mujore, tentuam të vinim në një skenë të improvizuar mbi betonin e gurët e mbetur nga sheshi qendror i Valiasit, shfaqjen e nobelistit Dario Fo ‘Vidh një çikë më pak’. Shfaqja ishte vetëm njëra nga aktet tona për të ndërmjetësuar mbledhjen dhe organizimin e komunitetit të Valiasit. Ky komunitet prej pak më shumë se një muaji përjeton ankthin e një tip shantazhi të mbuluar me bonus qiraje për prishjen e shtëpive të tyre, në emër të ndërtimit të një plani urbanistik që askush nga institucionet nuk zotohet se e zotëron. E vetmja garanci që kanë banorët për rindërtimin e banesave të tyre është një fjalë goje e Kryetarit të Bashkisë pa plan, akte ligjore e kontrata me banorët. Garancia e vetme në duart e banorëve është një faturë bankomati ku tregohet shuma e bonusit të qerasë (pa afat) dhe urdhri për të mbledhur plaçkat brenda muajit gusht”, shkruhet në postim.
E kontaktuar nga Porta Vendore, Diana Malaj, përfaqësuese e këtij grupimi që vepron në zonën e Kamzës, tha se ata si aktivistë kanë investiguar në lidhje me çështjen që shqetëson banorët e Valiasit, ku është publikuar edhe një shkrim tek platforma Nyje.al.
”Për t’i dhënë zë kësaj problematike që rrezikon të bëhet shembja e ndërtesave dhe dëbimet e radhës nga një pushtet i çoroditur, pas shembjeve të dhunshme të shtëpive në zonën e Astirit dhe të Teatrit Kombëtar, grupi ATA me aktivistët artistë mori përsipër që: Të ndërmjetësonte vetorganizimin e banorëve duke tematizuar mes tyre në kafenetë, lagjet dhe oborret e shtëpive të tyre dhe t’u sugjeronte mbledhjen e një peticioni drejtuar Kryetarit të Bashkisë Rakip Suli. Në peticion kërkohet pezullimi i çdo shkatërrimi deri në plotësimin e kërkesave të banorëve për: hartimin, prezantimin, konsultimin dhe informimin e një plani të qenësishëm urban për zonën; rishikimi i bonusit të qerasë sipas propozimit të banorëve; takim publik e mediatik me të gjithë komunitetin nga Bashkia; garantimin e një dokumenti të vlefshëm ligjor ku sigurohet marrja e shtëpive dhe të gjitha detajet mbi banesën e re; garantimi i shtëpive me qira, ndërkohë dhe pagesa për to nga ana e Bashkisë; ndërprerja e kontratave të ujit dhe dritave menjëherë nga momenti i zhvendosjes së banorëve”, tha Diana në qëndrim e saj, si pjesë e grupimit ATA.
Aktivistët e Grupimit ATA të cilët po ndjekin me interes çështjen e Valiasit, kanë kërkuar informacion mbi Planin Urbanistik për projektin e ri, tek të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces por pa rezultat. As seanca dëgjimore e Komisionerit për të Drejtën e Informimit nuk ka ndihmuar për të shtënë në dorë një informacion kaq të rëndësishëm për banorët e zonës.
Grupimi ATA premton që do të vijojë rezistencën e tij, siç ka bërë në këto 6 vitet e fundit, për të parë një Kamëz më të mirë, më të drejtë dhe më të bukur.
Ndërkohë banorët e Valiasit po detyrohen të lenë shtëpitë e tyre, nën tymnajën e fjalëve dhe premtimeve në erë, lidhur me nje projekt që nuk u është bërë i njohur e aq më pak konsultuar me ta, pasi nuk ekziston ende.