Vëzhgim/Analizë

Plazhet e Jugut mes bukurisë përrallore dhe problemeve me mungesën e investimeve dhe menaxhimit të mbetjeve

24 gusht 2020/ Ola Mitre/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore/ Himarë/ Sarandë    

Për të disatin vit me radhë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit konfirmon cilësinë e ujërave që ofrojnë plazhet e Palasës, Dhërmiut, Drimadhes, Borshit, Jalës, Lukovës, Ksamilit, Sarandës etj. Në Raportin e Gjendjes në Mjedisit për vitin 2019, ky dikaster bën me dije se këto plazhe kategorizohen me cilësi të shkëlqyer të ujit dhe pa prani të mikroorganizmave E. Coli dhe S. Fecal. Por, teksa natyra duket se ka dhënë maksimumin në këto plazhe, ajo çka institucionet shtetërore kanë bërë për ta shfrytëzuar për dobi të zhvillimit të turizmit vlen për t’u diskutuar.

Për ata që zgjedhin Borshin, që është një prej fshatrave me vijën më të gjatë bregdetare në rivierën e jugut, duhet të bëjnë balancën mes detit të jashtëzakonshëm dhe disavantazheve që ofron infrastruktura në zonë. Gjithçka fillon sapo përfundon rruga që të çon afër plazhit. Pas saj gjithë gjatësia tjetër që të çon drejt fshatit është e paasfaltuar, çka bën që pluhuri të të shoqërojë gjatë gjithë kohës. Edhe bimësia rreth e rrotull është e mbuluar nga ky pluhur, ndërkohë që aksi duhet të ndahet mes automjeteve dhe pushuesve që zgjedhin të bëjnë shëtitje në afërsi të detit. Pjesë-pjesë ajo është asfaltuar nga vetë bizneset që ofrojnë shërbime në zonë e që për hir të së vërtetës ia dalin të tërheqin më shumë pushues për shkak të investimit të kryer prej tyre, sesa pjesa tjetër e subjekteve që operojnë në zonë. “U detyrova ta shtroj vetë, pasi nuk afrohej njeri”, thotë një prej pronarëve të një bar-restoranti që nuk pranoi të identifikohej. “Nuk mund të ulesh për të pirë apo ngrënë diçka e gjatë gjithë kohës të të vijë pluhuri”, shtoi ai.

Rruga e paasfaltuar e Borshit . Foto: O.Mitre

E teksa shëtitja buzë detit është një prej aktiviteteve kryesore që mund të kryejnë prindërit me fëmijë, ajo vihet në pikëpyetje kur mendon se duhet të shoqërohet me pluhur, rrezikun e makinave që kalojnë e koshave të mbetjeve që në orët e mbrëmjes janë të tejmbushur. Nuk ka ditë që jashtë tyre të mos ketë mbetje, çka tregon qartë që numri është i pamjaftueshëm. “Kalojnë vetëm një herë në ditë për t’i pastruar”, thotë një shitës ambulant, kur na shikon që po fotografojmë koshat. “A thua e kanë të vështirë të shtojnë edhe një tjetër, që plehrat të mos derdhen jashtë”, shton ai.

Plehrat kanë pushtuar shëtitoren e Borshit. Foto: O.Mitre

Ervini, babai i një fëmije 4 vjeç thotë për Porta Vendore se shëtitja nuk zgjat më shumë se 15 minuta, pasi është e pamundur të ecet në këto kushte. “Ky është viti i parë që unë pushoj në Borsh. Deti është fantastik, por kushtet infrastrukturore kanë nevojë për shumë ndërhyrje”, thotë ai. “Vitet e kaluar unë kam pushuar në Greqi. Një prej plazheve ku kam qenë ka një vijë bregdetare më të gjatë se Borshi, por në gjithë gjatësinë e tij kishte shëtitore ku mund të lëvizje në këmbë, karrocë apo biçikletë, ndërsa kalimi i makinave bëhej në një korsi të dedikuar”, shton Ervini, duke sugjeruar se ai model do i shkonte shumë edhe Borshit.

Mungesa e ndërhyrjeve karakterizon edhe plazhet publike në zonë, të cilët përveçse janë të papastruar (bimësi, por edhe mbetje) nuk ofrojnë as dushe publike për pushuesit. Ndërkohë që, siguria në plazhe është e pagarantuar, pasi edhe në rastin kur kulla e vrojtimit ekziston, ajo nuk është e plotësuar me pajisjet e nevojshme të shpëtimit dhe vrojtuesit e plazhit.

Plazhi e Borshit pa roje në kullat e vrojtimit dhe pa dushe publike. Foto: O. Mitre

Ngjashëm me Borshin, edhe plazhet e Lukovës dhe Porto Romanos paraqesin të njëjtën situatë: Plazhe publike të pasistemuar, mungesë dushesh e kulla vrojtimi. VKM-ja nr. 171, datë 27.3.2019 Për miratimin e rregullores për “Kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, neni 7 /pika 4 e sa sqaron se: “Të gjitha stacionet e plazhit duhet të garantojnë shërbimin me vrojtues plazhi përgjatë gjithë kohës që subjekti ushtron aktivitetin e tij, për çdo 80 (tetëdhjetë) m vijë lineare bregdetare. Për stacionet e plazhit, me vijë lineare bregdetare mbi 80 (tetëdhjetë) m, pajisjen me pika vrojtimi për çdo fraksion 80 (tetëdhjetë) m linear. Edhe stacionet e plazhit me vijë lineare bregdetare nën 80 (tetëdhjetë) m kanë detyrimin të kenë vrojtues plazhi”. Ndërsa theksohet gjithashtu se duhet të ketë në dispozicion të pushuesve 1 (një) dush me ujë të ëmbël për çdo 100 (njëqind) çadra; si dhe që plazhi të jetë i pajisur me shërbime higjienike, të paktën 2 (dy) për çdo kapacitet deri në 100 (njëqind).

Mbetjet në këtë të fundit nuk është e vështirë për t’i dalluar edhe rrugës teksa viziton një prej atraksioneve kulturore, që është kalaja e Ali Pashë Tepelenës në Himarë. Në fakt, edhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit raporton disa probleme në drejtim të mbetjeve në plazhet e jugut. Kështu, për plazhin e Palasës, “gjatë inspektimit higjieno-sanitar u vërejt prani e mbetjeve të sjella nga deti, mungesa e tualeteve, me prani të pakët të koshave të mbeturinave”. Për shkak të punimeve që po kryhen nga subjekti privat, në ndërtimin e infrastrukturës si dhe të godinave të Resortit Turistik, u vërejtën në pjesën e bregdetin sasi inertesh, pa prani të banjatorëve, pa prezencë të koshave të mbeturinave”, thuhet ndër të tjera në Raportin e Gjendjes në Mjedis 2019.

Edhe në plazhet e Dhërmiut, u vërejt brezi bregdetar i pastruar, me prezencë të koshave të mbeturinave. “Por, në 2 pika të monitorimit kishte të pranishme mbetje të ngurta nga prishja e ndërtimeve si dhe për shkak të punimeve në shëtitoren e Dhërmiut. Ndërkohë, gjatë inspektimit të plazhit të Qeparoit është vërejtur herë pas here prania e mbetjeve të sjella nga deti, prezencë e pakët e koshave për mbetjet urbane dhe e nyjeve sanitare”, thuhet në raportin e AKM-së.

Sipas ekspertit të turizmit, Kliton Gërxhani, në drejtim të kushteve që ofrojnë këto plazhe “ka përmirësime, por ka akoma shumë punë për të bërë”. “Për shembull shikohen më shumë kosha, por jo kudo ka dushe dhe kulla vrojtimi, ose edhe nëse ka kulla nuk ka personel që ta kryejë atë punë”, thotë Gërxhani për Porta Vendore. Sipas tij, përgjegjës për këtë situatë janë si pushteti qendror, por edhe ai vendor. “Të 2 pushtetet respektivisht për përgjegjësitë dhe kompetencat që u takojnë. Për shembull, rrugët nuk mund t’i bëjë pushteti lokal, por plazhin, detin dhe liqenin nuk mund të vijë qeveria ta pastrojë”, thotë ai. E teksa autoritetet shtetërore synonin që turizmi të kthehej në ”vaksinën” e ekonomisë për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, kundërpërgjigja për një sezon që garanton kushtet e nevojshme nuk ka ecur në të njëjtin kah. Sipas ekspertit, “infrastruktura turistike është shumë e rëndësishme për rritjen e cilësisë së shërbimit të turizmit dhe patjetër që atje ku mungon, i largon klientët e mundshëm ose i bën të pakënaqur ata që gjithsesi vendosin të qëndrojnë. Ndërkohë, Covid-19 ka qenë kriza më e rëndë e njohur ndonjëherë në mbarë botën dhe natyrisht ka dhënë efekte shumë negative edhe në turizmin tonë”, thotë ai për Portën Vendore. Për këtë arsye, Gërxhani rekomandon uljen në tavolinë të bizneseve me shtetin, qeverinë, por edhe bashkitë. “Edhe nëse nuk ka fonde mjaftueshëm, takimet duhet të bëhen pikërisht për të mirëmenaxhuar ato fonde që janë. Dhe në këtë situatë kaq të rëndë dhe të ndryshueshme çdo ditë, takimet duhet të bëhen edhe më të shpeshta, qoftë edhe online”, përfundon ai.

Cilësi e shkëlqyer e ujit për vitin 2019 rezultoi edhe në plazhet e vijës bregdetare të Ksamilit. që sipas raportit të AKM-së janë edhe shumë të pastra, me prani të koshave të mbeturinave dhe me tualete. “Nga inspektimi është konstatuar që plazhet janë shumë të pastra, me prani të koshave për mbetjet dhe të pajisur me tualete. Në 9 seritë e monitoruara në të 3 stacionet e monitorimit në plazhet e Ksamilit, sipas rezultateve analitike (vlerësimi për prani të mikroorganizmave E. Coli dhe S. Fecal) nuk vërehet ngarkesë mikrobike e ujërave në këto plazhe”, thuhet ndër të tjera në raport.

“Ndërkaq, sa i takon plazheve të Sarandës, cilësia e shkëlqyer e ujërave rezulton në 83% të tyre, ndërsa në 17% klasifikohen në kategorinë “cilësi e mirë”. Kjo vërehet në stacionin 6 të monitorimit (Kanali i Çukës) dhe në pikën 3 të monitorimit (Plazhi i ri), ku u konstatua ndotje mikrobike. Megjithatë, sipas raportit, për Sarandën për vitin 2019, ujërat e kategorisë ‘cilësi e shkëlqyer’ janë në rritje krahasuar me 2015 deri 2016 dhe njësoj me 2017 dhe 2018. Ndërkohë, numri i stacioneve të kategorisë ‘cilësi e mirë’, për vitin 2019 është ulur në krahasim me vitin 2016 dhe 2018 si dhe është njësoj me 2015 dhe 2017. Për këto plazhe, gjatë inspektimit u vërejt prani e nyjeve sanitare si dhe e koshave të mbeturinave”, vijohet në raportin e AKM.

Saranda ka një sërë plazhesh, ku ndër to mund të përmendim: Plazhin e Centralit, e Manastirit, e Pasqyrave, e Pulëbardhës, e Shpellës Lukovë, e Kakomesë dhe plazhet e Ksamilit. Ata që janë adhurues të këtyre plazheve, kanë dashur të mos e humbasin ritualin e tyre por të mund t’i vizitojnë këto vende magjike edhe në kohë Covidi.

Suela ka ardhur nga Durrësi në Lukovë dhe ajo tregon se prej 10 vitesh e ndjekë këtë rrugëtim, madje në të njëjtin vend qëndrimi dhe data.

“Ndodh që çdo vit përveçse mund të lëvizim disa ditë jashtë, stacionohemi në Lukovë, pasi na pëlqen shumë ambienti këtu, deti është madhështor dhe neve tanimë gjithçka këtu na duket si shtëpi e dytë. Jemi shumë të lumtur sa herë ndërmarrim këtë udhëtim. Gjithsesi edhe pse në pandemi, nuk mund t’i rezistonim dot dëshirës për të qenë në këtë vend, sigurisht duke respektuar masat e distancimit fizik, duke dezinfektuar duart herë pas here dhe duke qëndruar vetëm me familjen e jo në kontakt me njerëz të tjerë”, thotë ajo për Portën Vendore, ndonëse nuk dëshiron të artikulojë problemet që mendon se Saranda ka, pasi siç thotë edhe ajo vetë këtë vit duhet pushuar shqip dhe është e kotë t’i bëjmë reklamë negative vendit thjesht se mungon një kosh mbeturinash, një roje ose një rrugë.

“Këtë vit di që edhe shumë nga miqtë tanë të familjes kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacionin e tyre të pushimeve dhe kjo në fakt me entuziazmon shumë, pasi ne po solidarizohemi dhe në njëfarë mënyre po kontribuojmë me aq sa kemi mundësi në shtëpinë tonë, në atdheun tonë dhe kjo është gjë pozitive. Ndaj nuk dua të ndalem në problemet që shikoj sivjet ose që kanë qenë prezente çdo sezon turistik këtu në Sarandë”, tha Suela, e cila është me profesion notere.

Sidrita është një tjetër pushuese, e cila ka zgjedhur Sarandën e bukur që të kalojë pushimet e saj verore. Ajo tregon se paçka se me një numër ditësh më të kufizuar se vitet e kaluara, ajo dhe familja e saj prej 2 anëtarësh kanë zgjedhur jugun e Shqipërisë, ku e kanë aksesuar këtë të fundit me anë të një agjencie udhëtimesh.

Plazhi i Sarandës .

“Sivjet për shkak të krizës nga Covid 19 pushimet u reduktuan me 50% në familjen tonë. Por megjithatë ne kishim menduar një buxhet prej 500-600 eurosh dhe ndaj kemi zgjedhur Sarandën për të kaluar 4 ditë relax, e që më pas të mund t’i rikthehemi ritmit të punës me energji të reja”, tregon ajo, ndërsa thekson se është hera e parë që vjen në Sarandë dhe viziton plazhet e Ksamilit.

“Kisha dëgjuar që është bukur në Ksamil por çdo vit shkonim me pushime në Greqi ndaj nuk ishim bërë mbarë që të vinim këtu, por paskemi humbur kot. Jugu jonë është vërtetë i bukur, dhe Ksamili është qershia mbi tortë mendoj”, tregon 30-vjeçarja nga Shkodra.

Por ajo çfarë e shqetëson atë dhe shumë turistë të tjerë është situata e mbetjeve urbane në zonën e Ksamilit të cilat qëndrojnë pirg nëpër kontejnerë, duke mos i tërhequr njeri për ditë të tëra.

Por ndryshe nga sa thotë raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, ekspertet mjedisore dëshmojnë për shqetësime të përvitshme në këtë periudhë lidhur me çështjen e mbetjeve në zonën e Ksamilit, pasi për ta problemi i mbetjeve është një problem i kahershëm në këtë qytezë. Shqetësim i cili me nisjen e sezonit turistik për çdo vit, vjen në rritje, për shkak të numrit të turistëve që zgjedhin të kalojnë pushimet e tyre pranë detit Jon. Banorë dhe aktivistë të shoqërisë civile janë ankuar shpesh pranë institucioneve përgjegjëse, por këto të fundit nuk kanë dhënë një zgjidhje.

Mbetjet urbane të hedhura pa kriter dhe jashtë kontejnerëve në zonën e Ksamilit.

Një grup të rinjsh aktiviste të shoqatës “Lëvizja për Zhvillimin e Turizmit” që prej disa vitesh mundohen të sensibilizojnë banorët dhe bizneset për të mbajtur pastër bregdetin e tyre, sidomos gjatë periudhës së verës, këtë vit kanë ndërmarrë një iniciativë me të strukturuar, me mbështetjen edhe të Leviz Albania, duke synuar zgjidhjen e problemit të menaxhimit të mbetjeve në territorin e Ksamilit nëpërmjet ndryshimit të qasjes së banorëve vendas për mbetjet si dhe angazhimin e institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e mbetjeve.

 “Firma e pastrimit nuk respekton oraret e heqjes së mbetjeve urbane, orare të cilat ajo vetë i ka dakordësuar në memorandumin e bashkëpunimit që kemi nënshkruar ndërmjet Institucionit të Bashkisë Sarandë, Firmës së Pastrimit “KORSEL” dhe Shoqatës “Lëvizja për Zhvillimin e Turizmit”. Tjetër pengesë për menaxhim të suksesshëm të mbetjeve urbane është edhe qasja jo e duhur e banorëve vendas në mënyrën sesi bëjnë depozitimin e mbetjeve, pa orar dhe hera herës hedhje të mbetjeve jashtë kontejnerëve”, tha drejtuesi i Shoqatës “Lëvizja për Zhvillimin e Turizmit”, Soraldo Nebo.

Gjatë aksionit për vendosjen e orareve në kontejnerët e mbetjeve në Ksamil.

Ndotja në Ksamil në këndvështrimin e tij ndodh për shkak të hedhjes pa kriter nga banorët, turistët dhe bizneset e zonës të mbetjeve, por edhe nga keqmenaxhimi i firmës së mbledhjes së mbetjeve.

Kjo kompani e ka fituar tenderin për pastrimin dhe largimin e mbetjeve më 03.01.2019 me Bashkinë Sarandë, me një fond prej 55, 73 milionë lekë të reja, ndërkohë që fondi limit ishte 55,70 milionë lekë të reja. Në garë për këtë tender ishin edhe dy kompani të tjera, përkatësisht: Pastrime Silvio SHPK dhe REJ SHPK, ku kjo e fundit ka bërë ankesë pranë KPP-së, ndërsa është marrë vendimi se kjo kompani është skualifikuar sepse “Në asnjë nga mjetet e paraqitura në kontratën e qerasë nuk është paraqitur Akti origjinal i pronësisë i qiradhënësit apo kopje e noterizuar”.

Kontrata 1-vjeçare e kompanisë me Bashkinë Sarandë sipas burimeve jozyrtare është rinovuar me të njëjtat detaje, por e pyetur mbi situatën e menaxhimit të mbetjeve në territorin e saj dhe për detaje të kontratës me këtë kompani që merr tenderin e pastrimit të qytetit për vitin e dytë radhazi, pavarësisht kundërshtive të shumta e pakënaqësive të banorëve, Bashkia Sarandë tha se shërbimi i pastrimit ofrohet nga kompania “Korsel” sh.p.k. e cila është e kontraktuar nga Bashkia Sarandë, sipas procedurave të prokurimit.

“Kjo kompani kryhen fshirjen e rrugëve, shesheve, shkallareve etj, ditën edhe natën, larjen e rrugëve sipas një grafiku të miratuar nga Bashkia, grumbullimin e mbeturinave nëpër kontejnerë dhe transportin e tyre për në landfill, grumbullimin dhe largimin e mbetjeve inerte, voluminoze etj, të ndodhura rreth kontejnerëve dhe zëra të tjerë punimesh, të për-caktuara në preventivin e punimeve dhe në kontratën e sipërmarrjes me Bashkinë. Gjatë periudhës qershor – shtator, në të gjithë territorin administrativ të Bashkisë, largimi i mbetjeve kryhet dy herë /24 orë, pra një shërbim ditën dhe një shërbim natën, për shkak të ngarkesës gjatë kësaj periudhe. Gjatë periudhës tjetër të vitit ky shërbim kryhet vetëm një herë, natën. Në periudhën qershor – shtator, kryhet edhe shërbimi i larjes së rrugëve çdo ditë”, tha Bashkia Sarandë në përgjigjen e saj zyrtare për Portën Vendore.

Por ajo që shoqëron turistët dhe me të drejtë është shija e keqe që lënë pas kontejnerët e tejmbushuar dhe mbetjet e shpërndara nëpër zonë.

“Vitet e fundit po hasemi me komente negative në lidhje me pastërtinë e territorit, klientë qe shprehen: një Ksamil shumë i bukur, njerëz shumë të mirë, ushqimi fantastik, por shohim zona të ndotura, ishujt plot mbetje, zona e liqenit po ashtu, kontejnerë të tejmbushur dhe të pa pastruar për një kohë të gjatë. Ka shumë raste që apelojnë për më shumë vëmendje nga pushteti lokal për të mbrojtur parajsën, siç ata e quajnë Ksamilin”, tregon më tej aktivisti Soraldo Nebo për Portën Vendore.

Prej dy javësh shoqata ka bërë një monitorim në terren, nëse po respektohen oraret a jo. Ajo që doli nga ky monitorim dyjavor ishte qe firma e pastrimit “KORSEL” nuk respekton asnjë orar që ajo vet ka dakordësuar.

Ksamili gjatë verës mund të ketë rreth 30 000 banorë, por firma e pastrimit nuk mbulon të gjitha zonat dhe nuk respekton oraret e mbledhjes së mbetjeve”, tha eksperti i mjedisit, Kristo Kauri.

E pyetur nga Porta Vendore specifikisht për zonën e Ksamilit, se si menaxhohen mbetjet, sidomos gjatë kësaj periudhe të ngarkuar të vitit, për shkak të sezonit turistik, Bashkia Sarandë tha se për sezonin veror 2020, ka kryer takime me biznesin dhe kompaninë e pastrimit, duke u shpërndarë grafikun e lëvizjes së mjeteve sipas rrugëve, si dhe bizneseve u është shpërndarë njoftimi për nxjerrjen e mbetjeve në oraret e deklaruara nga kompania e pastrimit për të mos patur grumbullim jashtë kontejnerëve.

“Në përgjithësi ka respektim të orareve nga të dyja palët, por ka patur edhe raste kur për faj të kompanisë (vonesa në orar për shkak të trafikut ose ndonjë defekt teknik të mjeteve) ose për faj të bizneseve që nuk i nxjerrin në orar mbetjet, kemi patur grumbuj mbetjesh pranë kontejnerëve”, tha Bashkia Sarandë, ndërsa bën të ditur se për vitin 2020 buxheti i Bashkisë për menaxhimin e mbetjeve është në total 91 milione lekë, ku 66 milionë shkojnë për pastrim, grumbullim dhe transport mbetjesh dhe 25 milionë në landfillin Bajkaj për përpunimin e mbetjeve.

Bashkia Sarandë u pyet nga Porta Vendore gjithashtu për situatën e infrastrukturës rrugore por nuk dha asnjë koment në lidhje me këtë çështje.

Eksperti i mjedisit Kristo Kauri gjithashtu ka bërë të mundur trajnimin e një grupi të rinjsh për problemet mjedisore në zonën e Ksamilit.

Eksperti mjedisor Kauri tregon për Portën Vendore se Ksamili ka një sërë problemesh të tjera, siç është tjetërsimi i vijës bregdetare nga ndërtimet pa leje, të cilat kanë shkatërruar shkëmbinjtë koralorë, si dhe i kanë ofruar vendit një kaos urban të pazakontë pas viteve ‘90, ku stilet e ndryshme arkitekturore, veçse e kanë shëmtuar Ksamilin.

Por vala e mbeturinave nuk ka pushtuar vetëm Ksamilit, por ka mbërritur edhe në ishujt përreth tij. Plazhet e ishujve të cilat aksesohen me varka ose skafe janë të frekuentuara nga turistë të shumtë, çka sjell edhe ndotjen e tyre. “Nisma e Luleve”, të cilës Porta Vendore i ka kushtuar disa kohë më parë një artikull, dhe Shoqata “Lëvizja për Zhvillimin e Turizmit” kanë ndërmarrë një aksion për pastrimin e ishujve, ndonëse është një detyrim i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura për monitorimin dhe mbrojtjen e ishujve, të shpallura si zonë e mbrojtur e kategorisë A, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit.

“ADZM (Administrata e Zonave te Mbrojtura) nëpërmjet rangersave ( punonjësi i AZM-së, me pozicionin e një ruajtësi e menaxheri të drejtpërdrejtë të zonës së mbrojtur mjedisore) bën monitorimin dhe mbrojtjen e zonës së ishujve, gjë që nuk ka ndodhur deri më sot. Plazhet e ishujve janë përplot me mbetje të krijuara nga bizneset e paligjshme që ushtrojnë aktivitetin në to. Konkretisht plazhet e ishujve të Ksamilit janë të keqmenaxhuara ose të pa menaxhuara fare. ADZM ka dështuar në mbrojtjen e kësaj pasurie, pushteti lokal delegon përgjegjësitë e veta duke pretenduar se nuk ka autoritet në ishuj. Pushteti lokal ka dështuar në parandalimn e shkatërrimit të vijës bregdetare nga depozitimi i rërës gëlqerore në ujërat e kristalta të Ksamilit. Një fenomen që po krijon hapësira plazhi ranor, por po prish ekuilibrat e mjedisit ujor”, shton Soraldo.

Edhe për specialistin mjedisor, Kristo Kauri, shfrytëzimi që po i bëhet plazheve të ishujve në Ksamil është i paprecedentë. “Shezlonget dhe baret nuk lejohen në këto zona të mbrojtura. Ka vite që vazhdon e njëjta situatë. Këto ishuj duhen mbrojtur si sytë e ballit”, thotë eksperti i Kauri për Portën Vendore. Ai pohon se nëse Ksamili vijon me këto probleme maksimumi i jetëgjatësisë së tij është 40 vite.

Në fakt në ligjin Nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”, neni 3 i pikës 1 thotë qartësisht se Administrata e zonës së mbrojtur (AZM)” është organi vendor përgjegjës për ruajtjen dhe menaxhimin e një zone të mbrojtur”. Ndërsa neni 16, pika 2 b, thotë se në këto zona përjashtohet njeriu nga shfrytëzimi ose zënia me aktivitete intensive.

Porta Vendore iu drejtua Drejtorit të kësaj agjencie, ku z. Zamir Dedej na delegoi tek znj. Lorela Lazaj, Drejtoreshë e AdZM Vlorë, për shpjegime të mëtejshme.

E pyetur nga Porta Vendore se si po kryhet menaxhimi i ishujt të Ksamilit, Lazaj shpjegon se Ishujt e Ksamilit janë pjesë e rrjetit të zonave të mbrojtura natyrore si pjesë e territorit të Parkut Kombëtar të Butrinit dhe me vendimin e fundit të Parkut ato bëjnë pjesë në zonën A3, nënzona e trashëgimisë kulturore e cila administrohet nga Zyra e Administrimit dhe Koordinimit (ZAK) Butrint, në varësi të ministrisë së kulturës dhe Administrata e Parkut në varësi të ministrisë së Mjedisit (VKM 134, date 20.02.2013).

“Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura (AdZM) Vlorë, përfaqësuese në nivel Qarku e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) mban në monitorim zonën për evidentimin e rasteve të kundravajtjeve në këtë zonë dhe raporton për marrjen e masave në institucionet përkatëse, polici, IKMT apo prokurori, sipas llojit të shkeljes së konstatuar. Në kuadër të procesit të rikonceptimit të statusit dhe shtrirjes së PK Butrint, në vijim të procesit të hartimit të Planit të Menaxhimit të Integruar të PK Butrint, nga ana jonë është propozuar rishikimi i zonimit dhe administrimit të Ishujve të Ksamilit, duke kërkuar heqjen nga zona e trashëgimisë kulturore dhe kalimi në menaxhim tërësor të AKZM, për të shmangur paqartësinë e kompetencave të krijuara në situatën aktuale të menaxhimit”, tha ajo.

Përsa i përket pastrimit të mbetjeve në këto ishuj, në sezon turistik Lazaj shprehet se kjo është kompetencë e pushtetit vendor dhe Agjencia që ajo drejton për qarkun Vlorë nuk ka burime financiare për ta mundësuar këtë.

“Mbetjet në zonat turistike në vendin tonë përbëjnë problematikën më evidente, e cila kërkon gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe përfundimtare. Zonat e mbrojtura konsiderohen si vende ku vizitorët nëpërmjet ndërgjegjësimit dhe informimit tentojnë drejt ndikimit minimal të pranisë së tyre. Agjencia jonë nuk është përgjegjëse për menaxhimin e mbetjeve, përsa kohë menaxhimi i mbetjeve është një funksion ekskluziv i pushtetit lokal. Në këto kushte nga ana jonë nuk dedikohen fonde për menaxhim direkt mbetjesh. Megjithatë agjencia bashkëpunon me ZAK Butrint dhe organizata jofitimprurëse lokale për organizimin e fushatave të pastrimit dhe të ndërgjegjësimit në zonë. Gjatë këtij viti, periudha e pandemisë ka impaktuar edhe aktivitetet e planifikuara për PK Butrint”, vijon më tej ajo për Portën Vendore.

Porta Vendore gjithashtu e pyeti AdZM Vlorë për mundësitë reale që kanë mbi ruajtjen me roje të ishujve. Drejtoresha e këtij filiali për qarkun Vlorë shpjegon se për Parkun Kombëtar të Butrintit aktualisht janë të caktuar 4 ranger (roje mjedisore) ku mbulojnë të gjithë territorin e parkut, rreth 9400 ha. Njëri prej këtyre rangersave mbulon edhe Ishujt e Ksamilit, pjesë e një totali sipërfaqeje rreth 400 ha.

Përsa i përket ndërtimeve sezonale në këto ishuj, servirur në trajtën e lokaleve verore dhe pajisjen me shezlonge për sezonin veror, znj. Lazaj sqaron se Ishujt e Ksamilit janë vazhdimisht të kërcënuar nga aktivitetet informale, për shkak të potencialit dhe atraktivitetit të lartë turistik.

“Gjatë 5 viteve të ekzistencës së institucionit tonë, ky problem i mbartur ka qenë shqetësimi kryesor në menaxhimin e tyre. Është dashur një ndërhyrje e kombinuar e institucioneve me kompetenca në këtë territor, për të arritur në largimin e tyre nga ishulli për çdo vit. Përsëri gjatë këtij viti, punonjësit tanë kanë konstatuar rivendosje të shezlongeve në disa zonë nga persona të paidentifikuar. Për këtë rast, sipas detyrave ligjore që ka AdZM-ja është mbajtur procesverbali i konstatimit të rastit dhe është kërkuar bashkëpunimi i IKMT dhe Policisë për identifikimin e autorëve dhe marrjen e masave për sanksionet përkatëse dhe lirimin e sipërfaqes”, vijon drejtuesja e AdZM Vlorë për Portën Vendore, duke theksuar se AKZM nuk ka dhënë asnjëherë leje apo pëlqim për ndërtime në këto ishuj. “Nga ana jonë në përputhje me statusin e zonës, inkurajohen vetëm aktivitetet me bazë natyrën, të cilat përfshijnë shëtitjen dhe eksplorimin e ishujve”, përfundon ajo.

Pra megjithëse ligji detyron AZM si organi vendor përgjegjës për ruajtjen dhe menaxhimin e një zone të mbrojtur, kjo e fundit e hedh topin tek pushteti vendor, IKMT dhe policia për ndërtimet pa leje në ishujt e Ksamilit.

Facebooktwitterredditpinterestlinkedinmail