Vëzhgim/Analizë

Hapja e shkollave, ekspertët: Dakord, por me kushte! Prindërit e mësuesit, të paqartë e skeptikë

21 gusht 2020/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore

Pavarësisht situatës së Covid 19 dhe numrave të shtuar të të infektuarve, Ministria e Shëndetësisë dhe e Arsimit komunikuan vendimin për hapjen e shkollave në shtator dhe nisjen normale të mësimit. Por ajo që ministrja e arsimit tha shkurtimisht përmes një video, se mësimi do të zhvillohet me turne dhe me grupe të vogla nxënësish, ka ngritur një sërë pikëpyetjesh për prindërit dhe mësuesit, të cilët janë skeptikë sesi do të zhvillohet mësimi dhe cilat do të jenë masat për ruajtjen e shëndetit të fëmijëve të tyre. Ndërsa ekspertët e arsimit, ndonëse e mbështesin hapjen e shkollave, deklarojnë se duhen plotësuar një sërë kushtesh.

Porta Vendore publikoi dje detajet e dala në deklaratën për shtyp të dy ministreve, konkretisht Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe Ministres së Arsimit Besa Shahini, megjithëse gjatë këtij komunikimi virtual të tyre nuk u dhanë më shumë detaje lidhur me mënyrën e funksionimit të mësimit dhe masat e marra përsigurimin e jetës së fëmijëve.

“Ne duam t’i hapim shkollat për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, por sipas specifikave që kanë shkollat, duke e kombinuar me mësimin online kur duhet të mbyllet një shkollë, apo një grup shkollash. Bashkitë duhet të fillojnë pastrimin e shkollave dhe përgatitjen për në shtator”, tha Shahini. Ndërsa Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se parakusht për hapjen e shkollave vlerësohet krijimi i kushteve higjieno-sanitare dhe respektimi rigoroz i protokolleve të sigurisë, të përcaktuara tashmë nga ekspertët e shëndetit publik. Ky ishte njoftimi i shkurtër i shpërndarë nga dy ministret, por pa dhënë detaje të mëtejshme sesi do realizohet procesi mësimor në mënyrë që nxënësit të mos jetë të rrezikuar nga Covid-19. Ndërsa ende nuk ka një vendim qeverie të zbardhur për këtë çështje.

Pavarësisht njoftimit publik për nisjen e shkollave, vetëm një ditë pas daljes publike të dy ministreve, Ministria e Shëndetësisë ka publikuar udhëzimin për mënyrën se si do të zhvillohet mësimi në shkolla. Në këtë udhëzim përfshihen që nga menaxhimi i rregullave në klasë brenda orës mësimore, duke ruajtur distancimin fizik, tek sjellja e nxënësve, roli i drejtuesit të institucionit, prindit, e rojës së shkollës.

Por çfarë mendojnë ekspertët për këtë vendim të qeverisë?

Pëllumb Pipero, mjek infeksionist e përshëndet këtë vendim dhe thotë për Portën Vendore se ai është mbështetës i fortë i hapjes së shkollave. Pipero siguron se nuk ka asnjë rrezik për shëndetin e fëmijëve nëse zbatohen disa kushte të domosdoshme. “E para dua të them që kam qenë dhe jam mbështetës i fortë i idesë së hapjes së shkollave për shumë arsye. Së pari psikologjikisht nuk duhet t’i vrasim fëmijët. Së dyti nga eksperienca e marrë nga epidemitë e gripit, evidencat kanë dëshmuar se mbyllja e shkollave nuk ka qenë zgjidhje, madje nuk ka ndikuar fare në uljen e ritmit të transmetimit të viruseve të gripeve stinore. Së treti unë mbështes fort idenë se mbylljet nuk janë zgjidhje, janë zgjidhje për të përballuar një emergjence, po jo zgjidhje afatgjata, përkundrazi dëmtojnë rëndë jo vetëm ekonominë por edhe shëndetin. Vendimi për hapjen e shkollave është vendimi më i mirë i mundshëmdhe i marrë në kohën e duhur”, thekson doktor Pipero, i cili numëron disa kushte të domosdoshme që duhen zbatuar, siç është mbajtja e maskave në klasë, mësimi me turne dhe numri i reduktuari nxënësve në klasa. “Duhet të respektohet protokolli i zbatueshëm, që do të thotë që të organizohen turne, të ulet numri i nxënësve për klasë, të reduktohet ora e mësimit pa dëmtuar cilësinë e mësimit dhe duhet doemos të kenë kushte higjieno-sanitare optimale, që do të thotë të ketë numër banjosh me ujë të rrjedhshëm, të ketë dezinfektues duarsh ose alkool të ofruar nga shkolla, jo t’u themi nxënësve ta marrin me vete në çantë. Duhet të ketë doemos maska sipas moshës dhe përgjithësisht moshat mbi 6 vjeç e lart të përdorin maska. Të kontrollohet shëndeti i mësuesve dhe ata të mbajnë maskë dhe të monitorohet temperatura. Dhe duhet që jo në çdo rast pse doli një nxënës pozitiv, apo pse doli një mësues, o burra të mbyllim shkollën. Përkundrazi nuk ka asnjë arsye për të mbyllur shkollën. Ai do të ishte vendim ekstrem, atëherë kur numri i nxënësve dhe mësuesve është i papranueshëm për të vijuar mësimin”, shprehet Pipero, i cili thekson se kusht duhet të jetë edhe vaksinimi i personelit mësimor dhe nxënësve deri në moshën 14 vjeç për gripin stinor. “Në rast se marrim të gjitha këto masa dhe detyrojmë me ligj administratën shkollore të zbatojë këto protokolle asgjë e keqe nuk do të ndodhë nëpër shkollat tona nesër”, thekson Pipero për Portën Vendore.

Të njëjtin mendim ndan edhe ish ministri i Arsimit gjatë qeverisjes së PD, Myqerem Tafaj. Për Portën Vendore, Tafaj thekson se sa më shumë fëmijët të qëndrojnë në shtëpi aq më shumë humbasin njohuri, aq më shumë thellohet prapambetja ndaj dhe nisja e shkollave është domosdoshmëri duke respektuar disa kushte për t’u mbrojtur nga pandemia.

“Shkollat duhen hapur, por me 3 kushte: kushtet e higjienës që duhet të sigurohen, kushtet e distancës fizike dhe maska. Kushtet e higjienës nuk është një fjalë goje, nënkupton që deri tani bashkitë duhet të kishin zgjidhur problemin e mjediseve të shkollave dhe të kushteve higjieno-sanitare. Të urojmë që e kanë zgjidhur, por është e vështirë për t’u besuar që kjo ka ndodhur. E dyta çështja e distancës fizike komplikohet sidomos në qytete, ku kemi shkolla me shumë nxënës, si Tirana, Durrësi etj., ku ështëaktualisht ndarja e klasave me turne paradite dhe pasdite por edhe këtu duhet gjetur një zgjidhje. E treta, mbajtja e maskave. Shumë vende e kanë vendosur si detyrim mësimin me mbajtjen e maskës ku nuk realizohet distanca, të paktën për javët e para, për të mos lejuar transmetimin e virusit nga shtëpia tek nxënësit e tjerë. Në këtë situatë unë shoh si mundësi reale hapjen e shkollave nëse realizohen këto 3 kushte”, thekson ish ministri. Ai thotë se të paktën 70% e shkollave në mbarë vendin e kanë të lehtë plotësimin e këtyre kushteve, problem shikon veçanërisht Tiranën e Durrësin që kanë numrin më të madh të nxënësve në shkolla. “Pra nëse kushtet e higjienës në shkolla nuk plotësohen kjo është e pamundur. Me 30 nxënës në Tiranë nuk bëhet mësimi. Ata duhen ndarë. Janë 5-6 shkolla në Tiranë që kanë ngarkesën më të madhe, por po kalove unazën e vogël të Tiranës numri nuk është aq i madh. Unë mendoj se mund të menaxhohet. Pse jo mund të përdoret si strategji marrja e ambienteve me qira. Godina të lira gjenden. Por të paktën 70% e shkollave të Shqipëri nuk e kanë problemin e ngarkesës me nxënës. Problemi bëhet i vështirë në kryeqytet, në Durrës, pjesërisht në Elbasan, Fier e Shkodër, por mendoj se mund të menaxhohet”, thekson ish ministri i Arsimit.

Ai e sheh më efikas mësimin në klasa sesa online, për të cilin thotë se krijoi boshllëqe në formimin e fëmijëve. “Ne jemi të vetëdijshëm që mbyllëm një vit shkollor gjysmak. Nxënësit humbën sipas një raporti të bankës botërore rreth 4 muaj, që sigurisht rëndoi dhe kanë lënë gjurmë në formimin e nxënësve dhe ka thelluar prapambetjen e tyre. Mësimi online në Shqipëri për pjesën më të madhe të nxënësve është i pamundur sepse Shqipëria nuk ka as platforma online, nuk ka as mësues të trajnuar për mësimin online dhe as nxënësit nuk janë trajnuar. Në shkollat fillore as që bëhet fjalë të bëhet mësim online. Ajo që u bë vitin e kaluar shkollor praktikisht ishin prindërit që u morën me fëmijët, por kjo nuk është zgjidhje, nga ana tjetër aksesi në internet është shumë i dobët në pjesën më të madhe të vendit. Pra një procesi mësimor online defakto është i pamundur”, thekson zoti Tafaj.

Më e ashpër ndaj qeverisë është ish zëvendës ministrja e Arsimit, Nora Malaj, e cila sapo e ka fituar betejën me virusin Covid-19. Ajo thotë se kanë kaluar 6 muaj që nga marsi kur u mbyllën shkollat për shkak të pandemisë dhe që nga ajo ditë e deri më sot Ministria e Arsimit nuk ka bërë asnjë analizë të situatës, dhe madje as nuk ka studiuar plan-veprimet e shteteve të tjera. Sipas Malajt, Ministria e Arsimit nuk ka një plan të mirëfilltë sesi do të realizohet procesi mësimor në shtator dhe gjithçka ia ka lënë fatit, duke e cilësuar këtë që po ndodh me arsimin në Shqipëri një tërmet social 9 ballësh. Ajo sugjeron që shkolla të nisë për fëmijët e klasave të para, ndërsa thotë që qeveria duhet të rrisë buxhetin për arsimin dhe të shtojë numrin e mësuesve, ndërsa e gjithë situata kërkon një analizë të mirëfilltë nga specialistët e arsimit. “Qeveria duhet të mblidhet urgjent, të rrisë buxhetin për arsimim, të rrisë numrin e mësuesve për të zhvilluar arsimin edhe në mënyrë të pjesshme. Unë si specialiste mendoj se fëmijët e klasës së parë detyrimisht duhet të shkojnë në klasë, të prezantohen me mësuesit, të njihen dhe ta prekin shkollën sepse ajo është shumë e rëndësishme. Çdo gjë rrezikon në përhapjen e Covidit, nëse nuk ka kujdes. Por nëse merren masa dhe bëhet një analizë nuk ka vend për shqetësim. Duke marrë masat asnjë gjë e keqe nuk ndodh, përkundrazi mësimi realizohet. Por sot kemi dështim total fatkeqësisht të një shteti që ende nuk di nga ta fillojë gjënë. Ministrja e Arsimit ka ulur automatin. Për mendimin tim duhet të kishte dhënë me kohë dorëheqjen”, shprehet Malaj për Portën Vendore.

Ndërsa Rigels Xhemollari, drejtues i Qendresës Qytetare ku në fokus të saj ka arsimin, thotë se vendimi për vazhdimin e mësimit online do të ishte një dëm i madh dhe i parikuperueshëm për dijen e nxënësve.

Sipas Raportit të Bankës Botërore, raportit të PISA 2019 dhe monitorimeve të tjera të realizuara nga organizatat vendase dhe të huaja, Shqipëria është e fundit në Rajon sa i përket infrastrukturës dixhitale dhe fuqisë së internetit për të realizuar mësimin online efektiv, i cili duhet të jetë mbi 10MB/s, standard i cili mund të përmbushet vetëm në disa lagje të kryeqytetit. Kjo nënkupton faktin se një vendim për të vijuar mësimin online do të ishte në dëm të dijes dhe nxënësve, sidomos atyre të klasave të para të cilët do rrezikonin të mos përfitonin dijet e nevojshme për të përparuar në mësime. Vlerësimi i situatës së pandemisë dhe ndikimi i saj në shkolla është një vendim që i takon epidemiologëve, por mendoj se një protokoll i detajuar i procesit mësimor që siguron zbatim të masave anti-covid do të ishte zgjidhja e duhur, ku duhet të shoqëronte urdhrin e Ministres për hapjen e shkollave, ashtu siç po ndodh edhe në vendet e BE”, thotë për Portën Vendore Rigels Xhemollari, Drejtues Ekzekutiv i Qëndresës Qytetare.

Mësuesit e prindërit skeptikë e të paqartë

Por megjithatë prindërit janë ende të paqartë e skeptik, madje të frikësuar për shëndetin e fëmijëve, por edhe mësuesit nuk kanë më shumë informacion dhe janë spektikë për mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Genci (është një emër i vendosur nga redaksia, pasi ai dëshiron të mbetet anonim duke thënë se çdo mendim i tij i lirë do përdoret si “luftë” kundër pushtetit dhe për këtë arsye rrezikon vendin e punës) është mësues matematike në një shkollë të Tiranës. Si mësues thotë se përveç pyetësorit të Ministrisë që ka plotësuar së bashku me kolegët e tij, nuk është njohur me asnjë plan tjetër pune për mënyrën e zhvillimit të mësimit, ndërsa si prind thotë se nuk do t’i çojë fëmijët e tij në shkollë për disa arsye.

“E para nuk ka dalë një program, një plan pune që t’i thuhet mësuesve që do punoni me këto kushte, me 10-15 nxënës, higjiena do jetë e tillë. Pra nuk ka diçka të shkruar që ne të japim një mendim. Për momentin na kanë sjellë një pyetësor, kemi plotësuar atë pyetësorin që tha Ministrja e Arsimit. Unë jam skeptik si mësues ashtu edhe si prind. Unë kam dy fëmijë, por shkollat e tyre janëme turne dhe bëjnë mësim pasdite. Si do ta çoj unë fëmijën tim njërin në gjimnaz me dy turne dhe tjetrin në 9-vjeçare? Ne nuk kemi kushte fizike. Për shembull në shkolla mungojnë detergjentet. Në shumë shkolla ka mungesë disipline. Mësuesit nuk i mbajnë dot nxënësit në orën e mësimit, jo më të detyrojnë nxënësit të mbajë maskat apo të ruajë distancën. Këtë punën e distancës e shoh të pamundur fare. Si do t’ia bëjë ‘Lidhja e Prizrenit’ ku kam djalin, që ka dy shkolla brenda, plus që klasat janë shumë të vogla. ‘Sami Frashëri’ është super shkollë, por është zhvendosur te Çajupi, që sërish është shkollë me numër shumë të lartë nxënësish. Si mund të menaxhohen ata? Përderisa nuk ka një plan të qartë për prindërit dhe mësuesit, nuk e di çfarë të them”, shprehet Genci, ndërsa sheh si shqetësim edhe anën financiare të situatës.“S’po flasim për anën ekonomike, sepse maskat dhe detergjenti kushton. Vetëm me maskat dhe detergjentet mua më shkon 10 mijë lekë në ditë si familje. Por unë të paktën kam 2 rroga mesatare, por ka familje që kanë 3-4 fëmijë në shkollë dhe janë pa punë. Kush do t’ia paguaj maskat,detergjentet e alkoolin. Unë jetoj në shtëpi me qira, kam taksa, kam shkollën e fëmijëve, kurset e anglishtes. Pra është edhe ana ekonomike që duhet menduar”, tregon ai.

I indinjuar mësuesi tregon se Ministria e Arsimit nuk mori asnjë masë për trajnimin e mësuesve për mësimin online. “Personalisht mendoj se nuk është i efektshëm mësimi online, por në kushtet e një pandemie duhet. Unë me nxënësit e mi kam punuar online dhe mund të them se ata nxënës që e duan mësimin, mësojnë edhe online. Por dua të shtoj që ministria nuk na ka bërë asnjë trajnim. Mirë unë që 40 vjeç jam dhe kam njohuri kompjuterike dhe kam punuar me zoom dhe me google classroom, por ka mësues nga 50 vjeç e lart dhe nuk i dinë këto. Dhe ministria nuk e mori mundimin t’u bëjë një trajnim. Sot po na kërkojnë disa të dhëna, rrjetet profesionale dhe ndoshta mund të na bëjnë ndonjë trajnim këto ditë”, tregon Genci.

Ndërsa Fatma, e cila është mësuese filloreje në një nga shkollat 9 vjeçare të qytetit të Durrësit shpreh shqetësimin për një numër të madh shkollash që po rindërtohen në këtë zonë, pasi kanë qenë të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, ku ndër të tjera edhe shkolla ku ajo vetë punon.

“Unë punoj me klasën e tretë dhe e pranoj edhe vetë se mësimi online nuk është mësim, jo se nuk duam ne mësuesit, ose se nuk angazhohemi sa duhet, por ka vështirësitë e veta i gjithë procesidhe këtu mendoj biem të gjithë dakord, prindër e mësues. Por shqetësimi im është i tillë, se kur ndodhi tërmeti, të 400 nxënësit e shkollës tonë u zhvendosën në një shkollë tjetër ku në total u bëmë 1200 nxënës me dy turne. Por tani në shtator, si do të zhvillohet procesi, kur ne kemi disa objekte shkollore në rikonstruksion e shumë të tjera në rindërtim? Ky është ngërç i madh mendoj dhe që do të sjellë shumë pështjellim në të gjithë procesin. E dyta, klasat janë të vogla dhe me një numër nxënësish 25-30 nuk mund të mbahet distancim social e aq më pak të flasim për rregulla higjiene në një ambient 3 me 3, ndaj alternativa e vetme është që procesi të bëhet me dy turne për lëndët më kryesore”, thotë ajo.

Fatma tregon për Portën Vendore gjithashtu se i kanë urdhëruar nga Drejtoria Arsimore nëpërmjet drejtorive të shkollave, që të mos bëjnë akoma programin në ditar, pasi nuk është vendosur 100% për mënyrën se si do të ndiqet mësimi. Ajo tregon se flitet që mund të ketë një ndërthurje midis mësimit të lëndëve bazë që do të merren në klasë dhe atyre lëndëve dytësore që do të trajtohen nëpërmjet mësimit online në shtëpi. E pyetur nëse ajo vetë pati në klasën e saj nxënës që mbeten pa e aksesuar mësimin online gjatë karantinës, Fatma tregon se po, dhe shpjegon gjithashtu që pavarësisht interesimit të saj si mësuese për këtë çështje, sërish nuk ka pasur një ndryshim të situatës së 4 fëmijëve që të mund të aksesojnë mësimin online nëse ky do të jetë një nga skenarët e mundshëm për një pjesë të lëndëve në shtator.

Entela nga Tirana ka një djalë që këtë vit futet në vit të parë gjimnaz dhe është nëmënyrë kategorike kundër nisjes së mësimit fizik nëpër klasa. Për Portën, Vendore Entela thotë se nuk është pyetur nga askush për nisjen e mësimit, por problem kryesor për të është mungesa e higjienës në ambientet e shkollave. “Pashë në media një video të ministres së Arsimit për nisjen e vitit te ri shkollor, ku pretendohej pa shifra se është kryer një sondazh për të marrë mendimin e prindërve për modalitetet e fillimit të shkollës. Po e cilësoj që në fillim që jam prind dhe nuk më ka rënë në dorë pyetësori për të cilin bëhet fjalë. Nëse do ta kisha marrë në dorë përgjigja ime do të ishte JO për prezencën në klasë. Jam e ndërgjegjshme për problemet që lindin nga largimi i fëmijëve nga shkolla, por nga ana tjetër nuk guxoj të rrezikoj. Klasat e tejmbushura shpesh na kanë bërë që të mos i çojmë fëmijët ditë të tëra në shkollë edhe gjatë sezonit të gripit normal, ndërsa në këtë situatë të rënduar as që bëhet fjalë. Higjiena edhe në kushtet më të mira është e vështirë të mbahet nga fëmijët, në shkolla bëhet disa herë më e vështirë. Mbajtja e maskës për orë të tëra është jo vetëm e pamundur, por mendoj edhe e pa rekomandueshme për këtë kategori. Mësimi me turne nuk besoj se mund të arrihet sepse ndërkohë një pjesë e mirë e shkollave tona në Tiranë janë në proces rikonstruksioni ose janë kthyer në kantier ndërtimi, duke e çuar fluksin e nxënësve në shkolla të tjera. Ndërkohë jam shumë skeptike edhe për zhvillimin e mësimit online. Ndoshta janë bërë projekte për të cilat nuk jemi në dijeni, por nga sa dimë nuk është bërë publik ndonjë program se si mund të kryhet mësimi online”, shprehet Entela.

Edhe Jola është e shqetësuar për nisjen e shkollave, megjithëse djali i saj nis klasë e dytë në një shkollë private. Ajo thotë se ata janë 26 nxënës në klasë dhe nuk e di nëse do pranojnë të bëhet mësimi me turne. “Me thënë të vërteten frikë kemi dhe ne si familje nuk duam që të nisë shkolla fizikisht. Në shtator sipas statistikave do ketë një bum më të madh të infektuarve dhe tani na thonë që shkolla do fillojë. Frikë kishim në mars kur u mbyllën, po në shtator iku gjë frika, apo çfarë ndryshoi?Në familje kemi dhe prindërit në moshë dhe kemi frikë se mos i kap ata se fëmijët e dimë që janë mbartës të shkëlqyer. Absolutisht që mësimi në bankat e shkollës është shumë më efikas, por me këtë situatë nuk jemi fare dakord që të hapen shkollat as me turne”, thotë Jola për Portën Vendore duke shtuar se mbase një sqarim më i detajuar i organeve kompetente do ti bënte të ndjeheshin më të sigurt e të qetë për fillimin e vitit akademik, por në këto kushte ndjehen konfuz dhe të painformuar.

Suela nuk sheh asnjë ndryshim nga muaji mars e prill kur u mbyllën shkollat me muajin shtator kur janë rritur edhe më shumë rastet me Covid, ndaj dhe është kundër nisjes së mësimit fizik. Ajo ka 2 fëmijë dhe thotë se nuk do t’i çojë ata në shkollë. “Një pyetje kam unë pse u mbyllën shkollat? Shtatori është i njëjtë me prillin e majin për nga kushtet favorizuese të përhapjes së Covidit. Dihen kushtet e shkollave që kanëmbipopullim, hapësira shumë të vogla. Djali im ka 38 nxënës të tjerë në klasë, si do zhvillohet mësimi?Edhe pa maska që nuk mbushesh dot me frymë–thotë ime bijë. Mezi i bind ta mbajnë maskën për pak minuta kur futemi në market apo në dyqane, imagjino 4-5 orë në klasë. Nuk e di sesi do bëhet ky distancimi fizik… Jam shumë dyshuese. Mësimi me turne, si do ta bëjnë sepse aktualisht me turne është. Mendoj se arsimi nuk mund të funksionojë kështu. Nëse kemi të bëjmë me teorinë e imunizimit të tufës ..po…mund të funksionojë”, shprehet Suela, duke shtuar se aktualisht shumë shkolla publike në periferi nuk furnizohen me detergjente nga bashkia, por i blejnë vetë mësuesit e prindërit me paratë e tyre, jo më të funksionojë teoria e alkoolit e dezinfektantit në këto ambiente.

Por ndryshe mendon Gerta. Ajo dy vajza në klasë të tretë dhe të pestë dhe mezi po pret të nisë shkolla, duke treguar se kaloi një stres të madh me mësimin online. “Mësuesja e Amlës vajzës së dytë më dërgoi një link ku ishte një sondazh i Ministrisë së Arsimit. Ishin disa pyetje me alternativa për nisjen e shkollës. Unë zgjodha që të nisë shkolla në klasa. Mësimi që bënë online vjet le të themi që nuk ishte aspak efikas, ishte një hall më vete si për ne prindërit, ashtu edhe për fëmijët. Unë kam dy fëmijë në shkollë dhe donin të dyja celularin në dorë për të parë videon e për të bërë mësimet. Ishte stres më vete me të dyja. Ndërsa në shkollë është më ndryshe. Normal që kemi frikë nga pandemia, por them se nëse merren masat, klasat të ndahen në dy grupe, 3 orë mësim njëri grup dhe 3 orë grupi tjetër që të mos jenë 30 vetë në klasë, por të ruajnë distancë, mund të realizohet. Të paktën të dëgjojnë shpjegimin e mësueses dhe të marrin detyrat me shënim dhe jo me telefon. Mendoj se kjoështë zgjidhja e duhur”, thotë Gerta.

Një tjetër prind i shkollës “Emin Duraku” tha se në këtë shkollë klasat kanë një kapacitet shumë të madh nxënësish duke e bërë të pamundur distancimin fizik.

“Nuk mund të kesh distancim fizik në një klasë me 30-35 veta dhe që hapësira nuk shkon më shumë se 10-12 metra katrorë. Unë e shikoj si të pamundur këtë gjë dhe jam shumë skeptik, pasi edhe unë vetë në arsim punoj dhe i di shumë mirë mundësitë reale të arsimit shqiptar. Nuk di si ka menduar ta organizojë Ministria dhe Drejtoritë e shkollave këtë proces, por ama në një shkollë me këto kapacitete dhe teksa mësimi vijon dy turne nuk shikoj asnjë dritë shprese për ruajtjen e jetës së nxënësve e mësuesve”, thotë ai.

Porta Vendore kërkoi informacion edhe pranë drejtorive të disa shkollave kryesore në kryeqytet në lidhje me kapacitetet, numrin e klasave, hapësirën e ambienteve, numrin e turneve që shkolla ka zhvilluar mësim para fillimit të pandemisë etj, por nuk dhanë asnjë prononcim lidhur me këtë çështje, pasi kërkonin miratim nga Ministria Arsimit për fjalën e tyre.

E pyetur nga Porta Vendore për më shumë detaje përsa i përket sondazhit të cituar nga Ministrja Besa Shahini, dhe nëse Porta Vendore mund ta dispononte, përfaqësuesi i këtij institucioni tha se ai do të bëhet publik në ditët në vijim në faqen e ASCAP (Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar).

Ndërsa sipas Ministres Shahini, nga 135 mijë persona të pyetur, 87% ishin pro hapjes së shkollave në shtator dhe vetëm 13% ishin shprehur në favor të zhvillimit të mësimit nga shtëpitë.

Opozita lum akuzash qeverisë

Ndërsa opozita prej ditësh po rreshton akuza ndaj qeverisë dhe ministrisë së arsimit për mungesën e një strategjie të mirëfilltë për nisjen e shkollave. Ndërsa gjatë ditës së sotme ka reaguar përmes një deklaratë ish deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, ku u shpreh e pakënaqur lidhur me vendimin e qeverisë për hapjen e shkollave, madje e cilësoi atë si të papërgjegjshëm.

“Njësoj si me pandeminë, qeveria nuk ka plan dhe strategji për të rihapur dyert e shkollave në mënyrë të sigurt për nxënësit dhe mësuesit. Ndonëse kanë mbetur më pak se 4 javë nga nisja e shkollave në vitin e ri shkollor 2020-2021, qeveria nuk ka ende një udhëzim të detajuar, nuk ka një plan masash, nuk ka protokolle të sigurisë për mjediset dhe ambientete shkollave. Nuk ka as buxhet shtesë, nuk ka as investime për ujë të rrjedhshëm në çdo shkollë, as masa për dezinfektim të rregullt ditor, as masa për distancim dhe mësim me turne”, tha Vokshi, ndërsa mori si shembull Kosovën, ku prej javësh ka bërë publik udhëzimin e detajuar, planin e masave, ka bërë disa dëgjesa, ka miratuar buxhet shtesë për të përballuar situatën e COVID-19 në shkollat e vendit etj.

Sipas saj, pas shembjes së 106 shkollave kanë ngelur pa ambiente mësimore rreth 12 mijë nxënës në Tiranë, Durrës, Krujë, Kavajë dhe Lezhë.

Ndërsa ish deputetja e LSI-së Kejdi Mehmetaji ka drejtuar Ministrisë së Arsimit disa pyetje të drejtpërdrejta, të cilat i referohen masave për fillimin e vitit shkollor në një kohë pandemie. Mehmetaj ka kërkuar gjithashtu edhe njëplan masash që të lehtësojë shpenzimet e familjeve në këtë fillim viti të ri akademik, kur dihet tashmë se ekonomia ka rënë ndjeshëm. “Pse ende sot, një muaj përpara fillimit të shkollës, ende nuk dihet si do të zhvillohet mësimi? Çfarë masash janë marrë për të siguruar kushtet e duhura të distancimit dhe higjienës në mënyrë që shkollat të mos kthehen në vatra infektimi?A do të zhvillohet mësimi online?Nëse po: A është siguruar ministria se çdo nxënës pavarësisht se ku banon apo çfarë kushtet sociale dhe ekonomike ka do të mund ta aksesojë mësimin online?”, shkruan Mehmetaj.

Ndërsa eksperti i arsimit pranë PD, Ndriçim Mehmeti ngre si shqetësim problemin e shkollave të shembura nga tërmeti duke thënë se janë 106 të tilla se pyet ministrinë se çfarë do ndodhë me 8 mijë nxënës që mësojnë në këto shkolla. “Si do të operojë Ministria e Arsimit me 106 shkollat shembura nga tërmeti? Si do të operojë ministria me numrin e nxënësve që mësojnë në këto shkolla. Sipas një përllogaritje janë më shumë se 8 mijë nxënës që mësojnë në shkollat e shembura nga tërmeti. Deri tani qeveria nuk ka ndërtuar asnjë shkollë. Ku do shkojnë këta nxënës që kanë qenë nga 38 të tillë në klasë?”, shprehet Mehmeti.

Gjithsesi prindërit janë skeptik mbi zbatimin me rigorozitet të këtij udhëzimi, ndërsa theksojnë se shumë gjëra mungojnë në informacionin e dhënë, e të tjera janë si jo të arritshme për arsimin shqiptar. Prindërit mendojnë sesi do të veprojnë për këtë vit shkollor, ku veç shqetësimit për sigurinë shëndetësore të fëmijëve të tyre duhet të mendojnë dhe për dhjetëra halle të tjera që nisin me vitin e ri shkollor, që nga librat, rrobat, transporti e shumë të tjera.