17 gusht 2020/ Sidorela Xhumaqi/ Porta Vendore/ Korçë
Covid 19 preku sektorin e biznesit në të gjithë gamën e tij, ku fillimisht për shkak të pandemisë u morën masa shtrënguese përsa i përket mbylljes së bizneseve e më pas për hapjen e këtyre të fundit u vendos respektimi i një protokolli me masa të rrepta sigurie anti-covid. Por të dy këto elementë kanë shkaktuar një krizë të madhe në sektorin e biznesit në vend, ku aktualisht restorantet e eventeve në qytetin e Korçës po shkojnë drejt falimentimit.
Nëse deri vjet ishte e vështirë të gjeje një vend për të bërë një ceremoni martesore ose drekë familjare, sot ndodh e kundërta. Subjektet e eventeve të këtij karakteri janë të zbrazëta dhe ndër bizneset më të prekura nga pandemia Covid 19 në qytetin e Korçës.
Të gjitha këto subjekte nuk mund të zhvillojnë aktivitetet festive as në ambientet e jashtme të tyre, pasi klasifikohen si ambiente që për shkak të grumbullime masive të njerëzve përbëjnë rrezik të lartë për përhapjen e virusit. Pronarët e këtyre subjekteve shprehen se kjo situatë i ka rrënuar ekonomikisht, ku duhet të paguajnë detyrimet në shtet, kreditë dhe punonjësit.
“Neve na janë anuluar komplet dasmat. Shteti na ndihmoi vetëm 3 muaj dhe në këto muaj na dha 260 mijë lekë të vjetra për 4 punëtorët që ishin të përditshëm. Ndërsa 10 punëtorë që punonin gjatë fundjavave, kur ka një shtim të punës, morën nga 400 mijë lekë, sepse ishin të siguruar. Ndërsa sot e kësaj dite biznesi është në pikë të hallit. U bënë 5 muaj që biznesi është i mbyllur. Vjen policia nuk na le të bëjmë dasma. Ligji kur del është njësoj për të gjithë, nuk jemi ca të nënës e ca të njerkës. Ka disa biznese që bëjnë dasma, kurse neve jo”, thotë i indinjuar Flamur Fataj, pronar i një lokali dasmash në Korçë.

Ai tregon se zgjatja e kësaj situate ia ka humbur të gjitha shpresat drejt një rifillimi të shpejtë të biznesit, ndërsa ndihet në siklet edhe me klientët, të cilët presin me padurim që kjo situatë të shkojë drejt normalizimit, lokalet të hapen e ata të martohen.
“Donim të bënim një organizim këtu, njerëzit na marrin në telefon, por s’kemi shpresa fare, kot i themi klientëve do hapen në gusht, do hapen në shtator, ata kanë të drejtën e tyre se kanë paguar kaparin e lokalit që ne jemi të detyruar t’ua kthejmë. Kemi punuar deri më datë 13 mars, që qenë edhe këto festat e mësuesve dhe të grave. Nga ai moment e deri më sot nuk funksionojnë fare sallat e dasmave. Ne fillojmë prenotimet e eventeve në qershor për vitin e ardhshëm. Edhe ata që kishin paguar kaparin prisnin me shpresën që të mbarojë kjo pandemia, edhe ne bashkë me ta, jo në fund të qershorit, jo në fund të korrikut. Një pjesë e madhe po i shtyjnë dasmat për vitin tjetër, ndërsa një pjesë e vogël po pret ça do të ndodhi në muajt në vazhdim”, tregon ai ndërsa shton se ka detyrime të shumta ndaj shtetit dhe ndaj 14 punonjësve që ka pasur në këtë punë, me të cilën rrjedhimisht ushqeheshin 14 familje.
Flamur Fataj ka punuar gjatë rininë së tij si emigrant jashtë shtetit, ku më pas erdhi në vendlindjen e tij dhe investojë në këtë lokal, ndaj ai ndjehet i “tradhtuar” nga shteti që disa i trajton si të njerkës e disa si të babës, duke bërë edhe lëshime aty ku njohin.
“Që nga koha e pandemisë, rrobaqepësitë punonin, edhe sot e kësaj dite punojnë me nga 300-400 veta punonjës. Kurse ne na mbajnë mbyllur, ndërkohë që këtu njerëzit vijnë të larë, të shpëlarë, të parfumosur. Dhe ai thotë s’do bësh dasma, pse ça pune i prish shtetit kjo? Me këtë mendje që ka shteti i bie që ne të falimentojmë dhe të dalim në rrugë të madhe. Jam dakord ta mbylli ai, ama të na paguajë, atëherë ka të drejtë shteti”, përfundon i shqetësuar Fataj, për të ardhmen e biznesit të tij dhe për kohën e pacaktuar që do të zgjasë kjo situatë.
Edhe Edmond Shaholli është pronar i një biznesi në Korçë, dhe ndan të njëjtin shqetësim me Fatajn, pasi janë në të njëjtën varkë.
Shaholli tregon se po kalon një hall të madh, duke mos u dëmtuar vetëm ai vetë por i gjithë rrjeti i bashkëpunëtorëve.
“Përsa i përket kufizimit të eventeve mendoj se është hall shumë i madh, nuk është që po dëmtohet vetëm një biznes por i gjithë rrjeti, duke nisur nga bujqësia e blegtoria e deri tek ata që e bëjnë ahengun e dasmës”, tha ai.
Të gjendur në këto kushte, ata ndihen tepër të shqetësuar, pasi përveç të gjitha detyrimeve që i duhet të paguajnë, vështirësia e dytë ka të bëjë me punëtorët. Ndaj shumë prej tyre kanë qenë të detyruar që pas karantinës dhe në këtë krizë financiare të shkarkojnë punonjës.
“Gjatë vitit që kaloi, pothuajse kam pasur 13 punonjës, në varësi të intensitetit të eventit, dhe i siguroja në bazë të ditëve të punës, kurse të përditshëm bëheshim 10 persona. Ndërsa sot jemi 8 persona, ne vetë si familje. Edhe këta të tetë po e mendoj që t’i heq ca. Nga marsi e deri në gusht mos të krijosh një të ardhur për shtëpi është gjynah plus që ka shpenzime”, tregon ai për Portën Vendore, ndërsa thekson se taksat paçka shtyrjes duhen paguar.
“Bashkia do taksat. Unë sot përshembull kam 5 milionë lekë shpenzime për të paguar taksat e bashkisë. Ne u përpoqëm që të bënim evente, sipas kritereve që ka shteti, por jashtë duhej lejuar që të bëhej duke respektuar disa standarde”, vijon Edmond Shaholli.

Ai tregon se i ka kushtuar një djall e gjysmë investimi për këtë lokal teksa disponon një sallë me 450 persona kapacitet. Ndaj në këto kushte ai ka një apel për shtetin, duke besuar se ky i fundit do të reflektojë për këto biznese që janë në kushtet e mbijetesës e do të mund të ushtrojë ndonjë masë lehtësuese, gjithnjë duke zbatuar protokollet e miratuara nga institucionet përkatëse.
“Unë kam 10 vite që i jap shtetit, ndërsa sot nuk më jep asgjë. Të gjitha janë të prera. Këtu bëjnë dasma kush ka mik një pushtetar, kurse ne që s’kemi krahë të ngrohta, na pezullojnë e na vënë gjoba. Ka pasur biznese që kanë marrë gjoba 3 milionë, 10 milion lekë. Shteti të tregohet i barabartë, se të gjithë i paguajmë taksat njësoj”, përfundon ai i mërzitur.

Sipas pronarëve të bizneseve në qytetin e Korçës, kontrollet nga grupet e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësore nuk kanë munguar thuajse çdo ditë, për të parë nëse respektohet marrja e masave nga bizneset, ashtu sikurse është urdhëruar më parë nga organet kompetente apo jo. Në rastet e konstatimit hapur të këtyre subjekteve, ata ndëshkohen me masa administrative si shkelje të urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë, ndaj tentativat për manovrime janë të pakta.
Porta Vendore pyeti pranë Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor në lidhje me monitorimin që task-forca e këtij institucioni ka bërë gjatë këtyre muajve të fundit. Nga të dhënat zyrtare rezulton se kontrollet periodike në bizneset e lokaleve janë kryer në harkun kohor të muajve maj–gusht, ku janë inspektuar rreth 3732 subjekte e ku numri më i lartë i tyre, siç deklarohet nga Task-Forca e ISHSH, është monitoruar pas periudhës së karantinës, pikërisht në muajt maj dhe qershor, ndërsa gjatë muajit korrik kjo Task-Forcë ka monitoruar vetëm 92 biznese në qarkun Korçë për respektimin e planit të masave anti-covid dhe të protokollove të sigurisë. Sipas ISHSH-së, numri total i gjobave që variojnë deri në 5 milionë lekë të vjetra, është 29 të tilla.

Por edhe fakti që ndalohen grumbullimet e njerëzve ka bërë që të ketë më pak dasma, duke shkaktuar kështu një efekt zinxhir përsa i përket krizës financiare, pasi nuk janë më vetëm bizneset e restoranteve por edhe agjencitë e dasmave, dekoreve, artistët, fotografët etj.
Olsi Hajdini punon prej më shumë se një dekadë si operator televizioni dhe dasmash. Këtij profesioni, Olsi i ka hyrë herët, por dëshmon se situata nuk ka qenë kurrë kaq dobët në buxhetin e tij familjar sesa sivjet, ku kjo industri është në kushtet e mbijetesës.
“Pandemia dhe bllokimi i dasmave ndikoi drejtpërdrejt tek puna ime. Unë jam familjar, edhe të ardhurat e vetme i siguroj unë me punën si kameraman dasmash dhe operator televizioni. Shumë dasma këtë vit u pezulluan, dasmat që unë i kisha të siguruara që 1 vit më parë. Mbyllja e kufijve dhe ndalimi i dasmave bëri që unë të mos nxjerr shpenzimet që kam hedhur në blerjen e pajisjeve. Nëse 1 vit më parë unë mund të grumbulloja rreth 10 milionë lekë të vjetra, sivjet kufizimi dhe dasmat që kam arritur të bëj janë shumë të pakta, afro 2 milionë lekë. Jetesa tanimë na është bërë tepër e vështirë. Të ardhurat e vetme janë nga televizioni, ku punoj si operator. Shtetit i kërkoj rikthimin e aktivitetit të dasmave, kundrejt të gjitha protokolleve të lejuara, pasi kanë paralizuar një industri të tërë kështu”, rrëfen për Portën Vendore Olsi Hajdini, operator dasmash.
Porta Vendore mori gjithashtu mendimin e një eksperti ekonomie që e njeh mirë situatën në qytetin e Korçës, pasi bën bilancet e shumë bizneseve për çdo muaj, si dhe ia njeh deri në rrënjë vështirësitë që po kalon sot për sot, pas pandemisë biznesi korçar.
“Përderisa shteti nuk i lejon të punojnë dhe krijojnë të ardhura, këto biznese apo persona që bëjnë pjesë në këtë fushë janë të prekur direkt, ndërkohë që indirekt janë prekur të gjithë sektorët e ekonomisë përderisa këto biznese zinxhir siguronin të ardhura për prodhuesit dhe tregtarët e produkteve të tjera. Qeveria duhet të ndërpriste financimin e PPP dhe tenderëve që nuk janë jetikë dhe të ndihmonte financiarisht këto biznese. Ndërkohë, bashkia nuk duhet thjesht të shtynte taksat për bizneset, por duhet t’i falte ato. Nëse biznesi nuk krijon të ardhura, nuk mund të paguajë taksa për shtetin”, tha ekonomisti Edi Topalli për Portën Vendore.
Në një shkrim më të hershëm te Portës Vendore dedikuar planeve për lehtësimin e biznesit dhe shtyrjes së taksave, Bashkia Korçë tha se : “Bizneset ishin të ndara në 2 kategori: në ato që lejohen të ushtrojnë aktivitet dhe në ato që janë pezulluar. Për bizneset që lejohet të punojnë, kemi menduar që pagesa e tarifave vendore të ndahet në 2 këste. Kjo kategori e ka pasur afatin deri në datën 20 prill dhe kemi vendosur që këstin e parë ta paguajnë deri më 20 maj, ndërsa të dytin deri më 30 qershor. Ndërkohë, për bizneset që nuk lejohet të punojnë përsëri pagesat do të bëhen në 2 këste: kësti i parë në 30 qershor dhe kësti i dytë në 30 gusht.”
Gjithsesi për bizneset e lokaleve, kjo shtyrje nuk përbën asnjë tolerim, pasi prapëseprapë ato do paguhen, ndërkohë që shqetësimi i pronarëve është për mbylljen 5 mujore të vetë biznesit, i cili në fakt nuk ka gjeneruar të ardhura fare.
“Lokalet e dasmave, këngëtarët dhe kameramanët janë më të prekur nga situata pandemike për mendimin tim, të paktën për Korçën. Keqmenaxhimi i kësaj situate ka çuar edhe në prekjen e bizneseve të mëdha, çka nënkupton që shumë punonjës janë hedhur në rrugë dhe shumë biznese janë drejt falimentimit total”, sqaron ekonomisti Topalli.
Sipas të dhënave nga shoqata e biznesit, në Korçë ka 2000 biznese të vegjël dhe rreth 600 të mëdha.
Në këto kushte bizneset e dasmave, lokalet, agjencitë martesore e jo vetëm, janë drejt falimentimit total, duke menduar mbylljen e këtyre bizneseve. Kriza që la pas Covid 19 dhe masat shtrënguese, të cilat vijojnë të jenë prezentë nga qeveria, po i çojnë këto biznese drejt greminës.