Ngjarje/Personazhe

“Nuk jemi ndier kurrë, pjesë e qytetit”: Banorët e Kënetës në Durrës mes zhgënjimit dhe harresës

18 gusht 2020/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Durrës                                         

Banorët e një sërë lagjesh, në zonën e ish Kënetës në Durrës përballen prej vitesh me probleme mjaft të mëdha. Mjedisi, ku ata jetojnë është shumë vite larg emërtimit “Durrësi i Ri”, një emërtim i përdorur nga ish-kryebashkiaku Vangjush Dako, ndërkohë që tërmeti i 26 nëntorit dhe Covid 19, kanë vështirësuar më shumë hallet e banorëve. E ndërsa pandemia po regjistron shifra alarmante dhe viktima në vendin tonë, në ish Kënetën e Durrësit, viruset janë pjesë e së përditshmes mbi 20-vjeçare.

“Durrësi i Ri, tashmë është një realitet i prekshëm në ish-zonën e Kënetës”. Është ky postimi i një prej deklaratave të bëra nga ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, gjatë viteve që drejtonte këtë qytet. Materiali i publikuar në ëebin zyrtar të Bashkisë Durrës, www.durrës.gov.al, flet në detaje për punët e realizuara dhe projekte shumë ambicioze, për zonën e ish Kënetës, që do ta shndërronin atë në një “Durrës” të ri.

Në postimin që ka ngelur ende në faqen zyrtare të Bashkisë, dhe pse Dako nuk është më në krye të saj, flitet për ndërtimin e 19 rrugëve të reja, ndërtime parqesh të gjelbërta, shtim hapësirash të gjelbërta, vendosje stolash e ndërtime kompleksesh sportive. Por, larg këtyre projekteve në shumë lagje, zona dhe rrugë të ish-Kënetës, realiteti dhe banorët tregojnë dhe flasin ndryshe.

Erdhëm me shpresën se gjërat këtu do të ishin ndryshe. Kishim parë në televizor se Durrësi kishte ndryshuar me pedonale, sheshe e rrugë, ndaj dhe shpresuam se dhe Këneta, ku kishim shtëpinë, do të kishte ndryshuar disi, ndaj dhe morën fëmijët dhe u kthyem”, thotë Shqiponja Gjini, banore e lagjes numër 15 në zonën e ish- Kënetës.

Shqiponja Gjini, banore e zonës së ish Kënetës, duke folur për Porta Vendore. Foto: E.Azizolli

Shqiponja, një mama e re me tre fëmijë, është një ndër shumë emigrantë të rikthyer në Shqipëri, pasi krizës ekonomike që përfshiu Greqinë, disa vite më parë. Ajo së bashku me bashkëshortin dhe familjen, nga emigrimi shumëvjeçar përfunduan së ndërtuari banesën e tyre dhe hapën një dyqan të vogël ushqimor në lagje, ku punon së bashku me bashkëshortin.

Por jeta e re e Shqiponjës, prej tre vitesh përballet me mjaft problematika të cilat i has sapo del nga shtëpia.

Nëse do të rikthehej koha pas, një nga gjërat që nuk do të bëja kurrë, është rikthimi në Shqipëri, pas emigrimit. Atje do të qëndroja dhe nëse do të vuaja për bukë, por të paktën, nuk do të jetoja me frikën se fëmijët do të sëmuren nga muaji në muaj”, thotë Shqiponja për Porta Vendore.

Nëna e re ka tre fëmijë të vegjël, dy vajza dhe një djalë, për të cilët ngre pyetjen shqetësuese. Ku do të shkojnë kur dalin nga shtëpia? Ku do të shkelë këmba e tyre?

Mbetjet urbane në rrugët kryesore të Kënetës. Foto: E. Azizolli

Lagja, rruga, gjithë zona, ku jeton Shqiponja, është identike me pjesët e tjera të ish-Kënetës, që shtrihet në disa lagje dhe në një zonë që dikur ka qenë kënetë. Plehra, kanale të hapura, mungesë kontejnerësh, aromë e keqe në ajër dhe rrugë të mbuluara me çakull, vende-vende me gropa. Është kjo panorama që shfaqet në shumë rrugë, sheshe dhe rrugica.

Çdo muaj, një nga fëmijët e mi do të jetë i sëmurë patjetër. Ose me viroza, ose me grip, ose me kollë. U ka rënë imuniteti fare nga antibiotikët që po përdorin, ndërsa kur ishin në Greqi, nuk pinin kurrë ilaçe, por këtu dhe ajri që thithim është i ndotur”, thotë Shqiponja për Portën Vendore.

Por veç ndotjes, infrastruktura është një tjetër problem me të cilin përballen prej vitesh banorët e ish-zonës së Kënetës, të cilët i dhanë jetë kësaj pjese të qytetit, duke ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, kryesisht nga veriu. Rrugët janë lënë pas dore dhe pluhuri që ngrenë i shton masën ndotjes së kësaj zone.

Përgjatë rrugës kryesore që lidh një pjesë të qytetit të Durrësit me dalje në autostradën Durrës-Tiranë, në të dy krahët e rrugës, ndodhen lagjet e ish Kënetës, zonës ku banorët pranojnë me plot gojë dhe me keqardhje që nuk u ndihen kurrë pjesë e qytetit.

Rrugë e brendshme në një nga lagjet e Kënetës në Durrës. Foto:E. Azizolli

Në hyrje të lagjes numër 15, një kanal që dikur shërbente për mbledhjen e ujërave të larta, konkretisht ujërave të shiut dhe derdhjen e tyre në kanalet e tjera, është kthyer në kanal të ujërave të zeza.

Kanali kalon në disa pjesë të kësaj lagje, në disa rrugë të tij dhe është problemi i ditës, për banorët.

As dyer nuk mund të hapësh, as dritare. Era e keqe ndihet gjithë kohën, ndërkohë që insektet janë prezent kudo, gjatë ditës dhe natës”, thotë e shqetësuar nëna e re.

Kanali i hapur i ujërave të larta, në zonën e Kënetës. Foto: E .Azizolli

Problematikat e banorëve këtu janë të mëdha. Rrugët e brendshme të lagjeve janë në errësirë të plotë, mungojnë kontejnerët për plehrat dhe për hapësira publike të gjelbëruara dhe të ndriçuara as që bëhet fjalë.

Frrok Frroku, banor i lagjes me numër 15, erdhi në ish Kënetë nga Vau i Dejës, 15 vite më parë, me shpresën se do të ofronte një jetë më të mirë për fëmijët e tij, por nuk e fsheh zhgënjimin që ka ndjerë gjatë këtyre viteve.

Natën nuk lëviz dot nga një rrugicë në tjetrën, nuk ka asnjë dritë në rrugës, as ka pasur kurrë”, thotë i zhgënjyer Frroku për Porta Vendore.

Frrok Frroku, banor i zonës së kënetës, duke folur për Porta Vendore. Foto E. Azizolli

Banorët e ish Kënetës paguajnë taksat vendore si gjithë banorët e tjerë të qytetit të Durrësit, por nuk marrin shërbimet e nevojshme dhe kjo i ka zemëruar pa masë.

“Nuk di se përse ne vazhdojmë të votojmë akoma? Unë vetes ia bëj pyetjen i pari. Përse? Ne nuk na llogarisin fare, na kujtojnë vetëm për vota. Rrugë nuk kemi, drita nuk kemi, kazanë për plehrat nuk kemi, çdo gjë e kemi bërë vetë që nga kanalizimet e ujërave të zeza, hapjen e rrugës tek lagjja, bashkia nuk kujtohet kurrë për ne, as që ka për ta bërë ndonjë herë, ndaj më mirë mos të votojmë fare”, thotë i zemëruar Frroku.

 

 

Mbetjet urbane në rrugët kryesore të Kënetës. Foto: E. Azizolli

Në lidhje me çështjen e kanalit që kalon në këtë lagje, Bashkia e Durrësit e kalon çështjen sa në një institucion në tjetrin, ndërkohë që ata që vuajnë janë banorët e kësaj zone. Drejtoria Rruga, pranë Bashkisë së Durrësit, ka në administrim kanalet e vijës së parë në rrugët kryesore.

Nuk është një kanal për shkarkimin e ujërave të zeza. Shumë qytetarë në mënyrë abuzive kanë bërë lidhjet në këtë kanalizim për thjeshtësi, ose hedhin plehrat në të. Në vitin 2018 është bërë pastrimi i tij, por ndërmarrja nuk ka mjete për ta pastruar. Ne kemi bërë kërkesë pranë Bordit të Kullimit për një mjet dhe kemi rënë dakord që sapo ta kenë të lirë, të mund ta pastrojmë kanalin dhe vetëm më pas mund të bëhen projekte me qëllim që bashkia të ndërhyjë për mbylljen e tij”, bëjnë me dije burime zyrtare pranë Ndërmarrjes Rruga, nën varësi të Bashkisë së Durrësit, për Porta Vendore.

Gjatë pandemisë së COVID-19 për shumë familje të ish Kënetës, jeta u vështirësua dhe më tepër. Sipërfaqja e madhe prej 15.6 kilometra, që përfshin dhe ish Kënetën me disa lagje dhe shumë rrugë, e bëri të vështirë marrjen e shërbimeve në shtëpi për shumë pensionistë dhe persona me aftësi të kufizuara.

Pranuç Peçi, banor i lagjes me numër 15, merr pension invaliditeti, ndërsa bashkëshortja pension pleqërie. Ata jetojnë të vetëm në banesë dhe për shkak të sëmundjeve të moshës, janë përballur me frikën për të lëvizur nga shtëpia, si pasojë e COVID-19.

As pensioni nuk na erdhi në shtëpi, askush nuk pyeti për ne, gjatë ditëve të virusit. Vetë kemi shkuar deri në qendër të Durrësit, në këmbë, se nuk kishte autobus, për të marrë pensionin, se shkoi dy muaj pa e marrë”, thotë Peçi për Porta Vendore.

Pranuç Peçi, banor i zonës së Kënetës duke folur për Porta Vendore. Foto; E. Azizolli

Sistemi i emërtimit të rrugëve në shumë lagje të ish Kënetës ekziston, por zona e madhe dhe largësia me pjesën tjetër të qytetit, bën që shpesh shërbimet të mos vijnë deri këtu.

Kush pyet për ne. Askush. Na thanë tek posta që lekët e pensionit do na vinin në shtëpi, por tek ne në Kënetë nuk na i sollën asnjëherë, se nuk kishte shumë punonjës, nuk gjendeshin emrat e lagjes, nuk kishin me çfarë të vinin punonjësit, justifikime të gjitha”, thotë i zhgënjyer Peçi.

Hyjrie Alla, banore e së njëjtës lagje, në një tjetër rrugë të saj, shumë vite më parë la fshatin Mokër të Pogradecit, për një jetë të mirë në Durrës, pa ditur se do të vinte një ditë që zgjedhja e saj do ta zhgënjente.

Çdo prind dëshiron më të mirën për fëmijët. Ndaj dhe burrë e grua, vendosëm që të vinin në Durrës për një të ardhme më të mirë për djalin ton. Por, lamë Mokrën e pastër, plotë ajër, për këtë vend ku ndihet vetëm erë kanali, plehrash dhe nuk ke ku të qëndrosh për tu qetësuar, as në oborr as në qendër të lagjes, askund”, thotë e zhgënjyer gruaja, ndërsa tregon një kontejner mbetjesh, që i është vënë zjarri në hyrje të rrugës kryesore të lagjes, mbetje që digjen, brenda dhe jashtë kontejnerit, ndërsa era e keqe ndihet kudo.

Kontejnerët e plehrave që digjen nga banorët në një nga rrugët e zonës së Kënetës. Foto: E.Azizolli

Tërmeti i 26 nëntorit që tronditi vendin dhe që shkaktoi humbje jetësh dhe dëme të mëdha veçanërisht në Bashkinë e Durrësit, preku dhe zonën e ish Kënetës. Lagja me numër 17, u prek më së shumti, ku lëkundjet e tokës nuk kursyen as jetë njerëzish.

Qindra banesa u dëmtuan në këtë zonë, një pjesë e të cilave kanë nevojë për riparime, ndërsa një pjesë e tyre janë shembur.

Në lagjen me numër 17, disa sheshe të rrafshëta me tokën, mes vilave të tjera, janë rrethuar me rrjetë me ngjyrë të gjelbër. Dikur ishin banesa të banorëve të ish Kënetës, ndërsa sot s’ka ngelur asnjë gjurmë nga shtëpitë. Banorët këtu kujtojnë mes halleve të tjera dhe vilën e familjes Lala, ku humbën jetën 8 anëtarët e saj. Një rrugicë e vogël mes lagjes është mbushur nga inerte të ngelura nga vila e familjes fatkeqe.

Ngelën nga shtëpia e shembur dhe i hapëm me lopata në rrugë, që të ngrihet pak niveli se sa herë që ka reshje uji vërshon në rrugë”, thotë Sefet Xhenga, ndërsa tregon inertet e hedhura në tokë.

Sefet Xhenga, banor i zonës së Kënetës, duke folur për Porta Vendore. Foto: E .Azizolli

Banesa e Xhengës ndodhet përball ish vilës së familjes Lala dhe burri përlotet ndërsa i kujton familjarët.

Ishin dibranë, siç jam dhe unë dhe shkonin shumë mirë mes nesh. Ja kështu në përpjekje për të rregulluar disi këtë lagje që askush s’ka vënë kurrë dorën, për asgjë, kështu i kujtoj familjarët Lala, njerëz të urtë dhe shumë punëtorë”, thotë Sefeti.

Në një tjetër rrugicë të lagjes ndodhet një tjetër shesh bosh, që dikur ishte një shtëpi.

Kanë ikur me qira në lagje të tjera. Nuk janë këtu. Më mirë t’ua ndërtojnë shtëpitë diku tjetër se veç kujtimeve të tërmetit, do kenë hallet e njëjta si më parë, njësoj si ne”, thotë ai.

Të lodhur me problemet, por dhe më shumë me harresën, banorët e ish Kënetës, kanë humbur shpresat se pas tërmetit dhe pandemisë së COVID-19, do të ketë vëmendje për problemet e zonës.

Të vjen turp të thuash ku jeton. Të vjen turp të vijë miku e shoku, se jemi më keq se fshati. Jemi si në mesjetë. Kalojmë mes plehrave, nuk kemi as ndriçim, as rrugë. Po kush e ka mendjen tani te ne, pas tërmetit dhe virusit, askush nuk do të kujtohet më ”, thotë burri.

Në zonë, disa prej banorëve që iu shkaktuan dëme në banesa si pasojë e lëkundjeve të tokës, kanë nisur të riparojnë ato. Dikush shihet të riparojë mure e suva, dikush tjetër të sistemojë ndonjë tjegull.

36 objekte banimi janë shembur në zonën e ish Kënetës, pasi rezultuan si të pabanueshme pas tërmetit. Nga zona e ish Kënetës kanë aplikuar tek platforma “Shtëpia ime” për 348 objekte si të dëmtuara”, bëri me dije për Porta Vendore Vilma Hyseni, Koordinatore për të Drejtën e Informimit. Tashmë të gjitha këto raste të cilat i referohet bashkia do të aplikojnë për të përfituar nga grantet e rikonstruksionit, proces i cili nisi më 13 korrik.

Hapësirë nga një banesë e shembur si pasojë e dëmtimit nga tërmeti në zonën e Kënetës. Foto: E. Azizolli

Por, për shkak të problemeve që shoqëruan proceset e verifikimit të shkallës së dëmeve në objekte dhe në zonën e ish Kënetës, nuk mungojnë rastet kur banorët nuk kanë përfituar asgjë nga shteti ende dhe pse banesat e tyre janë dëmtuar rëndë.

Banesa e Tahir Axhamit, në lagjen numër 17, është ende me shirit sigurie për shkak të dëmtimeve nga tërmeti. Familja Axhami nuk kishte arritur që ta përfundonte së ndërtuari plotësisht banesën, kur fillimisht lëkundjet e tërmetit të 21 shtatorit dhe më pas ato të 26 nëntorit e dëmtuan rëndë.

Banesa e Tahir Axhami, në zonën e Kënetës, e dëmtuar nga tërmeti. Foto: E.Azizolli

Pas tërmetit, vetë kryefamiljari u përball me probleme të mëdha shëndetësore dhe udhëtoi drejt Greqisë, ndërsa menjëherë pasi u kthye nisi plotësimin e dokumentacionit për përfitimin e bonusit të qirasë, të cilin ende nuk e ka përfituar.

Plotësova dokumentet dhe pashë që banesa pas verifikimit të parë, nga e rrezikshme kaloi për tu riparuar, ndaj dhe kërkova inspektim të thelluar dhe kjo shkaktoi vonesë në dokumentacion dhe sot pas tre muajsh që unë kam aplikuar, ende nuk e kam përfituar bonusin e qirasë”, thotë Axhami.

Tahir Axhami, banor i zonës së Kënetës, duke folur për Porta Vendore. Foto: E. Azizolli

Me dy akte ekspertimi në duar Axhami dhe Shukrija, bashkëshortja e tij, tregojnë dëmet e shtëpisë së tyre, duke kërkuar drejtësi sepse banesa është e rrezikshme, ndërsa ata jetojnë me qira, por pa përfituar asgjë nga shteti.

Gjithë jeta, puna e fëmijëve. Mundi i një jete ishte në këtë shtëpi që tashmë nuk e kemi pas tërmetit dhe nuk dimë asgjë për fatin e saj, thotë mes lotëve Shukria me shpresën se dikush do ta dëgjojë.

Shukrie Axhami, duke folur për Porta Vendore, në banesën e dëmtuar nga tërmeti, në zonën e Kënetës. Foto: E. Azizolli

Një ditë e kaluar në zonën e ish Kënetës, është e pamjaftueshme për të dëgjuar shqetësimet dhe hallet e banorëve të saj. Zona numëron 42 mijë banorë, të cilët sot janë pjesë e qytetit të Durrësit dhe pse nuk ndihen të tillë.

Shënim sensibilizues i vendosur nga banorët për mos hedhjen e mbeturinave, në zonën e Kënetës. Foto: E. Azizolli

Për vitin 2020-2021 nuk ka pasur projekte na bashkia për Kënetën, veçse disa të ngelura nga viti kaluar, kryesisht për mbulim kanalesh.

Në këtë zonë ku jetoj një popullsi e konsiderueshme e Durrësit është premtuar shumë ndër vite, që nga përfundimi i infrastrukturës rrugore, tek hapësirat publike, ndriçimi, kënde lojërash, etj, por në realitet këto premtime kanë mbetur veçse të tilla, pasi asnjë prej investimeve të premtuara nuk ka mbërritur në jetën e banorëve.

Facebooktwitterredditpinterestlinkedinmail