Vëzhgim/Analizë

Përtej politikës, debati pro dhe kundër mes ekspertëve për ligjin e zhvillimit të rajoneve

15 korrik 2020/Aurora Sulce/Porta Vendore

Një ditë më parë, presidenti Ilir Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”, që ndante vendin në katër rajone zhvillimi. Një draft që ka ngjallur debate të forta në arenën politike dhe që Kreu i Shtetit në argumentimin e mosdekretimit, e konsideroi ligjin si antikushtetues, arbitrar dhe që synon kontrollin e pushtetit vendor.

Por a është vërtetë i tillë drafti në fjalë? Përtej debatit politik të ditës, a ndihmon ai në eliminimin e pabarazisë së fortë që ekziston sot mes zonave të ndryshme të vendit? Kujtojmë që një pjesë e tyre, (si trekëndëshi Tiranë Durrës Fier) janë të zhvilluara, për shkak të përqendrimit të popullsisë dhe biznesit, të ardhurave më të mëdha që bashkitë grumbullojnë, por edhe fondeve më të shumta të alokuara nga pushtetit qendror për investime. Krejt e kundërta ndodh me zonat e tjera, si Kukësi, Dibra etj, që konsiderohen më të varfrat, jo vetëm për shkak të braktisjes masive nga popullsia, por edhe një vëmendje më të vogël në drejtim të gjenerimit të të ardhurave dhe mbështetjes me financime.

Ekspertët e çështjeve të pushtetit vendor bien dakord për rëndësinë që ka ligji për të zhvilluar rajonet në Shqipëri, një koncept që tek ne ende nuk ekziston, si në vendet e tjera europiane dhe që do të jetë një kusht për të përfituar edhe fonde nga BE në momentin që do të jemi vend anëtar. Por ata kanë mendime të kundërta për mënyrën sesi është hartuar drafti, ndarjen rajonale që ai bën dhe mekanizmat për zhvillim.

Pro dhe kundër ligjit

Ekspertja për zhvillimin rajonal, Anila Gjika e vë theksin tek rëndësia që ka ligji për të ndërmarrë politika që mundësojnë zhvillimin rajonal, në kushtet kur pabarazia mes zonave të ndryshme të vendit është shumë e madhe. Nga ana tjetër, sipas saj, nevojitet krijimi i kuadrit të nevojshëm ligjor për të përthithur fondet e Bashkimit Europian.

Të gjitha analizat krahasuese të ndërmarra në vite dëshmojnë se në Shqipëri ka pabarazi të theksuara të zhvillimit mes zonave të ndryshme në vend, pavarësisht përkatësisë administrative-territoriale të tyre. Ndërkohë, këto pabarazi thellohen në mungesë të një kuadri të mirëfilltë ligjor e politikëbërës mbi aspektet e zhvillimit rajonal. Për më tepër, në kushtet e hapjes së negociatave për të qenë vend anëtar në Bashkimin Europian, Shqipëria duhet të përgatitet për të aksesuar, menaxhuar dhe përthithur fondet në dispozicion (si ato IPA aktualisht, edhe fondet strukturore së shpejti). Në këtë proces Shqipëria do të duhet edhe të bashkëfinancojë, e mbi të gjitha të dijë të thithë e menaxhojë fondet me një kapacitet të duhur administrativ, në bashkëpunim e partneritete, siç parashtrohen nga politika e kohezionit në BE. Eshtë e tepërt të thuhet se pa një kornizë legjislative specifike, me detyra e përgjegjësi të qarta të të gjitha organeve dhe institucioneve të përfshira, parapërgatitja për anëtarësim në kuadër të kapitullit 22 të Acquis Communautaire, thjesht është e dështuar që në nisje”, shprehet Gjika për Porta Vendore.

Por nuk është i këtij mendimi Agron Haxhimali, drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive. Ai argumenton se drafti nuk ofron një zgjidhje të qëndrueshme dhe nuk i shërben drejtpërdrejtë as qytetarëve dhe as institucionit të bashkive. “Ligji sipas meje, nuk jep siguri efiçente nga pikëpamja e kostos, përsa i takon raportit mes qëllimit të legjislacionit dhe mënyrave që përdoren për ta arritur atë. Edhe pse ligji ka elementë që vijnë për vendin tonë në fazën e para-aderimit në BE, lidhur me zhvillimin rajonal, mendoj se veç konceptit për zhvillim rajonal, nuk prezanton mekanizma dhe instrumente që forcojnë bashkitë dhe decentralizimin. Për të siguruar zhvillim rajonal, ideale do të ishte që të reformohej niveli i dytë, pra Këshillat e Qarqeve dhe të krijoheshin institucione me përgjegjësi pushteti qytetar dhe buxhete që të kryenin shërbime të rajonalizuara”, shprehet Haxhimali për Porta Vendore.

Ndërsa Adelina Farrici, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës për Autonomi Vendore vlerëson se, sipas përcaktimeve të ligjit, organet e vetëqeverisjes vendore (bashkitë dhe qarqet) janë përgjegjëse për ngritjen e Bordeve të Monitorimit të Zhvillimit Rajonal. Këto të fundit janë organet kryesore që promovojnë interesat e rajoneve të zhvillimit (pra ngrihen për çdo rajon zhvillimi) dhe janë platforma ku bashkëveprimi ndërvendor midis njёsive tё vetëqeverisjes vendore të rajonit të zhvillimit, në përputhje me parimin e partneritetit, bëhet realitet.

Një nga qëllimet e shprehura të ligjit për ZHRK-në është të përcaktojë instrumentet e posaçme dhe kuadrin institucional e financiar për zhvillimin rajonal dhe kohezionin në Republikën e Shqipërisë. Cilat janë institucionet që ligji prezanton si përgjegjëse për zhvillimin rajonal në Shqipëri? Janë tre institucionet/organet kryesore përgjegjëse për ZHRK-në në Shqipëri: Komiteti Kombëtar për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin; Bordet e Monitorimit të Zhvillimit Rajonal; Autoriteti Menaxhues. Pushteti Lokal është pjesë e Bordeve Monitoruese dhe nuk është pjesë e dy organizmave të tjerë”, shprehet Farrici për Porta Vendore.

Ndërsa eksperti i ekonomisë dhe çështjeve vendore, Akil Kraja ka rezerva të forta për mënyrën se është hartuar ligji dhe si u miratua ai, në mungesë të transparencës dhe konsultimit publik. “Është një ligj shumë i rëndësishëm, pasi prek thellësisht konceptin e decentralizimit, të autonomisë së pushtetit vendor dhe të subsidiaritetit që çdo vendimmarrje publike duhet të bëhet sa më afër qytetarit. Është një lloj vijimi i Reformës Territoriale që i mbivendoset 61 Bashkive të reja, por pa krijuar asnjë instrument demokratik, votimi apo konsultativ ku qytetarët të përfshihen në vendimmarrjen e këtyre strukturave të reja.

Gjithashtu, ligji prek dhe fondet europiane, pasi politikat rajonale janë një ndër instrument kyç të ndarjes së investimeve europiane për kohezionin social, ekonomik dhe infrastrukturor. Dhe këtu flasim për buxhetin më të madh të BE-së që shkon disa dhjetëra miliarda euro. Pra marrë së bashku, faktori demokratik dhe ekonomik, e bëjnë një ligj të një rëndësie tejet të veçantë. Por çfarë ndodhi? Asnjë transparencë, asnjë konsultim, asnjë përfshirje, asnjë kalendar dhe asnjë vlerësim të impakteve socio-ekonomike të këtij ligji”, shpjegon Kraja për Porta Vendore.

A eleminon ligji pabarazinë në zhvillimin e rajoneve?

Të gjithë ekspertët bien dakord në domosdoshmërinë e zbatimit të politikave dhe stimujve për eleminimin e pabarazisë shumë të fortë që ekziston sot në Shqipëri në zhvillimin e rajoneve. Por ata sërish japin argumente pro dhe kundër lidhur me efikasitetin e ligjit në këtë drejtim.

“Prej disa vitesh tashmë ka një konsensus në rritje mbi faktin se për disa çështje që lidhen me zhvillimin, një qasje rajonale në vendimmarrje do të ishte më efektive përkundrejt zgjidhjeve uniforme të tipit “një masë u përshtatet të gjithëve”. Kjo pasi, një zgjidhje uniforme me shumë gjasa nuk arrin të adresojë në mënyrë eficiente dhe efikase nevojat dhe mundësitë specifike të një rajoni, i cili paraqet karakteristika dhe kushte pjesërisht apo tërësisht të ndryshme nga një tjetër, njësitë e vetëqeverisjes vendore ushtrojnë funksione dhe kompetenca brenda territoreve të tyre pavarësisht se në disa raste territoret që menaxhojnë janë të vogla për të mundësuar ekonominë e shkallës, e vendimet e tyre mund të kenë pasoja dhe të ndikojnë zonat fqinje; një qasje bashkëvepruese dhe bashkërenduese e autoriteteve vendore, e synuar nëpërmjet politikës së zhvillimit rajonal, mund të ketë efekte dhe ndikim në shkallë më të gjerë, në nivel rajoni apo në nivel kombëtar.

Politika për Zhvillim Rajonal dhe Kohezionin përbën një mundësi reale për të zbutur dhe/ose ulur pabarazitë e krijuara dhe zhvendosjen drejt një modeli hapësinor policentrik, nëpërmjet rritjes dhe zhvillimit të bazuar në burime të brendshme (rritje endogjene)”, argumenton ekspertja Anila Gjika.

Nga ana tjetër, Agron Haxhimali është skeptik për këtë funksion të ligjit, pavarësisht se në letër përcaktohet si një ndër objektivat madhorë të tij. “Edhe pse me këtë qëllim, me qetësi shikoj që nuk mund ta luajë këtë rol. Pabarazitë ne nuk i kemi vetëm në rajone që nuk ekzistojnë sot dhe ndarja nuk është çelsi që bën barazim. Qeveria e zgjidh pabarazinë me politika më të shëndetshme për bizneset lokale, me politika sociale dhe punësim, duke forcuar bashkitë e dala nga reforma territoriale dhe duke dyfishuar buxhetin për 61 bashkitë”, shprehet Haxhimali.

Dyshues për eliminimin e pabarazive në zhvillimin e rajoneve është edhe Akil Kraja. Sipas tij, ligji është abstrakt përsa kohë në Shqipëri rajonet nuk ekzistojnë. “Është e rëndësishme të flasim për gjëra që ekzistojnë: termi i rajoneve nuk ka asnjë bazë ligjore në ndarjen administrative, gjeografike apo kulturore shqiptare. Ne njohim konceptin e “qarqeve” dhe te “bashkive”. Çfarë do të thotë rajoni veri, qendër, jug? Shqiptarët njohin Shkodrën, Vlorën, Dumrenë, Myzeqenë… pra narrativa socio-ekonomike ka një kufizim ekzistues. Fakti që vetë autorët nuk kanë gjetur një emërtim të saktë gjeografik e kulturor tregon që këto rajone janë shpikje. Këtu qëndron dhe pamundësia e këtij ligji për të luftuar pabarazinë mes rajoneve. Duke u fokusuar në diçka inekzistente, që nuk pasqyron realitetet në terren (si psh në ndarjen apo profilizimin territorial të sipërmarrjeve, në akset rrugore ndër qytetase etj.) ligji kërkon të trajtojë diçka tejet konkrete duke ndjekur një qasje krejt abstrakte”, shprehet Kraja. Ndërsa Adelina Farrici bën disa sugjerime për mënyrën sesi duhet bërë ndarja e rajoneve dhe kriteret që duhen zbatuar.

Mendoj që ndarja në rajone duhet të mbështetet në ngjashmërinë që ka kjo zonë në drejtim të zhvillimit, të resurseve natyrore, kulturës, traditës dhe jo thjesht ndarje administrative. Shoqata për Autonomi Vendore ka qenë një aktor aktiv në konsultimet e realizuara për këtë ligj, ku kemi paraqitur sugjerimet tona, duke shprehur dakortësinë në parim të ligjit i cili ka përputhshmëri me ligjin organik të vetëqeverisjes vendore dhe ligje të tjera. Ne kemi kërkuar një përcaktim më të qartë për rolin e pushtetit lokal, i cili do rregullohet me aktet nënligjore”, deklaron Farrici.

A cënon ligji autonominë vendore?

Shqetësimi kryesor i ekspertëve që kundërshtojnë ligjin e qeverisë për zhvillimin rajonal dhe kohezionin është cënimi i autonomisë vendore. Kjo nëpërmjet rritjes së kontrollit të qarkullimit të parasë dhe përzgjedhjes së investimeve. Për Agron Haxhimalin, drejtorin ekzekutiv të Shoqatës së Bashkive, këtë rol me ligjin e ri e merr Fondi Shqiptar i Zhvillimit. “Ligji nuk e forcon autonominë. Autonomi kemi, kur vetë bashkitë janë autoritet menaxhues. Ky ligj ka përcaktuar të tillë Fondin Shqiptar të Zhvillimit, një agjenci qeveritare. Nga ana tjetër, ligji ka përcaktuar organizimin institucional nga lartë poshtë, çka do të thotë që përsëri bashkitë do të jenë me një shkallë të konsiderueshme vulnerabiliteti para fuqisë nga qeveria dhe Komiteti Kombëtar për Zhvillim. Por mos harroni se ligji ka përcaktuar si përfitues të granteve jo vetëm bashkitë, por edhe një listë të gjatë me institucione të tjera. Pra kjo më thotë se çdo argument se forcojmë bashkitë dhe autonominë nuk shkon”, shprehet Haxhimali.

Ndërsa për Adelina Farrici, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës për Autonomi Vendore aktet nënligjore që do të nxjerrë qeveria do të përcaktojnë më qartë rolin e bashkive. “Në këndvështrimin e politikëbërjes dhe strategjive kombëtare është autoriteti qendror, ndërsa autoriteti lokal është pjesë e strategjive dhe politikbërjes lokale ne bordet e monitorimit. Nuk mendoj që cënohet autonomía lokale, por limitohet aksesi direkt i qeverisjes lokale në fondet e investimeve. Aktet nënligjore duhet të përcaktojnë një rol të qeverisjes lokale edhe në Komitetin Kombëtar”, shprehet Farrici.

Eksperti i ekonomisë dhe çështjeve vendore, Akil Kraja është i prerë në vleësimin e tij se ligji i qeverisë cënon fort autonominë e bashkive dhe procesin e decentralizimit.

Ligji cënon në mënyrë shumë problematike autonominë vendore duke i shtuar gjithmonë e më shumë fuqitë shpërndarëse të fondeve publike autoriteteve qendrore në varësi të ekzekutivit. A krijon ky ligj për shembull Këshilla Rajonalë të zgjedhur nga Qytetarët? A krijon ky ligj një Kryetar Rajonal të zgjedhur nga Bashkitë që e përbëjnë atë? Duke mos sjellë demokraci dhe duke i bërë ‘dublon’ bashkive dhe qarqeve të vendit, ky ligj qartazi dëmton autonominë vendore, duke forcuar pushtetin centralizues të qeverisë”, argumenton Kraja.

Ndërsa për eksperten për zhvillimin rajonal, Anila Gjika objektivat e ligjit dhe autonomia vendore janë dy çështje të ndryshme, që nuk duhen ngatërruar.

Nuk duhet të ngatërrohet qëllimi dhe objektivat e Ligjit për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin me aspektet e decentralizimit dhe autonomisë lokale.  Ne linjë me parimet e Politikës së Kohezionit të BE-së, ligji synon të adresojë problemet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe kohezionin socio-ekonomik nëpërmjet ngritjes së një sistemi për të garantuar planifikimin, zbatimin dhe monitorimin më të mirë e më me efiçiencë të fondeve që qeveria qendrore investon për zhvillimin (sot nëpërmjet instrumentit të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve/Aneksi 3 i Ligjit të Buxhetit) dhe fondeve të tjera të copëzuara mes ministrive të linjës”, shprehet Gjika.

Zhvillimi rajonal diskutohet në Shqipëri që prej vitit 2007. Në atë periudhë u miratua Strategjia Ndërsektoriale për Zhvillimin Rajonal, së bashku me draftimin e ligjit përkatës. Mirëpo, reforma nuk u finalizua. U rimor sërish në vitin 2009, në vitin 2011, më pas në periudhën 2012-2014, e sërish në 2016-2017. Në të gjitha rastet, debati që është bërë ka qenë më shumë politik sesa teknik. Këtij fati, diskutimi nuk po i shpëton as në vitin 2020. Por debatet pritet të jenë edhe më të nxehta në shtator, me nisjen e sesionit të ri parlamentar, kur pas mosdekretimit nga ana e Presidentit, ligji i ri do të rikthehet për diskutim në komisionet parlamentare.