Ndodhi

“Strehimi social”, ligji i ri që u vështirëson jetën familjeve të varfra

15 gusht 2020/ Brejdon Xhavara/ Porta Vendore/ Tiranë

Më shumë se një vit pas miratimit të ligjit të ri për “Strehimin Social”, ai nuk ka gjetur zbatim në terren, duke vendosur në vështirësi serioze qindra familje që mund të përfitonin nga aplikimi. Ligji vazhdon të mbetet i paqartë për njerëzit, të cilët detyrohen të sillen vërdallë nga një institucion në tjetrin, edhe pse ligji parashikon që dokumentet duhet të plotësohen nga vetë institucionet.  Një tjetër shqetësim për familjet e grupeve vulnerabël mbetet diskriminimi, që vështirëson marrjen e një kontrate qiraje, kusht i detyrueshëm që në fillim të aplikimit për subvencion qiraje.

Në maj të vitit 2018, u miratua ligji i ri për “Strehimin Social” një ligj i cili ishte premtues dhe do t’i vinte në ndihmë mijëra qytetarëve të pastrehë.

Ligji sjell disa risi; ai parashikon parimin e sigurisë së qëndrimit (neni 5), duke ndaluar dëbimin në çdo rast dhe duke ofruar garanci për individët/familjet që preken nga procesi i zhvendosjes.

Ndërthurja/qasja programet sociale të strehimit me shërbimet sociale të tjera, të tilla si: punësimi, strehimi, shëndetësia dhe të tjera të ngjashme me to; Sjell risi sa i takon programeve të reja të strehimit që parashikon si dhe përmirëson programet që mbeten nga ligji që ka zëvendësuar; Rregullon për herë të parë procedurat e zhvendosjes duke parashikuar ndalimin e dëbimit dhe lehtësimin e procedurave të zhvendosjes së qytetarëve si dhe duke parashikuar njëkohësisht detyrimin për t’iu siguruar strehim alternativ të përshtatshëm personave që preken nga ky proces; Parashikon krijimin e Fondit Publik të banesave sociale (Fondi i banesave sociale përfshin tërësinë e banesave, të krijuar nga organet e vetëqeverisjes vendore dhe/ose qendrore, subjektet private fitimprurëse ose jofitimprurëse, financimet nga taksat e ndikimit në infrastrukturë si dhe donacione e burime të tjera të ligjshme), etj.

Gjatë 5 viteve të fundit, Tirana pësoi ndryshime të mëdha në infrastrukturë, duke ndërtuar unazën e madhe në zonën e “Pallatit me Shigjeta”, vijimësinë e saj në Shkozë, ndërtime të tjera përgjatë bulevardit të “Zogu i Parë” dhe shumë ndërtime të ndryshme, ku prodhuan qindra familje të pastreha, si pasojë e shembjes së banesave të tyre.

Informimi gjatë këtyre viteve nga pushteti vendor ka qenë i cunguar, aq sa ka ende qindra familje të varfra, të cilët mbajnë radhën në zyra, për të kërkuar strehim.

Për Porta Vendore, Xhensila Golkatregon se aplikimi për “Subvencionim Qiraje” është i vështirë dhe i pamundur.“Tani me këtë ligjin e ri duhet patjetër kontrata e qirasë që në fazën e parë, por unë e kam të pamundur ta gjej”. Ndërkohë Etleva Zyberi, tregoi se: “Unë jam duke plotësuar shumë dokumente, edhe pse aktivistët na kanë thënë që me ligjin e ri dokumentet mund t’i marrë bashkia online, por unë jam akoma duke i bërë vetë”.

Xhensila Golka duke folur për Portën Vendore. Foto: B. Xhavara

Rreth 4 muaj më parë, Porta Vendore ngriti shqetësimin nëpërmjet një artikull për mungesën e kapaciteteve dhe infrastrukturën e nevojshme për të zbatuar ligjin e ri të “Strehimit Social” në institucionet e pushtetit vendor, duke sjellë histori të familjeve të varfra, të cilat sorollateshin nëpër zyra për të kërkuar shërbimet publike siç ishte dhe aplikimi për “subvencion qiraje”.

Kontrata, që në fazën e parë

Edhe ditët e sotme, problemet nuk janë zgjidhur, ligji është i paqartë për njerëzit dhe praktika e saj në terren, është duke i sjellë vërdallë familjet e varfra. Anëtarë të organizatës “Qendra Për Advokim Social”, të cilët kanë ndihmuar dhjetëra qytetarë për të aplikuar për programet e strehimit, tregojnë se qytetarët për të aplikuar në programin e “Subvencionimit të Qirasë” duhet të kenë kontratën e qirasë që në fazën e parë të nënshkruar nga të dy bashkëshortët/bashkëjetuesit dhe numër llogarie të qiradhënësit/pronarit social. Por sipas Qendrës për Advokim Social, gjatë viteve të fundit, familjet e pastreha, ku një pjesë e konsiderueshme janë familjet Rome dhe Egjiptiane, e kanë të pamundur të marrin një kontratë qiraje që në fazën e parë të aplikimit, kjo për shkak të diskriminimit racor si dhe për shkak të pagesës së 15 % që paguhet nga pronari si taksë qiraje.

“Në ligjin e ri, është parashikuar një program i ri për ‘Pronarin Social’, që u mundëson ndërtuesve që nuk kanë shitur apartamentet e tyre, të përfitojnë statusin pronar social dhe t’i japin me qira sociale për familjet aplikuese për strehim”, shprehet Xhuljana Sakollari, Koordinatore projektesh pranë Qendrës për Advokim Social. Ajo tregon se ky program nuk është zbatuar dhe se shumë familje ankohen në zyrën e kësaj organizate, pasi përpos programeve të reja, tani është shtuar dhe kontrata e qirasë që në fazën e parë, gjë që e bën të pamundur që shumë familje rome dhe egjiptiane të gjejnë kontratë qiraje për shkak të diskriminimit social dhe racor.

Më herët me ligjin e vjetër, nuk kërkohej kontrata e qirasë në fazën e parë, dhe për familjet që nuk e dispononin, pagesa e qirasë nga Bashkia Tiranë jepej në masën 50%.

Bashkia, vendim në kundërshtim me ligjin

Po ashtu, në shkrimin e publikuar nga Porta Vendore në muajin Shkurt 2020, trajtuam problemin e mbledhjes së dokumentacionit që duhet për të aplikuar për strehim, ku në ligj thuhej që organi përgjegjës për t’i mbledhur është Bashkia Tiranë, ndërkohë që ende sot qytetarët enden në zyrat e pushtetit vendor për t’i mbledhur duke harxhuar kohë dhe para.

Por çfarë ndodh?! Në muajin shkurt të vitit, pra dy vite pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri ka nxjerrë një udhëzim operacional. Në këtë udhëzim, të miratuar më 05.02.2020 me vendim të këshillit bashkiak, për miratimin e procedurave për zbatimin e programit social të strehimit “subvencioni i qirasë” shkruhet se aplikuesi duhet të sjellë një sërë dokumentesh për të aplikuar, duke bërë që edhe vetë ky udhëzues i shkurtit të 2020-ës të jetë në kundërshtim me ligjin e miratuar në vitin 2018.

Konkretisht, në nenin 14 të ligjit për Strehimin Social, ku përcaktohen rregullat e përgjithshme për aplikimin në programet sociale të strehimit, në pikën 2 deklarohet “Individi/familja pa të ardhura, me të ardhura shumë të ulëta ose të ulëta, që aplikon, paraqet vetëm kërkesën për programin social të strehimit, sipas formatit të miratuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore. Njësia e vetëqeverisjes vendore plotëson dosjen me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, i cili sigurohet me shpenzimet e vetë njësisë së vetëqeverisjes vendore për këta aplikantë”. Ndërsa në udhëzimin e Bashkisë së Tiranës, që është një akt nënligjor i ligjit të ri për Strehimin Social, deklarohet se të gjitha dokumentet duhet t’i sigurojë aplikuesi, duke rënë në kundërshtim me atë që citon ligji.

Pra, sipas njoftimeve të nxjerra nga Njësitë Administrative në Tiranë, deklarohet se është duke u zbatuar ligji i ri për “Strehimin Social”, por aktet nënligjore të nxjerra pak muaj më parë dëshmojnë qartë që “NJA” nuk e zbatojnë ligjin, por aktet që bien në kundërshtim me të.