15 gusht 2020/Xhemil Beharaj/Porta Vendore/Gjirokastër
Kaosi i krijuar në Kakavijë prej tre ditësh ka shkaktuar revoltë të qytetarëve, të cilët kanë pritur në radhë për të kaluar në shtetin fqinj. Pa ujë, pa bukë dhe pa tualete, ata qëndruan për orë të tëra në temperatura 38-40 gradë, ndërkohë që nata mbetej pjesa më e vështirë, pasi për disa nata e së premtes ishte e dyta radhazi që ishin të destinuar të qëndronin jashtë, në makinë e të palëvizur nga vendi, për shkak të radhës mbi 30 km që është krijuar.
Situata kaotike e krijuar në Kakavijë prej tre ditësh ka arritur kulmin ditën e premte, ku radha e automjeteve në pritje për të kaluar në Greqi ka arritur mbi 30 km, duke arritur deri në Jorgucat.
Të dehidratuar, të pa ushqyer dhe pa kushtet minimale të higjienës, mes temperaturave të larta, qytetarët shqiptarë kanë qëndruar për orë të tëra, në pritje për të kaluar në Greqi.
“Ne kemi që të enjten në orën 12 të drekës që presim për të kaluar. Kam djalin 5 vjeç aty që po fle në makinë si qeni. Shyqyr zotit që kemi të hamë e të pimë me vete. Nuk di ça të them situatë shumë e rëndë, ne kaluam dy ditë këtu dhe s’ka ardh njeri të na pyesin ça bëhet. Ne nga lodhja rrezik kur të na vijë radha për të kaluar kufirin, s’është çudi që të kemi edhe ndonjë temperaturë e të na rrojë lodhja e mundi pastaj që pritem kot”, thotë Toni, i cili ka ardhur në Shqipëri për të kaluar disa ditë pushime në Sarandë.
Qindra qytetarë kanë kaluar momente të vështira, ku janë përballur me temperatura 38 deri në 40 gradë celsius, por edhe mungesë të ujit të pijshëm, ndërsa dy të moshuar janë përcjellë me urgjencë për ndihmë të menjëhershme, pasi kanë pasur mungesë të konsumit të ujit.
“Problemi është i fëmijëve të vegjël se po i torturojmë këtu, duke fjetur me ditë të tëra në makinë. Ne kemi nga 30 vite andej, le të hapen rrugët të shkojnë se kemi punë, ky është apeli im për qeverinë, se gjithë jetën kështu na kanë trajtuar grekët se hë shqiptarë këta”, tregon Saimiri për Portën Vendore.
Të tjerë kanë që të mërkurën në darkë që presin në përpjekje për të kaluar kufirin, duke u bërë kështu nata e tretë që flenë jashtë.
“Kemi tre ditë pa u larë e pa u shpëlarë, pa bukë e pa ujë. Televizori thotë brenda 24 orëve do hapen, ku janë të hapura, shteti të vërë dorën në zemër për këta pleq e fëmijë që u torturuan por ne të rritur, ne mbajmë edhe ca”, tregon një tjetër bashkëvuajtës i radhëve të gjata, krijuara në Kakavijë në 3 ditët e fundit.
Kalvari i vuajtjeve të shqiptarëve vazhdon e rritet bashkë me radhën kufitare.
“Të vish në vendin tënd për punë, për pushime apo për të takuar prindërit pleq dhe të përballesh me këtë situatë në largim është një arsye e fortë që të bën të mendohesh mirë nëse do të vish përsëri, qoftë edhe nëse nuk do ti gjesh me të shtrenjtët e tu”, thotë një zonjë në të 40-tat.
Radhët kilometrike kanë shkuar deri rreth 30 km. Ndërsa ngërçi i krijuar ka të bëjë me oraret e kufizuara me të cilat po punon pala greke, të cilat janë 6 e mëngjesit me 22 të mbrëmjes, ku për shkak të nënshtrimit të analizës ndaj koronavirusit, procesi është shumë i ngadaltë, ndërsa si çështë lajmëruar edhe më parë nuk mund të kalojnë më shumë se 720 veta në një ditë.
Mos reagimi i shtetit shqiptar deri në orët e mesditës ka shkaktuar reagimin e qytetarëve, të cilët kanë bllokuar dy krahët e rrugës së Kakavijës.
Vetëm pas bllokimit të rrugës, ka ardhur reagimi qeveritar, ku fillimisht ishin forcat policore që shpërndanë ujë për qytetarët që prisnin të dërrmuar në radhë.
Ndërsa në orët e pasdites Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e jashtëm alternativ të Greqisë, Varvitsiotis për zgjatjen e orarit të punës në pikat kufitare nëmënyrë që qytetarët të mund të kalojnë edhe në orë e vona të natës.
Përmes një postimi në Twitter, Cakaj bën me dije se kanë diskutuar për lehtësimin e kalimit kufitar në Kakavijë. “Duke respektuar të gjitha masat dhe forcimin e grupeve që punojnë në kufi, ne jemi duke ndjekur vazhdimisht situatën për të lehtësuar ngarkesën në kufi”, shprehet ai.
Si pasojë e shtimit të rasteve me koronavirus në Shqipëri dhe Greqi, autoritetet greke kanë vendosur që të zhvillojnë testime masive për udhëtarët që kalojnë kufirin. Njerëz dhe me fëmijë të sëmurë janë detyruar të presin si gjithë të tjerët dhe veç ujit dhe ndonjë biskote nuk kanë përfituar asnjë ndihmë tjetër.
Pamje drithëruese ishin ato të një fëmije 2-muajsh, i cili ra në gjendje të fikëti për disa minuta për shkak të kushteve ekstreme, në të cilat familja bashkë me të ndodheshin. Por mes britmave të prindërve që luteshin për ndihmë, ambulanca erdhi vetëm disa orë më vonë, atëherë kur foshnja ishte mirë dhe situata ishte normalizuar. Ndërkohë midis zhgënjimit dhe durimit të sprovuar, disa udhëtarë folën hapur për korrupsionin e shtetit shqiptar, ku disa akuzonin policinë për kalimin e disa makinave që paguanin ryshfet e të tjerët mbesnin sërish në radhë.
Njerëzit e zhgënjyer i kanë drejtuar vetëm një lutje për autoritetet që të negociohet që puna mos të ndërpritet në orës 22:00, por të vazhdojë dhe gjatë gjithë natës.
Sipas të dhënave, e gjithë situata ndodhi për shkak të stafit të reduktuar mjekësor për marrjen e tamponëve, ndërsa policia greke pretendoi se po punon me kapacitete të plotë. Por deri në orët e vona të natës, pala greke ka vijuar të punojë vetëm me dy sportele.
Orët e natës janë dhe më të vështira. Fytyra të lodhura, të zhgënjyera dhe të duruara shqiptarësh të vuajtur është e vetmja pamje që vjen nga makinat e radhitura në pritje për të kaluar kufirin për të vijuar jetën normalisht.
“Të vish në vendin tënd për punë, për pushime apo për të takuar prindërit pleq dhe të përballesh me këtë situatë në largim është një arsye e fortë që të bën të mendohesh mirë nëse do të vish përsëri, qofte edhe nëse nuk do t’i gjesh më të shtrenjtët e tu”, shprehet i indinjuar një qytetar nga Mallakastra.
Gra dhe fëmijë që ndihen të pafuqishëm për ta përballuar gjithë këtë të zë syri përreth 30 km në jug të Gjirokastrës, nga Jorgucati deri në pikën e kalimit kufitar.
“S’na kanë thënë asgjë. Nuk ka ardhur askush. Na kanë sjellë vetëm ujë. Ne do rrimë këtu derisa të ikim, shpresojmë që të kalojmë nesër. Greqia ka vendosur kushte, unë jam me burrin dhe dy fëmijët, nuk mund të paguaj nga 100 euro për secilin për të bërë tamponin se i thonë 400 euro, kështu që jam e detyruar të pres, me shpresën se do kaloj deri te shtunën në mbrëmje”, shprehet një zonjë, e cila po kalon natën në makinë.
Ndërsa një zonjë tjetër, e cila po tenton të vendosë djalin në gjumë në sediljen e pasme të makinës shprehet se ka mbi tetë orë që nuk ka arritur të lëvizë as dy metra me makinë. “Nuk e dinim që ishte kaq radhë, sepse nuk do e kishim marrë mundimin të vinim fare në Shqipëri. Tashmë, na duhet të ikim në punë”, shprehet gruaja rreth 40-ve.
Qytetarët që pritën me orë të tëra kishin shpresë se kufiri nuk do të mbyllej gjatë natës, por e kundërta ndodhi…
Në orën, 22.00, kufiri është mbyllur për t’u hapur në orën 06:00 të mëngjesit. Ky lajm zhgënjyes nuk është pritur aspak mirë nga emigrantët, të cilët kanë protestuar në formën e tyre qytetare, duke u rënë borive të makinave për disa minuta.
Ndërkohë ndërmjet zhgënjimit dhe durimit të sprovuar, qytetarët apeluan për ndërhyrje disa herë, por zëri i tyre ra në vesh të shurdhët.
“Kemi pleq dhe fëmijë të sëmurë në shtëpi. Kemi gra shtatzëna. Dikush duhet të përgjigjet”, ishin disa nga thirrjet e emigrantëve pranë doganës së Kakavijës në momentin që u mor vesh lajmi për mbylljen e doganës. “Ku janë përgjegjësit që t’i përgjigjen këtij populli që po pret, kush do përgjigjet për ta”, tha një qytetar i indinjuar. Ndërsa një tjetër reagon i irrituar: “I pe gratë sot që nuk kishin tualete ku të shkonin. Ështtë turp”. “Afërsisht 70% e këtyre njerëzve dhe fëmijët tanë, kanë pasaporta greke, pra janë shtetas grekë dhe ky turp është dhe për Greqinë, sesi ka mundësi të lërë shtetasit e vet në këtë gjendje”, thotë një tjetër qytetar.
Pas mbylljes së pikës kufitare, problemi më i madh ishin fëmijët, prindërit e të cilëve kanë nxituar për t’i vënë në gjumë në makina, ndërsa vetë kanë pranuar të flinin dhe në rrugë. Shpresa e tyre është që të paktën të kalojnë gjatë ditës së shtunë, megjithëse gjatë gjithë natës radha është shtuar dhe më shumë. Madje, gjatë natës, në mungesë të policisë, nuk kanë munguar as debatet për ruajtjen e radhës. Kur dita fillon të zbardhë, situata kaotike nuk është lehtësuar aspak, ndërsa pritet që pala greke të rikthehet në punë. Radha e makinave është rritur dhe më shumë, duke e çuar vargun deri afër Grapsit, ndërsa në ndihmë të qytetarëve nuk ishte askush.
Pala greke ka nisur punën në orën 6 të mëngjesit, por lëvizja ka qenë shumë e ngadaltë, ndërsa irritimi ka arritur kulmin pas mesditës, kur pala greke ka ndaluar kalimet, me pretendimin se janë lodhur. Por, duke parë vargun e mjeteve që nuk është zvogëluar, pavarësisht kalimit të orëve, lutja e vetme e emigrantëve është që të kalojnë brenda së dielës, kur mbaron afati i vendosur nga autoritetet greke.
Sipas vendimit të qeverisë greke, kufizimet për hyrjen në Greqi nga Shqipëria janë shtyrë deri më datë 31 gusht 2020, ku janë përjashtuar nga kufizimet poseduesit e pasaportës greke, të Kartës së Posaçme të Identitetit të Homogjenit dhe lejes së qëndrimit, personat që e kanë vendbanimin e tyre kryesor në Greqi dhe te gjithë ata që hynë pas marrjes se lejes përkatëse për nevoja profesionale absolutisht të domosdoshme. “Nga dita e diel 16.08.2020 ora 00:01 deri më 31.08.2020 ora 23:59, të gjithë ata që hynë në Greqi zbatohet karantinimi 7 ditor që prej mbërritjes së tyre (përjashtohen shoferët e kamionëve). Personat, të cilët shkelin masën e karantinës, përveç sanksioneve penale të parashikuara, dënohen më gjobë në masën 5.000 euro”, thuhet në njoftimin e ambasadës greke. Nga data 17 gusht deri më 31 gusht, të gjithë ata që hyjnë në Greqi duhet të paraqesin testin negativ për COVID-19, i cili duhet të jetë kryer deri 72 orë para mbërritjes në pikën e kalimit kufitar, nga laboratorët publike ose private të certifikuara në Shqipëri. Pikërisht këto ndryshme mendohet se kanë shkaktuar kaos në Kakavijë, duke shënuar radhën më të gjatë të ndodhur në 30 vitet e fundit në një pikë kufitare shqiptare.