13 gusht 2020/ Arben Vata/ Porta Vendore/ Kukës
Bullgaria ka dhuruar një fond 5 mijë euro për rikonstruksionin e tualeteve të shkollës së Shishtavecit në Kukës dhe për ngritjen e laboratorit të informatikës. Fondi ka ardhur falë një kërkesë të drejtorit të shkollës, drejtuar disa deputetëve të parlamentit bullgar, duke marrë shkas dhe nga fakti se në këtë zonë jeton minoritet i këtij shteti.
Natyrisht që vendet turistike kanë riskun më të madh të të gjykuarit nga vizitorët e huaj, ashtu siç nuk shpëtojnë dot as nga vigjilenca e atyre që jetojnë aty dhe që duan një vend më të mirë. I tillë është rasti i Shishtavecit të Kukësit. Turistë të huaj, të udhëhequr nga guidat kuksiane e Shoqata e Alpinistëve, sa herë që mbushin rrugët e këtij fshati turistik për të shkuar drejt pamjes përrallore që të ofron Guri i Mëngjesit, nuk ngurojnë të komentojnë infrastrukturën, hyrjen në fshat me rrugët plot mbeturina, kushtet në hotele e restorante, kulinarinë, mikpritjen e banorëve, kulturën vendase etj.
Një vend turistik, me staturë të rrallë natyrore, nuk mund të vijë i ndarë nga objektet e tij kulturore e arkitekturore siç janë posta, baret, restorantet, objektet e kultit a shkolla. Kjo e fundit, me një historik të veçantë kulturor, e ndërtuar që në tetor të vitit 1924. Vitet e fundit ka qenë në qendër të vëmendjes dhe shqetësimit të nxënësve, prindërve e komunitetit. Kjo shkollë e mesme e bashkuar, sot shkolla e Shishtavecit numëron rreth 120 nxënës që vijnë përveçse Shishtavecit, edhe nga fshatrat përreth. Si shumica e shkollave të periferive të qytetit të Kukësit dhe shkolla e Shishtavecit ka mungesa të ndjeshme në kushtet higjieno-sanitare dhe në krijimin e laboratorëve të posaçëm të kimisë, biologjisë, informatikës. Me gjithë kërkesat nga prindërit, mësuesit, këshillit pedagogjik drejtuar Bashkisë Kukës, për të bërë investime, shkolla për vite me radhë nuk ka njohur laboratorë, duke bërë që nxënësit të mjaftohen vetëm me orën e mësimit. Dikush me forcën e fantazisë, nxitur nga mësuesi pasionant i lëndës mund të ketë zëvendësuar këto mungesa e t’ia ketë hedhur vitit shkollor me nota të kënaqshme për të e familjen. E dikush tjetër me shumë gjasa do paguajë në të ardhmen për këto mungesa.

Këto ditë në shenjë respekti dhe solidarizimi, disa deputetë nga parlamenti bullgar gjatë një takimi në Ditën Botërore të Medias i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së drejtorit të shkollës Shishtavec, për të bërë një investim modest në shkollën e kësaj zone, duke ofruar një shumë modeste që do të shpenzohet për riparimin urgjent të banjove të shkollës, pajisjen me kompjuterë dhe printer për shkollën. Në letrën drejtuar drejtorit të shkollës, deputetet e grupit parlamentar “Patriotë të Bashkuar” kanë kërkuar dhe ndjesë për vonesën e kthimit të përgjigjes, kjo për shkak të situatës së pandemisë.
Drejtori i shkollës së mesme Shishtavec Z. Talent Seferi me anë të një takimi informal kërkoj mbështetjen e bullgarëve për investimin në shkollë. Ai shprehet se është i lumtur nga ky takim me përfaqësues të ambasadës bullgare, i cili u zhvillua në ambientet e kësaj ambasade, dhe për faktin se kërkesa e tij shkon në ndihmë të komunitetit dhe konkretisht nxënësve të cilët janë e ardhmja e këtij vendi. Ai pohon që kjo sasi parash do të përdoret për krijimin e një salle informatike dhe rikonstruktimin e tualeteve të shkollës, punime këto që pritet të nisin këto ditë të nxehta vere.
Nxënësi R.K shprehet se gjatë mësimit të informatikës profesori vetëm i shpjegonte lëndën. “Kjo na dukej e pamjaftueshme për ta kuptuar ndryshe ,nga lënda e fizikës dhe kimisë që përveçse mësuesve tek shkolla, na ndihmonin dhe prindërit e të afërmit. Prindi mund të mos e di se çfarë është ‘recycle bin’ a formatimi i kompjuterit por jo se pse nuk bie shi në hënë apo se bakri është përcjellësi i mirë i rrymës elektrike”, tregon një nxënës i kësaj shkolle për Portën Vendore.
Kryetari i njësisë administrative Shishtavec, Z. Klodjan Grisha shprehet për Portën Vendore se ky është bashkëpunimi i parë me parlamentin bullgar dhe se në të ardhmen pritet të ketë kontakte të tjera që konsistojnë në marrëveshje reciprociteti mes palëve. Ai gjithashtu shprehet se Ambasada Bullgare në bashkëpunim me Bashkinë Kukës kanë rënë dakord që kjo e fundit të ofrojë forcën punëtore për të rikonstruktuar banjot e reja të shkollës.
Ndërkohë kryetari i grupit parlamentar për miqësi me Shqipërinë Krasimir Bogdanov, ka bërë postimin në rrjetet sociale duke thënë se : “Bullgaria është atje ku jetojnë bullgarë. Vëllezërit tanë nga Golloborda dhe Gora nuk janë harruar. Bullgaria mendon për ta”.
Takimi i cili u mbajt në ambientet e Ambasadës Bullgare midis Drejtorit të shkollës së mesme Shishtavec Z. Talent Seferi , Kryetarit të njësisë administrative Shishtavec, Z. Klodjan Grisha dhe përfaqësuesve të shtetit bullgar është zhvilluar në maj në ambientet e Ambasadës Bullgare dhe shuma e dhuruar është rreth 5000 dollarë, ndërsa aktualisht është lëvruar fondi për fillimin e punimeve, në mënyrë që shkolla të jetë gati në shtator për nisjen e vitit të ri shkollor.
Duhet kujtuar që Shishtaveci së bashku me 8 fshatra përreth kanë marrë statusin e minoritet bullgar që prej vitit 2018. E tanimë mbi Shishtavecin duket që janë drejtuar dy radarë vrojtues, deputetet e parlamentit bullgar nga njëra anë dhe njësia e qeverisjes vendore nga ana tjetër.