10 gusht/Eljona Ballhysa/Porta Vendore/Tiranë
Llambat ndriçuese mungojnë në pedonalen e Farkës, adoleshentët i thyejnë, ndërsa njësia administrative i zëvendëson hera-herës. Po ashtu pastërtia e kësaj zone e cila është kthyer në një shëtitore shumë të frekuentuar gjatë 3 viteve të fundit, lë shumë për të dëshiruar.
Është buzëmbrëmje gushti. Nga ato ditë kur edhe era e lehtë sjell ajër të ngrohtë, ndërsa shumica e kryeqytetasve kanë dalë për xhiron e darkës. Që prej tre vitesh, përveç parkut të Liqenit Artificial, Tiranës i është shtuar edhe parku i Liqenit të Farkës, që është një tjetër zonë e gjelbëruar që shfrytëzohet nga të rinjtë dhe familjarët për shëtitjet e pasdites dhe mbrëmjes. Por bukuria e parkut qëndron deri në momentin kur dielli ende nuk është zhytur në liqen dhe me dritën e tij ndriçon rrugën. Më pas, një pjesë e zonës mbulohet në errësirë. Kjo për faktin se llambat që ndriçojnë pedonalen në krahun lindor të liqenit janë thyer dhe nuk janë zëvendësuar më. Kjo bën që edhe qytetarët e shumtë që e vizitojnë çdo mbrëmje këtë park ta mbyllin shëtitjen më herët se sa do të dëshironin.
“Ne vijmë shpesh këtej nga liqeni i Farkës. Është një zonë e mrekullueshme. Shumë e bukur, plot gjelbërim. Lokalet e zonës janë të këndshëm, kanë lodra për fëmijët. Është me e qetë dhe më pak e populluar sesa te liqeni Artificial, ndaj na pëlqen. Vetëm se duket sikur nuk e pastron askush. Shohim shpeshherë në shëtitore jashtëqitje bagëtish dhe mungon ndriçimi. Po nuk pati dritë ke frikë të rrish”, shprehet Daniela e cila bashkë me dy fëmijët e saj herë me shoqe e herë me familjarë zgjedhin të kalojnë mbrëmjet pranë këtij liqeni.
“Unë e mbaj mend shumë mirë, se kam gati 3 vite që kur është ndërtuar ky bulevard këtu në park që bëj vrap çdo darkë. Në fillim kishte ndriçim. Të gjitha llambat ndizeshin. Po i kanë thyer njerëzit besoj, kalamajtë. Ose janë djegur. Por duhet kontrolluar, kush e ka përgjegjësinë t’i shohë këto gjëra, gjynah. Po ecim me telefon në dorë për të bërë dritë”, thotë Taulanti, i cili zgjedh që aktivitetin fizik ta bëj pikërisht në këtë zonë.
Porta Vendore bëri një vëzhgim pranë liqenit të Farkës dhe faktoi se me dhjetëra llamba janë të thyera, ndërsa disa të tjera kanë vetëm shtyllën dhe i është hequr e gjitha pjesa lart e portollambës, siç shihet edhe në foto.

Por ajo që bie në sy është se llambat janë të ndezura vetëm pranë lokaleve dhe sapo largohesh prej tyre mungojnë dritat.
Edhe pastërtia lë shumë për të dëshiruar, pasi shpeshherë në mes të bulevardit të ndodh të shohësh jashtëqitje bagëtish.
Kryetari i njësisë administrative të Farkës, Ardian Tufa i pyetur nga Porta Vendore konfirmoi faktin se shpeshherë grupe adoleshentes thyejnë llambat e pedonales, por tha se ata zëvendësohen çdo 10 ditë.
“Ky është një problem i vazhdueshëm, është një shqetësim edhe i joni prej kohësh. Por ne gati çdo 10 ditë i zëvendësojmë llambat. Në orët e vona sidomos të shtunave dhe të dielave ka grumbullime të rinjsh, adoleshentesh që ka raste edhe e gdhijnë gjithë natën dhe i thyejnë llambat. Policia sigurisht që e patrullon zonën por ata nuk rrinë dot gjatë gjithë kohës. Një çast është ai. Megjithatë ne do çojmë çunat nesër që t’i kontrollojmë”, është shprehur zoti Tufa për Portën Vendore.
Ai thotë se është menduar që së shpejti ndriçimi i pedonales të bëhet me llamba të larta mbi 6 metra nga 2 që janë aktualisht.
“Ne kemi menduar tani së bashku me bashkinë e Tiranës që nga ndriçim dekorativ i ulët që është tani ta bëjmë ndriçim të lartë, rreth 6 metra nga 2 metra që është aktualisht”, thotë Tufa, një zgjidhje kjo që do t’i japë fund thyerjes së shpeshtë të llambave nga grupet e adoleshentëve.
I pyetur edhe për mirëmbajtjen dhe pastrimin e zonës, kreu i njësisë bashkiake të Farkës tha se ajo pastrohet çdo ditë.
“Rruga pastrohet. Kemi ne punëtorët tanë që dalin çdo ditë. Plus që vjen edhe ndërmarrja DPN 1 që pastrojnë. Pastrimi është perfekt çdo ditë”, thekson Tufa, megjithëse Porta Vendore konstatoi mjaft papastërti siç shihet edhe në foto.