Ndodhi

Klos, banorët e Unjatës ankohen për ujin e pijshëm

9 gusht 2020/ Julian Hoxhaj/ Porta Vendore/ Klos                                   

Mungesa e ujit të pijshëm është kthyer në një problem serioz të qarkut Dibër, teksa shumë zona i ka shoqëruar historikisht. Banorët e fshatit Unjatë në këto 30 vite pluralizëm, kanë pritur që qeveritë që shkojnë e vijnë t’jua plotësojnë këtë nevojë jetike, por ende vuajnë mungesën e ujit.

Me një situatë të tillë, kanë më shumë se 30 vite që bashkëjetojnë edhe banorët e fshatit Unjatë të Klosit. Banorët janë munduar ta sigurojnë vetë ujin e pijshëm nga burimet e malit, por kjo mënyrë jo gjithnjë funksionon dhe është e sigurt përsa i përket cilësisë së ujit që ata konsumojnë. Burimet ujore që ata përdorin aktualisht s’kanë asnjë filtër apo pastrues, ndërsa ata vetë nuk kanë mundur që t’i bëjnë as ndonjë analizë ujit.

Banorët shpresojnë që kjo situatë të marrë fund sa më shpejt, ndërsa vijojnë të jenë në pritje të një investimi, ashtu sikurse i është premtuar.

S’kemi ujë të pijshëm fare, vetëm ujë çezme që kemi aty tek gryka e Cekës. Por edhe ajo është prish krejt. Krejt lagja jonë, lagja e Zallit është pa ujë fare. Ne kështu kemi vuajtur gjithmonë. Të na i sjellë bashkia ujin kaq kërkojmë, të vijë të na i rregullojë, se kështu kemi qenë vazhdimisht ne”, tha një banore e lagjes Zalli në fshatin Unjatë të Klosit.

Bidonat 10 litërsh, si e vetmja alternative për furnizimin me ujë të pijshëm.

Banorët e sigurojnë ujin e pijshëm në forma e mënyrë të ndryshme, të gjithë sipas mundësisë financiare, ku disa e blejnë, të tjerë konsumojnë nga uji i një përroi aty pranë, ose kanë mundur ta sjellin me tuba pranë lagjes së tyre nga një çezme, e cila ndodhet në fshat.

“As ujë, as rrugë asgjë s’kemi ne. Që kur mbaj mend unë kemi pas vetëm ujë përroi, edhe aty qëndrojnë bretkosat tani e është prishur shumë. Na kishin premtuar ta rregullonin por s’e rregulloi kush. Ça ujë more tek shtëpia? Kush ka pas ndonjë lekë, që ka blerë ndonjë burim.

Vazhdimisht këtu në fshat nuk kemi pas ujë. Ka qenë një burim andej tej, edhe ai tani është prish edhe ne s’na ka ardhur të na e rregullojë kush ujin e pijshëm, ndërsa në fshatra të tjerë që kanë qenë si ne i kanë rregulluar disa”, thotë kryeplaku i fshatit.

Kjo lagje ka 10 familje, ndërsa i gjithë fshati shkon deri në 200 familje që e vuajnë këtë problematikë, e cila bëhet disa fish më e madhe në muajt e verës, kur edhe konsumi i ujit është më i madh.

“Për ujë të pijshëm e kemi shumë problem, marrin në krahë me bidonë nga një burim që po shteret, por është i pakontrolluar dhe kemi frikë se nuk i janë bërë as analiza asgjë. Se këta të bashkisë na kanë premtuar do t’ju sjellim ujë të pijshëm, do ta marrim atje lart në mal, na kanë premtuar dy herë, edhe radhën e parë më 2015 edhe në të dytën. Sa herë bëjnë fushatë këto na premtojnë, por për të bërë s’na kanë bërë asgjë”, tha një tjetër banor për Portën Vendore.

Depozitë e sajuar nga banorët për furnizimin me ujë nga puset.

Ata tregojnë se premtimet gjatë fushatave elektorale qoftë në 2015 por edhe në 2019 kanë qenë të shumta, por deri më tani ky komunitet nuk ka parë asgjë konkrete.

“I kam fut tubat, nga burimi e sjell këtu afër shtëpisë, por atë ujin mezi e pimë se s’është për tu fut në bark ai po ca të bëjmë. Na kishin premtuar për ujë por ky premtim u harrua”, tregon një tjetër banore e Unjatës.

Banorët pohojnë thuajse njëzëri që për ujin e pijshëm kanë vuajtur vazhdimisht, si gjyshërit e katragjyshërit e tyre, edhe ata vetë, ndërsa ndryshe nga brezat e tjerë tanimë s’ka më as burime ku të mund të mbushin ujë pasi ata janë shteruar, ndërsa të vetmit të mbetur janë të pasigurt për pastërtinë e tyre.

Nënkryetari kryetari i Bashkisë Klos, Armand Gjini tha se është në dijeni të këtij problemi dhe se pushteti vendor ka projekte konkrete për këtë fshat. “Fshati Unjatë është pjesë e një projekti për ndërtimin e një ujësjellësi që do të zgjidhë përfundimisht këtë situatë. Por ky projekt, ende nuk ka marrë jetë. Mendojmë se së shpejti, që të sigurojmë dhe fondet, do i japim zgjidhje këtij problemi”, deklaroi nënkryetari Gjini. Sipas tij, ai është në dijeni të ankesave të banorëve dhe i mbështet ato, por edhe mundësitë e bashkisë janë të vogla, se ka një buxhet të ulët. Por, deri në zgjidhjen e plotë të këtij problemi dhe jetësimit të projektit të Bashkisë Klos, fshati Unjatë duhet të vuajë mungesën e ujit të pijshëm, ndërsa banorët shpresojnë që vera e ardhshme t’i gjejë me ujësjellës.

Facebooktwitterredditpinterestlinkedinmail