Vëzhgim/Analizë

Transparenca e bashkive gjatë Pandemisë – Presioni i Shoqërisë Civile dhe Medias lokale dhe efektet e saj

7 gusht 2020/ Elisa Gjerani/ Julian Hoxhaj/ Porta Vendore

Transparenca ka qenë një nga diskutimet më të mëdha gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit. Tenderët për pakot ushqimore ishin në fokusin e medias dhe partive opozitare në vend. Edhe pse me aktivitet të reduktuar, bashkitë vijuan punën gjatë pandemisë, duke marrë vendime në shërbim të qytetarëve. Shërbimet dhe vendimet që bashkitë ofruan gjatë pandemisë për qytetarët kanë qenë të natyrave të ndryshme, duke përfshirë dhënien e ndihmës ekonomike apo asistencës sociale për shtresat në nevojë; dhënien e pakove ushqimore për familjet në nevojë; dezinfektimin e ambienteve publike; sigurimin e shërbimeve të nevojshme për të përballuar pandeminë në komunitet, etj, rritjen e transparencës nëpërmjet transmetimit online të këshillave bashkiakë, etj. Të gjitha këto masa e vendime të marra gjatë periudhës së pandemisë janë analizuar nga Porta Vendore për të kuptuar nëse u bënë në mënyrë transparente dhe se sa ndikuan media dhe shoqëria civile në këtë vendimmarrje. Porta Vendore ka kontaktuar ekspertë të fushës së medias, shoqërisë civile, gazetarë, por edhe përfaqësues të vetë bashkive, për të përballur mendimet lidhur me transparencën e institucioneve të pushtetit lokal gjatë pandemisë, nisur nga muaj mars e deri më 23 qershor, ditë kur mbaroi edhe gjendja e emergjencës së fatkeqësisë natyrore në Shqipëri.

Shoqëria Civile, advokuesi kryesor për rritjen e transparencës

Ervis Çota, drejtues i Levizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome, është angazhuar prej vitesh në përmirësimin e kushteve dhe shqetësimeve të komuniteti rom dhe egjiptian, ku ka qenë edhe gjatë pandemisë së Covid-19, zëri i tyre ndërmjetësues midis familjeve të këtij komuniteti dhe Bashkisë Elbasan. I pyetur nga Porta Vendore, ai mendon se jo vetëm Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome pati ndikim në vendimmarrjen e pushtetit vendor, por edhe një sërë organizatash të tjera, ku emëruesi i përbashkët i të gjithë kësaj, ishte më shumë transparencë.

“Organizata që unë drejtoj (LRER) por edhe disa OJF të tjera, për aq sa kam dijeni, kanë pasur një farë ndikimi me veprimet e tyre në rritjen e transparencës nga ana e bashkive gjatë kohës së pandemisë. Personalisht do të thosha që ne si organizatë patëm ndikim në rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë së Bashkisë Elbasan ndaj Covid-19, sepse përmes takimeve, shkresave zyrtare, organizimit të komunitetit për të reaguar dhe shfaqur nevojat që lindën si pasojë e masave kufizuese, mediatizimit të situatës dhe problematikave, ndjekja e mbledhjeve të këshillit bashkiak, shqyrtimi i VKB dhe dhënia e propozimeve sipas nevojës, në një farë mënyre e vendosëm bashkinë në një pozitë llogaridhënëse ndaj qytetarëve. Ne si organizatë ishim pothuajse në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm me përfaqësues të bashkisë, duke monitoruar kështu të gjithë procesin e angazhimit, masat e marra nga bashkia në përgjigje ndaj Covid-19 dhe zbatimin e vendimeve të qeverisë”, tha ai, ndërsa sjell në vëmendje një sërë rastesh. “Dua të përmend rastin e organizimit dhe mobilizimit të komunitetit rom dhe egjiptian, në ditët e para të izolimit të vendit, të cilët protestuan në zonat e tyre, pasi po përballeshin me mungesën e ushqimeve bazike. Protesta e tyre u mbulua edhe nga media. Ky reagim i komunitetit nxiti bashkitë përkatëse të merrnin masa për t’iu përgjigjur nevojës së tyre. Në rastin e Elbasanit, ditën që pasoi, bashkia u siguroi pako ushqimore. Një rast tjetër ishte nxitja e bashkisë dhe këshillit bashkiak përmes shkresave zyrtare dhe takimeve për të miratuar një fond emergjence për Covid-19. Mund të themi se reagimi ynë pati ndikim, pasi disa ditë më vonë këshilli bashkiak miratoi një fond emergjence që shkoi për blerjen e pakove ushqimore për familjet në nevojë”, tregon entuziast Ervisi, pasi duket se objektivat për të cilat ka punuar gjatë periudhës së pandemisë, i janë realizuar.

Romina Seferi, drejtuese e Qendrës për Advokim Social tregon eksperiencën e saj me bashkitë në periudhën mars-qershor 2020. Ajo drejton një organizatë të re, e cila pati si aksion të saj që në muajt e parë të krijimit, pikërisht lobimin e disa çështjeve me rëndësi jetike për komunitetet vulnerabël, gjatë periudhës së pandemisë së Covid 19.

“Ne si grup aktivistësh dhe grup organizatash partnere përveç takimeve dhe kontakteve të shpeshta me bashkitë respektive, kemi përdorur shumë dhe konceptin e medias online duke bërë denoncime nga terreni, që tregonin një realitet komplet ndryshe nga qëndrimet e bashkisë dhe të qeverisë. Këto hapa ndikuan pozitivisht në punën tonë. Ndikuan duke rritur masën e dyfishimit të ndihmës ekonomike, ndërsa në Fier si pasojë e angazhimit të vazhdueshëm dhe organizimit të komunitetit së bashku me aktivistët, bashkia u detyrua të ndërtonte një fond të posaçëm vetëm për mbështetjen e romëve dhe egjiptianëve”, tha ajo, ndërsa shton se organizata të ndryshme vepruan dhe u angazhuan në mënyra të ndryshme, ku sipas saj duhet të kishte pasur më shumë ndërveprim me institucionet, dhe aksion e presion për transparencë e llogaridhënie, mbi vendime që afektojnë jetën e komunitetit në periudha të tilla, të panjohura për Shqipërinë më parë.

“Absolutisht që nuk mund t’i përgjithësoj veprimet, pasi secila nga organizatat ka fokusin dhe strategjinë e tij, por me thënë të drejtën kam vënë re një lloj stopimi nga shoqëria civile, e cila me sa duket nuk arriti që të ishte shumë aktive përgjatë kohës së pandemisë, e them këtë sepse në momentin që një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë civile do të ishte aktive mjaftueshëm do të kishim arritur dhe më shumë gjëra të gjithë së bashku, dhe në të tilla situata duhet më shumë mobilizim nga organizatat për të çuar para synimet e tyre me qëllim ofrimin e ndihmës për grupet që gjithsecili përfaqëson”, tha kritike Seferi.

Sipas të dhënave zyrtare, numri total i familjeve të asistuara për shërbime apo të ndihmuara me pako ushqimore deri më datë 29 Maj 2020 ishte 73,287 familje dhe 196,225 persona. Pjesa më e madhe e asistencës është dhënë në qarkun e Tiranës, me 21.6% ndjekur nga qarku i Beratit me 10.2% ndërkohë që nivelet më të ulëta janë shënuar në qarqet e Durrësit me 3.1% dhe Kukësit me 5.0%.

“Për shpërndarjen e pakove me ushqime nga bashkitë në zonat me përqendrim të lartë të minoritetit rom dhe egjiptian, duke iu përgjigjur një pjese të familjeve që kishin nevojë, dua të theksoj se burimet dhe stafi i bashkive nuk kanë qenë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur kësaj situate të krijuar dhe për rrjedhojë deri diku nuk kanë qenë efektive dhe të mjaftueshme, por kemi arritur që të ndihmojmë një pjesë të këtyre familjeve. Bërja e dezinfektimit në zonat ku jetojnë këto familje, si pasojë e shkresave dhe kontakteve të drejtpërdrejta me Bashkinë e Tiranës kemi arritur që të bëhet dezinfektimi në këto zona, e cila ndodhi në fillimi të pandemisë, por nuk vijoi më tej”, tha Romina Seferi për Portën Vendore.

“Bashki të Forta”  – një projekt i Agjencisë Zvicerane pwr Zhvillim dhe Bashkëpunim që zbatohet nga Helvetas Swiss Intercooperation në 61 bashkitë e vendit luajti rol të rëndësishëm në vendimmarrjen e bashkive, duke i ndihmuar ato për më shumë transparencë duke asistuar në një sërë formash gjatë pandemisë së Covid 19.

Arbër Kadia, Ekspert për Informacionin dhe monitorimin, menaxhimin e dijes dhe komunikimin, i pyetur nga Porta Vendore mbi presionin e shoqërisë civile për rritjen e transparencës gjatë pandemisë së Covid 19, tha se:

Projekti Bashki të Forta vazhdoi me të njëjtin intensitet punën përgjatë gjithë periudhës së COVID-19 në të gjitha bashkitë e vendit falë përdorimit të mjeteve elektronike. 12 Koordinatorët Lokalë luajtën rol kyç në grumbullimin e informacionit në nivel lokal dhe asistuan administratën dhe këshillin bashkiak në nevojat e tyre që kishin lidhje me fushën e veprimit të projektit”.

Modeli u erdhi në ndihmë bashkive duke lehtësuar përllogaritjen e kostove për ofrimin e shërbimit në mënyrë të shpejtë, efektive dhe transparente në menaxhimin e fondeve

“Edhe pse ka pasur një shprehje dëshire për të rritur transparencën nëpërmjet mjeteve të informimit publik, 30% e bashkive janë tërhequr nga asistenca e ofruar pasi është vënë re një tronditje e balancave të fuqive midis legjislativit dhe ekzekutivit”, shtoi më tej Kadia për Portën Vendore.

Sipas Bashki të Forta, ka një numër të madh bashkish që kanë rezultuar ndër më pozitivet dhe kanë shërbyer si shembuj për masat e marra dhe transparencën e ofruar. Të tilla si: Bashkia Shijak për transparencën mbi 5 mbledhje të transmetuara live me dhe pa asistencën e Bashki të Forta; Bashkia Kukës për angazhimin e shpërndarjen e sondazheve për ekzekutimin e buxhetit 2019 me mbi 2000 përgjigje; Bashkia Shkodër transmetim konstant në media lokale të mbledhjeve të Këshillit Bashkiak; Këshilli bashkiak Vlorë i cili ka ftuar në mbledhje online shoqërinë civile për pjesëmarrje; Bashkia Kuçovë për strehimin “domestik violence”, e cila shënon edhe rastin e parë të bashkive që morën këtë nismë gjatë pandemisë, në ndihmë të personave që pësojnë dhunë në familje. Si dhe është vënë re gjithashtu një vullnetarizëm i madh në tërësi në të gjitha bashkitë për mobilizimin e ndihmës në terren.

Projekti Bashki të Forta ndihmoi gjithashtu publikun, median dhe shoqërinë civile me raportet e përjavshme që publikoi nga marsi në qershor në lidhje me detaje, vendime, konsultime, transparencën dhe detaje që afektonin jetën e qytetarëve, marrë nga bashkitë e vendit.

“Nga 61 bashki të vendit, rreth 21 kanë ndërmarrë ndryshime në paketën fiskale. Efekti financiar i përllogaritur për 17 bashki të observuara gjatë periudhës së pandemisë është 282 milionë lekë, ku 84% vjen si pasojë e ndryshimeve në tarifa dhe 16% si pasojë e ndryshimeve në taksa. Lehtësimin më të lartë financiar e vëmë re në Kamzë, Shijak, Maliq, Lezhë dhe Elbasan. Impakti më i madh nga shtyrja apo ulja e nivelit të taksës ka ardhur prej tatimit mbi pasurinë e paluajtshme dhe taksa e biznesit të vogël, ndërkohë që ndër tarifat vendore më e afektuara është ajo e shërbimeve publike. Kryesisht nga tarifat pjesa më e konsiderueshme e uljes kanë përfituar si familjet ashtu dhe bizneset”, thuhet në raportin e datës 19 majit-3 qershorit nga Bashki të Forta.

Eksperti Krasniqi: Bashkitë nuk ishin transparente

Megjithatë, ekspertë të tjerë të shoqërisë civile mendojnë se bashkitë nuk ishin transparente gjatë pandemisë. Afrim Krasniqi është drejtues i Institutit të Studimeve Politike dhe në një intervistë për Porta Vendore, Afrim Krasniqi tregon se që prej zgjedhjeve të 30 qershorit të vitit të kaluar, situata me transparencën në bashki është përkeqësuar.

“Gjatë viteve të kaluara ne kemi bërë monitorimin e disa nga bashkitë kryesore. Kur kemi pasur këshilla bashkiakë transparentë, kemi pasur debate publike, kemi pasur interes publik. Edhe aty ka pasur mangësi, por u arrit një farë niveli për informim. Prej momentit që këshillat bashkiakë u bënë të një partie situata precipitoi në mënyrë neative”, tha Afrim Krasniqi.

Më tej, ai tregon se pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar dhe sidomos gjatë pandemisë, regresi ka qenë dhe më i madh. Afrim Krasniqi tregon se bashkitë kanë hezituar të japin informacion me justifikimin se nuk kanë staf, duke u shprehur se asnjë kërkesë e dërguar nga Instituti i Studimeve Politike nuk ka marrë përgjigje. “Periudha kur nisi tërmeti në dhjetor deri në mars dhe sidomos gjatë periudhës së Covid, situata e informacionit është bërë shqetësuese. Asnjë nga kërkesat për informacion nuk ka marrë përgjigje me justifikimin se nuk kemi staf në punë. Ligji nuk e parashikon këtë”, thotë ai.

Bashkia më problematike, sipas Afrim Krasniqit, mbetet ajo e Tiranës. Ai jep shembullin e dy bashkive të tjera, Shkodrës dhe Vlorës, njëra e qeverisur nga të djathtët dhe tjetra nga të majtët, të cilat gjatë pandemisë kanë transmetuar live mbledhjet e këshillave bashkiake duke mundësuar transparencë për qytetarët dhe median. Por e njëjta gjë nuk ka ndodhur me Bashkinë e Tiranës, e cila jo vetëm nuk i ka transmetuar live mbledhjet e këshillit bashkiak, por sipas Afrim Krasniqit, në rastin e vendimit për shembjen e teatrit kombëtar vendimi është marrë në mënyrë flagrante.

“Bashkia Vlorë dhe Shkodër e kanë zgjidhur këtë duke punuar me televizionet lokale duke i dhënë mbledhjet e këshillave bashkiake live. Dhe ne kur duam t`i monitorojmë i ndjekim mbledhjet e këshillave bashkiake. Bashkia Tiranë nuk e ka bërë këtë, përveç rastit kur transmetohet fjala e kryetarit të bashkisë. Rasti i teatrit ishte dhe më flagrant. Është vendim-marrje jashtë rregullave, është natë, është e paregjistruar, nuk është publikuar procesverbali. Ata duhet t`i bëjnë publike rendin e ditës, siç e bën parlamenti. Parlamenti e bën rendin e ditës gati dhe e dërgon për mediat dhe ne e dimë se çfarë do diskutohet në parlament. Parlamenti i regjistron mbledhjet dhe të jep mundësinë ta rishikosh. Kështu ndodh dhe për projekte të mëdha zhvillimi. Por, nuk ka informacion, të dhënat i marrim në rrugë të tjera ose në opinion”, thotë Afrim Krasniqi.

OJF-të dhe media, përballë bashkive për transparencën

Po ashtu Arben Kosturi, një nga aktivistët për të drejtat e komunitetit rom në Korçë, tregon se ky institucion nuk ka dhënë informacion gjatë pandemisë. Arben Kosturi tregon se vetëm pas shumë peripecish është arritur që organizata e komunitetit rom që ai drejton në qytetin juglindor, të marrë informacion e të bëjë të mundur që të fuste në listën për ndarjen e pakove ushqimore edhe një pjesë të kategorive vulnerabël.

“Organizatat e shoqërisë civile nuk kanë pasur potencial të ndikojnë drejtpërdrejt në transparencën e bashkisë Korçë, për një sërë faktorësh sikurse janë: informacioni, neglizhenca, paragjykimet ndaj organizatave etj. Edhe pse ekziston ligji për dhënien e informacionit nga institucionet publike, Bashkia Korçë gjithmonë ka qenë e rezervuar në informacion. Aktivitetet dhe projektet që implementon në 90% të rasteve mbeten brenda institucionit, pa na dhënë mundësinë si OJF të bashkëpunojmë, të konsultojmë etj. Kemi qenë ne si organizatë që kemi kërkuar bashkëpunim me bashkinë, duke i drejtuar letër ministrive. Pra pas disa peripecish ne arritëm të bashkëpunojmë me bashkinë për të ndarë pako ushqimore për komunitetin. Ishte urdhri nga lart për bashkëpunim, sepse në të shumtat e rasteve bashkia u shërben listës emërore që ata posedojnë. Shumë familje të tjera mbetën jashtë skemës së përfitimit”, thotë Kosturi.

Mirëpo Porta Vendore pyeti dhe institucionin e bashkisë lidhur me situatën e transparencës. Larisa Katundi, Koordinatore për të Drejtën e Informimit në Bashkinë Korçë, tregon se ky institucion ka qenë i hapur për të bashkëpunuar me organizatat e shoqërisë civile apo median gjatë pandemisë. “Nuk kemi kursyer asnjë kërkese për informacion, duke qenë se unë në bashki përveç koordinatorit për transparencën, kam dhe rolin e drejtorit të marrëdhënieve me publikun. Çdo kërkesë që ata kanë pasur, unë e kam zgjidhur. Për intervista nuk mund të realizoheshin dot jashtë, por informacioni nuk ka munguar. Qoftë për ndihmat ekonomike, dezinfektimet, masat që merrte bashkia për situatën, për aksionin e policisë bashkiake. Kemi qenë shumë të gatshëm”, thotë ajo.

Sipas Larisa Katundit, Bashkia e Korçës ka përdorur forma të ndryshme për të qenë transparente me qytetarët. Ajo thotë se për t`u ardhur në ndihmë shtresave në nevojë, bashkia vendosi një kuti postare, ku çdokush mund të depozitonte kërkesën e vet dhe më pas merrej në shqyrtim nga departamentet përkatëse në bashki. Gjithashtu, sipas Larisa Katundit për qytetarët ishte në dispozicion dhe një numër kontakti me çdo drejtues apo përfaqësues të drejtorive përkatëse në bashki me qëllim zgjidhjen e problemeve të tyre.

“Bashkia nuk i ka ndërprerë asnjëherë shërbimet gjatë pandemisë. Në mënyrat e saj, online apo ndryshe ne kemi qenë gjatë gjithë kohës në punë. Edhe pse qytetarët nuk kishin kontakt të drejtpërdrejtë me sportelin e informacionit, ne kishim lënë një kuti postare për të gjithë ata që kishin nevojë për ndihma, asistencë sociale, ekonomike apo ushqimore, depozitonin kërkesën aty. Më pas këto kërkesa merreshin dhe shqyrtoheshin dhe orientoheshin sipas nevojave. Disa për asistencën nëse u takonte asistenca. Disa për CAMP, disa me paketa ushqimore apo higjienike”, thotë Katundi, duke shtuar gjithashtu se shërbimet e tjera të bashkisë janë ofruar online, ndërsa pranon se për ndihmat ushqimore është bashkëpunuar dhe me organizata të ndryshme apo fondacione që operojnë në Korçë. “Ne përveç listave tona të njerëzve në nevojë kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me shoqërinë civile që operon në Korçë. Ata kanë pasur listat e tyre dhe kanë punuar me listat e tyre. Pra ne kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë. Kemi kompensuar njëri-tjetrin”, thotë ajo për Portën Vendore.

Shqetësimi për dhënien e informacionit, qoftë dhe atij zyrtar, ngrihet edhe nga gazetarët. Porta Vendore vetëm pak ditë më parë publikoi një vëzhgim të disa prej bashkive në lidhje me uljen e transparencës dhe mos zbatim të ligjit për të drejtën e informimit. Ndërsa më herët 26 organizata të shoqërisë civile kërkuan nëpërmjet një letre të hapur më shumë transparencë nga ana e pushtetit vendor gjatë periudhës së pandemisë globale të Covid 19-ës,e cili kaptoi edhe vendin tonë.

Entela Duka punon si gazetare për një televizion informativ në Elbasan. Gjatë periudhës 12 mars-23 qershor, ajo ka raportuar nga qyteti i saj problematikat e qytetarëve lidhur me pandeminë. Ndërkohë, Entela tregon se gjatë kësaj periudhe ka qenë shumë e vështirë për të marrë informacion zyrtar.

“Informacioni, i cili cilësohet pushtet për median, gjithnjë ka ardhur duke u vështirësuar. Institucionet publike gjithnjë janë duke mbyllur dyert kur vjen puna te dhënia e informacionit, ndaj investimi i gazetarëve në këto kushte është duke u përqendruar te burimet jo zyrtare”, thotë Entela Duka. Ndërkohë, ajo tregon gjithashtu se ka shumë dritëhije për vendimet e këshillit bashkiak në Elbasan, ndonëse ato janë publikuar online për qytetarët. “Transparenca gjithnjë lë vend për diskutim, qoftë edhe në kohë pandemie. Vendimet e këshillit bashkiak janë bërë publike, por duke qenë një këshill pa opozitë kuptohet se ka dritëhije në vendimet që merren”, thotë Entela Duka.

Po vetë media lokale dhe shoqëria civile sa ka ndikuar që bashkitë të bëhen transparente, apo sadopak të japin informacion gjatë kohës së pandemisë.

Për ekspertin Afrim Krasniqi, media nuk ka kapacitete dhe gazetarë, dedikuar problemeve të ndryshme të pushtetit lokal. Ndërkohë, mangësi në nxitjen e transparencës për bashkitë ka edhe nga OJF-të, pasi sipas Krasniqit organizatat funksionojnë në bazë të projekteve, që kryesisht diktohen nga donatori.

“Ka dy elemente: e para media nuk ka gazetarë të trajnuar apo të fokusuar për çështjet e pushtetit lokal për shkak të situatës së vështirë ku ndodhet media. Ndërsa shoqëria civile operon kryesisht me projekte dhe donacione të ndërkombëtareve. Një nga dobësitë kryesore të donacioneve kanë qenë se kanë mbështetur gjithmonë organizata të reja. Por marr rastin edhe personal, kur ne trajnojmë staf dhe mbaron projekti, bie poshtë gjithë investimi që bën. Ka një keqkuptim të madh, ne marrim të dhëna zyrtare nga bashki të caktuara dhe të dhënat janë jo gjithmonë të sakta. Psh, ka bashki që kanë faqe shumë të mira sepse kanë qenë projekte të USAID, por kur kemi monitoruar te qytetarët na ka rezultuar se informacionet në faqet zyrtare nuk janë të plota”, shprehet Afrim Krasniqi.

Por ndryshe nga Krasniqi, Kadia thotë se: “Prej fillimit media ka pasur rol informimin dhe përfaqësimin e interesit të qytetarit duke reflektuar nevojat për shpërndarjen e ndihmave dhe reagimit popullor. Raste specifike, shqetësime të sigurisë dhe ndihmës ndaj grupeve vulberabël (romët në Fier) dhe mbylljes së tregjeve (psh ai i Vlorës)”.

Entela Duka, gazetare në Elbasan, mendon se puna e saj dhe e kolegëve të saj e ka detyruar bashkinë të jetë më transparente. “Jam e mendimit se puna ime në terren si gazetare gjatë pandemisë, ka ndikuar edhe në transparencën e Bashkisë Elbasan. Fakti që kam raportuar pranë çdo banese dhe lagje ku janë regjistruar të infektuar ka bërë që pushteti lokal të jetë më transparent ndaj rasteve të regjistruara, por jo vetëm kjo, por edhe për shumë çështje të tjera sensitive, ku përfshihen edhe pakot ushqimore, të cilat ishin kryefjala e pandemisë për familjet në nevojë”, shprehet Entela Duka.

Për Ervis Çotën nga LRER, media dhe shoqëria civile ishin dy instrumentet që ndihmuan në rritjen e transparencës nga ana e pushtetit vendor, megjithëse kjo nuk ishte e njëllojtë për çdo bashki në vend.

“Mendoj se shoqëria civile dhe media ishin dy instrumentët e vetëm që me presionin e tyre ndikuan disi në transparencën e bashkive. Duhet thënë se presioni nuk ishte me të njëjtin intensitet në bashki te ndryshme. Sikurse duhet thënë se pavarësisht presionit, transparenca e bashkive nuk ishte në nivelet e duhura. Shumë çështje dhe procese vendimmarrëse të pushtetit vendor nuk u bënë asnjëherë transparente. Në këndvështrimin tim, presioni i shoqërisë civile dhe medias ndikoi më shumë në transparencën në aspektin e menaxhimit dhe shpërndarjes e pakove ushqimore. Në rast se këto dy instrumente nuk do kishin funksionuar, bashkitë nuk do të ishin treguar aq të gatshme për tu angazhuar dhe përgjigjur nevojave të qytetarëve. Shumë raste të familjeve në nevojë nuk do ishin bërë publike dhe nuk do kishin marrë zgjidhje”, tha Çota drejtues i LRER-së për Portën Vendore.

Edhe Romina Seferi drejtuese e Qendrës për Advokim Social thotë se roli i medias në gjykimin e saj, ka qenë i rëndësishëm pasi hera-herës ka ndihmuar edhe shoqërinë civile për evidentimin e problemeve, dhe transmetimin e tyre, kur shpesh është gjetur edhe zgjidhja e situatës ose problematikës që ka shqetësuar qytetarët gjatë pandemisë së Covid 19-ës.

“Kombinimi i këtyre dy komponentëve dhe sidomos kur është serioz dhe sistematik, prodhon një fuqi shumë të madhe, e cila e gjitha shkon në dobi të atyre që kanë më shumë nevojë, ndaj në këtë periudhë pandemie roli i medias ka qenë i rëndësishëm dhe i fuqishëm për të përçuar zërin atje ku realisht ka pasur më shumë nevojë”, tha Seferi për Portën Vendore.

Mungesa e transparencës, çfarë kostosh ka pasur për qytetarët

E gjithë kjo situatë ka kosto direkt te qytetarët. Sipas ekspertit Afrim Krasniqi, qytetarët janë ata që vuajnë pasojat, pasi sipas tij pothuajse të gjithë shërbimet qytetari i merr në bashki. “Qeveria qendrore mori vendim edhe për bashkitë, për taksat për qiratë, por ne nuk kemi parë që ato të trajtohen në këshillat bashkiakë. Ata duhet t’i vlerësonin, t’i kthenin në norma, duhet të rishikonin buxhetin, duhet të kërkonin dhe para nga qeveria qendrore, sepse ka bashki që nuk e përballojnë”, shprehet ai.

Afrim Krasniqi shton gjithashtu se situata aktuale nuk është e justifikueshme. Sipas tij, edhe pse ligji për të drejtën e informimit të krijon mundësinë për të marrë informacion, ai shton se kanë dështuar mekanizmat e kontrollit. Aktualisht nuk është gjobitur asnjë kryetar bashkie për mos dhënie të informacionit. Gjithashtu Afrim Krasniqi tregon edhe problematikat e tjera që lidhen me informacionin dhe transparencën e bashkive, duke u shprehur se edhe kur kjo është e mundur, ka problematika.

“Normal që nuk është e justifikueshme kjo situatë. Pasi në kushtetutë dhe në parlament qeveria qendrore dhe ajo lokale është bërë të jetë e balancuar. Pastaj ka dhe mekanizma të tjerë kontrolli siç është ligji për të drejtën e informimit etj. Aktualisht këshillat bashkiake janë rreth i mbyllur dhe për sa kohë janë rreth i mbyllur, asgjë nuk funksionon në mënyrë transparente. Programi i transparencës, për sa kohë ne nuk kemi një kryetar bashkie të gjobitur në Shqipëri, një njeri të penalizuar që ka shkelur ligjin për të drejtën e informimit atëherë e kupton që kjo është çështje fushatash. Nëse media kujtohet për një problematikë atëherë e bën headlines. Në rutinën e përditshme informacioni del vonë ose humbet. Elementi tjetër është raporti mes dokumentit zyrtar dhe këtyre që quhen portale apo media online. Brezi i ri dhe brezi i mesëm marrin informacion nga rrjetet sociale. Por shtresa të caktuara nuk kanë akses online. Pastaj informacioni që publikohet në rrjetet sociale nuk është informacion zyrtar, pasi edhe nëse thotë aty se ty të përket një e drejtë mund ta fshijë atë status dhe zhduken gjurmët. Kështu që asgjë nuk e zëvendëson dokumentin zyrtar. Dokumenti zyrtar firmoset, vuloset dhe pastaj publikohet online.”, përfundon ai.