5 gusht 2020/ Brikena Metaj/ Porta Vendore/ Gjirokastër
Fundi i korrikut 2020 i gjeti bujtinat rreth e përqark zonës së Gjirokastrës të zbrazëta. Asnjë turist vendas apo i huaj nuk ka shkelur prej më shumë se pesë muajsh në fshatrat ku familjet kanë hapur dyert për t’i mirëpritur.
Vaso Bakulin, profesorin e dalë në pension, e gjejmë duke punuar në “kopshtin” e shtëpisë së tij në Saraqinishtë.
Një kopsht i vogël Edeni në zemër të malit të Çajupit, aty ku mushkëritë ngopen me ajrin e freskët dhe ku i nxehti i korrikut duket një kujtim i largët. Të mjafton kaq të kuptosh përse turistët i lakmojnë aq shumë këto vende në dukje të largët e të izoluar. Pikërisht në këto lloj bujtinash, të vendosura në thellësi të fshatrave ku banorët vendas janë të paktë, turisti gjen qetësinë e munguar në qytetet e zhurmshme, shkëputjen nga një realitet që ikën rrëmbimthi pa të lënë kohë të mendosh për veten. E të mos flasësh pastaj për ushqimin, që vjen nga bahçja në tavolinë.
Pasi u shkëput nga puna e tij si pedagog në Universitetin e Gjirokastrës, profesor Bakuli (ende të gjithë i thërrasin kështu) u vendos përfundimisht në shtëpinë e tij të lindjes në Saraqinishtë. Ai ishte ndër të parët që solli një eksperiencë të panjohur në zonë: mikpritjen e turistëve. Në fshatin e vogël ku tashmë nuk ka më shumë se 10 shtëpi të banuara, kjo është e vetmja bujtinë dhe profesor Bakuli me të shoqen i kanë dedikuar asaj të gjithë kohën dhe të ardhurat e tyre.
Ndërsa na shoqërojnë nëpër shtëpinë e madhe shekullore, ku ende ekzistojnë gjurmët e së shkuarës, ata tregojnë punimet e mbetura në mes.
“Çdo gjë këtu e lëmë. Bëj dy lekë dhe shto një mur, thotë një shprehje”, na tregon profesori. “Fitimet e vjetshme i hodhëm të gjitha për të rregulluar këto dhoma, por tani mbetën në mes edhe ato. Oferta e sivjetshme turistike është zero. Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë frekuentojnë plazhet më shumë sesa mjediset e tjera malore apo kodrinore”, shton më tej profesori.

Rastet e Covid-19 janë në rritje dhe komunitetet që ishin drejt rrugës për rihapjen e ekonomisë së tyre, tani po përballen me mbyllje dhe kufizime. Bizneset që mund të qëndrojnë të hapura janë duke eksperimentuar dhe duke përshtatur bizneset e tyre për t’iu përgjigjur nevojave të ekonomisë së prekur nga pandemia.
Kjo e fundit është sot kryefjala e gjithçkaje, madje edhe e ofertës turistike. Ajo që e shqetëson profesor Bakulin është respektimi i masave në përgjithësi dhe marrëdhënia që mund të ketë turizmi me shtimin e masave anti- Covid.
“Çdo gjë ka lidhje me pandeminë sepse ka të bëjë me respektimin e masave anti-Covid. Çështja e protokollit shëndetësor është delikate. Ne dezinfektojmë mjedisin për ta mbajtur sa më pastër dhe tregojmë kujdes për mbrojtjen individuale si ne, edhe turistët, por nuk e di se sa sigurohet kjo në det psh. Nga ana tjetër ne si bujtës nuk kemi asnjë garanci për turistët që ftojmë në bujtinat tona. Ajo që mund të sigurojmë është kujdesi maksimal nga ana jonë”, shprehet ai.
Situata paraqitet me po të njëjtat problematika edhe në bujtinat e tjera të zonës së Lunxhërisë. Bujtina si ato të vendosura në Karjan, Nokovë, apo fshatra të tjera të kësaj zone, nuk kanë hapur dyert për këtë vit.

Ani Krisafi është një djalosh i ri 21 – vjeçar që tashmë prej disa vitesh i është përkushtuar botës së turizmit. Familja Krisafi e ka kthyer shtëpinë e tyre, që ndodhet në pjesën e sipërme të fshatit Karjan, në një bujtinë, nga më të frekuentuarat në zonë, për shkak të pamjes së mrekullueshme që të ofron, ajrit të pastër dhe traditës së mikpritjes lunxhiote.
Një vit më parë Ani u ofroi turistëve edhe një tur rrugëtimi nga Karjani në Labovën e Zhapës, një udhëtim dy orësh përgjatë të cilit aventurierët kanë mundësinë të njohin traditën, kulturën dhe historinë, krahas shijimit të natyrës së virgjër.
Nëna e tij na pret me një byrek të përgatitur me lakrat e bahçes që ishte ndër më të mirët që kam shijuar ndonjëherë. Por ne ishim vizitorët e parë për këtë vit në familjen Krisafi. Ani tregon se “në një vit të zakontë prurjet turistike në Karjan nisin nga mesi i muajit prill deri në fund të muajit tetor me 400 – 500 turistë në muaj, një pjesë e të cilëve janë turistë kalimtarë që ndalojnë për disa orë”, ndërsa kapaciteti i kësaj bujtine në Karjan është vetëm 6 shtretër.

“Turizmi sivjet ka qenë zero si nga akomodimi edhe nga bujtimi. Sivjet në zonën e Lunxhërisë nuk ka patur turistë. Këtë muaj ata kanë qenë të paktë edhe në Gjirokastër, por nuk kanë arritur ende nëpër bujtina. Kanë qenë aq të pakta lëvizjet saqë nuk mund të konsiderohen fitimprurëse, janë tërësisht minimale, aq më tepër nëse e krahasojmë me vitin e kaluar”, shpjegon Ani që është edhe administrator i bujtinës Krisafi.

Mikpritja është faktori kryesor që ndikon në turizëm dhe nëpër bujtinat e vogla në fshatra atë e gjen me bollëk. Në këto zona zhvillohet ai që quhet “turizëm agrokulturor”. “Ne kemi shfrytëzuar çdo centimetër tokë për ta mbjellë. Kemi nga të gjitha produktet, shumë prej të cilave turistët mund t’i vjelin vetë dhe ky është një atraksion më vete për ta. Kemi edhe atraksionet e tjera shoqëruese që janë tërheqëse për turistin”, shton Ani.
Një atraksion turistik si Lunxhëria
E vendosur përballë Gjirokastrës në faqen e malit të Lunxhit, Lunxhëria është një prej krahinave më të pasura në burime; bukuri natyrore, monumente kulture, kisha, manastire dhe sidomos banesa origjinale e madhështore të ndërtuara me gur të zi. Tradita e pasur folklorike, kulinaria dhe mikpritja janë pikat e forta të kësaj krahine. Lunxhëria si njësi administrative ka 10 fshatra dhe numëron rreth 5000 banorë.
Një nga krahinat me më shumë traditë, histori dhe kulturë, reliev malor – kodrinor, me shumë burime ujërash karstikë dhe monumente natyrore, fshatrat e kësaj zone vazhdojnë të ruajnë me fanatizëm traditat.
“Një turist vendas dhe i huaj mund të shijojë natyrën, kulinarinë dhe të njohë historinë. Në një udhëtim të vetëm drejt Saraqinshtës sheh Parkun Arkeologjik të Antigonesë, Manastirin e Spilesë, me dhjetëra kisha me vlera monumentale, përgjithësisht të rrënuara, bukuri natyrore dhe kulturore”, tregon plot pasion profesor Vaso Bakuli që përkundër moshës nuk heziton të shëtisë çdoherë bujtësit e tij drejt këtyre atraksioneve, duke iu dhuruar të gjithë vizitorëve kujtime të pashlyeshme nga Shqipëria.
Bujtinat, trendi në rritje i turizmit familjar
Tradita e bujtinave në Gjirokastër është e vjetër, por numri i tyre ka qenë i paktë dhe shpërndarja gjeografike shumë e kufizuar. Pesëvjeçari i fundit njohu një trend në rritje të bujtinave që filluan të çelin si kërpudha të vetmuara në fillimet e veta. Tashmë në pothuajse çdo fshat të Qarkut të Gjirokastrës gjen një shtëpi të kthyer në bujtinë. Ka qenë nevoja për t’i shërbyer fluksit turistik që gjen përhapje në çdo hapësirë të territorit të qarkut, ajo që ka nxitur banorët të përqafojnë këtë mendësi të re.
Vetëm 10 km larg rrugës kryesore që të drejton për në qytetin e Përmetit, ndodhet fshati i vogël me 25 familje i Pagrisë. Banorët e fshatit që u bë i njohur tre vite më parë, pas sekuestrimit të 12 tonëve hashash, po synojnë të shfrytëzojnë fluksin e turistëve që kalojnë në këto anë drejt Parkut Natyror të Bredhit të Hotovës, për ta kthyer fshatin në një destinacion turistik. Porta Vendore një vit më parë i kushtoi një shkrim nismës tejet origjinale të banorëve për ta futur zonën e tyre, pjesë të 100 fshatrave turistik.
17 familje të fshatit të thellë ofrojnë produktet e zonës, të cilat banorët nuk munden t’i tregtojnë për shkak të largësisë dhe mungesës së infrastrukturës. Largësia nga qendra urbane i ka izoluar banorët e Pagrisë. 58 vjeçarja Lulzime Duçka i ka fëmijët emigrant. Ajo thotë se detyrohet ta varë telefonin në një degë peme për të kapur sinjalin telefonik që në fshat mungon, por pikërisht kjo pengesë për fshatarët, është një nga gjërat që tërheq më së shumti turistët e huaj të cilët duan të shkëputen nga realiteti.
Flora Sali nga fshati Gostivisht në Përmet, prej disa vitesh e ka kthyer shtëpinë e saj në bujtinë. Ajo tregon se interesi i turistëve është i madh në produktet vendase dhe traditën e prodhimit të tyre.
Bujtinat u ofrojnë vizitorëve një pritje familjare dhe shumë afër traditës. Të mobiluara thjeshtë ato ofrojnë gatime tradicionale me produkte të zonës. Profesor Vaso Bakuli thotë se bujtësit mund të zgjedhin mes vakteve të përgatitura nga e zonja e shtëpisë ose ta përgatisin vetë ushqimin e tyre.
Edhe pse në Booking vetëm në Bashkinë Gjirokastër gjen rreth 40 guest house, të dhënat zyrtare nga Zyra e Turizmit në Bashki flasin për 14 bujtina të regjistruara, nga të cilat vetëm 5 prej tyre ofrojnë një trajtim të plotë për turistët me ushqim dhe fjetje, në një shifër që shkon tek 31 shtretër në total, ndërsa 9 të tjera ofrojnë vetëm ushqim.
Praktika dëshmon se pjesa më e madhe e bujtinave janë informale dhe sipas pohimeve të administratorëve të tyre shkak janë kostot e larta të taksimit dhe pamundësia e këtyre familjeve për ta kthyer në një biznes të mirëfilltë fitimprurës. Fenomeni gjen shtrirje në të gjithë Qarkun e Gjirokastrës. Pavarësisht përpjekjeve të mençura të banorëve që kanë filluar më në fund të shfrytëzojnë pasuritë natyrore dhe kulturore që i kanë pa fund, pandemia ka frenuar këtë zhvillim në rritje, dhe pse modest por shpresëdhënës për zhvillimin e zonës.