3 gusht 2020/ Bledi Gilaj/ Porta Vendore
Flakët kanë pushtuar disa zona të vendit, duke u përhapur fuqishëm në javën e fundit të korrikut dhe në dy ditët e para të gushtit. Zjarret kanë përfshirë më së shumti zonat veriore të vendit, Si Shkodrën, Lezhën, Kukësin dhe Dibrën, por pa lënë mënjanë as zona të tjera si Elbasani, Korça dhe Saranda. Por, situata më kritike paraqitet në Lezhë, ku të vetmit që kanë mundur të ndërhyjnë kanë qenë banorët, ndërsa bëhet apel për shuarjen e tyre me ndërhyrje nga ajri.
Zjarret në Lezhë
Flakët e para në këto ditë të nxehta të verës u përhapën në Njësinë Administrative të Zejmenit në Lezhë në dhjetëditëshin e fundit të korrikut, i cili për shkak të erës u përhap në anën lindore të tij, duke prekur dhe Njësinë Administrative të Rubikut në Bashkinë e Rrëshenit. Dhjetëra hektarë shkurre janë djegur në Zejmen, ndërkohë që për shkak të terrenit të vështirë nuk ka pasur asnjë ndërhyrje për shuarjen e flakëve.
Zjarri i rënë që prej ditës së hënë (27 korrik) në pyjet e Njësisë Administrative Zejmen në Lezhë vijon aktiv dhe tashmë ka prekur dhe territorin e Bashkisë Mirditë. Që prej pasdites të së enjtes (30 korrik) flakët janë përhapur në pyjet e fshatit Katund i Vjetër në Rubik. Favorizuar dhe nga era, zjarri ka përshkuar një sipërfaqe të konsiderueshme pyll me dru dhe shkurre, ndërsa ndërhyrja e zjarrfikësve është e pamundur për shkak të terrenit të thyer malor dhe mungesës së rrugës.
Zjarri është ndihmuar dhe nga era dhe po mësyn drejt fshatit Bulger, duke rrezikuar pronat dhe vetë jetën e banorëve të saj.Katundi i Vjetër i fokusuar bindshëm në drejtim të zhvillimit të turizmit malor merr goditje fatale nga djegia e madhe e fondit pyjor, një nga bukuritë e mahnitshme të këtij destinacioni turistik.

Banorët kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme e strukturave përgjegjëse të Bashkisë Mirditë dhe Emergjencave Civile Kombëtare, pasi sipas tyre nuk ka asnjë ndërhyrje për eliminimin e zjarrit të fuqishëm dhe që rrezikon pronat dhe jetën e banorëve të Bulgerit.
Lidhur me këtë zjarr ka reaguar Bashkia e Mirditës, duke deklaruar se deri tani janë djegur afërsisht 7 hektarë pyll në këtë zonë. “Për shkak të territorit të thyer malor është kërkuar ndihmë nga Emergjencat Civile pranë Ministrisë së Brendshme për ndërhyrje nga ajri, kjo e fundit është përgjigjur pozitivisht thirrjes duke dërguar helikopter në ndihmë të kësaj situate.Theksojmë gatishmërinë e Kryetarit të bashkisë Mirditë z. Ndrec Dedaj, i cili ka vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet për të bërë çfarë ishte e mundur për kthimin në normalitet të kësaj situate, gjithashtu edhe mbështetjen e Prefektit të Qarkut të Lezhës.Fatmirësisht situate paraqitet drejt normalitetit nuk ka dëme në jetë njerëzish as në banesa”, deklaroi Bashkia Mirditë. Megjithatë, në terren vazhdojnë ende flakët, ndërsa banorët rrinë të frikësuar se ato mund të rrezikojnë jetën e tyre.
Por këto nuk janë flakët e vetme që kanë pushtuar qarkun e Lezhën. Dy vatra zjarri, të nisura më 30 korrik, kanë rrethuar Torovicën në njësinë administrative të Balldrenit në Lezhë. Zjarri i parë që kishte nisur në Bushat të Shkodrës ka mbërritur gjatë natës në drejtim të Torovicës dhe akoma vijon. Ndërhyrja është tepër e vështirë për shkak të terrenit shkëmbor.
Po ashtu gjatë natës së 31 korrikut, një tjetër zjarr ka rënë në kufijtë e njësisë administrative të Balldrenit dhe vijon me intensitet. Edhe në këtë zonë ndërhyrja e vështirë për shkak të terrenit malor. Në të dyja rastet vijon djegia e malit dhe ende asnjë ndërhyrje për shkak të terrenit të tyre.
Biznesmeni i njohur Altin Prenga ka dalë vetë dhe me disa shkurre të forta përpiqet të fikë zjarrin. Në pamjet që vetë ai ka publikuar duket se në zonën e Lezhës zjarri vijon dhe indiferenca e autoriteteve e kanë detyruar atë të dalë vetë në terren dhe të bëjë sado pak për të shuar flakët. Prenga u bën apel njerëzve, sidomos të rinjve që të bashkohen sepse bashkë mund të fikin çdo zjarr, sado i madh që mund të jetë. “Në mendjen time nuk po rrihja tokën që po digjej, por çdo herë ishte me dedikim. Dedikimi i parë u shkon atyre që e ndezin, dedikimi i dytë autoriteteve që nuk bëjnë mjaftueshëm, dedikimi i tretë ishte për të rinjtë që nuk bashkohen sepse shumë mirë mund ta ndalin zjarrin sado i madh të jetë!“, shkruan ai.
Ndërkohë, një tjetër zjarr është ndezur në Malin e Shëngjinit natën e 31 korrikut, duke u gdhirë 1 gusht. Sipas banorëve, deri tani nuk ka asnjë ndërhyrje, që mund të kryhet vetëm nga ajri për shkak të terrenit të vështirë.
Nga Bashkia Lezhës mësohet se në Kakarrriq deri tani janë djegur rreth 20 hektarë pyll me shkurre, ndërsa në terren ndodhen punonjësit e shërbimit pyjor, të cilët po punojnë me mjete rrethanore për lokalizimin e flakëve. Ndërsa në Malin e Rrencit (Shëngjin), zjarri po i afrohet zonës së Ranës së Hedhun dhe është e pamundur ndërhyrja. Deri tani aty janë djegur rreth 50 hektarë pyje dhe zjarri vijon të jetë aktiv.
Dibra, në tym e flakë
Tre vatra zjarri shumë të fuqishme janë aktive prej 3 ditësh në rrethin e Dibrës. Janë me qindra hektarë pyje që po shkatërrohen, ndërsa në terren janë vetëm pesë zjarrfikës dhe disa inspektorë të pyjores. Një vatër zjarri ka përfshirë zonën e Pratit deri në Bufull në Njësinë Administrative Selishtë. Zjarri ka djegur mbi 150 hektarë pyje të larta dhe po afrohet tek antenat ku transmetojnë televizionet dhe kompanitë celulare në malin mbi fshatin Arapaj.

Në terren kanë qenë vetëm tre zjarrfikës, një inspektor pyjor i zonës dhe një punonjës i policisë dhe asnjë punonjës nga Njësia Administrative.
Një tjetër vatër zjarri prej dy ditësh ka përfshirë majën e Runjës, ku janë djegur mbi 40 hektarë pyje. Tani zjarri ka kaluar në zona të larta në bjeshkë ku po digjen kullota. Situata është po thuajse e njëjtë, ku të njëjtët zjarrfikës me pompa shpine kanë qenë ditën e parë.
Një tjetër vatër e fuqishme zjarri është konstatuar në fshatin Palaman. Zjarri ka nisur në Njësinë Administrative Zall Dardhë dhe ka përfshirë territorin e disa fshatrave në Njësinë Administrative Sllovë.
Ajo konsiderohet vatra më e vështirë aktive, pasi përveç se ka djegur rreth 200 hektarë pyje të larta, ka përfshirë disa lagje të fshatrave ku pjesa më e madhe e shtëpive janë pa njerëz pasi janë larguar drejt Tiranës. Në lagjen Livadhes të fshatit Palaman janë djegur disa banesa, por nuk ka shifra zyrtare sesa prej tyre.E rrezikuar mbetet dhe lagjja Smaçe, pasi zjarri po afrohet tek banesat.

Nga sektori i pyjeve të Bashkisë Dibër kërkohet ndihmë për të ndërhyrë për fikjen e tij, ndërsa burimet zyrtare shprehen se nuk kanë asnjë mjet për ndërhyrje në raste zjarresh. Agjencia e Zonave të Mbrojtura në Dibër ka një strukturë prej 6 inxhinierë pyjesh, ka një Fuoristradë për të inspektuar dëmet, por nuk ka asnjë strukturë mbështetëse për ndërhyrje në raste zjarresh.
Vatra zjarri në Kukës e Shkodër
Dy vatra zjarri janë aktivizuar këtë javë dhe në Dragobi të Kukësit dhe një në Vaun e Dejës në qarkun e Shkodrës. Zjarri në Dragoni të Kukësit ka rënë në terren malor dhe mjaft të vështirë ku ndërhyrja e zjarrfikësve ka qenë e pamundur. Era ka favorizuar flakët duke i përhapur ato dhe djegur një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore.Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar me mjete rrethanore banorë të zonës, punonjës të zjarrfikëses, në përpjekje për t’i vënë flakët në kontroll.
Gjithashtu një vatër zjarri është aktivizuar edhe në fshatin Kukël të bashkisë Vau i Dejës, ku janë djegur disa hektarë tokë. Mendohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm, ndërsa flakët janë shuar nga zjarrfikëset, duke shpëtuar dhe banesat përreth.Më herët në qarkun e Shkodrës u dogj edhe një kullë 150 vjeçare në zonën e Thethit. Kjo ishte kulla e dytë më e vjetër në lagjen Gjeçaj, një ndërtim karakteristik që tashmë është shkrumbuar.
Digjet Limioni, zonë koncesionare për qytezë të re
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë dhe zonën e Limionit. Kjo zonë është dhënë me koncension dhe është projektuar për t’u ndërtuar si një qytezë e re, por mbrëmjen e të premtes (31 korrik) ajo është përfshirë nga flakët për motive që ende nuk dihen. Flakët e zjarrit janë përhapur me shpejtësi duke gllabëruar një pjesë të mirë të kësaj sipërfaqeje, ndërsa shtëllungat e tymit kanë mbuluar qytetin e Sarandës, i mbushur në këto ditë me turistë. Për fikjen e tij kanë punuar 2 mjete zjarrfikëse, disa punonjës të repartit të Zjarrfikëseve dhe forca të Marinës.

Zjarri, që ende nuk dihen arsyet e rënies së tij, është aktivizuar fillimisht në një zonë me shkurre në kepin e Limionit. Puna për shuarjen e tij ishte e vështirë si pasojë e terrenit të vështirë dhe errësirës. Gjatë kësaj beteje për fikjen e flakëve të zjarrit, është plagosur edhe 1 efektiv i Marinës. Madje, zjarri ishte aq i fuqishëm sa u urdhërua dhe largimi i varkave të peshkimit nga Gjiri i Limionit dhe banorët u njoftuan të jetë në gatishmëri, pasi flakët e zjarrit mund të rrezikonin edhe banesat. Gjithashtu u rrezikua edhe baza detare dhe ndërtesat e repartit ushtarak në Limion. Flakët arritën të shuhen pas tre orësh, por shtëllungat e tymit qëndruan gjatë gjithë natës në qiell të hapur, duke krijuar një re të zezë mbi kokat e pushuesve.
Në flakë Elbasani dhe Devolli
Të premten (31 korrik), një sipërfaqe toke është përfshirë nga zjarri dhe në fshatin Murrs te njësisë administrative të Papërit. Forcat zjarrfikëse janë munduar të shuajnë flakët me mjete rrethanore për shkak të terrenit të vështirë, por me ndihmën e banorëve, kanë arritur të vendosin flakët nën kontroll. Elbasani është përfshirë nga flakët në disa zona gjatë ditëve të fundit, por terreni fushor ka mundësuar shuarjen e shpejtë të flakëve.
Ndërkohë, më 1 gusht, një zjarr masiv pranë fshatit Sul ka përfshirë pyjet e Devollit. Zjarri i madh ka përfshirë një sipërfaqe me ahishte. Sipas kryebashkiakut Eduard Duro, zjarri është vënë nën kontroll. “Sipërfaqja e djegur i ka kaluar 3 hektarë me ahishte dhe pishë, pasi janë të përziera. Jemi duke hasur vështirësi, pasi është terren malor dhe pa rrugë. Po punojmë me punonjës dhe mjete rrethanore”, deklaroi Duro. Megjithatë, prej dy ditësh, zjarri vijon të përhapet frikshëm si pasojë e temperaturave të larta, por edhe erës. Prefekti Dhori Spirollari bën me dije se ende nuk ka të dhëna të sakta mbi sipërfaqen e djegur, por mendohet rreth 10 hektarë. “Bëhet fjalë për dhjetëra hektarë të djegura me pisha, ahishteapo shkurre. Prej dy ditësh në zonë janë angazhuar emergjencat civile dhe punonjës të zjarrfikëses apo nga Bashkia Devoll. Sipërfaqja i ka kaluar tashmë mbi 10 hektarë. Situata është e vështirë pasi në zonë nuk ngjiten mjetet dhe punohet vetëm me punëtorë dhe lopata”, deklaroi prefekti.

Megjithatë, të gjitha zonat kanë kërkuar ndihmën e Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile dhe presin ndërhyrje nga ajri. Burimet nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile i thanë Portës Vendore se po shikohet mundësia për ndërhyrje nga ajri në të gjitha zonat e vendit, por përparësi u është dhënë zonave më problematike, që rrezikojnë jetën e banorëve. Por, deri atëherë, zjarret po dëmtojnë pyjet, bimësinë dhe mjedisin duke rrezikuar seriozisht jetën tonë.
Në muajin gusht 2019, sipas shifrave të Emergjencave Civile, kanë rënë 128 zjarre. Nga këto vatra janë djegur 917.2 ha sipërfaqe me shkurre, ferra, kullotë pemëtari të ndryshme. Në këtë sipërfaqe të djegur përfshihen edhe 289 ha pyll me pisha në ndryshme.